Evropa do ta paguajë një çmim të lartë për paralizën e Gjermanisë

Evropa do ta paguajë një çmim të lartë për paralizën e Gjermanisë
  • 06 December 2017 - 11:53

DEMOKRACIA E NDENJUR GJERMANE KA NEVOJË PËR NJË SHKUNDJE TË MADHE

Procesi i reformave në BE faktikisht ka ngecur, derisa Gjermania është lënë anash

Shkruan: Paul Hockenos 

Qorrsokaku aktual politik i Gjermanisë nuk është tragjedi vetëm për këtë vend. Demokracia e ndenjur e këtij vendi ka nevojë për një shkundje të madhe, gjë që edhe është duke ndodhur që nga mbajtja e votimeve nacionale, në muajin shtator. Gjermanët përsëri janë duke folur për politikën dhe dallimet politike. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për funksionimin e BE-së, e cila gjendet buzë një riorganizimi vital në një moment vendimtar të ekzistencës së saj. Procesi i reformave në BE faktikisht ka ngecur, derisa Gjermania është lënë anash. "Në Bruksel mbretëron një shqetësim i madh dhe një frikë se i tërë projekti evropian është duke u zhbërë", thotë Giles Merritt, botues i periodikut me seli në Bruksel, "Europe's World". "Mbretëron ndjenja se BE-ja gjendet në vështirësi dhe se miku ynë i madh e i vjetër në Evropën qendrore nuk është më aty për ne. Sa më shpejt që të gjendet një zgjidhje, aq më mirë do të ndihen të gjithë".

Një Gjermani e pasur dhe stabile mund të ballafaqohet me pak probleme në politikën e saj

Megjithatë, në Berlin ende nuk ekziston një qeveri në horizont. Bisedimet midis kristiandemokratëve të kancelares Angela Merkel (CDU/CSU) dhe socialdemokratëve (SPD) mund të mos fillojnë para muajit janar. Dhe, nëse këto negociata ngecin, sikur që ka ndodhur më parë me bisedimet midis CDU/CSU, Të Gjelbërve dhe Demokratëve të lirë, atëherë zgjedhjet e reja mund të caktohen të mbahen në pranverë. Një qeveri e re, më pas, mund të mos formohet deri në verë. Një Gjermani e pasur dhe stabile mund të ballafaqohet me pak probleme në politikën e saj. Por, për një BE të çalë, kjo periudhë e paparaparë e pasigurisë, paraqet fatkeqësi të madhe. BE-ja gjendet në krizën e saj më të madhe që nga themelimi i saj, e tronditur nga Brexit, nga kriza kokëfortë e eurozonës, mungesa e unitetit dhe ngritja e të djathtës ekstreme në mes të saj. Politikat e çoroditura të jashtme të Donald Trumpit në mënyrë dramatike kanë nënvizuar nevojën që evropianët të veprojnë së bashku rreth sigurisë dhe punëve të jashtme. Për këtë shkak BE-ja ka nevojë dhe pret një Gjermani të fortë - tani më shumë se kurrë më parë. Shtetet fqinje mund të ankohen rreth dominimit të Gjermanisë në BE, por është evidente se gjëja e vetme më e keqe se kjo, është mungesa e plotë e Berlinit. BE-ja ka mbetur duke pritur derisa të vazhdojë kriza e Gjermanisë. Në të vërtetë, partnerët e Gjermanisë në BE kishin llogaritur që edhe kësaj here Merkel do të dilte nga zgjidhjet më e fortë, me një mandat të freskët katër vjeçar dhe me trashëgiminë e saj në linjë. Nga një pozicion i forcës, ajo kishte përpiluar me presidentin e ri të Francës, Emmanuel Macron, duke rifilluar motorin francez-gjerman i cili kishte fuqizuar BE-në gjatë dekadave të Luftës së ftohtë. Macron ka më shumë se gjysmë viti që pret Merkelin t'i bashkohet. Presidenti francez beson se ka një strategji për shpëtimin e një unioni i cili ka shumë probleme në lidhje me sigurinë, migrimin, borxhin dhe reformën institucionale. Në mesin e planeve të tij janë një Agjenci evropiane e azilit dhe policia kufitare, si dhe një ministër i financave i eurozonës, përgjegjës ndaj Parlamentit evropian. Ai kishte pritur se Brexit dhe presidenca e Trumpit, do ta katalizonin procesin e reformave dhe, me të vërtetë, anketat kanë treguar se evropianët janë për një BE më kategorike. Riorganizimi i eurozonës, ku ajo do të shndërrohej në një union të vërtetë monetar, mund të jetë prioriteti kryesor. Macron dëshiron që t'i lidhë shtetet e eurozonës më afër me një buxhet të përbashkët, një union të përbashkët bankar dhe një fond emergjent të eurozonës. Këto ide të frikshme i takojnë presidentit francez dhe mbështeten nga shumëkush në kryeqytetet e BE-së. Megjithatë, ata kërkojnë ndihmën e një Gjermanie të fuqishme, motorit të BE-së, që ta bëjë realitet këtë gjë. 

