"Panda" dhe paditë e munguara

  • 15 December 2017 - 08:34

SHKRUAN: GANI QARRI

Përditë e më tepër, nga mediat dhe njerëzit gjithandej vendit, shkruhet e flitet me pompozitet se si së shpejti do të fillojë punën "Gjykata Speciale" në Hagë, për gjykimin e autorëve të supozuar "shqiptarë" të vrasjes së serbëve- gjatë dhe pasluftës në Kosovë. Por, më 14 dhjetor bëhen 19 vjet të plota misterioze, që nga ngjarja tragjike e rastit "Panda", kur njësit e policisë së fshehtë të Serbisë, në Pejë vranë 6 të rinj serbë të Kosovës. Dhe, megjithatë, ende nga askush nuk thuhet as sqarohet, madje as nga politikëbërësit kryesorë shqiptarë dhe vetë presidenti, si mbrojtësi më i apostrofuar i komuniteteve pakicë, se a do t'i shohim, përfundimisht në bankën e të akuzuarve, në Hagë apo kudo-qoftë edhe ekzekutuesit e këtyre 6 të rinjve të komunitetit serb të Kosovës, nga policia sekrete e Serbisë, në kafeterinë me emrin e lartcekur më 1998 në Pejë, apo do të akuzohen vetëm shqiptarët. Siç u dëshmua edhe nga vetë shteti serb, autorët e saj nuk ishin shqiptarë as banorë të vendit tonë, dorasit megjithëse shumë vite më vonë dhe përkundër propagandës së shfrenuar antishqiptare, u vërtetua se ishin pjesë- tarë të njësive speciale të policisë sekrete të Serbisë, e vërtetë të cilën vetëm pas 16 vjetësh, mundi ta thoshte Aleksandër Vuçiq atëbotë kryeministër, ndërsa aktualisht, kryetar i saj. Sido që të jetë, edhe pse dorasit e këtij rasti makabër ishin serbë të ardhur nga Serbia, vrasja ka ndodhur në Kosovë, po-ashtu edhe viktimat- pra të rinjtë e ekzekutuar të komunitetit serb në Pejë ishin banorë dhe shtetas të Kosovës, ndaj opinionit me siguri i intereson ta dijë se pse asnjë nga qeveritë e deritanishme të vendit tonë, edhe pas kaq vitesh të kaluara nuk ngriti asnjë padi, kundër autorëve të huaj dhe të ardhur enkas nga një vend fqinj, me detyra terroriste për të ekzekutuar njerëz në Kosovë?! Për arsye të pakuptueshme, kjo ngjarje e trishtë e tragjike nuk u ngrit asnjëherë nga përfaqësuesit e shtetit tonë, as në tubimet e Këshillit të Sigurimit të cilat rregullisht mbahen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Fajësimi qëllimisht i shqiptarëve

 Kurrë nuk u përmend hapur, as u bë e ditur publikisht, për të gjitha ato shtete pjesëmarrëse nga të katër anët e botës, përkundër turrit që Daçiq e ndonjë përfaqësues tjerë nga shteti serb, bëjnë me deklaratat e tyre politike kinse ata janë avokatët e vetëm e të parevokueshëm të mbrojtjes së komunitetit serb në Kosovë, kur dihet botërisht dhe ekzistojnë fakte të pamohueshme si p.sh. rasti "Panda", se pikërisht Serbia, ishte ajo që masakroi edhe serbët në Shtetin e Kosovës. Madje, qeveria dhe regjimi okupues i Serbisë, atëbotë shkoi aq larg sa edhe pa posedimin e asnjë argumenti, fajësoi qëllimisht shqiptarët, për të arsyetuar gjenocidin shfarosës shtetërorë që ushtronte në vitet 1998-1999 ndaj tyre në Kosovë. Më këtë 14 dhjetor bëhen plot 19 vjet, që kur nga strukturat e organizuara terroriste-shtetërore të Serbisë, ndodhi ekzekutimi makabër i 6 të rinjve të pafajshëm serbë, në lokalet e kafeterisë "Panda" në Pejë të Kosovës. Pikërisht më 14 dhjetor të vitit 1998, ata u likuiduan barbarisht, derisa (sipas bindjes së tyre) të sigurt se prapa vetes kishin regjimin më "besnik", i cili kinse i mbronte ata me "devotshmëri" nga çdo rrezik "shqiptar" siç propagandohej me të madhe atëherë nga Serbia, po argë- toheshin pa asnjë parandjenjë të keqe, ndjesi frike a shqetësimi, për tu ekzekutuar në mënyrën më barbare me breshëri automatikësh në hyrje të atij lokali, dhe nga po ai regjim terrorist. Për aq më tepër, vetëm para pak kohësh u fol e shkrua me "shumë" habi nëpër media audiovizive, gazeta dhe portale të ndryshme, se kinse u zbulua diçka e paditur dhe tronditëse për opinionin e gjerë, ngase qenka vërtetuar edhe me dokumente që Slobodan Milosheviqi paska qenë i sëmurë psikik. Madje si për t'u bërë edhe më interesant ky lajm dhe rritur habinë edhe më tepër në publik, u tha se sëmundja e tij, përfundimisht qenka vërtetuar edhe me letra!

