Avokatët e Depresionit

Avokatët e Depresionit
  • 01 August 2015 - 08:09

Shkruan: J. Bradford DeLong

Politikanët i përsëritin gabimet

Greqia tani është më keq se në kohën e fillimit të krizës

Politikanët e qendrës së majtë në Evropë nuk kanë strategji për ndryshimin e rregullave dhe nuk e kanë guximin ta shqyejnë librin e mbushur me rregulla. Si rezultat, mbretëron ashpërsia

Në ditët e para të krizës ekonomike, unë e pata futur një rresht në fjalimet e mija që nganjëherë merrte duartrokitje, shpeshherë shoqërohej me të qeshura dhe gjithmonë u jepte njerëzve arsye për optimizëm. Duke e marrë parasysh përvojën e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në vitet e 1930-a, unë do të thosha që politikanët nuk do t’i bënin gabimet e njëjta, të cilat i kishin bërë paraardhësit e tyre gjatë Depresionit të Madh. Këtë herë, ne do të bënim gabime të tjera, duke shpresuar që do të ishin më të vogla.

Fatkeqësisht, ky parashikim pati dalë të jetë i gabuar. Politikanët jo vetëm që i kanë përsëritur gabimet e viteve të 1930-a, mirëpo këtë gjë e kanë bërë duke i bërë disa gabime edhe më brutale, edhe më të mëdha. Unë, nuk e kisha paraparë një gjë të tillë.

Kur ishte shpërfaqur kriza e borxhit në Greqi në vitin 2010, mua më ishte dukur që mësimet nga historia ishin aq të qarta saqë rrugëtimi deri tek zgjidhja e problemit do të ishte shumë i lehtë. Logjika ka qenë e qartë. Nëse Greqia nuk do të kishte qenë anëtare e Eurozonës, opsioni i saj më i mirë do të kishte qenë deklarimi i paaftësisë për t’i shlyer borxhet, ristrukturimi i tyre dhe zhvlerësimi i valutës. Mirëpo, meqë Bashkimi Evropian nuk kishte dashur që Greqia të largohej nga Eurozona, Greqisë do t’i ofrohej ndihmë, mbështetje, falje borxhesh dhe asistencë e mjaftueshme.

Krahasimet Greqi-Islandë

Megjithatë, kreditorët e Greqisë patën vendosur që t’ia shtrëngonin ‘bulonat’. Si rezultat, Greqia sot është shumë më keq sesa që do të kishte qenë sikur të largohej nga euro në vitin 2010. Islanda, që ishte goditur nga një krizë financiare në vitin 2008, ka arritur të rimëkëmbët, ndërsa Greqia vazhdon të jetë në depresion, të cilin Islanda, që nuk është pjesë e Eurozonës, e ka kaluar.

Për të qenë më i saktë, ashtu siç kishte thënë edhe ekonomisti amerikan Barry Eichengreen në vitin 2007, gjërat teknike e bëjnë largimin nga Eurozona më të vështirë, më të shtrenjtë dhe më të rrezikshëm. Mirëpo, kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Nëse e marrim Islandën si shembull të kostos që i është imponuar Greqisë si pasojë e mos daljes nga Eurozona është e barabartë me 75 për qind të GDP-së vjetore - e edhe më shumë. Është e vështirë për mua që ta mendoj që nëse Greqia do të kishte dalë nga Eurozona në vitin 2010, dëmet ekonomike, që i janë shkaktuar shtetit, do të ishin më shumë se çereku i këtyre që i janë shkaktuar. Për më tepër, duket e paarsyeshme të mendohet që ndikimi i largimit të Greqisë nga Eurozona sot do të jetë më i dëmshëm sesa kostoja e vazhdueshme e qëndrimit në Eurozonë, sidomos kur merren parasysh qëndrimet e ashpra të kreditorëve, sa i përket ashpërsisë dhe masave shtrënguese.

Kjo është një reflektim i politikës në BE – veçanërisht në Gjermani – që ka çuar në krijimin e kornizës që nxjerrë politika, që vetëm sa i përkeqësojnë gjërat.

Parashikimet e gabuara

Në maj të vitit 2010, GDP-ja e Greqisë kishte rënë për 4 për qind nga viti në vit. BE-ja dhe Banka Qendrore e Evropës kishin parashikuar që programi i parë i asistencës financiare do ta çonte GDP-në e Greqisë poshtë për edhe 3 për qind të tjera, nën nivelin e vitit 2010, para se ekonomia të fillonte të rimëkëmbej në vitin 2012.

Deri në mars të vitit 2012, megjithatë, realiteti kishte zënë vend. Kur GDP-ja pothuajse kishte mbërritur në shkallën prej 12 për qind më ultë sesa në vitin 2010, në skenë kishte dalë programi i dytë. Në fund të atij viti, GDP-ja kishte rënë për 17 për qind në krahasim me nivelin e vitit 2010. GDP-ja e Greqisë tani është për 25 për qind më e ultë sesa ajo e vitit 2009. Dhe, përkundër faktit që disa thonë që një gjë e tillë do të përmirësohet në vitin 2016, unë nuk mund t’i shoh provat, në të cilat mbështeten analistët që bëjnë parashikime të tilla.

Arsyeja kryesore pse parashikimet po dalin të gabuara është se ata që po i bëjnë këto parashikime e kanë nënvlerësuar ndikimin e shpenzimeve në ekonomi, veçanërisht kur ratat e interesit janë afër zeros. Megjithatë, dështimi i ashpërsisë dhe masave shtrënguese për ta rimëkëmbur ekonominë e Greqisë dhe shteteve tjera në Eurozonë nuk na lë të mendojmë që politikanët kanë menduar qasje të tjera.

Partitë ekstreme ngjiten në skenë si Hitleri dikur

Ata vazhdojnë të mendojnë që sa më e thellë të jetë kriza, aq më shumë duhet të bëhet presion për zbatimin e reformave strukturore. Reformat e tilla janë të nevojshme për ta rritur zhvillimin afatgjatë dhe nëse një zhvillim i tillë nuk shfaqet menjëherë, kjo ndodh për shkak se ka pasur nevojë për presion më të madh.

Kjo, për fatin e keq, është tregimi i viteve të 1930-a gjithashtu. Ashtu siç e ka theksuar edhe analisti amerikan, Matthew Yglesias, partitë kryesore të qendrës së majtë në Evropë në atë kohë e kishin kuptuar që ajo që po bëhej nuk po funksiononte, megjithatë kishin dështuar të ofronin ndonjë alternativë tjetër. “Më pas kishte mbetur në dorën e partive tjera – si puna e Hitler-it – që të dilnin në skenë për të thënë që nëse rregullat e lojës çonin në papunësi në masë, atëherë këto rregulla duhet ndërruar”.

Sot, Yglesias shton, politikanët e qendrës së majtë në Evropë nuk kanë strategji për ndryshimin e rregullave dhe nuk e kanë guximin ta shqyejnë librin e mbushur me rregulla. Si rezultat, mbretëron ashpërsia, duke i lënë kështu punët në duart e politikanëve të majtë, si puna e Fronit Kombëtar në Francë, propozimet e të cilëve duket të jenë edhe më pak të efektshme.

Njerëzit mund të mendojnë që ne kemi mësuar nga e kaluara dhe se Depresioni i Madh ka qenë mjaftueshëm i rëndësishëm në historinë e Evropës, për ta parandaluar përsëritjen e gabimeve. Mirëpo, për momentin, duket se pikërisht kjo gjë – përsëritja e gabimeve pra – është duke ndodhur.

(J. Bradford DeLong është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”