Kostoja e lartë e mohimit të luftës klasore

Kostoja e lartë e mohimit të luftës klasore
  • 12 December 2017 - 09:50

Shkruan: YANIS VAROUFAKIS

A tmosfera politike e "anglosferës" është e mbushur me zemërim borgjez. Në SHBA, establishmenti i ashtuquajtur liberal, është i bindur se është plaçkitur nga një kryengritje e "të mjeruarve", të armatosur nga hakerët e Vladimir Putin'it dhe nga veprimet qëllimkëqija të brendshme të "Facebook"-ut. Edhe në Britani, një borgjezi e zemëruar është duke e mashtruar veten se, mbështetja për braktisjen e BE-së, në favor të një izolimi të turpshëm nuk ka rënë, përkundër një procesi i cili mund të përshkruhet vetëm si Brexit i qenit. Ngritja e lokalizmit në të dyja anët e Atlantikut është hetuar nga çdo kënd i mundshëm: psikanalitik, kulturor, antropologjik, estetik dhe, natyrisht, nga aspekti i politikave të identitetit. Këndi i vetëm që ka mbetur thuajse në tërësi i paeksploruar, është ai te i cili gjendet çelësi i të kuptuarit se çka është duke ndodhur: lufta e pandalur klasore e zhvilluar kundër të të varfërve, që nga fundi i viteve 1970.

Viti i Brexitit dhe Trumpit

Në vitin 2016, vitin e Brexitit dhe Trumpit, dy të dhëna, të injoruara nga analistët më mendjemprehtë të establishmentit, e rrëfejnë ngjarjen. Në SHBA, më shumë se gjysma e familjeve amerikane nuk kualifikohen, sipas të dhë- nave të Bankës qendrore, për të marrë një hua e cila do t'ua mundësonte atyre blerjen e veturës më të lirë në shitje (limuzinës "Nissan Versa", me një çmim prej 12,825 dollarësh). Në ndërkohë, në Britani, më shumë se 40% të familjeve kanë marrë kredi, apo janë ushqyer në gjelltore popullore, me qëllim që të mos mbesin të uritur dhe t'i plotësojnë nevojat elementare. William nga Okham, filozofi britanik nga shekulli XIV, kishte thënë se, kur të ballafaqohemi me shumë shpjegime të mundshme, ne tentojmë që të përcaktohemi për atë që ka më së paku supozime dhe që është më e thjeshta. Duke pasur parasysh tërë shurdhërinë e analistëve të establishmentit në SHBA dhe Britani, duket se ata e kanë neglizhuar këtë parim. Duke hezituar për ta vërejtur luftën e intensifikuar klasore, ata fillojnë avazin e tyre të pafundmë me teori të konspiracionit rreth ndikimit të Rusisë, të shpërthimeve spontane të mizoginisë, valës së imigrantëve, ngritjes së makinave, etj. Derisa që të gjitha këto frika janë të lidhura shumë me një lokalizëm militant, të ushqyer nga Trump dhe Brexit, ato nuk e prekin aspak shkakun kryesor - luftën klasore kundër të të varfërve. Është e vërtetë se, disa votues relativisht të edukuar të shtresës së mesme shoqërore, kanë mbështetur Trumpin dhe Brexitin. Por, një pjesë e madhe e asaj mbështetjeje lindi për shkak të frikës së shkaktuar nga vrojtimi i klasave përfundi tyre, derisa perspektiva e fëmijëve të tyre ishte zvogëluar. Njëzet vjet më parë, analistët e njëjtë liberalë kultivonin ëndrrën e pamundshme se kapitalizmi i financuar nga globalizmi, do të sillte progres për shumicën. Në një kohë kur kapitali ishte duke u bërë më i përqendruar në shkallë globale, dhe më militant kundër jo poseduesve të aseteve, ata deklaronin se lufta klasore kishte marrë fund. Derisa klasa punëtore ishte duke u rritur për nga madhësia në botë, edhe pse perspektivat e saj për punë dhe punësim ishin duke u zvogëluar në "anglosferë", këto elita silleshin sikur klasat i takonin së kaluarës. Kolapsi financiar i vitit 2008 dhe Recesioni i madh vijues, e varrosën këtë ëndërr. Megjithatë, liberalët injoruan faktin e pamohueshëm se humbjet gjigante, të shkaktuara nga sektori gati kriminal financiar, në mënyrë cinike ishin transferuar mbi supet e një klase punëtore, për të cilën ata kishin menduar se nuk kishte rëndësi më.

