Shanset e Evropës gjatë vitit 2018

Shanset e Evropës gjatë vitit 2018
  • 24 December 2017 - 10:29

12 MUAJ TURBULENTË

Evropa duhet ta mbushë vakumin e krijuar nga SHBA-ja

Shkruan: Ana Palacio  

Tanimë është bërë klishe të thuhet, çdo dhjetor, se viti i ardhshëm do të jetë kyç për BE-në. Ky veprim është i njohur: Evropa ka 12 muaj turbulentë, të karakterizuar nga ngjarjet për të cilat ajo nuk ishte e përgatitur. Më pas vjen viti tjetër dhe Evropa përsëri përfshihet nga ngjarjet dhe përsëri gjendet në gjendje krize. A do të jetë viti 2018 ndryshe? Përgjigja e shkurtër në këtë pyetje është se, 'ka mundësi', apo, të paktën, mundet. Pas gati një dekade të dramës së pamëshirshme - një fatkeqësi financiare, e pasuar nga invadimi rus i Ukrainës dhe aneksimi i Krimesë, kriza e imigrantëve, vota Brexit, si dhe zgjedhja e një presidenti amerikan i cili e vuri në pyetje marrëdhënien transatlantike - Evropa është duke hyrë në vitin 2018 në një gjendje relativisht stabile. Jo vetëm që nuk ka krizë në kufijtë e Evropës, por përkundër një rritjeje "anemike", edhe perspektiva ekonomike duket stabile. Ajo që ka më shumë rëndësi, zgjedhjet në tri vendet evropiane me ekonominë më të madhe në vitin 2017 nuk sollën më ndonjë përparim të populistëve. Franca tani ka një president pro-evropian; në Gjermani është duke u paraqitur një koalicion i ri, i madh, pro evropian; dhe, lidershipi britanik, edhe pse thellësisht i ndarë, ia ka dalë që të merret vesh me partnerët e BE-së rreth një projektligji të ndarjes, i cili do të shërbejë si platformë për vazhdimin e negociatave. Italia është vendi i vetëm i madh i BE-së i cili pritet që të mbajë zgjedhje në vitin 2018.

Ndërtimi i tregut të përbashkët digjital

Evropa tani ka një mundësi të artë për ta theksuar më shumë politikëbërjen ndaj politikës, dhe të ndjekë reformat të cilat i nevojiten për vënien e themelit për një të ardhme më të përparuar, të sigurt dhe dinamike. Nuk ka kohë për të humbur: qysh tani mund të thuhet se viti 2019 do të jetë i komplikuar, meqë do të përfshijë zgjedhjet evropiane, emërtimin e një Komisioni të ri evropian dhe do të jetë afati i përfundimit të marrëveshjes Brexit. Kjo ia len Evropës 12 muaj që të bëjë progres në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen e përgjithshme, tregtinë, unionin energjetik, reformën e Schengenit dhe unionin bankar. Por, përpjekjet e përqendruara janë të rëndë- sishme sidomos në tri fusha - një të brendshme, një regjionale dhe një globale - gjatë vitit të ardhshëm. Fusha e parë në të cilën nevojitet progresi, është ndërtimi i tregut të përbashkët digjital. Në vitin 2015, BE-ja lansoi "strategjinë për tregun e përbashkët digjital", me qëllim të stimulimit të sektorit digjital të Evropës. Që nga atëherë, ka pasur njëfarë progresi. Por, krijimi i një ambienti i cili do t'ua mundë- sojë kompanive evropiane rritjen dhe konkurrencën ndërkombëtare, derisa ballafaqimi me gjigantët industrialë, që e kanë kapur tregun, kërkon më shumë kohë. Dhe, derisa mandati i presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pritet të skadojë në vitin 2019, atëherë viti që vjen është koha e përshtatshme për ta bërë këtë. Fusha e dytë ka të bëjë me marrëdhëniet e Evropës me Afrikën. Kriza e imigrantëve vuri në pah se sa të ndërlidhura janë të ardhmet e këtyre dy kontinenteve dhe, sa joefikase ka qenë deri tani politika evropiane ndaj Afrikës. Evropa ka një të kaluar të gjatë të bërjes dhe shkeljeve të premtimeve për ndryshimin e qasjes së saj ndaj Afrikës. Lajmi i mirë është se ka arsye për të besuar se, një ndryshim i tillë, si dhe krijimi i një marrëdhënieje produktive, të përqendruar te rezultatet, mund të ndodhë përfundimisht. 

Afrika dhe Evropa duhet të punojnë së bashku, si të barabarta

Suksesi do të kërkojë një shkarje nga paternalizmi i së kaluarës kah një bashkëpunim i barabartë. Afrika dhe Evropa duhet të punojnë së bashku, si të barabarta, për të shkuar përtej zgjidhjeve afatshkurtra, kah miratimi i një qasjeje e cila adreson shkaqet rrënjësore të imigrimit, duke përfshirë, në rend të parë, qeverisjen e dobët. Në Samitin më të ri BE-Afrikë, mund të vëreheshin fillimet e një qasjeje të tillë, në një plan për të stimuluar investimet private - jo ndihmat - kryesisht me anë të ofrimit të garancive. Pyetja që shtrohet është, a është Evropa përfundimisht e gatshme që t'i realizojë premtimet, duke investuar kohë, përpjekje dhe kapital politik në thellimin e angazhimit dhe në arritjen e reformës reale të qeverisjes. Fusha e tretë kyçe në të cilën Evropa ka nevojë që të shënojë përparim gjatë vitit 2018, është në rimarrjen e rolit të saj të liderit global në politikën klimatike. Evropa duhet ta mbushë vakumin e krijuar nga SHBA-ja. Por, derisa Marrëveshja klimatike e Parisit (nga e cila Trump e tërhoqi SHBA-në), gjendet në fazën kritike të caktimit të rregullave, Evropa duhet të veprojë me shpejtësi, në mënyrë që ta sigurojë një bashkëpunim të ndjeshëm dhe përgjegjshëm. Në veçanti, marrja me gabimet të cilat kulminuan në samitin katastrofal të vitit 2009 në Kopenhagë, nënkupton që BE-ja të punojë në ndërtimin e koalicioneve të ndryshme. Viti i ardhshëm do të sjellë ngjarjet e veta të papritura. Por, mbetet fakti që viti 2018 pritet të jetë vit i një qetësie relative për Evropën, duke ofruar një mundësi të rrallë që të bëhet një progres më i thellë në lidhje me sfidat afatgjata. Kjo mundësi nuk duhet të humbet.

(Ana Palacio është anëtare e Këshillit spanjoll të shtetit dhe ligjëruese në Universitetin "Georgetown").

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)