E vërteta, e pashembullt

Por lind pyetja se a ishte vërtetë Milosheviqi, udhëheqësi i vetëm, atëherë dhe sot, me probleme të rënda psikike në Serbi?! Unë personalisht nuk mund ta besojë! Përndryshe si është e mundur që i gjithë regjimi dhe qeveria e një shteti të tërë, ti nënshtroheshin aq lehtë dhe pa asnjë kundërshtim një "budallai" skizofren dhe dirigjoheshin pa asnjë refuzim nga një i sëmurë mendor, qoftë ai edhe Slobodan Milosheviqi dhe kryetari i Serbisë!? Një qeveri e cila me polici dhe ushtri, vërshoi me tërbim të paparë, mbi një popull të pambrojtur dhe të pafajshëm për shfarosjen e tij, shtriu dhe masivizoi terrorizmin deri në shkallë gjenocidi shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë, vrau e masakroi mijëra gra, pleq e fëmijë, të popullit tonë dhe megjithatë, të gjitha aktet gjenocidale të Serbisë u mbështetën pa asnjë kundërshtim nga udhëheqësit shtetërorë, politika dhe pothuajse edhe shumica e popullit serb në Serbi, madje të njëjtët dhe po ata u pajtuan edhe për vrasjen e të rinjve serb, siç ndodhi me rastin "Panda" në Pejë, derisa ky shtet fqinj, ende mbante të okupuar Kosovën. Kjo vërtet është e pashembullt dhe e pakuptueshme kudo dhe për këdo në Botë. Madje ish- zyrtari i lartë i "Republikës Federale të Jugosllavisë", Radmilo Bogdanoviq,u tha se paska zbuluar Raportin mjekësor mbi sëmundjen e Milosheviqit, vetëm dy vjet pasi ish-krimineli serb ishte shpallur president i kësaj krijese faktomë e cila ende vazhdonte të quhej "Jugosllavi". Pra, kjo vërteton se ai ishte i sëmurë që kur u zgjodh kryetar i të ashtuquajturës "Jugosllavi" e përbërë vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi, madje sipas raportit, ai nuk kishte një sëmundje dosido, por vuante hiç më pak se nga skizofrenia dhe diabeti, shkaku i të cilave në cilindo vend tjetër evropian, nuk do t'i lejohej të udhëhiqte as me një kooperativë gjedhesh, se lëre më, me një shtet të tërë. Përkundër të gjithave, sëmundja e tij, u mbajt qëllimisht e fshehur nga vetë pushteti i atëhershëm, i "shëndoshë" i Serbisë, i cili me vetëdije të plotë, detyrë prioritare i kishte vënë vetes, jo largimin as "shërimin e kryetarit" të shtetit, por shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik e gjenocidal të Kosovës. Për aq më tepër, përveç skizofrenisë së Milosheviqit, edhe ekzekutimi terrorist i të rinjve serbë nga policia speciale e Serbisë në klubin "Panda" në Pejë të Kosovës, u mbajt i fshehur deri në vitin 2014, nga të gjitha qeveritë e "shëndosha" dhe "normale" të Serbisë, pra për më tepër se 16 vjet me radhë, i mbuluan me vellon e vuajtjes dhe trishtimit edhe familjet e të vrarëve, për të mos zbuluar asnjëherë deri më tani, emrat e ditur nga shteti serb, të autorëve të asaj vrasje makabre. Madje, sa i takon këtij rasti misterioz, deri në vitin 2014,nuk u bë e ditur nga Serbia, as kombësia e ekzekutorëve, për të cilin, më në fund u detyrua vetë ish- kryeministri Vuçiq të deklaronte botërisht se nuk ishin shqiptarët, por vetë shteti i Serbisë, ai që ekzekutoi këta të rinj serbë në Kosovë, regjimi pushtues i të cilës, atëbotë për këtë akt terrorist, pa asnjë argument pati fajë- suar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Krimineli i luftës, Vladimir Lazareviq ishte udhëheqës i Korpusit të Prishtinës dhe Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë

Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, ministri aktual i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, jo vetëm se nuk dëshiron as sot, të heq dorë nga aktet e terroriste të ushtrisë dhe policisë pushtuese serbe në vendin tonë, për të cilat pati edhe oficer të lart serb të abroguar nga liria për shumë vjet, por ai mbron dhe glorifikon deri në qiell edhe gjeneral të dënuar me nga 14 vite burg, për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë, nga Gjykata në Hagë , si gjeneralin Vladimir Lazareviq, me dijen e të cilit, përveç 13 mijë shqiptarëve, u vranë edhe të rinjtë e përmendur serb,në Pejë. Për aq më keq, kohët e fundit qeveria aktuale e Serbisë pati emëruar ligjërues në Akademinë Ushtarake të Serbisë, pikërisht këtë ish-kriminel të dënuar për krime lufte në Kosovë, si dhe dy ishkomandantë të tjerë, përfshi gjeneralin e pensionuar, deputetin dhe anëtarin e Partisë Radikale Serbe, Bozhidar Deliq, si dhe shefin aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Lubisha Dikoviq, të cilët poashtu, që të tre morën pjesë në spastrimin etnik të shqiptarëve dhe krimet e luftës së viteve 1998-1999, në Kosovë. Përkundër të gjithave krimeve që ata bënë, vetëm para pak kohësh, për televizionin shtetërorë të Serbisë, ministri aktual i Mbrojtjes së këtij shteti fqinj, Aleksandër Vulin tha se gjeneralët e dënuar serbë, për krime lufte, janë "njerëz të jashtëzakonshëm" që kërkohen nga "çdo akademi ushtarake në botë", ndaj aktet e tyre do të kthehen në doktrinë mësimi edhe për kadetët e rinj të Serbisë, të cilëve, ata "duhet" t'ua bëjnë të njohura dhe mësojnë përvojat nga lufta në Kosovë"?!. Por, sigurisht Vulin harroi të qartësonte se athua në këtë doktrinë "mësimi" për oficerët e rinj të Serbisë, a do të përfshihet edhe përvoja e ekzekutimit terrorist e 6-t, të rinjve serb në kafeterinë "Panda" në Pejë, si një nga metodat e luftës speciale të ushtrisë serbe edhe në të ardhmen, apo vetëm aktet e gjenocidit dhe terrorizmit shtetëror, të ushtruara nga Serbia mbi shqiptarët e pafajshëm në Kosovë!? Siç dihet, krimineli i luftës, Vladimir Lazareviq ishte udhëheqës i Korpusit të Prishtinës dhe Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë si dhe komandant i forcave pushtuese serbe në luftën e Kosovës, nën komandën e të cilit u vranë më shumë se 13,000 shqiptar të pafajshëm në shtëpitë dhe pronat e veta, si dhe zhvendosën me dhunë nga Kosova mbi një milion të tjerë, akte gjenocidiale këto, të cilat u ndaluan vetëm pas ndërhyrjes së SHBAs dhe NATO-s, me sulmet e njohura ajrore 78-ditëshe më 1999, kundër forcave okupuese policore dhe ushtarake të Serbisë. Atëkohë ndodhi edhe ngjarja e rastit "Panda", siç u cek, e organizuar, planifikuar dhe ekzekutuar nga vetë njësitë speciale të policisë së fshehtë të Serbisë, për të cilën, siç është e ditur nga të gjithë, pa të drejtë u fajësuan dhe përndoqën nga policia, ushtria dhe pushteti pushtues serb, shqiptarët e pa fajshëm, damkosja e të cilëve nga kisha serbe dhe mediumet shtetërore të Serbisë, ende nuk ndalojnë me akuzat dhe fyerjet më të rënda, krejtësisht të pa vend dhe të pa-arsyeshme ndaj popullit tonë. Ndaj megjithëse përditë e më tepër, në Kosovë po shkruhet e flitet hapur, se si së shpejti do të fillojë punën "Gjykata Speciale" në Hagë, për gjykimin e autorëve të supozuar shqiptarë të vrasjes së serbëve- gjatë dhe pasluftës në Kosovë, lind pyetja se a do të gjykohen, nga kush dhe cila gjykatë, edhe autorët e ditur, të ekzekutimit të të rinjve serb të Kosovës, nga serbët e Serbisë në kafeterinë "Panda" të Pejës? Përndryshe, është e pakuptueshme se si dhe pse u dashka patjetër të ngritët një drejtësi kaq e një anshme dhe akuzuese vetëm ndaj shqiptarëve.

