Deri kur do të na mungojë vetëdija për shtet dhe për përgjegjësi?

Deri kur do të na mungojë vetëdija për shtet dhe për përgjegjësi?
  • 02 August 2015 - 09:16

Shkruan: Mr. Bislim Aliu

Kosova nuk e ka merituar keqqeverisjen

Askush nga politikanët nuk u bë "burrë" dhe të pranojë fajësinë

Po na mungon me të madhe vetëdija për shtet, për formimin e tij dhe për zbatimin e ligjshmërisë në jetën praktike. Gjithherë pushtetarët tanë e përmendin ligjin dhe drejtësinë, megjithatë, në praktikë ata asnjëherë nuk e zbatojnë, ngase po u mungon kjo vetëdije e realitetit dhe e konkretizimit për përgjegjësi

Kosova jonë e dashur qe 16 vjet pas luftës përherë është përballur me shkallën e lartë të mjerimit, të papunësisë dhe të zhvillimit ekonomik. Ky mjerim vetëm sa rritet e shtohet, e për përgjegjësi, për ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje katastrofale, nuk jep askush e mos të flasim për dorëheqje që assesi nuk mund të ndodhë! Dhe mu për këtë "anashkalim përgjegjësie", mos vallë në politikën tonë, kemi një mungesë të thellë të vetëdijes shtetformuese dhe për përgjegjësinë qeverisëse? Pra, që 16 vjet, asnjëherë, asnjë qeveri, apo ndonjë ministër i qeverisë, nuk u bë "burrë" që ta pranojë fajësinë, për këtë mjerim të popullit dhe të ofrojë bile edhe dorëheqje morale! Pra, që 16 vjet qeveritë dhe qeveritarët vijnë e shkojnë, e përgjegjësinë nuk e mori askush dhe bile as që i shkoi mendja ndokujt të bisedojnë për këtë përgjegjësi. Kjo papërgjegjësi e pushtetarëve tanë në qeverisjen mafioze të këtij vendi, të cilët premtuan lloj-lloj avancimesh në fushatat elektorale, e posa ta marrin pushtetin, ata i harrojnë premtimet, popullin dhe zbatimin e ligjshmërisë. Në këtë mospërfillje të premtimeve kuturu, ata e harrojnë shtetin, ligjin, drejtësinë dhe për këto premtime, pushtetarët tanë, asnjëherë nuk ju ra ndërmend për përgjegjësi, apo llogaridhënie në fjalët e mëdha premtuese.

Në çfarë niveli e kemi vetëdijen për shtet?

Po na mungon me të madhe vetëdija për shtet, për formimin e tij dhe për zbatimin e ligjshmërisë në jetën praktike. Gjithherë pushtetarët tanë e përmendin ligjin dhe drejtësinë, megjithatë, në praktikë ata asnjëherë nuk e zbatojnë. Pra, pushtetarëve tanë, përherë po u mungon kjo vetëdije e realitetit dhe e konkretizimit për përgjegjësi. Ndaj, deri kur kjo vetëdije për përgjegjësi të zbatohet me ligjshmëri?... Pa mëdyshje, me këtë qeverisje, të pasluftës, pa ndonjë plan konkret dhe pa vizioni të qartë për zhvillimin e shtetit dhe të ligjit, jemi larg realitetit, larg shtetit ligjor dhe shumë larg të zbatimit të demokracisë në praktikë. Dhe, përderisa nuk përfillet ligji dhe nuk zbatohet ligjshmëria, atëherë nuk përfillet as shteti dhe as që kemi ndonjë vetëdije për zhvillimin e shtetit ligjor në praktikë. Politikanëve tanë, sikur u mungon etika njerëzore dhe morali shtetformues. Atyre, zaten në masë të madhe u mungon edhe dashuria për shtetin dhe për popullin. Ata më tepër e duan karrigen dhe pushtetin se sa shtetin. Dhe pyetemi, a thua, a ka ndonjë shtet në botë që nuk përfillet ligji, ligjshmëria, drejtësia dhe demokracia, se sa në vendin tonë. Andaj, fatkeqësisht në Kosovën tonë të dashur, të gjitha këto nuk e gjejnë zbatimin konkret! Ndaj, kapja e shtetit nga "të fortët", nga këta pushtetar mafiozë dhe zhvatës të klasit të parë, këtij vendi dhe këtij populli, këta pushtetarë të pandreqshëm, Kosovës ia humbën në tërësi perspektivën dhe vitalitetin e popullit për të mbetur në Kosovë. Ata varg e vijë me veprimet e veta jashtëligjore, e zhvilluan tej mase "demokracinë" dhe "lirinë" e veprimit, sikur të ishte Kosova pronë private e tyre. Dhe, demokracia e tyre arriti që të zhvillohet dhe të bëhet anarki e vërtetë! Pushtetarët qeveritarë funksionojnë mirë kur është fjala, për vete, për klanet dhe për njerëzit e tyre. E, për interesin e përgjithshëm të shtetit dhe të popullit, ata në tërësi e kanë harruar dhe as që ju intereson që të qeverisin më ndryshe. Dhe çdo të mirë të shtetit, ata e vodhën dhe e zhvatën sikur të ishte ndonjë shtet i huaj. Ndaj, pa farë meraku dhe pa farë frike nga askush, ata brenda natës u bënë milionerë duke u shndërruar në sheik të vërtetë. Me këto veprime të vazhdueshme, ata u bënë "supermenë" mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi demokracinë…

Sa është niveli i përgjegjësisë dhe i llogaridhënies?

Nuk e di dhe fare nuk po e kuptoj, si është e mundur që në shtetin tonë, që me aq lehtësi pushtetarët tanë, e vjedhin dhe e zhvatin paranë e shtetit dhe të popullit, e për këtë, fare mos të japësh përgjegjësi, por as llogaridhënie, kjo ndodh vetëm në Kosovën tonë të dashur. Këtë "mrekulli" pushtetarët tanë e bëjnë qe 16 vjet. Pra, e bëjnë në shtetin tonë, që aq shumë e deshëm dhe e respektuan namin e tij qe sa vite me plot dashuri. Kjo racë e keqe politikanësh dhe kjo bandë politike, nuk kanë fare dhembshuri, por as dashuri, për vendin dhe për shtetin. Ata, për interesa të veta mafioze dhe për klane të ndryshme oligarkike, janë në gjendje ta sakrifikojnë shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Medet për popullin tonë, kush po na udhëheq, këta politikanë, pa etikë dhe pa moral për shtet dhe pa vizion të qartë për përparim. Kjo është pa dyshim e keqja më e madhe e këtij vendi dhe e këtij populli. Pa dyshim Kosova nuk e ka merituar një qeverisje të këtillë, e cila asnjëherë nuk mendoi për popullin dhe për mirëqenien e tyre.