Lufta klasore

 Përkundër tërë vetëparaqitjes së tyre si përparimtarë, gatishmëria e elitave për të injoruar thellimin e dallimeve klasore dhe për ta zëvendësuar këtë me politika të identitetit, të verbra ndaj aspektit klasor, ishte dhurata më e madhe, e bërë për populistët. Në Britani, Partia laburiste (nën udhëheqjen e Tony Blairit, Gordon Brownit dhe Edward Milibandit), ishte tepër e ndruajtur edhe për ta përmendur intensifikimin e pas vitit 2008 të luftës klasore kundër shumicës, gjë që ndikoi që në tërë zonat laburiste të Britanisë, të rritej mbështetja ndaj Partisë UKIP (Partisë së pavarësisë), me lokalizmin e saj ala Brexit. mShoqëria e sjellshme dukej se nuk çante kokën se është bërë më lehtë të regjistrohesh në universitetet, si Harvard ose Cambridge nëse je zezak, sesa nëse je i varfër. Ata me qëllim injoruan faktin se politikat e identitetit mund të jenë përçarëse, po aq sa edhe aparteidi, nëse lejohet që ato të veprojnë si pistë për mbikëqyrjen e konfliktit klasor. Trump nuk heziton aspak që të flasë haptazi rreth klasave dhe të përqafojë, sado në mënyrë mashtruese, ata që janë tepër të varfër për ta blerë një veturë, e lëre më për t'i dërguar fëmijët e tyre në Harvard. Edhe Brexiterët, po ashtu, "të palarët", që reflektohet në imazhin e liderit të partisë UKIP, Nigel Farage, duke pirë në lokale me "njerëzit e rëndomtë". Dhe, kur pjesë të mëdha të klasës punëtore u kthyen kundër bijve dhe bijave të favorizuara të establishmentit (Clintonët, Bushët, Blairët dhe Cameronët), që mbështesin lokalizmin militant, analistët fajësuan iluzionet e parëndësishme rreth kapitalizmit. Por, nuk ishin iluzionet rreth kapitalizmit, ato që çuan deri te pakënaqësia e cila shkaktoi paraqitjen e Trumpit dhe Brexitit. Ishte zhgënjimi nga politika gjysmake ajo që intensifikoi luftën klasore kundër tyre. Ishte e parashikueshme që, përqafimi i klasës punëtore nga Trump dhe Brexiterët, do t'i armatoste ata me një fuqi elektorale, e cila, herët apo vonë, do të përdorej kundër interesave të klasës punëtore dhe, natyrisht, pakicave, që gjithmonë kanë qenë cak i sulmeve nga populizmi në fuqi, që nga vitet 1930 e deri më tani. Për këtë shkak, Trump ka përdorë mbështetjen nga klasa punëtore, për të filluar me reformat skandaloze tatimore, ambiciet e vërteta të të cilave janë t'i ndihmojnë plutokracisë, derisa me miliona amerikanë ballafaqohen me mbulim të reduktuar shëndetësor dhe me fatura më të larta tatimore, në aspektin afatgjatë.

Lëvizja e re politike

 Ngjashëm me këtë, qeveria konservatore e Britanisë, e cila ka përqafuar qëllimet populiste të Brexitit, së fundmi ka deklaruar një zvogëlim tjetër multimiliardësh në sigurimin social, edukim dhe kredi tatimore për punëtorët e varfër. Këto shkurtime përshtaten me zvogëlimet në tatimet e korporatave dhe të trashëgimisë. Sot, opinion-bërësit e establishmentit, të cilët me neveri refuzuan zbatueshmërinë e klasës sociale, kanë kontribuuar ndaj një ambienti politik në të cilin politika klasore kurrë nuk ka qenë më me vend, toksike dhe më pak e diskutuar. Duke folur në emër të një klase sunduese të përbërë nga ekspertët financiarë, bankierët, përfaqësuesit e korporatave dhe funksionarët e lartë të industrisë, ata veprojnë sikur qëllimi i tyre të ishte dërgimi i klasave punëtore në duart e pista të populistëve dhe premtimit të tyre bosh, të bërjes së Amerikës dhe Britanisë "përsëri të mëdha". Perspektiva e vetme për shoqërinë civilizuese dhe detoksikuese, është një lëvizje e re politike e cila shfrytëzon në emër të një humanizmi të ri. Duke e vlerësuar atë nga trajtimi i tij i pashpirt i senatorit amerikan Bernie Sanders dhe liderit laburist Jeremy Corbyn, establishmenti liberal duket të ketë frikë nga një lëvizje e tillë më shumë se nga Trumpi dhe Brexiti.

 (Yanis Varoufakis është profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës)  
Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"