A ka nevojë me të vërtetë Evropa për një union fiskal dhe politik?

A ka nevojë me të vërtetë Evropa për një union fiskal dhe politik?
  • 17 December 2017 - 10:43

SFIDA E EVROPIANËVE 

Një union funksional monetar dhe financiar nuk kërkon integrim fiskal

Shkruan: DANI RODRIK

Ish-ministri 'luftarak' grek i Financave, Yanis Varoufakis, si dhe kundërshtari i tij, ish-ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, nuk mund të merreshin vesh rreth borxhit të Greqisë përgjatë tërë mandatit të Varoufakis-it. Por, ata pajtoheshin në tërësi kur flitej për çështjen kryesore rreth të së ardhmes së eurozonës. Unioni monetar kërkonte union politik. Nuk ishte e mundur ndonjë udhë e mesme. Natyrisht, Schäuble dhe Varoufakis kishin ide të ndryshme rreth qëllimeve të atij unioni politik. Schäuble e shihte unionin politik si mjet për ta imponuar një disiplinë të ashpër fiskale ndaj shteteve anëtare, nga qendra, duke ua lidhur duart atyre dhe duke parandaluar politikat "e papërgjegjshme" ekonomike. Varoufakis mendonte se unioni politik do ta relaksonte kapjen e shtetit të tij nga kreditorët dhe do të krijonte hapësirë për një politikë progresive në tërë Evropën. 

Unioni fiskal dhe politik

Sido që të jetë, është mbresëlënëse qysh këta dy zyrtarë nga anët e kundërta të spektrit politik, kishin arritur te një diagnozë identike rreth euros. Konvergjenca është indikative e rritjes së sensit të nevojës për union fiskal dhe, eventualisht, politik, nëse dëshirohet që të mbahet euroja pa dëmtimin e performancës ekonomike, apo të vlerave demokratike. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka prezantuar ide të ngjashme. Dhe, lideri i socialdemokratëve të Gjermanisë, Martin Schulz, po ashtu ka dalë në mbështetje të "Shteteve të bashkuara të Evropës". mPor, ekziston edhe një pikëpamje shumë më pak ambicioze, sipas të së cilës, nuk nevojitet as unioni politik, e as ai fiskal. Ajo që duhet të bëhet, është zgjidhja e financave private nga ato publike, duke e mbrojtur secilin prej tyre nga krimi i njëri-tjetrit. mMe këtë ndarje, financat private mund të integrohen në tërësi në nivel evropian, derisa financat publike iu mbeten shteteve të veçanta. Në këtë mënyrë, vendet mund të përfitojnë nga integrimi financiar derisa autoritetet politike nacionale mbeten të lira për të menaxhuar ekonomitë e tyre. Brukseli më nuk do të ishte gogoli i cili insiston për masa të kursimit, duke ngjallur zemërimin e vendeve me papunësi të lartë dhe rritje të ulët. Martin Sandbu nga "Financial Times" ka qenë një mbështetës i fortë i pikëpamjes se një union funksional monetar dhe financiar, nuk kërkon integrim fiskal. Ai beson se reforma kritike duhet të parandalojë dorëzaninë e bankave nga autoritetet publike. Çmimi i dështimit të bankave duhet të paguhet nga pronarët e bankave dhe kreditorët. mSandbu thotë se kjo jo vetëm që do t'i izolonte financat publike nga marrëzitë e bankave, por ajo do to çonte edhe deri te një ekuilibër, i cili imiton ndarjen e rreziqeve fiskale midis vendeve të cilat huadhënës të pastër dhe vendeve që janë huamarrës të pastër. Në një libër të ardhshëm, ekonomisti nga Universiteti i Kalifornisë, 'Berkeley', Barry Eichengreen po ashtu angazhohet për rinacionalizimin e politikës fiskale, të cilin ai e sheh si esencial për frenimin e valës së populizmit në Evropë. Eichengreen mendon se, duke kthyer politikën fiskale në duart e autoriteteve nacionale, do të kërkojë parandalimin e bankave nga posedimi i një borxhi të madh qeveritar, me qëllim të minimizimit të rrezikut që keqmenaxhimi nacional fiskal ta përmbysë sistemin bankar. Qeveritë që dështojnë do të duhej t'i ristrukturonin borxhet e tyre, në vend që të marrin ndihma nga shtetet e tjera, anëtare të BE-së.

Kalimi i krizës

Shtetet sovrane munden gjithmonë t'i ndryshojnë rregullat, gjë që dmth se një integrim i plotë financiar është i mundshëm. Dhe, kostot e tronditjeve financiare nuk mund të diversifikohen aq lehtë. Merreni me mend se çka ndodh kur një bankë e madhe falimenton në SHBA - një union ekonomik, në të cilin rregullat e Sandbu dhe Eichengreen-it tanimë aplikohen. Kalimi i krizës në regjione të tjera është i limituar nga fakti që huamarrësit e tjerë mund të vazhdojnë të punojnë normalisht. Askush nuk pret që qeveria e ndonjë shteti të përzihet në pagesat ndërshtetërore, të rishkruajë rregullat e falimentimit, apo të lëshojë valutën e vet në kushte veçanërisht të vështira. Qeveritë shtetërore të SBA-së ushtrojnë pak sovranitet, pjesërisht për shkak se nuk kanë aq nevojë për të.Por, shtetet anëtare të BE-së gjenden në një situatë krejtësisht të kundërt karshi institucioneve të BE-së në Bruksel. Meqë ato e kanë mbajtur sovranitetin, ato nuk mund të jenë përkushtues të besueshëm që nuk do të përzihen në tregjet financiare. Kështu, rreziku mbetet që një tronditje e mjaftueshme financiare në BE të prekë që të gjithë huamarrësit në atë vend. Duke u shtirë se mund ta ndajmë privaten nga financat publike, ne vetëm sa mund ta përkeqësojmë ciklin financiar të ngritjeve dhe rënieve. Në shoqëritë bashkëkohore, financat duhet t'i shërbejnë një qëllimi publik, përtej logjikës së profitabilitetit të tregut financiar. Duket se politikëbërësit konservatorë dhe progresivë janë duke u pajtuar me këtë realitet. 

(Dani Rodrik është profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare në Universitetin Harvard)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)