Protesta dëshpëruese anti-VETTING, anti-SHBA dhe anti-integrim e opozitës në Shqipëri

Protesta dëshpëruese anti-VETTING, anti-SHBA dhe anti-integrim e opozitës në Shqipëri
  • 26 December 2017 - 08:52

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Politika e Tiranës pothuajse e gjitha nuk e ka dashur Reformën në Drejtësi, as pushteti dhe as kundërpushteti(pozitë-opozitë), sepse te dyja kush më pak e kush më shumë janë të infektuara me individë të korruptuar dhe me rekorde krimi. Por kundërshtimin hapur dhe ashpër kundër VETTINGut e ka bërë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pasi ato e kishin kapur sistemin e Drejtësisë ku edhe ky ishKryeprokurori që iku ishte vegël kryesore mbrojtëse e tyre, dhe ato, PD e LSI kishin frikë se tani mos po e kap drejtësinë Partia Socialiste. Ketë "frikë", PD +LSI po e përdorin akoma si maskë justifikimi por e vërteta është tjetra, është frika dhe paniku që i ka kapur ish pushtetarët e kriminalizuar dhe të korruptuar të LSI dhe sidomos ata të Partisë Demokratike, pasi tani VETTING-u nuk është më politik dhe aq më tepër kur tashmë dihet se VETTING-u monitorohet nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe dihet gjithashtu pra se VETTING-ut dhe zbatimit të ligjit nuk do mund t'i shpëtojë më as politika e pushteti i sotëm dhe as cilido pushtet i cilado partie qe të marrë pushtetin tani e tutje. Keqqeverisja e Partisë Demokratike, instalimi prej saj dhe Sali Berishës i korrupsionit në sistem, kapja që ajo i bëri Drejtësisë, shfrytëzimi që lidershipi i saj i bëri anëtarësisë së partisë duke e përdorur atë si vegël për interesa klanesh e grupesh rivale interesi; gënjeshtrat dhe mashtrimet si dhe aventurizmi dhe matrapazllëqet amorale politike e konsumuan aq shumë PD-në, saqë arriti të kthehet në parti regresi, pasi kërkon që fajet e humbjes dhe të dështimeve të saj t'ia ngarkojë jo vetëm kundërshtarit politik dhe votuesve, por madje lidershipi dhe ish- lidershipi i PD-së arrin që të fabrikojnë gjithfarë akuzash edhe kundër përfaqësuesve dhe diplomatëve të SHBA-së dhe të BEsë në një kohë kur shqiptarët janë populli më proamerikan dhe evropian në botë. Këtë përvojë politike antiperëndimore PD vazhdon ta trashëgojë akoma nga lidershipi real i PD-s ,Berisha, i cili ka qenë anëtar dhe shërbëtor i zellshëm i Partisë Komuniste Shqiptare.

