Mos ta ndërtojmë lumturinë, në këto kohë të turbullta, mbi fatkeqësinë e tjetrit?!

Mos ta ndërtojmë lumturinë, në këto kohë të turbullta, mbi fatkeqësinë e tjetrit?!
  • 12 December 2017 - 08:16

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Njeriu me gjithë vështirësitë që ia sjell jeta, duhet ta ndërtojë lumturinë e tij? Mos të triumfojë e keqja karshi të mirës. T'i hapim zemrat, ta flakim urrejtjen dhe të këqijat për të mirën tonë, për të mirën e përgjithshme. Të gjejnë vend në zemrat tona dashuria, se vetëm kështu e kemi edhe organizmin më të shëndoshë dhe bëhemi edhe më të lumtur. Mos ta ndërtojmë lumturinë mbi fatkeqësinë e tjetrit. Mos të bëjmë karrierë duke kaluar mbi trupat e njerëzve sikur të ishin kufoma. Të bëhemi të vetëdijshëm dhe të jemi realë se pos të mirës kemi edhe situata të cilat na i sjell jeta ose na ia sjellim vetes me punë të pandershme. Mos të mbjellim urrejtjen, të kultivojmë miqësinë dhe dashurinë e ndërsjellë, e cila si traditë e mirë po tretet si flluskë sapuni. Kur vesi na shndërrohet në virtyt, së pari nuk i kemi punët mirë ne vetë, pastaj as rrethi ku jetojmë dhe nuk do të kemi as shtet si duhet. Dihet së veprimet e mira nuk janë të lehta, ato kërkojnë mund dhe sakrificë të madhe gjatë jetës. Dhuna, forca, arroganca, demagogjia, llafazania dhe shumëçka tjetër janë bërë për fatin tonë të keq pjesë e jetës sonë. Pastaj, fenomenet, si korrupsioni dhe krimi i organizuar, na janë bërë shkatërrimtare për shtetin dhe të ardhmen e brezave. Për fatin tonë të keq, bukur shumë janë bërë ata të cilët këto dy vese i kanë shndërruar në virtyt. Po rrahin gjoks se janë të ditur, se janë të zotë duke i konsideruar të tjerët të pavlefshëm! Ne kemi ardhur në këtë botë si njerëz, si qenie më e përkryer, të cilën na ka falur Zoti. Ne kemi ardhur në këtë botë që të bëhemi njerëz të mirë, të ndershëm, të moralshëm, të punojmë që jetën të bëjmë të lumtur.

Lumturinë duhet ta kultivojmë me mirësjellje

 Mos t'i asgjësojmë vlerat njerëzore, se herët apo vonë na pret asgjësimi i keq! Në fund të fundit nuk është fatkeqësi e madhe nëse njeriu i humb të mirat materiale, në relacion që mos të humbë shpirtin, mos ta humbë njerëzillëkun dhe dashurinë për tjetrin. Të luftojmë kundër fenomeneve negative të cilët na kanë mbirë pas luftës si kërpudhat pas shiut. Pastrimi i zemrës është themeli i lumturisë. Te bëhemi të vetëdijshëm karshi njerëzve të tjerë, të sillemi njerëzisht, edhe nëse dikush në kokën dhe zemrën e tij ka ndjenja të tjera. Për atë miq të nderuar, korrektësia karshi të tjerëve është gjëja më fisnike në këtë botë. Nëse dëshirojmë të jemi të lumtur, duhet që këtë lumturi ta kultivojmë me mirësjellje, me buzëqeshje, me fjalë të mira, me përqafime të ngrohta, por edhe me lot kur vjen deri të ajo. Të gjithë mundemi nëse dëshirojmë të duhemi si njerëz . As më lehtë as më vështirë.

Mos të lejojmë askënd që të luajë me jetën dhe me fatin tonë

Shtrohet pyetja, a është e mundur të jesh dhe të mbetesh i lumtur, kur të rrethojnë dhuna, problemet e të tjerëve, padrejtësitë e ndryshme dhe urrejtja? Sigurisht se nuk është e lehtë, por vullneti i madh i mund vështirësitë. Njeriu mund të këtë gjithfarë thirrjeje, titulli, diplome, para, të ketë vila, auto të bukur, por nëse nuk ka dashurinë në zemër, të gjitha këto dimensione jetësore bëhen të pavlefshme. E bukur është t'i kesh të gjitha, kuptohet ndershmërisht, jo si elitat tona të pasluftës, të cilat humben çdo ndjenjë njerë- zore dhe morale, duke u pasuruar mbi mundin e të tjerëve. O ju njerëz që jeni ngjitur atje lartë në pushtet, keni "harruar" së gjërat e vogla të bëjnë të madh. Kemi ardhur në këtë botë si qenie e përkryer dhe e dinjitetshme, mos të lejojmë askënd që të luajë më jetën dhe më fatin tonë, mos të lejojmë askush që të shkelë mbi krenarinë dhe dinjitetin tonë, të cilat na i ka dhuruar Zoti!

(Kosova Sot)