Në këtë botë të trazuar, nuk është lehtë të mbijetohet

Në këtë botë të trazuar, nuk është lehtë të mbijetohet
  • 20 December 2017 - 08:42

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQ

Kënaqësia arrihet kur njeriut i plotësohen ëndrrat e jetës

Sigurisht se kënaqësia arrihet kur njeriut i plotësohen ëndrrat e jetës, sigurisht se edhe bëhet i lumtur për punën të cilën e ka siguruar, dhe bëhet i lumtur pse ka arritur të dalë nga anonimiteti

Kur e kemi dhuntinë, të cilën na fal Zoti, kur e kemi dëshirën dhe kur punojmë, edhe sukseset në jetë sigurisht se arrihen. Vetëm kur jemi këmbëngulës dhe të paluhatshëm në qëndrimet tona, atëherë sigurisht se arrihet edhe çdo synim i dëshiruar. Asnjë njeri nuk ka mundësi që të afirmohet në ndonjë profesion, nëse është i luhatshëm në qëndrimet e tij. Shumë njerëz i marrin gjërat për të gatshme, gjithçka që jetën e bën të bukur dhe të begatshme e kupton si diçka që arrihet pa ndonjë mund të madh. Sigurisht se kënaqësia arrihet kur njeriut i plotësohen ëndrrat e jetës, sigurisht se edhe bëhet i lumtur për punën të cilën e ka siguruar, dhe bëhet i lumtur pse ka arritur të dalë nga anonimiteti. Kemi pasur rastin të gjithë të dëgjojmë dhe të shohim njerëz, të cilët janë bërë shumë të lumtur, kur i kanë arritur objektivat e veta. Kemi vërejtur te ai një ndryshim të madh, është bërë krejt personalitet tjetër. Caku i arritur jetësor ka bërë që ai të jetë i lumtur, i kënaqur me atë që ka arritur në jetë. Është mirë kur gëzohemi dhe kur i çmojmë edhe gjërat e vogla. Kur zgjohemi në mëngjes për të shkuar në punë, nuk jemi shumë të disponuar se do të kishim fjetur edhe më gjatë, jashtë bie shi dhe është kohë e ftohtë, e neve për qejf e kemi ende shtratin. Por, kur e kthejmë mendimin se vendi i punës na sjell siguri për një jetë më të rehatshme, se marrim pagë , pagë me të cilën i mbulojmë deri diku shpenzimet e familjes , kjo na heq përtesën. Ka plot njerëz sot në Kosovë, të cilët shumë do të dëshironin ta kenë një vend të punës, dhe nuk do të përfitonin që të zgjoheshin herët e të përgatitën për punë, e nuk kanë atë kënaqësi.

Përjetimet e mira dhe të këqija

Duhet të mendojmë se ka shumë njerëz, të cilët vuajnë nga sëmundjet e ndryshme, të cilët do të kishin dhënë gjithçka që të shijojnë atë që jetën e bën të bukur. Njeriu i sëmurë nuk ka mundësi të ecë pa ndihmën e tjetrit, nuk ka mundësi të pastrohet vetë, as të ushqehet, dhe shumëçka tjetër. Të gjitha këto duhet t'i mendojmë dhe t'i jemi mirënjohës Zotit për ditët dhe netët e mira, të cilat i kemi, me punën që kemi siguruar, në përditshmërinë tonë dhe çdo gjë tjetër sado e vogël që na duket së është. Kur përgatisim ushqimin shpesh e bëjmë këtë punë me nervozë të theksuar, duke mos menduar faktin se si do ta kishim punën kur nuk kemi çka qesim në tryezë. Duhet të kujtohemi se çka do të bënim kur nuk kemi ujë të nxehtë për t'u pastruar, sikur nuk e kanë sot këtë kënaqësi shumë familje në Kosovë. Duhet të kujtojmë së si do të ndiheshim kur shumëçka na mungon për fëmijët tanë, siç po u mungojnë shumë familjeve skamnore. Duhet që në çdo mëngjes të lutemi se kemi rastin ta shijojmë jetën me gjithë bukuritë natyrore, të cilat na dalin përpara qysh në hapin e parë të cilin e bëjmë. Duhet ta falënderojmë të madhin Zot, i cili na ka bërë të mundur të shohim, të shijojmë, të kemi përjetime të mira apo edhe të këqija, të ndiejmë të mirën dhe të keqën, gjithë atë që jetën e bën interesante. 

Fati është shumë herë përcaktues i së ardhmes tonë

Shumë njerëz në këtë botë nuk e kanë fatin e mirë të bëhen të lumtur. Gjithmonë duhet ta kërkojmë lumturinë tonë, të kemi jetë të rehatshme me familjet tona, kur dihet se me çfarë peripecish po përballen familjet shqiptare. Nuk ka gjë më tragjike se kur kemi përjetime e këqija ose përjetime të dhimbjes për humbjen e më të dashurve tanë. Çdo ndarje është dhembje, e cila nuk kompensohet me asgjë tjetër në këtë botë. Jeta tekefundit është loto. Në këtë botë të trazuar nuk është lehtë të mbijetohet, nuk është lehtë të përballohen sfidat që na sjell jeta, nuk është lehtë ta bëjmë jetën ashtu siç ne e planifikojmë atë. Një fjalë e popullit thotë "Dimë kur shkojmë për një rrugëtim të gjatë ose të shkurtër , e nuk dimë kur dhe se si kthehemi".Është një thënie e dalë nga përvoja e jetës. Edhe fati është shumë herë përcaktues i së ardhmes tonë. Por, njeriu duhet të punojë që jetën mos ta lërë kurrë në dorën e fatit. Gjithmonë duhet të jemi mirënjohës me atë çka kemi arritur me punën tonë në plotësimin e dëshirave tona. Është gjë e bukur dhe përjetim edhe më i bukur kur i jemi mirënjohës Zotit që kemi arritur deri te objektivi i synuar. 

(Kosova Sot)