Nata e Bartolomeut - Opinione - Kosova Sot
Nata e Bartolomeut

Nata e Bartolomeut

SHKRUAN: GANI QARRI

Athua kaloi vërtet tërësisht dhe nuk do të përsëritet sërish kjo natë, për Kosovën?! Siç e dimë nga përvoja, Thaçi është mësuar me shfuqizime, madje edhe me aso shumë më të rënda sesa kjo e Speciales tani. Për ata që kanë harruar apo nuk u bie ndërmend aktualisht, kujtojeni vetëm për një moment, se si me kërkesë të Serbisë ai kohë më parë, kokë më vete dhe pa asnjë diskutim institucional as publik, shfuqizoi njëanshëm Pavarësinë e Kosovës, duke i vënë edhe asaj një fusnotë! Rast i jashtëzakonshëm që nuk ka ndodhur kurrë as është dëgjuar të jetë përsëritur kudo qoftë dhe me asnjë nga shtetet e tjera të pavarura. Por, as ai, e as klani i tij, asnjëherë nuk e ngritën si problem këtë akt të paprecedent. Ndaj edhe plani i tij i fundit, i përgatitur mirë dhe në detaje, për ta shpëtuar vetveten nga aktakuza e Speciales, përsëri ishte më me rëndësi sesa vetë shteti i Kosovës,por që fatbardhësisht kësaj radhe përfundoi vetëm si një tentim-dështim komik i Thaçit & CO.

Hesapet pa hanxhiun

Përmes mashtrimit, ai arriti të siguronte edhe votat e 43 deputetëve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, me arsyetimin se kishte për qëllim vetëm një debat, por jo edhe shfuqizimin e Gjykatës Speciale të votuar nga ai vetë. Madje tentimi i tij për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale u bë lajm ndërkombëtar dhe zuri vend në faqet e para të të gjitha mediave botërore. Sidoqoftë, në këtë fatkeqësi ishte fat i madh që në një prej "netëve me thika të gjata", si ajo e mbrëmshmja, ata të cilët e kuptuan shpejt dhe të parët hilen e Thaçit ishin miqtë tanë të njohur,si ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O'Connell, i cili aksionin e tij klandestin e cilësoi si natën më të rrezikshme për Kosovën që nga paslufta, përderisa z. Delawie e quajti edhe thikë pas shpine ndaj SHBA-së, si dhe ide të tmerrshme, e cila do ta kthente orën mbrapa dhe izolonte globalisht Kosovën. Në fakt, gazeta javore zvicerane "Weltwoche", që më 13 shkurt të vitit 2015 vinte në pah se si Hashim Thaçi jo vetëm se nga një azilant dhe punëtorë krahu në hekurudhat e Zvicrës, arriti të bëhej kryeministër e pasurohej në mënyrë të dyshimtë, por nuk është as fshehtësi e paditur se organizata që ai udhëhiqte dha urdhra për vrasjet politike të pasluftës në Kosovë. Kjo edhe mund të jetë njëra nga shkaqet e forta dhe arsyet e pa kalueshme, që e bëjnë të domosdoshme ngritjen e akuzës edhe ndaj tij personalisht, gjë që e ka nxjerrë Thaçin tërësisht nga kontrolli. Ndaj, edhe nënshkrimet për debat mbi mandatin e Gjykatës Speciale ai u mundua t'i keqpërdorë për shfuqizimin e saj të tërësishëm, madje me një votim në Kuvend. Por, si duket, kësaj radhe u mashtrua keq nga ngutja, duke bërë hesapet pa hanxhiun, ngase si shqiptarët ashtu edhe ndërkombëtarët janë ngopur më akrobacitë e tij të neveritshme.

Populli nuk është për dënimin e askujt që nuk ka faj

Pas kapjes së shtetit, Prokurorisë, Gjyqësisë e Policisë dhe shkatërrimit të të gjithë sistemit të drejtësisë në vend, nga ai dhe klani i tij, tendencat e përçudshme për vazhdimin e mos-ndëshkueshmërisë juridike deri në pafundësi dhe pengimin e vënies së kriminelëve të mundshëm edhe përpara drejtësisë ndërkombëtare, vërtet janë bërë të papranueshme për të gjithë. Një tendencë si kjo është shumë e tmerrshme dhe e pajustifikueshme në asnjë mënyrë. Ne të gjithë e dimë se ai vetë pati deklaruar, qysh me ngritjet e akuzave të para nga Dick Marti, se ato ishin të pavërteta dhe do të ngrejë padi ndërkombëtare kundër tij, por që nuk e bëri kurrë, duke shpresuar se mund të akuzoheshin të gjithë të tjerët, por jo edhe ai vetë. Madje, ai personalisht nguli aq fort këmbë duke bërë edhe presion të jashtëzakonshëm ndaj deputetëve në Kuvend që ta votonin medoemos Gjykatën Speciale, kurse tani brenda nate tenton t'i shfuqizojë dhe bëjë të paqena që të gjitha ato, të cilat vetë i sponsorizoi, madje duke keqpërdor edhe Kuvendin?! Jo, kjo është e pafalshme dhe nuk duhet të ndodhë assesi. Ndaj mirë që dështoi! Nëse ai është i pafajshëm, le ta dëshmoi para Gjykatës. Populli nuk është për dënimin e askujt që nuk ka faj, apo aq më keq edhe për burgosje të porositura, siç përflitet për rastin e vëllezërve Kiçina në vend. Ndaj është e vërtetë e madhe se shumica e shqiptarëve në Kosovë dhe gjithë etninë tonë kudo gjendet ajo mbetën të befasuar nga marifetet e fundit të Thaçit & CO, që edhe Gjykatën Speciale, të cilën vetëm para dy vitesh ata vetë e votuan, tani ta shfuqizojnë me një aksion klandestin brenda nate dhe këtë pikërisht në momentin kur ajo ka përfunduar të gjitha procedurat e aktivizimit dhe priten vetëm ngritjet e akuzave të para, të cilat siç duket, pas gjithë akrobacive të tij të gjithfarshme, do ta godasin përfundimisht edhe vetë Thaçin. Do ta godasin atë bashkë me shokë e zyrtarë të lartë të shtetit, të zhytur në shumë mëkate politike, korruptive dhe kriminale, që nga shfuqizimi i Pavarësisë së Kosovës me fusnotë!, nënshkrimi për formimin e "Zajednicës" serbe, shitja lirë dhe falja e aseteve kryesore të shtetit, pazaret me tokat e vendit, demarkimet e dyshimta etj,.etj... Ndaj, mjaft më, mos e pengoni Gjykatën Speciale as shtetndërtimin e vendit,mos u bëni edhe më tej, ti as shokët e tu, barrë kaq e rëndë për Kosovën, por lëreni atë të mbijetojë dhe të ecë e lehtësuar drejt rrugës së saj të ardhmërisë, pa Ju!

.

(Kosova Sot)

5 orë e 47 minuta më parë
21/09/18