Britania ballafaqohet me realitetin

Britania ballafaqohet me realitetin
  • 25 December 2017 - 11:30

Shkruajnë: Beth Oppenheim dhe Charles Grant

MARRËVESHJET TREGTARE

Brexiti ofron një mundësi për rikthimin e sovranitetit "të humbur" britanik

Çdo "plus" të cilin Britania do të dojë ta shtojë ndaj marrëveshjes kanadeze, ka të ngjarë që të vijë me një çmim i cili nuk do të pëlqehet nga Brexiterët -duke filluar nga pagimi për qasje në treg, e deri te pranimi i imigrantëve nga BE-ja, apo pranimi i vendimeve gjyqësore

Britania dhe BE-ja përfundimisht janë të gatshme që të fillojnë atë që premton të jetë etapa më e vështirë e procesit Brexit: negocimin një marrëdhënieje të re dhe të një faze kalimtare, me qëllim të zvogëlimit të dallimeve. Që të dyja palët kanë identifikuar si mostër marrëveshjen tregtare të arritur tash vonë midis BE-së dhe Kanadasë. Por, si e tillë, kjo do të ishte marrëveshje e keqe për Britaninë, jo vetëm për shkak se marrëveshja me Kanadanë nuk përfshin sektorin e shërbimeve, i cili përbën rreth 80% të ekonomisë së Britanisë. Sprova kryesore për Britaninë do të jetë se sa ndryshime do të mund të arrijë t'i inkorporojë në Marrëveshjen e Kanadasë. Michel Barnier, negociatori kryesor i BE-së për Brexit, ka thënë se, vendimi i Britanisë për të dalë nga tregu i përbashkët evropian dhe nga unioni doganor, e kufizon Britaninë te "një marrëveshje e tregtisë së lirë, sipas modelit kanadez". David Davis, sekretari britanik i Brexitit, ka shprehur optimizëm rreth sigurimit të një marrëveshjeje "Kanada plus, plus, plus" - një marrëveshje të bërë me porosi, e cila si pikë fillestare merr marrëveshjet më të mira tregtare të BE-së, duke shtuar edhe shërbimet. BE-ja ka lavdëruar marrëveshjen e saj, të arritur me Kanadanë, të quajtur Marrëveshja gjithëpërfshirëse e bashkëpunimit ekonomik midis BE-së dhe Kanadasë, apo shkurt CETA, duke e quajtur atë "standard të artë për marrëveshjet e ardhshme tregtare". Ajo heqë gati të gjitha tarifat ndaj mallrave, ku shumica prej tyre eliminohen menjëherë. Ajo po ashtu zvogëlon disa barriera jo tarifore, duke premtuar një bashkëpunim më të madh midis Kanadasë dhe autoriteteve rregullatore të BE-së dhe duke ofruar një qasje të përmirësuar ndaj disa tregjeve të shërbimeve, sikur telekomëve, energjisë dhe transportit detar. Natyrisht, CETA do të ishte shumë më e mirë për Britaninë, sesa mungesa e një marrëveshjeje, por ajo është shumë më e keqe sesa përparësitë që ajo i gëzon tani, si anëtare e BE-së. Ajo që ka më së shumti rëndësi, marrëveshja kanadeze nuk përfshin tregtinë e shërbimeve - në veçanti të shërbimeve financiare - por edhe fushat e tjera, duke filluar nga edukimi, e deri te aviacioni. Barnier ka larguar shpresat për një shtim të shërbimeve, duke deklaruar se "nuk ka asnjë marrëveshje tregtare që është e hapur ndaj shërbimeve financiare. Një gjë e tillë nuk ekziston". Ai konfirmoi se plani i Britanisë për largimin nga tregu i përbashkët dmth se ofruesit britanikë të shërbimeve financiare do ta humbin "pasaportën" e tyre, e cila ua lejonte operimin në BE pa formuar filiale në vendet e BE-së dhe, anasjelltas.

