Marioneta e re, zotëria i vjetër

Marioneta e re, zotëria i vjetër
  • 23 December 2017 - 09:04

Shkruan: Slawomir Sierakowski

Deri në momentin e fundit kishte mbetur e paqartë se a do t'ia dilte parlamenti i Polonisë, Sejmi, të votonte rreth nominimit të Mateusz Morawiecki-t për kryeministër. 13 dhjetori afrohej me të shpejtë dhe partia në pushtet, Partia e ligjit dhe drejtësisë (PiS) donte ta evitonte votimin atë ditë, me çdo kusht. Për polakët, 13 dhjetori simbolizon shpalljen e ligjit luftarak në vitin 1981 nga qeveria e atëhershme komuniste. Atë natë, 36 vjet më parë, Jaros?aw Kaczy?ski, lider i partisë PiS dhe, lideri de fakto i tanishëm i Polonisë, ishte duke bërë gjumë të thellë, derisa kundërshtarët e vërtetë të komunizmit ishin duke u arrestuar me mijëra sish. Stanislaw Piotrowicz, prokurori shtetëror gjatë ligjit luftarak (që mbeti në fuqi deri në vitin 1983), aktualisht është duke udhëhequr kampanjën e qeverisë së partisë PiS, për ta marrë kontrollin ndaj sistemit të drejtësisë. Morawiecki tani ka bërë betimin si kryeministër, duke trashëguar kështu Beata Szydlon, nën mandatin e së cilës partia PiS ishte më e favorizuar sesa ndonjëherë tjetër. Sipas një teorie, shkaku i vetëm për zëvendësimin e saj, ka të bëjë me dëshirën e partisë PiS për ta zbutur BE-në dhe për të joshur investitorët.

Kapja e pushtetit

Investimet, si pjesë e GDP-së, ra ndjeshëm në vitin 2016, në vetëm pak mbi 18%, dhe ka vazhduar që të bjerë edhe gjatë vitit 2017, duke shënuar performancën më të keqe për 21 vitet e fundit. Derisa shërbente si zëvendëskryeministër në kabinetin Szydlo, Morawiecki, ish zyrtar ekzekutiv i bankës, bëri publik një plan për joshjen e investimeve në teknologji të reja, të cilat i duhen Polonisë për ta ruajtur konvergjencën ekonomike me fqinjët e saj më të pasur, anëtarë të BEsë. Por, rritjen edhe ashtu të kufizuar ekonomike, Polonia nuk ia ka borxh Morawieckit, por Elzbieta Rafalskas, ministres së punës dhe politikave sociale, e cila kishte rritur konsumimin me anë të masave sociale, sikur që ishin kreditë mujore për fëmijë në lartësi prej 500 zloty (140 dollarë). Prandaj, shtrohet pyetja, cila është arsyeja e vërtetë për rrëzimin e kryeministres Szydlo? Thënë thjesht, gjatë mandatit të saj, qeveria e kishte drejtuar 'anijen' polake në një mënyrë të tillë, sa që timoni në fund u desh që të ndërrohej. Partia e saj ka korruptuar çdo institucion dhe çdo instrument të pushtetit që kishte mundur, duke mos menduar shumë për pasojat. Por, ajo (partia) tani do ta ketë më vështirë që ta zgjerojë kapjen e pushtetit. Marrja, apo shtypja e mediave private, për shembull, do ta sjellë partinë në konflikt jo vetëm me opozitën, por edhe me interesat e bizneseve, të cilat kanë ndikim shumë më të madh sesa gjykatat e Polonisë. Morawiecki u ballafaqua me këtë realitet një ditë pasi që u nominua, kur një dënim drakonian qeveritar kundër rrjetit të pavarur televiziv TVN24, filial i kompanisë mediatike amerikane "Scripps Networks Interactive", nxiti qortim të ashpër si nga Departamenti amerikan i shtetit, po ashtu edhe nga BE-ja. Në intervistën e tij të parë si kryeministër, Morawiecki deklaroi se ka plan që ta "ri-krishterizojë Evropën". A mund të flasë kështu dikush që kërkon të arrijë pajtim me BE-në?

