Serbia për çudi nuk u dënua për gjenocid

Serbia për çudi nuk u dënua për gjenocid
  • 19 December 2017 - 08:40

Shkruan: SKËNDER MULLIQI

Katarsisi pozitiv si pastërti shpirtërore dhe moskatarsisi për të mirë i serbëve?!

Gjatë jetës njeriu ka mundësi t'i nënshtrohet katarsisit pozitiv ose negativ. Një transformim pozitiv do të ishte i mirë dhe i shëndetshëm për të gjithë. P.sh., kur njeriu në dërrasat e skenës sheh ndonjë tragjedi, ballafaqohet me frikën , padrejtësinë, dhunën e dhembjen, kjo bën që shumëkush të largohet nga teatri nga ndjenjat negative të përjetuara. Edhe nëse njeriu ka pasur më parë ndjenja krejt të tjera, jo bash të mira për tragjeditë e të tjerëve ose për përjetimet e tyre jetësore, pas një përjetimi të tillë në skenë apo në ndonjë ngjarje të vërtetë, sigurisht se pas këtyre përjetimeve do të këtë një ndryshim pozitiv. Kur shohim ndonjë film të trishtueshëm, ndonjë ndeshje futbollistike, ndonjë ndeshje boksi ,… sigurisht se mund t'i nënshtrohemi katarsisit . Katarsis mund të kemi aty për aty, duke ndryshuar mendimin edhe nëse më parë kemi qenë të predisponuar që të mendojmë ndryshe karshi atyre që i kemi simpatizuar. Shpesh përjetimet tona përputhen me aktorët në skenë, dhe kjo gjë sigurisht na sjell përjetime të mira, na sjell diçka që deri në atë moment as që e kemi menduar. Kjo është diçka e mirë, e shëndetshme, diçka që ne nuk e kemi përjetuar, por e kanë përjetuar njerëz të tjerë. Kur vijnë festat e ndryshme, sigurisht se njeriu ka ndjenja dhe përjetime shpirtërore pak më ndryshe së herëve të tjera.

Gjesti i Pralakut

Kemi rastin e kroatit, Slobodan Pralak - i akuzuar si kriminel dhe profiter lufte, inxhinier, filozof , dramaturg dhe regjisor, i cili në mënyrën më dramatike para kamerave e çoi gllënjkën e fundit në Gjykatën e Hagës. Ai e zgjodhi jo rastësisht që në ditën kur iu shqiptua dënimi më burg prej 20 vitesh, në Ditën e Republikës të vendit të tij, ai ngriti gotën vdekjeprurëse me helm. Pralak sigurisht së kishte një katarsis negativ duke mbytur vetën para një auditoriumi të gjerë botëror. Edhe shumë njerëz historikisht kanë vendosur për një akt të tillë të dobësisë së tyre momentale shpirtërore ose këtë e kanë bërë nga ndjenja e fajësisë, por duke dashur që një akt të tillë monstruoz ta mbulojnë kinse me pafajësinë e tyre. Sigurisht se boshnjakët në Bosnjë gjatë luftës katërvjeçare nuk e kanë vrarë veten, nuk e kanë dhunuar vetveten dhe nuk janë masakruar dhe larguar vetë masovikisht nga vendi i tyre. Mbi myslimanët dhe mbi shqiptarët ndodhi gjenocid nga serbët, e pranoi këtë fakt kush apo jo. Sigurisht se as Ura e Vjetër e Mostarit nuk ishte shembur vetë. Gjatë historisë kemi pasur shumë shembuj të kontestimit se cilët kanë qenë heronjtë e cilët kanë qenë kriminelët e luftës. Për shtetin për të cilin kanë luftuar, pa marrë parasysh krimet njerëzore që i kanë bërë, ata janë konsideruar heronj, siç po konsiderohen heronj edhe kriminelët serbë, të cilët kryen vrasje dhe masakra masovike. Kjo është ana më amorale e një shteti që t'i mbrojë ata të cilët vërtet kanë kryer krime njerëzore mbi nacionalitetet e tjera. As te krimineli, Ratko Mladiq dhe as te shumë kriminelë të tjerë serbë të luftës nuk pamë një katarsis pozitiv, duke kërkuar falje për të gjitha ato fatkeqësi njerëzore e materiale, të cilët ua kanë shkaktuar popujve të tjerë. Përkundrazi, i kanë treguar fytyrat e tyre të vërteta prej kriminelëve. Ata me veprimet tyre e kanë irrituar dhe kanë nxitur reaksione negative në mbarë opinionin e gjerë të botës demokratike. Disa edhe janë tallur me veprimet e tyre të natyrës groteske. Sigurisht se vija ndërmjet tragjedisë dhe komedisë është e hollë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ata të cilët u treguan mizor, por bëhet fjalë për të gjithë njerëzit e mirë të kësaj bote. Mungesa e katarsisit shoqëror pas secilit gjykim të kriminelëve në Gjykatën e Hagës është e pajustifikueshme.

