Pse po manipulohet me Demarkacionin? - Opinione - Kosova Sot
Pse po manipulohet me Demarkacionin?

Pse po manipulohet me Demarkacionin?

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Çështja e Demarkacionit më Malin e Zi ka nxitur debate të shumta televizive si dhe në mediet e shkruara e elektronike, duke dhënë analiza herë tendencioze e herë naive vetëm e vetëm që ky problem të ngritët në shkallën kombëtare. Çështja e përcaktimit të kësaj vije kufitare ishte edhe preteksti për rrëzimin e panevojshëm të Qeverisë "Mustafa". Murat Meha kishte deklaruar: " Kosova e ka kufirin administrativ me shtetet fqinje me saktësi deri në decimetra ". Shpejtim Bulliqi këto ditë deklaroi: "Vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare, të ishKrahinës Socialiste Autonome të Kosovës".

VV-ja e injoronte kapacitetin e AAK-së dhe NISMA-s

Që nga 2015-a, shteti ynë gjendet para një sfide tepër të tendosur për vijën kufitare në mes Malit të Zi dhe Kosovës ku vija kufitare e përcaktuar nga Komisioni shtetëror të udhëhequr nga Murat Meha, do të përdoret si pretekst për ngritjen e pakënaqësisë në mesin e popullsisë sonë duke propaganduar se Kosova po ia falte mbi 8 mijë hektarë tokë Malit të Zi. Fillimisht këtë e bëri VV-ja e Albin Kurtit, duke i ngritur qytetarët në protesta masive për të kundërshtuar copëtimin e Kosovës sipas liderëve të VV-së që ky argument i paargumentuar do ta revoltonte popullsinë tonë që të mendojnë se liderët e PDK-së dhe LDK-së ishin të shitur dhe spiunë të Serbisë duke botuar fotografi dhe deklarata të Isa Mustafës gjatë kohës së okupimit. Një propagandë e tillë do t'i ndihmonte Albin Kurtit dhe ngritjes së VV-së si partia më nacionaliste shqiptare, e cila mbronte tokat tona. Kësaj iniciative iu bashkëngjitën NISMA e Fatmir Limës dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt duke e bërë një marrëveshje të fshehtë për rrëzimin e Qeverisë dhe ndarjen e ministrive pas rrëzimit të Qeverisë "Mustafa" që ishte vetëm çështje ditësh. Forcimi i Albin Kurtit me NISMËN DHE AAK-në do të ndikonte që VV-ja të radikalizonte kërkesat, sepse tanimë ndjehej më e fortë, pasi pas tyre kishin Ramushin dhe Fatmirin, andaj filluan hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, filluan djegien e Kuvendit, shkatërrimin e vitrinave të kryeqytetit, si dhe aktin më të shëmtuar gjuajtjen e Kuvendit me predha duke e krijuar një atmosferë më të rëndë së në kohën e Milosheviqit. Gjatë kësaj kohe Albin Kurti jo vetëm që i radikalozoi kërkesat, por edhe sjelljet e tij ku më qëndrimin e tij artificial mendonte se ishte bërë më trim e më i guximshëm se Ramush Haradinaj, dhe për të mos qenë nën hijen e Ramushit e të Fatmirit, Albin Kurti i diktonte rregullat e protestave duke dalë në skenë i rrethuar vetëm me militantët dhe stafin e tij policor, ndërsa Ramushi dhe Fatmiri qëndronin jo larg skenës, por dukej se ata ishin të injoruar. Albin Kurti përfitonte nga elektorati i AAK-së dhe NISMA, por dy liderët i injoronte duke i lënë qëllimisht anash që të tregohej para popullit se ai ishte lideri kryesor i revoltave të qytetarëve. Radikalizmi i sjelljeve të VV-së, do të ndikonte negativisht në imazhin e Kosovës , më ç'rast kundër hedhjes se gazit lotsjellës, kundër gjuajtjes së Kuvendit me predhë, kundër djegies së Kuvendit, do të deklaroheshin Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe pesë ambasadat e Kuintit , si dhe zyrtarë të lartë nga Stejt Departamentit amerikan e të gjithë zyrtarët politikë të BE-së. Kundër këtyre deklaratave Albin Kurti do t'i ndërsente qentë e tij militantë të devotshëm të VV-së, që ambasadoren amerikane ta kapnin dhunshëm për krahu duke ia shkoqur edhe këmishën. Injorimi i Albin Kurtit që ua bënte Ramushit dhe Fatmirit si dhe deklaratat e ndërkombëtarëve kundër sjelljeve brutale të VV-së, do të ndikonin që AAK-ja dhe NISMA të distancohen duke e lënë VV-në të vetmuar. Ky distancim do ta hidhëronte stafin e VV-së, të cilët me metoda makiaveliste filluan t'ia merrnin deputetët e partive, siç ndodhi më Donika Kadaj- Bujupin, e cila pak kohë më vonë do të shpallet heroina e partisë. NISMA dhe AAK do e vazhdonin misionin e tyre për rrëzimin e Qeverisë "Mustafa", duke e përdorur të njëjtin pretekst -Demarkacionin, por me metoda demokratike. Dy liderët: Ramushi e Fatmiri do të zhvillonin takime sekrete me deputetët e PDK-së e të LDK-së në mënyrë që të gjithë bashkë të rrëzonin Qeverinë me mocion. Qeveria "Mustafa" gjendej në një pozicion të vështirë jo nga opozita, por kësaj radhe nga vetë deputetët të cilët i kishte ngritur e që tani ata po i refuzonin shefat e tyre :Isa Mustafën dhe Kadri Veselin. Zëri i deputetëve që e kundërshtonin Demarkacionin ishte i madh, si nga PDK-ja, me Nait Hasanin, edhe nga LDK-ja me Shpejtim Bulliqin.