Puna e Morawieckit është që ta pengojë opozitën

 Morawiecki nuk njihet fort për deklarata të matura. Kur një gazetare kërkoi nga ai që të zgjidhte midis Hillary Clinton dhe Donald Trump, ai u përgjigj se kjo është njësoj sikur të zgjedhësh midis murtajës dhe kolerës. Është e tepërt të thuhet se takimi i parë i Morawiecki't me presidentin amerikan do të jetë interesant që të shikohet. Është fakt që qeveria e Polonisë ka kohë që është 'në meremetim'. Por, sipas planit origjinal, pritej që vet Kaczy?ski ta merrte postin e kryeministrit. Por, më pas ai ndërroi mendjen, duke u frikësuar se, një veprim i tillë, do t'i zvogëlonte gjasat e partisë PiS në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019. Kaczynski dëshiron një fitore bindëse dhe, ai e di se, bashkë me Antoni Macierewiczin, ministër i mbrojtjes, ai është njëri ndër politikanët më pak të pëlqyer dhe të besuar në Poloni. Szydlo dhe Morawiecki kanë pozitë më të mirë. Për më tepër, Kaczynski është i prirë ndaj zemërimeve publike. Në kohën e Szyd?os, zyrtarët qeveritarë nuk frikësoheshin t'ia thoshin asaj të vërtetat e pakëndshme. Por, nëse Kaczynski edhe formalisht do të gjendej në këtë post, atëherë qeveria shumë shpejt do të ngufatej në rrenat e veta, duke e mashtruar edhe veten e edhe publikun në të njëjtën kohë. Me Morawieckin në postin e kryeministrit, Kaczynski mund të vazhdojë ta përdorë rolin e tij joqeveritar, për ta kontrolluar qeverinë, pa pasur nevojë që ta marrë përgjegjësinë për politikat, apo veprimet e qeverisë. Duke vepruar kështu, Kaczynski është duke rivalizuar me idolin e tij, liderin nga periudha midis luftërave botërore, Jozef Pilsudski. Duke pasur parasysh këto konsiderata politike, Morawiecki është një kryeministër i mirë, për të njëjtën arsye që ishte edhe Szyd?o: ai nuk është askush në parti. Dhe, tani, kur e ka mbështetjen e Kaczynski-t, ai neveritet nga figurat tjera kryesore të partisë, sikur që është Macierewicz dhe ministri i drejtësisë, Zbigniew Ziobro, i cili sapo ka marrë kontrollin direkt ndaj gjykatave. Kjo e bën Morawieckin një kukull, marionetë të besueshme. Dhe, ai pritet që t'i shërbejë një qëllimi të caktuar. Pasi që ta ketë siguruar pozitën e vet në të djathtën polake, partia PiS dëshiron që ta zgjerojë apelin e saj te qendra, në përgatitje për zgjedhjet e ardhshme. Puna e Morawieckit është që ta pengojë opozitën dhe t'i kundërvihet presidentit Andrzej Duda, i cili ka vepruar i pavarur në disa raste. Morawiecki nuk do t'ia dalë që të joshë as BE-në as komunitetin e biznesit. Por, ai do ta bëjë më të lehtë për votuesit e shtresës së mesme që të identifikohen me PiS. Në anketën e parë të opinionit publik, të bërë pas nominimit të tij, partia mori një mbështetje prej 50%, gjë që paraqet një rekord të ri. Sikur gjithmonë, shqetësimi kryesor i Kaczynski-t mbetet konsolidimi i pushtetit të tij. Ai kurrë nuk ka qenë i interesuar ndaj Projektit evropian dhe, gjatë dy viteve të fundit, ka demonstruar se nuk i duhet as BEja. Herët apo vonë, BE-ja do të demonstrojë se as asaj nuk i duhet ai dhe, populli polak përsëri do të jetë në humbje.

(Slawomir Sierakowski, themelues i Lëvizjes "Krytyka Polityczna", është drejtor i Institutit për studime të avancuara në Varshavë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)