Çka u bë me hidrocentralin e Zhurit, i pyes bandat politike në Kosovë?

Çka u bë me hidrocentralin e Zhurit, i pyes bandat politike në Kosovë?
  • 24 December 2017 - 08:04

Për marrje votash vazhdimisht premtonin

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJ - ZHURIANI

Në vitin 1976 është nënshkruar marrëveshja teknike midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë së Titos, me ndërtimin e HEC-it të Fierzës, i cili pas ndërtimit në vitin 1980 përmbyti qindra hektarë me tokë të fshatrave Vermicë, Shkozë, Dobrusht, Vlashnjë, Kobaj dhe Gjonaj të Prizrenit. Kjo marrëveshje ka si kusht ndërtimin e HEC-it të Zhurit, ku Shqipëria do të pranonte kushtin për pakësimin e ujërave në lumin Luma, që buron nga malet e Sharrit pas ndërtimit të HEC-it të Zhurit. Specialistë të mjedisit kanë bërë të ditur se nga ndërtimi i HEC-it të Zhurit do të pakësohen prurjet në lumenjtë që burojnë nga bjeshkët e Sharrit dhe kalojnë në territorin e Shqipërisë, në zonë Borje-Glloboçicë dhe Orqushë-Orgjost, duke u derdhur në liqenin e Fierzës në fshatin Pobreg në afërsi të qytetit të Kukësit. Me ndërtimin e HEC-it të Fierzës, Enver Hoxha, me para në dorë e pagoi dëmin që iu shkaktua palës jugosllave. Banorët e fshatit Vermicë u degdisen nëpër fshatrat e komunës së Prizrenit dhe dikush tjetër mbeti në këtë fshat piktoresk, që Zoti i madh ia ka falur hise natyrën. Është rrëzë Koretnikut, ndërkaq përballë ka si nuse, Pashtrikun plak dhe përmes kësaj gryke që quhet Gryka e Lumës gjarpëron Drini i Bardhë. Flitej e përflitej se shumë para u vodhën nga serbianët dhe argatët e tyre shqipfolës.

Shumë studime shkuan huq

Jugosllavët e asaj kohe kishin ardhur në trevat e krahinës së Lumës, Opojës e Gorës, konstatonin se do të jetë HEC-i më i madh jo vetëm në Jugosllavi, si ai i Gjerdapit, por në Ballkan. Të paktën kështu mendonin ekspertët e kësaj lëmie. Mali u pre nga "Kepi i dorës së djathte" pingul, në të djathtë të "Lugut të Mollës" dhe përbri "Zevenikut", që zbriti deri te "Lloznicat", varrezat. Ishim të rinj kur na detyruan të kositim edhe grurin e papjekur që ia kishte dhënë në brez. Po ashtu, flitej se kjo do të kushtojë një shumë marramendëse, por askush nuk guxonte të tregonte çmimin e saktë. Ilegalisht flitej edhe se: "Jugosllavët nuk investojnë kurrë këtë kapital tejet të madhe, sepse herdo-kurdo e dinë se Kosovën do ta humbin..." dhe vërtet kështu doli. Sipas atij projekti, të asaj kohe, që nga shtëpia e xhait tim Esatit e deri në Shkozë do ta përpinte tërë fushën e Zhurit deri në Shkozë... Pasi ikën në theqafje serbianët, pas luftës në Kosovë, u bënë shumë studime, se sa do të prodhojë ky HIDROCENTRAL. Ç´është e vërteta, asnjërin prej këtyre nuk e kam lexuar, por edhe ta kisha në dorë, nuk do ta kuptoja se nuk jam ekspert i kësaj lëmie. Po ashtu, më ka rastisur ta lexoj se sa do të kushtojë diku rreth 350 milionë euro. Do të bëhet punë një vit përgatitje dhe pesë vite punë e pandërprerë. Në shumë fshatra të Opojës, e sidomos në Brezne, në derë u lanë ftesën që të mos ndërtohet fare në këtë vend ku do të akumulohet uji... Më vonë doli edhe një telash tjetër me ligje ndërkombëtare, nuk guxohet të ndërpritet rrjedha e lumenjve të një shteti tjetër, edhe pse buron në shtetin tjetër. Për dëmet dhe revoltat e Komunës së Kukësit nuk po flas fare...

U morën me hajni

Tashmë duke parë gjendjen aktuale në Republikën e Kosovës, papunësinë, fukarallëkun e tejskajshëm, që shumë sosh nuk kanë bukë në sofër, nuk kanë para as për barna, pensionistët në Kosovë, marrin për t´i blerë pesë litra coca-cola. Autoudha kushtoi sa një shejtan dhe akoma nuk është gati... Ehu,burra! Po shiten çdo gjë të gjallë, shiten tërë pasurinë e Kosovës dhe i bënë rrush e kumbulla, i vodhën pa mëshirë i rëntë gurit e drurit. Ç´ka na ndodhi neve, mos i ndodhtë askujt. Mos thoni Ju lutem, se kjo parti e ajo parti. Të gjithë janë hajna, të gjithë janë të poshtër. Si thotë populli:"Kape njërin, mëshoj tjetrit", përjashtim bën deri më tani VETËVENDOSJA. Betohem në të Madhin Zot, betohem në FLAMUR se nuk kam qenë dhe nuk jam anëtar i asnjë partie politike. Për mua ekziston vetëm një, e ajo është UÇK-ja. Personalisht, mendoj se ai shqiptar që nuk e do UÇK-në, nuk është shqiptar, mos më takoftë e mos më miqë- softë i Madhi Zot me këtë soj. Dhe kur afrohet fushata zgjedhore tellallët, më mirë me thanë zagarët e partive politike,dikush nga shehri i madh Prishtina, dikush në Tv, por të pispillosur, të veshur me kollare, dikush vjen në Zhur, hipin në bina të ndërtuara nga ustallarët prej dërrase, shqyejnë gurmazin duke thënë: NE DO TA NDËRTOJMË HIDROCENTRALIN E ZHURIT. Se ku i marrin mjetet vetëm këta banditë e dinë. Ose: Kanë një qëllim tjetër, të futen në të e të vjedhin, e të vjedhin deri në palcë, e pagofshin nga i Madhi Zot. Amin! Se ne njohim shumë njerëz që nuk kanë pasur bukë me ngrënë, nuk kanë pasur as brekë për të veshur, e tani e kanë lënë katundin e kanë ikur në shehër, kanë ndërtuar pallate, bile edhe hotele luksoze. Dhe krejt në fund, do të ishte mirë, që herëve tjera, para fushatës zgjedhore t´ia vënë gishtin kokës, para se të nisen për në Zhur dhe në fshatrat përreth, mos t'i marrin thasët në shpinë me mashtrimet e tyre të pakripa, sepse popullata e këtushme nuk hanë sanë dhe se rrenave tuaja tashmë u ka dalë boja. Ndaj në fund, i pyes kryebanditët e banditët e bandave politike se çka u bë me hidrocentralin e Zhurit, se keni ngrënë shumë m... duke mashtruar e duke rrejtur atë popullatë të asaj ane...? Zotin Dorëzan!

Për këto që shkruaj e flas mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike.

(Kosova Sot)