Ish- kryeministri, rrënimtar dhe shkatërrimtar

Pra, PD në vend që të reflektojë dhe të bëjë analizën se përse përfundoi në këtë gjendje mjerane, pra në vend që PD të bëjë VETTING-un politik brenda vetes së saj pasi ajo ka nevojë më shumë se çdo parti tjetër për të nxjerrë dhe për të "ndëshkuar"shkaktarët e vërtet të cilët e çuan PD-në në këtë deregje; PD ka nevojë për VETTING për të larguar nga drejtimi i PD-së këta të cilët e mbajnë peng Partinë Demokratike edhe sot , këta të cilët kërkojnë se mund të fitojnë pikë politike dhe ta mashtrojnë akoma elektoratin e djathtë me "qëndresën" dhe me protestën e tyre për të penguar e bllokuar VETTING-un dhe integrimin e Shqipërisë. Ky është një fatalitet tjetër për opozitën. Dhe pikërisht në ditën kur Parlamenti shqiptar zgjodhi Kryeprokurorin e përkohshëm pas mbarimit të mandatit të ish Kryeprokurorit politik dhe avokatit të korrupsionit të politikanëve dhe të pushtetarëve të lartë Adriatik Llallës, shqiptarët dhe jo vetëm shqiptarët, por edhe aleatët e shqiptarëve, SHBA-ja dhe BE-ja, u habitën me protestën e dëshpëruar dhe të dhunshme të opozitës për ta penguar këtë proces legjitim dhe kushtetues. Kjo protestë, ku prej saj u panë skenat e dhunshme, e tymit, e gjakosjes , e shkatërrimit të pronës publike dhe histerizmi agresiv politik tregoi edhe njëherë natyrën dhe kulturën e vërtetë të Sali Berishës me kompani, të këtij arkitekti antidemokracie dhe antikombëtare, pasi si kur ai ka qenë në pushtet si President dhe si kryeministër,ai për pushtet e dogji në tym dhe flakë Shqipërinë në vitin 1997 dhe në vitin 1998: me pushtetin e tij kreu krimin shtetëror të korrupsionit ku në Gërdec u vranë 27 vetë, u plagosën mbi 200 të tjerë dhe u rrënuan 5 fshatra. Dhe kur ish- kryeprokurorja Ina Rama, e zgjedhur në këtë post nga Partia Demokratike, nisi hetimin për ngjarjen tjetër të rëndë kriminale shtetërore, kur po ky Berisha ishte në pushtet i cili, për pushtetin nuk u kursyen as plumbat mbi protestuesit paqësore për të mbrojtur qeverisjen e tij dhe ish-zv/kryeministrin e tij të LSI-së , ku si pasojë u vranë 4 protestues të pafajshëm, dhe ky ish- kryeministër rrënimtar dhe shkatërrimtar nuk kurseu as fjalët më të ulëta dhe ofendimet më të rënda kundër ishKryeprokurores më të suksesshme në historinë e pluralizmit shqiptar,Ina Rama, vetëm pse ajo nisi hetimet për këtë ngjarje kriminale të ish-pushtetit të PD-LSI-së. Të njëjtën kulturë dhe metodë shkatërrimtare dhe antidemokratike, autoritariste e aventureske e ka përdorur Berisha që kur ai e kapi dhe e pronësoi Partinë Demokratike, të cilën e sundoi, e përdori dhe e shfrytëzoi derisa edhe e rrënoi PD-në dhe të djathtën shqiptare për interesin e tij personal, familjar dhe klanor.( Mjerisht për një kulturë të tillë politike shquhen të gjitha partitë politike shqiptare kudo: si në Shqipëri, Kosovë ,Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë ku partitë politike janë vegla në shërbim të kryetarëve të përjetshëm dhe të një grupi të ngushtë individësh shërbëtorësh e servilësh rreth tyre). Berisha e ka keqpërdorur së pari PD-në dhe anëtarësinë e saj edhe për të marrë pushtetin edhe me rrugë jashtë-institucionale, si p.sh. edhe me grushtin e dështuar të shtetit të vitit 1998 si dhe tani në protestën e dhunshme kundër drejtësisë, kundër VETTING-ut, kundër SHBA-së dhe BE-së, pasi VETTING-u është kryesisht vepër e tyre për të mirën e shqiptarëve, për konsolidimin e demokracisë, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe për integrimin e Shqipërisë. Berisha dhe uzurpatorët e tjerë ish komunistë të Partisë Demokratike nuk e duan VETTING-un ashtu sikurse edhe për 27 vite atyre nuk u interesoi as Miratimi i Ligjit për ndëshkimin e krimeve të komunizmit, as Lustracioni pasi ata vetë ishin formë- suar dhe kanë qenë shërbëtorë , ishkomunistë dhe agjentë të ishSigurimit të Shtetit.

"Shansi" i fundit i rezistencës dëshpëruese

 Nëse duhet bërë VETTING për politikën, së pari duhet të fillojë nga PDja, kur të largohet Berisha i pari dhe ish- ministrat dhe deputetët e sotëm të PD-së, prej të cilëve PD-ja pësoi tri humbje radhazi, secila më e thellë dhe më dërrmuese se tjetra: në ato parlamentare të vitit 2013 dhe në vitin 2017 si dhe në ato lokale të vitit 2015 ku për pasojë PD-ja sot është kthyer në një shoqatë ngatërrestarësh brenda saj, pa vizion, pa alternativa dhe vetëm sa po degradohet, braktiset dhe po rrudhoset për ditë e më shumë. Dhe kjo protesta e fundit u bë vetëm e vetëm për t'i shpëtuar ndëshkimit ligjor Berisha dhe lukunia e ishpushtetit dhe e ish- ministrave të tij, shumica e të cilëve janë deputetë edhe sot në Kuvendin e Shqipërisë, pasi largimin e kryeprokurorit Llalla ata e shohin si fatkeqësi të madhe, sepse nuk ka kush më që t'i mbrojë ata dhe zullumet e tyre dhe as të këtyre të sotëm. Deklarimi i Berishës për djegien e mandateve është vërtetim tjetër i asaj se natyra politike e Berishës është shkatërrimi, tymi dhe djegia , kur ai në 1997 dogji Shqipërinë, djegia e mandateve të deputetit nuk është asgjë para asaj. Kjo protestë e bërë nga opozita, PD dhe LSI, ka edhe një qëllim tjetër atë të presionit që ata mendojnë se kështu me "trimërinë" burracake prej mandatit të deputetit dhe të manipulimit me protestuesit ata gënjejnë vetën se do t'u bëjnë presion drejtë- sisë, ndërkombëtarëve dhe organeve të VETTING-ut për mos-hetimin e krimit dhe të korrupsionit të tyre, si të politikanëve dhe pushtetarëve të djeshëm dhe atyre të sotëm. Kjo është një protestë antiamerikane e PD-së, kopje e asaj të bërë kohë më parë nga po këta opozitarë të sotëm në parlament edhe kundër projektit dhe propozimit të SHBA-së për demontimin e armëve kimike të Sirisë , duke dëmtuar rëndë interesat e mëdha kombëtare dhe përfitimet e mëdha ekonomike, kombëtare, prestigji dhe imazhi ndërkombëtar si dhe të integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo protestë nuk është çudi publike për faktin se kush e organizoi atë , pasi politika e Partisë Demokratike dhe sidomos, Sali Berisha, është autori i ngritjes të një sistemi ku pushteti politik kapi dhe e qeverisi edhe Drejtësinë në këto 27 vite tranzicion, duke i dhënë tranzicionit jo vetëm fizionominë por edhe funksionimin e sistemit si një sistem korruptiv regjimi politiko-partiak. Kjo protestë ishte mundësia e "shansi" i fundit i rezistencës dëshpëruese nga ana e opozitarëve të frikësuar nga veprimi i Reformës së drejtësisë, për ta penguar sa të munden zbatimin e VETTING-ut pas dështimit të përpjekjeve të vazhdueshme të tyre dhe të drejtësisë së kapur po prej tyre për Miratimin e Ligjit të VETTING-ut, ku një ndër më të shquarit dhe më të zellshmit kundër VETTING-ut ishte edhe ishkryeprokurori i cili iku tashmë, me largimin e të cilit dhe me fillimin e punës së organeve të VETTING-ut i hapet rruga ndërtimit dhe funksionimit të shtetit ligjor; i hapet rruga pastrimit dhe dekriminalizimit të politikës, i hapet rruga lirisë për demokracinë dhe përshpejtimit të integrimit të Shqipërisë për në BE. Këtë protestë anti-VETTING të opozitës së djathtë PD bashkë me atë të majtë LSI duhet ta shohim edhe në sfondin e dëmshëm antikombëtar si përpjekje për ta dëmtuar ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë, për ta penguar integrimin e brendshëm demokratiko-ligjor dhe për ta bllokuar integrimin evropian të Shqipërisë.