Sekretet e Demarkacionit

Ngritja e Nait Hasanit kundër Demarkacionit nuk do ta shqetësonte shumë PDK-në, sepse Naiti njihet si kundërshtar dhe askush në partinë e tij nuk ia zë për të madhe, siç nuk u nervozua askush edhe kur kërkonte dënimin për Fadil Hoxhen, Mahmut Bakallin e shumë komunistë të tjerë. Mirëpo, kundërshtimi i Shpejtim Bulliqit kundër Demarkacionit ishte fatale për LDK-në , sepse kundërshtimi i tij po zvarriste pas edhe deputetët të tjerë të së njëjtës parti, e që marrëveshja për Demarkacion ishte e pamundur të kalonte, kurse Qeveria do të rrëzohej. Shpejtim Bulliqi do të shndërrohet në yll pozitiv nga mediet tona, ndërsa Murat Meha nga një personalitet pozitiv do të shndërrohej në personalitetin më të urryer shqiptar, duke e etiketuar me lloj-lloj epitetesh nga më të dobëta derisa filluan ta quanin tradhtar. Shpejtim Bulliqit do t'i rritej fama në mesin e opozitës, e të cilit do t'i ofronin aderimin e tij në partinë e tyre si dhe takime të shumta sekrete në darka e restauronte luksoze, nga të cilat takime nuk fitoi asgjë, përveçse prishjeve të raporteve me shefin e partisë së tij dhe anëtarëve të tjerë. Shpejtim Bulliqi ishte reference tërheqëse si për Ramushin, Fatmirin edhe për Albin Kurtin , të cilët do të kërkonin sqarime më të hollësishme mbi vijën kufitare. Asnjëri lider e asnjëra parti nuk ishin në gjendje të dinin saktësisht mbi Demarkacionin. Liderët e opozitës e ftonin Shpejtim Bulliqin që të mësonin më shumë dhe më saktë se a po humbte Kosova territor apo jo. Nuk dua të zbuloj në cilin restorant e më cilin prej këtyre tre liderëve u zhvilluar një takim sekret në mesin e shumë takimeve tjera sekrete, por dua t'ua zbuloj një të vërtetë që Shpejtimi u kishte thënë këtyre liderëve: " Vija kufitare e përcaktuar nga Murat Meha nuk ka shumë gabime dhe Kosova nuk humb territor, përveç disa km2, por jo ashtu siç thuhet". Opozita tanimë e bindur se Kosova nuk humb asgjë, e veçmas Albin Kurti po ashtu prezent, do të vazhdojë të kundërshtojë fuqishëm me të gjitha mjetet dhe metodat kundër marrëveshjes për Demarkacion, tanimë jo se Kosova po humb territor, por për të rrëzuar Qeverinë e të emërohet kryeministër i Qeverisë së re.