Gjenocidi kundër shqiptarëve nuk ndodhi në rastësi

 Në realitet, vetë shqiptarët ishin cak i sulmeve serbe qysh herët, madje që nga viti 1886-1877, kur dhe fillojë lufta ruso-turke e këtej, të cilët njëjtë si edhe populli hebre, për një shekull me radhë, mbetën populli më i shtypur dhe përndjekur në Ballkan dhe rajon. Shqiptarët gjithmonë ishin viktimë e shkombëtarizimit, shpopullimeve, vrasjeve dhe dëbimeve masive, kohë që përkon pikërisht me pushtimet dhe përndjekjet gjenocidiale të okupimeve serbe, mbi vendin tonë. Por fatbardhësisht, në fatkeqësinë e shekullit, e cila goditi shqiptarët më 1998-1999, për herë të parë në histori, ata patën edhe një fat shekullor, kur SHBA dhe NATO, para tragjedisë që zhvillohej mbi ta, morën vendimin e duhur për shpë- timin e një populli të tërë, ndërhyrja e të cilave ndaloi përfundimisht zhbërjen dhe vazhdimin e dëbimit masiv të tyre nga trojet e veta shekullore. Ndërhyrje historike, e cila jo vetëm se meriton falënderimet më të larta dhe të përjetshme nga shqiptarët, por u jep kuptim të veçantë edhe vetë përmasave të tragjedisë sonë kombëtare, persekutimit dhe vuajtjeve tona të pareshtura nën okupimin e gjatë serb të Kosovës, ndaj tani është koha që në lëmin e drejtësisë edhe vet ne, të japim ndonjë shembull sado simbolik, si popull dhe shtet i lirë, i pavarur e demokratik. Shteti i Kosovës, përfundimisht duhet të ngrejë padi ndërkombëtare kundër Serbisë për gjenocidin masiv ndaj shqiptarëve, por edhe për rastin "Panda", madje Daçiqit dhe gjithë pushtetarëve të shtetit serb, pikërisht në seancat e tubimeve që Këshilli i Sigurimit, i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbanë për vendin tonë, para turrit të pakontrolluar që ata marrin duke fajësuar Kosovën, kinse për mos respektimin e të drejtave të komunitetit serb, duhet tu shtrohet hapur dhe publikisht pyetja, para përfaqësueseve të të gjitha shteteve nga mbarë Bota, se; Cili shtet në Ballkan, Evropë apo kudo qoftë në Botë, vret të rinjtë e kombësisë së vet, në mënyrë që të arsyetojë gjenocidin shtetëror ndaj një kombi tjetër, siç veproi Serbia mbi shqiptarët në Kosovë dhe më gjerë. E gjenocidi kundër shqiptarëve, nuk ndodhi në rastësi, as për kohë të shkurtër, ndaj dhe as nuk është kurrfarë fshehtësie publike, të thuhet hapur dhe shpjegohet para të gjithëve publikisht se ai zgjati pandërprerë dhe vazhdoi gjatë gjithë kohës, aq sa zgjati edhe okupimit serb mbi trojet tona, ndërsa sa i takon hartës së sotme të Kosovës, as aty nuk pushoi që nga tetori i vitit 1912 e deri më 10 qershor të vitit 1999, kur Kosova me ndihmën e NATO-s, përfundimisht u çlirua nga okupimi rreth 90 vjeçar gjenocidial i Serbisë Por, fatbardhësisht, pas çlirimit dhe shpalljes së Pavarësisë më 17 Shkurt të vitit 2008,Kosova u njohë dhe pranua shtet nga më shumë se 115 vende të botës. Ligjshmëria e Pavarësisë së saj, u vërtetua më 22 korrik të vitit 2010,edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, nga përfaqësuesja e Gjykatës së nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara. Ndaj, ajo që brengosë është fakti se përkundër të gjitha këtyre favoreve, që kanë rritur dhe fuqizuar pozitën e Kosovës si shtet, tash e atëherë mungojnë paditë e duhura, paditë e arsyeshme që do duhej ngritur qysh moti kundër shtetit serb, nga shteti ynë, si për gjenocid ndaj shqiptarëve, ashtu edhe për ekzekutimin mafioz të të rinjve serb, në klubin "Panda të Pejës, me akuzë të bazuar për ndërhyrje dhe dërgim të kundërligjshëm të bandave të organizuara terroriste të Serbisë, në vendin tonë, edhe pse ky shtet fqinj, atëbotë e mbante me forcë, të okupuar Kosovën.

(Kosova Sot)