Afera 'M...' dhe reformat përmbajtjesore të partive politike

Afera 'M...' dhe reformat përmbajtjesore të partive politike
  • 15 December 2017 - 08:38

SHKRUAN: BAHRI BIVOLAKU

Domosdoja e freskimeve, ndërrimeve e reformimeve në politikën e Kosovës pa dyshim që është temë për të cilën flitet mbi dhe nën tavolinë, qoftë nga qytetarët e Kosovës apo edhe nga politikanët ndërkombëtarë, për të cilët thuhet se cytin individë të caktuar për t'i hyrë politikës, apo bërë veprime politike brenda partive. Në Kosovë, tek partitë aktuale politike, ka mungesë të qartësisë programore dhe identifikimeve koceptuale politike. Partitë më tepër mbështeten në individin e që për rrjedhojë edhe janë personifikuar nga ky shkak edhe kundërshtitë në mes të partive, por edhe individëve brenda tyre, janë jo në baza programore, por personale. Reagimi i tillë çfarë ishte i deputetes Dërguti dhe mbështetësve të saj brenda Lëvizjes 'Vetëvendosje' është qëndrim për zëvendësime e jo reformë, që kanë për bazë dallimet konceptuale. Në këtë reagim nuk shoh as dallimet rreth metodës së veprimit, duke ditur se ato kanë qenë të njohura shumë kohë para se të formohej 'Vetëvendosje'. Të reagosh sot pas shumë vitesh bashkë- jetese me to vërtet është hipokrizi e llojit apo argument sa për të thënë.

Zëvendësimet pa kriter

Vërtet zëvendësimet në lidershipin politik të Kosovës mund të rrisin cilësinë e politikëbërjes? Gjykuar sipas praktikës që ka rezultuar në këto vitet e pasluftës, zëvendësimet nuk kanë sjellë kurrfarë ndryshimi në cilësinë e organizimeve politike, përkundrazi kanë qenë motive kryesore për ndarje e krijime të reja politike, pasi partitë tej mase konsiderohen të jenë të ndërtuara jashtë koncepteve programore. Konsideroj se edhe 'Vetëvendosje' nuk mund të ikë nga ky skenar i ndarjes dhe se kur do të ndodhë është çështje kohe, para apo pas zgjedhjeve partiake. Do të kemi nga ky subjekt dy organizata të reja, e që njëra do të karakterizohet më e afërt me konceptin e biznes-politikës. Jetën politike në Kosovë nuk e rrisin në cilësi zëvendësimet, por mënyra e organizimit dhe funksionimit apo fraksionit brenda saj. Zëvendësimet pa këtë kriter janë një formë e mospërmbajtjes që vetëm dëme mund t'i sjellin Kosovës, duke përfshirë përçarje të reja, madje edhe konflikte. Zëvendësimet me emra të një grupi politik nga një grup tjetër, i cili ndërtohet vetëm për inate të të parit, e jo që ka ndonjë alternativë të re, nuk është zgjidhja e duhur. Është e vërtetë që privilegjet e disave në politikë kanë qenë tepër të mëdha, porse tendenca si ato të merren e shfrytëzohen nga grupime tjera (jo të lihen) është më e rrezikshme se gjendja ekzistuese. Mendoj se zëvendësimet në politikë mbi bazën e luftës për t'i marrë privilegjet që nuk do të duhej të ishin nuk i sjellin asgjë të mirë Kosovës, qytetarëve të saj dhe jetës politike. Fraksioni në VV ka këtë synim, e madje duke parë aktorët dhe qëllimet e tyre politike shoh se ky grupim për veprimet e tyre është i shtyrë e i joshur nga publicisti Veton Surroi. Mendoj se jo larg në kohë do ta shohim Veton Surroin të aktivizohet në jetën partiake-politike dhe mënyrën se si do të jetë ky angazhim brenda këtij grupi.

Nevoja për reformim të partive politike

"E mori Nastradini çiftelinë e po i bie. Nuk po i luan gishtat hiq". I thotë njëri: "Nastradin çka po bën ashtu?" "Po i bie çiftelisë!", tha Nastradini."Po ti nuk po i luan gishtat hiq veç je koçit në një vend, ia ktheu tjetri". "Këtu e ka dyzenin dhe këtë perde po e lypin hallku e nuk po e gjejnë e i luajnë gishtat andej e këndej. Unë i kam gjetur e ia kam qëlluar menjëherë e po i bie dhe nuk kam çka ladrohem poshtë e përpjetë!", iu përgjigj Nastradini. Vërtet jemi lodhur me këtë lloj melodie që i ngjason politikës së njëtrajtshme që po bëhet në Kosovë. Konsideroj se ka ardhur koha që në Kosovë të dëgjohet zëri i reformave te partitë politike në Kosovë e jo krijim të fraksioneve të interesit, nën melodinë e njëjtë. Zëri i tillë duhet të dëgjohet mbi të arsyeshmen e asaj që në Kosovë është e nuk duhet të jetë, por pa humbur vlerësimin për rezultatet e arritura. Ndërtimin dhe reformën nuk duhet bërë si zëvendësim pa domethënie për shoqërinë e personelin drejtues politik, por në stilin dhe përmbajtjen e politikës. Sot shoqëria në Kosovë, por edhe në tërë hapësirën shqiptare, ka para vetes detyrën kryesore, atë të përgjegjshmërisë së veprimit politik, të detyrojë politikën në reformim dhe më pas të vendosë kufij mes demokracisë e sallamadisë. Politika e reformuar duhet të hapë fletën e re të historisë në atë masë sa shqiptarët në vendet e tyre të ndihen krenarë me shtetet ku jetojnë. Ky është borxhi ynë, borxhi i këtij brezi karshi fëmijëve tanë.

(Kosova Sot)