Logjika hegjemoniste

Tribunali i Hagës pa marrë parasysh se nga cili kënd është shikuar si i padrejtë ose i drejtë, duhet të respektohet. Me fjalë të tjera, katarsa në tragjedinë ballkanike nuk duhet të jetë arsye për urrejtje dhe tragjedi të reja. Do të duhej të groposet etnonacionalizmi serbomadh me ndihmën e botës demokratike, i cili historikisht u solli tragjedi shqiptarëve në tokën e vet. Dhe, kjo logjikë e vjetër pushtuese karshi shqiptarëve ende po vazhdon. Edhe pas kriminelit Milosheviq po vazhdohet logjika hegjemoniste e çetntikizmit serb sheshelian në pushtet. Nëse hasmëritë e vjetra të Francës dhe Gjermanisë u tejkaluan që të dyja janë anëtare të BE-së, vendet ballkanike me fajin e serbëve, nuk po e tejkalojnë gjendjen e luftës, sikur mos t'u ishte mjaft lufta e cila solli me mijëra viktima. Katarsa është rast intim, proces i transformimit personal, të cilën duhet ta ndihmojnë mbarë shoqëria dhe kultura. Në Ballkan po mungon katarsa, sidomos e minishteteve të dala nga Ish -Jugosllavia. E kjo më së shumti u takon serbëve, të cilët u shkaktuan tragjedi dhe dhembje të mëdha popujve të tjerë. Nuk harrohet rrethimi i Sarajevës dhe vrasjet për shumë kohë në këtë qytet të çetnikëve serbë. Nuk ka mundësi kurrë të harrohet gjenocidi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore në Srebrenicë, ku u vranë dhe masakruan mbi 800 mijë boshnjakë...Nuk harrohen kurrë masakrat gjithandej në Kosovë të forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe, si masakra e Reçakut, Mejës, Rahovecit, Qyshkut, Lubeniqit … Të gjithë këto gabime serbët po i relativizojnë duke tentuar që viktimën ta barazojnë me xhelatin! Serbia për çudi nuk u dënuan për gjenocid, e këtë e ka merituar. Katarsisë pozitiv nuk pamë edhe në Kosovën e pasluftës. Nuk është numri i tyre i vogël, të cilët i kontribuuan luftës, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por pas luftës u futën në rrugë të pa kokë, duke vrapuar pas të mirave materiale. Harruan se edhe paslufta kërkon sakrifica të mëdha në shtetndërtim dhe mirëqenie. Pasurimi pa zgjedhur metoda dhe mjete bëri që ata të humbin besimin te populli. Edhe pas gati 18 vjetësh nuk bën katarsisë pozitiv, që do të ishte për të mirën e tyre dhe për të mirën e Kosovës. Duhet të pastrojmë shpirtin si pakuptimësi e kohës , të kuptojnë më në fund së kjo çka po ndodh është në dëm të qytetarëve dhe të vendit .Shumëkush nga heronjtë janë shndërruar në njerëz qyqarë. Ata të cilët e plaçkitën Kosovën, ata natyrisht jo të gjithë, që qytetarëve dhe rinisë ua kanë lidhur duart me zinxhirë, duke i larguar nga vendi dhe duke i varfëruar… sigurisht se nuk e meritojnë më besimin e popullit… 

(Kosova Sot)