Implikimet serioze

Premisat e CETA-s rreth shërbimeve financiare në esencë përsëritë Marrëveshjen e përgjithshme të Organizatës botërore të tregtisë rreth tregtisë dhe shërbimeve (GATS), e cila ofron një qasje dukshëm më të vogël në treg, sesa anëtarësimi në BE. Ky është një lajm i keq - BE-ja bleu më shumë se çerekun e eksporteve të shërbimeve financiare britanike në vitin 2014, me vlerë të përgjithshme prej 22.7 miliardë dollarë. Edhe 'mbulimi' i tij nuk është komplet, me përjashtim të disa produkteve bujqësore, sikur që është mishi dhe vezët e pulës, si dhe 15 lloje të pemëve dhe perimeve, ballafaqohen me tarifa deri në 20%. Britania e madhe dëshiron një marrëveshje tregtare dhe një fazë kalimtare të gatshme për dalje nga BE-ja, në mars të vitit 2019. Por, CETA u arrit pas shtatë vjetësh negociatash. Marrëveshja e re po ashtu di të duhet që të ratifikohet nga secili vend anëtar i BE-së, një proces nëpër të cilin CETA ende është duke kaluar. Klauzola "Shteti më i favorizuar" në marrëveshjet ekzistuese të BE-së rreth tregtisë së lirë, paraqet një pengesë shtesë - nëse BE-ja ia ofron Britanisë një marrëveshje me kushte më të favorshme, atëherë partnerët e tjerë tregtarë të cilët kanë nënshkruar klauzola të tilla, do të mund të kërkojnë korrigjime shtesë. Brexiterët, sikur psh sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, insistojnë se Brexiti ofron një mundësi për rikthimin e sovranitetit "të humbur" britanik. Por, nën një marrëveshje të llojit CETA, Britania do të bëhej një marrëse, e jo bërëse e rregullave. Kanadaja nuk pyetet në caktimin e rregullave dhe standardeve të BE-së, por që të gjitha eksportet e saj në BE duhet të plotësojnë rregullat strikte të BE-së. Një marrëveshje e tipit CETA do ta përdorte po ashtu një mekanizëm kontrovers ligjor, i cili do t'ua mundësonte kompanive të huaja që ta padisin qeverinë e Britanisë, nëse do të mendonin se ndonjë ligj i ri britanik, do të ndikonte në vlerën e investimeve të tyre, duke pasur mundësi potenciale për ndryshimin e ligjeve të Britanisë. Përgjatë procesit Brexit, qeveria e Britanisë ka injoruar kompleksitetet dhe këmbimet e përfshira. 

Britania ka më shumë nevojë për BE-në, sesa BE-ja për Britaninë

Sekretari i tregtisë ndërkombëtare, Liam Fox, thoshte se një marrëveshje e re tregtare me BE-në do të ishte "gjëja më e lehtë në historinë njerëzore", meqë Britania dhe BE-ja fillojnë nga një pozicion i konvergjencës. Por, dëshira e Brexiterëve për sovranitet rregullator nënkupton që doganat dhe kontrollimet kufitare do të jenë të nevojshme aty ku më parë nuk kanë qenë. Divergjenca po ashtu ka implikime serioze për kufirin e vetëm të Britanisë me BE-në - kufirin midis Irlandës veriore dhe Republikës së Irlandës. As Britania, e as Irlanda nuk duan një infrastrukturë të re kufitare, për shkak të shqetësimeve se, një gjë e tillë, do të rriste tensionet sektare në Irlandën veriore. Por, kjo nuk mund të evitohet, nëse Britania do të dalë jashtë rregullave apo standardeve të BE-së. Rebusi rreth kufirit irlandez rrezikonte që të shtynte progresin në bisedimet Brexit, derisa kryeministrja Theresa May u përkushtua që ta mbajë një "rreshtim të plotë" me tregun dhe doganat e tregut të brendshëm të BE-së, nëse të dyja palët nuk do të mund të merren vesh rreth kësaj çështjeje të vështirë. Po ashtu, Kabineti qeveritar i May-it sapo ka filluar që të diskutojë se çka dëshiron nga Brexit. Për këtë shkak, para se të mund të fillojnë bisedimet tregtare, May duhet ta arrijë një konsensus në mesin e ministrave të saj. Gama e pikëpamjeve të tyre nënkupton se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Brexiterët thonë se Britania është në pozitë të fortë, sa që të imponojë shtesa (pluse) në marrëveshjen kanadeze, meqë bizneset evropiane duan me dëshpërim që të kenë qasje në tregun britanik. Por, në aspektin tregtar, Britania ka më shumë nevojë për BE-në, sesa BE-ja për Britaninë dhe, mos arritja e një marrëveshjeje do ta dëmtonte ekonominë e Britanisë. Liderët evropianë po ashtu janë të përkushtuar për ruajtjen e integritetit të tregut të përbashkët dhe kanë qenë të qartë se nuk mund të ketë "përzgjedhje", sa iu përket beneficioneve. Çdo "plus" të cilin Britania do të dojë ta shtojë ndaj marrëveshjes kanadeze, ka të ngjarë që të vijë me një çmim i cili nuk do të pëlqehet nga Brexiterët - duke filluar nga pagimi për qasje në treg, e deri te pranimi i imigrantëve nga BE-ja, apo pranimi i vendimeve gjyqësore. Varësisht nga çmimi të cilin May dëshiron dhe mund ta paguajë, ashtu do të arrihet edhe marrëveshja Brexit.

(Beth Oppenheim është kërkuese shkencore, derisa Charles Grant është drejtor i Qendrës për reforma evropiane) 

(Kosova Sot)