Cila është e vërteta për Demarkacionin? Shpejtim Bulliqi konkludon : " Nuk është trajtuar dokumentacioni i përkufizimit të kufirit administrativ mes Kosovës dhe Malit të Zi nga viti 45-46…" dhe kundërshtime të tjera sipërfaqësore të përmbledhura në një volum qindra faqesh, e që "faktet " në këtë raport, ambasadori amerikan e quajti "broçkulla". Dëshiroj t'ia përkujtoj Shpejtim Bulliqit dhe opinionit tonë, se disa vite para se të fillonte lufta në Kosovë, janë zhvilluar shumë takime publike dhe sekrete mbi zhvillimet dhe angazhimet e Perëndimit në intervenimin e krizës në Kosovë në të cilat mori pjesë herë Ibrahim Rugova e herë Adem Demaçi e shumë shoqërues të tjerë. Në njërin nga takimet e fundit më 1998, ku ishte Adem Demaçi si shef politik i UCK-së, është bërë një marrëveshje ku na janë imponuar tri kushte kryesore, e që në këtë shkrim po e përmendi kushtin e parë që ka të bëjë pikërisht me Demarkacionin, ku na është thënë: Forcat Veriatlantike e respektojnë kufirin e 1974-s, dhe se lufta e UÇK-së nuk duhet të tejkalojë kufijtë që të shpërndahet në Mal të Zi, në Maqedoni, dhe në Serbi ku është faktori shqiptar. Kur forcat e NATO-s erdhën në Kosovë, ne shqiptarët të gëzuar i pritem me lule si çlirimtarë, sepse ishin çlirimtarët tanë përkrahë UÇKsë. Tani me kalimin e kohës kemi harruar kush na ka çliruar dhe disa ekstremistë NATO-n e trajtojnë ndryshe. Marrëveshja Tekniko-ushtarake në Kumanovë më 10 qershor 1999, që lidhët me datën e Lidhjes së Prizrenit, Milosheviqi u detyrua të pranonte kapitullimin e tij dhe humbjen e luftës e i cili do ta aprovonte planin e Ahtisarit të 3 qershorit 1999 , sipas të cilit Serbia detyrohet t'i pranojë të gjitha kushtet e Bashkësisë ndërkombëtare, e ndër të tjerat edhe humbjen e Kosovës më kufijtë e saj të 1974. Në Deklaratën e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, shkruan: " Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës". Më 2 shkurt 2007 në Aneksin 8 Neni 3 Kufiri 3.1. e përcakton se kufiri i Kosovës duhet të bëhet në bazë të përkufizimit kufitar, siç ka qenë më 31 dhjetor 1988, e që kjo është përkrahur nga shteti ynë më 17 shkurt 2008. Ky është realiteti dhe objektiviteti mbi Demarkacionin që tani disa për interesa personale dëshirojnë të fusin konfuzitet që nga viti 2015, që kanë për qëllim të destabilizojnë shtetin e Kosovës dhe të prishin imazhin e një shteti ende të brishtë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kroacinë, por ata e tejkaluan këtë problem, pavarësisht që një pjesë e madhe të territorit kroat mbeti nën kontrollin serb. Kroatët e tejkaluan, sepse e donin atdheun e tyre, edhe pse nuk pajtoheshin me Demarkacionin e imponuar. Nëse ne shqiptarët do i kërkojmë trojet tona të vitit 1941-1943, ne duhet të kërkojmë kufirin nga Molla e Kuqe deri në Ulqin, por ajo kohë ka përfunduar. Secili e di se para 1974-s, Lugina e Preshevës ishte Kosovë, por udhëheqësia shqiptare, Mahmut Bakalli, Xhavit Nimani e Fadil Hoxha, që tani disa tentojnë t'i ngrehin përmendore, e kishte nënshkrua që ajo pjesë dhe 8 mijë hektarë të mbesin nën administrimin e Malit të Zi. Ajo udhëheqësi kurrë nuk e kanë imagjinuar që një ditë Kosova do bëhet shtet në vete, sepse për ata Jugosllavia ishte e pamposhtur. Disa të tjerë mendojnë se zhurma për Demarkacionin me Malin e Zi u bë qëllimisht për të shmangur problemet e ardhshme të Demarkacionit me Serbinë, ku planifikohet disa fshatra shqiptare dhe minierat t'i jepen Serbisë falas. Disa të tjerë mendojnë se problemi i Demarkacionit u bë qëllimisht nga VV-ja për të penguar Malin e Zi të hynte në NATO, e që Rusisë t'i jepej hapësirë për grushtshtet, por që ky grusht-shtet kundër Malit të Zi u evitua nga intervenimet sekrete të SHBA-së, siç është ende duke u bërë përpjekje të zhduket komplet ndikimi rus në Maqedoni. Nëse Maqedonia nuk tregon vullnet për zhdukjen e influencës ruse, atëherë ekzistojnë shanse të mëdha që Maqedonia të destabilizohet nga faktori shqiptar dhe bullgar. Rusia dhe Serbia kanë derdhur miliona për të destabilizuar vendin tonë, e posaçërisht të krijojnë përçarje ndërshqiptare për Demarkacionin me Malin e Zi, por do të shohim që të njëjtët liderë e deputetë nuk do krijojnë konfuzitet në momentin kur do të procedohet Demarkacioni me Serbinë, që është edhe më kompleks, sepse një pjesë e madhe e deputetëve dhe shefave të ndryshëm politikë paguhen nga shërbimet sekrete serbe.

(Kosova Sot)

9 orë e 51 minuta më parë
19/10/18