Rritja e frustrimit

Gjashtë muaj të bisedimeve rreth shtrëngimit të bllokut monetar, ishte planifikuar që të fillonin në Bruksel, në dhjetor, duke kulminuar në qershor të vitit 2018, me propozime konkrete. Edhe pse kjo do të kërkonte kompromise tepër të mëdha si nga Gjermania dhe Franca, dy liderët kanë një 'kimi' të përbashkët dhe mund të arrinin sukses. Por, ky afat tani nuk është më i mundur që të respektohet, meqë disa vëzhgues pyeten a do t'ia dalë Merkel ta mbijetojë këtë krizë. Rritja e frustrimit është evident gjithnjë e më shumë në mediat evropiane dhe në deklaratat e politikanëve të BE-së. Ministri holandez i Punëve të Jashtme tha se, ngecja e procesit të formimit të një qeverie të re të Gjermanisë, është "lajm i keq për Evropën". Gjermania është duke dëmtuar "tërë presidencën tonë", tha një diplomat i BE-së nga Estonia, vend i cili aktualisht mban postin e radhës së presidencës. "Nuk është në interesin tonë që ky proces të ngrihet", deklaroi Macron në Paris. Për këtë shkak thirrjet janë duke u bërë gjithnjë e më të zhurmshme nga vendet partnere të BEsë, që dy partitë më të mëdha e Gjermanisë sa më parë që të jetë e mundur ta formojnë një koalicion të ri, të madh. Më 24 nëntor, e përditshmja daneze "Politiken", thoshte: "Vetëm SPDja bashkë me Angela Merkelin mund ta garantojnë një stabilitet të nevojshëm politik. Kjo mund të jetë e frikshme për SPD-në, e cila sapo ka përjetuar një debakël në zgjedhje. Por, alternativa e kësaj është edhe më e frikshme. Jo vetëm për BE-në, por edhe për vet Gjermaninë". Prestigji politik i Merkelit tanimë është dëmtuar nga rezultati mediokër i partisë së saj në zgjedhjet e shtatorit dhe nga kolapsi i bisedimeve katërpalëshe për formimin e koalicionit qeveritar. Tani, Berlini është i pafuqishëm, në momentin kur BE-ja duket se do t'ia fillojë reformës më të madhe në historinë e saj. Sa më shumë që ajo të mbetet e paralizuar, aq më shumë pushtet është duke i humbur Gjermanisë dhe më pak kanë të ngjarë që të ndodhin reformat kyçe të BE-së, në këto kohë krizash.

(Paul Hockenos është autor i "Berlin Calling: A Story of Anarchy, Music, the Wall and the Birth of the New Berlin") 

(Kosova Sot)