Legjislacioni më i keq në historinë moderne amerikane - Opinione - Kosova Sot
Legjislacioni më i keq në historinë moderne amerikane

Legjislacioni më i keq në historinë moderne amerikane

Shkruan: Fareed Zakaria 

NJË MOMENT KTHESE

Projektligji tatimor pritet që të shtojë, të paktën, edhe 1 trilion dollarë ndaj borxhit nacional

Amerika ka rënë në një sjellje ekstreme partiake dhe ka përqafuar një libertarianizëm injorant, i cili ia privon shtetit investimet esenciale, të cilat i nevojiten për të shënuar rritje. Ata që e votojnë projektligjin tatimor -me gjasë legjislacionin më të keq të gjeneratës -do të jetojnë me turp, derisa vendi do të shkatërrohet dalëngadalë

Nëse plani tatimor republikan miratohet në Kongres, atëherë ai do të paraqesë një moment kthese për SHBA-në. Efektet afatmesme dhe afatgjata të këtij plani do të nënkuptojnë një rënie masive të investimeve publike në infrastrukturë, kërkime shkencore, trajnime profesionale dhe në buxhetin e agjencive kryesore qeveritare. SHBA-ja nuk mundet përjetë që të bazohet te investimet e kaluara dhe, me këtë legjislacion, na pret një e ardhme e zymtë. Projektligji tatimor pritet që të shtojë, të paktën, edhe 1 trilion dollarë ndaj borxhit nacional gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme dhe, disa ekspertë mendojnë se humbja reale e të ardhurave federale do të jetë edhe më e lartë. Nëse Kongresi nuk zvogëlon shpenzimet, atëherë do të pasojnë shkurtimet automatike, nëse demokratët dhe republikanët nuk arrijnë marrëveshje për shtyrjen e tyre. Sido që të jetë, perspektivat për shpenzime diskretore duken të këqija, me shkurtime potenciale të shpenzimeve për rrugë, aeroporte, trajnime dhe programe të punëtorëve të rinj, kërkime shëndetësore dhe iniciativa të shëndetit publik, në mesin e qindra programeve të tjera. Dhe, këto shkurtime do të vijnë në një situatë edhe ashtu të vështirë. Sikur që thotë Gary Burtless nga Instituti Brookings, investimet e kombinuara publike nga qeveritë federale, shtetërore dhe lokale, gjenden në vlerën e tyre më të ulët në gjashtë dekadat e fundit, krahasuar me GDP-në.

Kredi kyçe tatimore

SHBA-ja gjendet në një moment kritik. Në gusht, Banka Botërore analizoi 50 vende dhe gjeti se SHBA-ja do të ketë më së shumti nevoja të paplotësuara infrastrukturore gjatë dy dekadave të ardhshme. Sipas Shoqatës amerikanëve të ndërtuesve të rrugëve dhe transportuesve, SHBA-ja ka gati 56,000 ura me probleme strukturore (ku rreth 1,900 prej tyre gjenden në autostradat ndërshtetërore), të cilat kalohen 185 milionë herë në ditë. Një raport tjetër i industrisë thotë se, në vitin 1977, qeveria federale siguroi 63% të investimeve të përgjithshme të vendit në infrastrukturën ujore, por në vitin 2014 vetëm 9%. Në hekurudhën më të madhe në Amerikë, në Çikago, ka aq shumë ngarkesë, sa që më shumë zgjatë kalimi i trenit nëpër qytet, sesa që, nga Çikago, të shkojë në Los Anxheles. Nuk ka shembull më të mirë të shkurtpamë- sisë amerikane, sesa zvogëlimi i financimit të kërkimeve shkencore. Një raport i botuar tash së fundmi në "Science" thotë se, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, financimi privat për kërkime themelore, tani tejkalon financimin federal. Kërkimi dhe zhvillimi përbënin më shumë se 10% të buxhetit nacional në mes të viteve 1960; tani ato përbëjnë më pak se 4%. Dhe, versioni i Senatit për projektligjin tatimor, largoi një kredi kyçe tatimore, e cila kishte inkurajuar korporatat që të shpenzonin në kërkime shkencore, edhe pse versioni i kompromisit midis Senatit dhe Dhomës së përfaqësuesve, me gjasë do ta kthejë atë. E tërë kjo është duke ndodhur në një ambient në të cilin të gjitha vendet e tjera, duke filluar nga Koreja Jugore e deri te Gjermania dhe Kina, janë duke i rritur investimet e tyre në këto fusha. Një studim i bërë tash vonë tregoi se Kina është në rrugë e sipër që ta tejkalojë SHBA-në si lider botëror në shpenzimet e kërkimeve biomjekësore. Kur arrita në Amerikë, në mes të viteve 1980, u befasova se sa mirë funksiononte qeveria federale. Kur dëgjoja ankesa rreth IRS-së apo Administratës federale të aviacionit, shpesh thosha: "A keni parë se sa keq funksionojnë këto burokraci në vendet e tjera?". Krahasuar me Indinë, ku unë u rrita, por edhe me vendet e tjera, sikur Franca dhe Italia, shumë prej zyrtarëve kryesorë federalë qeveritarë ishin profesionistë dhe kompetentë. 

Kostoja e ndërtimit të infrastrukturës amerikane është astronomike

Por, dekadat e tëra të kritikave, keqmenaxhimit kongresional dhe të mangësisë së fondeve, e kanë pasur ndikimin e tyre negativ. Agjencitë, sikur që është IRS, tani janë të vjetruara. Zyra e regjistrimit është duke u përgatitur që të digjitalizohet dhe ta bëjë një regjistrim të ri të popullsisë, por në këtë drejtim atë e pengon buxheti i pamjaftueshëm, prandaj i është dashur që t'i anulojë ca teste me të vërtetë të nevojshme. FAA mbetet prapa agjencive ekuivalente në vendet sikur Kanadaja dhe ka pasur shtyrje në freskimin e teknologjisë së saj, për shkak të pasigurive në financim. Kjo listë vazhdon. Ka probleme edhe përtej mungesës së financimit. Kostoja e ndërtimit të infrastrukturës amerikane është astronomike. Por, gjatë Depresionit, Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, një ndjenjë krize dhe konkurrence kishte bërë që Amerika të përqendrohej te kryerja e këtyre punëve me një marrëveshje dypartiake. Për ironi, në një kohë kur konkurrenca është shumë më e ashpër, kur vendet e tjera e kanë tejkaluar SHBA-në në shumë prej këtyre fushave, Amerika ka rënë në një sjellje ekstreme partiake dhe ka përqafuar një libertarianizëm injorant, i cili ia privon shtetit investimet esenciale, të cilat i nevojiten për të shënuar rritje. Ata që e votojnë projektligjin tatimor - me gjasë legjislacionin më të keq të gjeneratës - do të jetojnë me turp, derisa vendi do të shkatërrohet dalëngadalë.

(Kosova Sot) 

20 orë e 31 minuta më parë
22/06/18