Demagogjia pro e contra Gjykatës Speciale

Demagogjia pro e contra Gjykatës Speciale
  • 01 August 2015 - 07:59

Shkruan: Fatos Aliu

Çfarë Gjykate Speciale i duhet Kosovës?

Gjykata duhet t'i hetojë të gjitha krimet

Sot ata 'patriotë' që e kundërshtojnë e prolongojnë formimin e Gjykatës Speciale, si edhe pushtetarët oportunistë pro gjykatës, janë vetë krijues të rrethanave dhe bashkë projektues të sistemit të korruptuar dhe degradues të instaluar në Kosovën e pasluftës

Ku ishin deri më sot 'patriotët' e 'pushtetit të fituar me 30% të votuesve, nga sistemi elektoral i korruptuar, nga mungesa e ligjshmërisë, e përgjegjësisë dhe llogaridhënies partiake, që sjell në pushtet individë të korruptuar e pa vlera, që thirren në parime kombëtare, në demokraci e shtetndërtim, ndërsa i shkelin dhe devijojnë po këto vlera qoftë nga radhët e pushtetmbajtësve abuzues, qoftë nga radhët anarko-sektare, po që asnjëra palë nuk hezitojnë t'i trashin xhepat e tyre nga taksapaguesit. Po a ka nevojë vendi për Gjykatë Speciale? Po shumë bile, dhe për një periudhë të gjatë kohore, derisa të çrrënjoset krimi në të gjitha fushat, derisa të zë rrënjë drejtësia, e të nisë zhvillimi i vërtetë demokratik dhe ekonomik. Po për çfarë gjykatë ka nevojë Kosova? Kosova ka nevojë për një Gjykatë Speciale, nacionale e ndërkombëtare, e cila do t'i hetojë jo vetëm krimet e luftës, por të gjitha llojet e krimeve në vazhdimësi, para a pas luftës, sepse nuk mund të amnistohet garnitura e inkriminuar pushtetore, politike, institucionale dhe ekonomike të Kosovës. Kosova ka nevojë për Gjykatën Speciale, e cila do t'i krijojë hapësirë dhe frymim të lirshëm daljes në skenë vlerave, kapaciteteve shtetndërtuese dhe demokracisë, perspektivës dhe progresit, në zëvendësim të antivlerave që ia kanë zënë frymën zhvillimit të vendit dhe integrimeve dinjitoze me botën e përparuar. Gjykata Speciale do të duhej t'i hetojë edhe veprimet abuzuese nga radhët e misioneve ndërkombëtare UNMIK-u dhe EULEX, që dhanë kontribut për degradimin e ekonomisë së Kosovës në emër të rimëkëmbjes ekonomike, që e degraduan demokracinë në emër të zhvillimit të demokracisë dhe institucioneve demokratike. Pra, Kosovës, për të qenë një projekt i suksesshëm vendorndërkombëtar, i duhet Gjykata Speciale, që do t'i hetojë kriminelët e të gjitha llojeve, shtresave dhe përkatësive nacionale, vendore e ndërkombëtare. Përndryshe, shtetndërtimi i Kosovës do të vazhdojë të ketë fatin e Kështjellës së Rozafës, - gurët themeltarë i projektojnë ideatorët mendjendritur, i vendosin me gjak heronjtë, e po ja nxjerrin batakçinjtë.