Miratimi i VETTING-ut ishte i një rëndësie jetike për Shqipërinë dhe për shqiptarët

Kjo ishte edhe si një protestë antiintegrim, edhe kundër SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, të cilat bënë aq shumë përpjekje dhe harxhuan aq shumë kohë, energji dhe mund duke treguar një impenjim dhe përkushtim të lartë dashamirësie për miratimin e Ligjit të VETTING-ut i cili i hap rrugën progresit demokratik dhe zhvillimor gjithpërmasor, dhe që përshpejton integrimin e Shqipërisë për në BE. Është hipokrizi e madhe dhe shumë e lexueshme që nga njëra anë opozita proteston duke mbajtur flamurin amerikan dhe atë të BE-së në protestë, dhe nga ana tjetër të protestosh kundër zgjedhjes së Kryeprokurorit, zgjedhjen e të cilit e kërkon Kushtetuta sepse mbaron mandati i ish-kryeprokurorit dhe se këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të përkohshëm e përkrahën edhe përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së në Shqipëri, ata të cilët këmbëngulën dhe kontribuuan aq shumë për miratimin e ligjit të VETTING-ut, pikërisht për t'i dhënë fund sundimit të politikës jo vetëm mbi Kryeprokurorin por për t'i dhënë fund sistemit dhe regjimit politiko-korruptiv i cili e ka kapur drejtësinë që prej 27 vitesh të tranzicionit, dhe që ka mbajtur peng shtetin, demokracinë dhe integrimin. Prandaj miratimi I VETTING-ut ishte i një rëndësie jetike për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kjo ishte një protestë e motivuar edhe nga frika që u ka hyrë ish-politikanëve dhe ish-pushtetarëve të korruptuar të opozitë të cilët janë akoma edhe deputetë të PD-së, por edhe të të tjerëve të pushtetit të sotëm, pasi askush më tani e tutje prej "peshkaqenëve të mëdhenj" nuk do të mund t'i shpëtojnë mosndëshkimit ligjor dhe penal për rekordet e tyre kriminale, korruptive dhe abuzive. Kjo protestë ishte kundër drejtësisë, ishte organizuar për interesa të krimit dhe të korrupsionit dhe për mosndëshkimin e autorëve të tyre, prandaj nuk pati dhe nuk tërhoqi vëmendjen dhe interesim publik, sepse qytetarët shqiptarë kanë halle të tjera, dhe kjo protestë ishte kundër VETTING-ut, kundër drejtë- sisë pasi gjatë këtij tranzicioni shqiptarët më së shumti kanë vuajtur dhe e kanë pësuar së pari nga padrejtësia; nga padrejtësia u kanë ardhur shqiptarëve të gjitha të këqijat, konfliktet e mëdha , papunësia, varfëria; pasiguria për jetën ,punën, pronën, dhe prandaj kjo protestë e opozitës u injorua me indiferentizëm nga qytetarët shqiptarë sepse ajo ishte protestë për vetëm interesin e vetëm të tyre të cilët e organizuan.

(Kosova Sot)