BE-ja duhet ta njohë shtetin palestinez

BE-ja duhet ta njohë shtetin palestinez
  • 26 December 2017 - 09:53

Shkruan: Javier Solana

Edhe një herë, presidenti amerikan Donald Trump ka marrë një qasje të njëanshme në politikën e jashtme - kësaj here duke e njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Dhe, edhe një herë, Trump keqinterpretoi realitetet në Lindjen e Mesme. Duke qenë se veprimi i tij i fundit - i cili shkatërroi më shumë se 70 vjet të një konsensusi ndërkombëtar - mund të shkaktojë një përkeqësim të shpejtë në regjion, me rëndësi është që këtu të ndërhyjë BE-ja. Politika e administratës Trump ndaj Lindjes së Mesme mbështetet te një aleancë e ringjallur midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite. Çdo president amerikan, që nga John F. Kennedy, vizitën e parë jashtë shtetit e kanë bërë ose në Meksikë, Kanada, apo Evropë. Por, jo Trump. Ai udhëtimin e parë jashtë shtetit, në cilësinë e presidentit, e bëri në Riad, ku mori pjesë në një samit me 54 shtete me shumicë myslimane, duke mbajtur një fjalim ku nxiu Iranin, për të cilin tha se duhet të shmanget nga bashkësia ndërkombëtare. Pas Arabisë Saudite, Trump vizitoi Izraelin, ku lansoi edhe një episod tjetër të retorikës antiiraniane. Arabia Saudite dhe Izraeli nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por që të dy këto vende janë aleatë të SHBA-së dhe ato e kanë Iranin kundërshtar të përbashkët. Në nëntor, kreu izraelit i forcave të mbrojtjes, lejtënant gjeneral Gadi Eisenkot, shprehu gatishmërinë e ndarjes së informatave të inteligjencës me Arabinë Saudite, me qëllim të rivalizimit me Iranin.

Jerusalemi është një çështje tepër e nxehtë

 Afrimi saudit-izraelit është ndihmuar nga princi i ri i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), i cili është duke ndjekur një program të modernizimit, si në vend, po ashtu edhe në politikën e jashtme. Në fillim të muajit, ishte thënë se MBS kishte propozuar një plan paqësor izraelit-palestinez, i cili do të ishte dukshëm në favor të Izraelit edhe pse qeveria e SHBA-së dhe ajo saudite më pas kanë demantuar këta zëra. Sido që të jetë, është e qartë që Trump ka dashur të përfitonte nga këto rrethana, për ta ndërmarrë një puç diplomatik. Megjithatë, vendimi i tij rreth Jerusalemit, detyron sauditët që të ballafaqohen me një dilemë: a t'i jap një prioritet më të madh mbrojtjes së kauzës palestineze, apo të normalizojë lidhjet me Izraelin, si mënyrë për ta përmbajtur Iranin. Disa sauditë duket se shpresojnë për variantin e dytë, duke propozuar lënien anash të gjitha problemeve rreth statusit të Jerusalemit, si dhe tërë çështjen palestineze. Edhe Trump u mundua më pas që të shtojë nuanca në deklaratën e tij, duke thënë se ai nuk kishte marrë asnjë qëndrim rreth kufijve gjeografikë të sovranitetit izraelit mbi Jerusalemin dhe se, ambasada amerikane nuk është se do të zhvendoset menjëherë në Jerusalem. Por, sikur që ka thënë një ish ushtarak amerikan, emisar special për negociatat izraelitepalestineze, Martin Indyk, amerikanët mund të provojnë që t'i minimizojnë dëmet sa të duan, por ata nuk do të ta bëjnë këtë, meqë Jerusalemi është një çështje tepër e nxehtë. Ky realitet u manifestua nëpërmes shpërthimit të protestave të rrugëve në tërë Lindjen e Mesme, pak pas deklaratës së Trump-it edhe pse vala e madhe e dhunës, nga e cila frikësoheshin disa, nuk ndodhi. Për më tepër, Organizata e bashkëpunimit islamik mbajti një samit të jashtëzakonshëm në Stamboll, ku vendet anëtare riafirmuan "rëndësinë e çështjes së Palestinës dhe të AlQuds Al-Sharifit [Jerusalemit] për umetin mysliman", njohën Jerusalemin lindor për kryeqytet të Palestinës dhe dënuan ashpër veprimet e Trumpit. Duket se asnjë mysliman nuk është i gatshëm që të harrojë se në Jerusalem gjendet xhamia Al-Aksa, vendi i tretë i shenjtë në islamizëm. Mbreti Salman i Arabisë saudite, iu referua kësaj xhamie kur ia tërhoqi vërejtjen Trump-it se sa i dëmshëm mund të jetë vendimi rreth Jerusalemit. Pasi që Trump edhe pas kësaj bëri publik vendimin e tij, sauditët e cilësuan atë si jo të drejtë dhe të papërgjegjshëm.

Skenari i dëshiruar nga Trump-i

Thjesht, Arabia Saudite nuk mund ta distancojë veten nga çështja palestineze dhe t'i lejojë vendet e tjera, Turqinë, apo Iranin, që ta marrin bajrakun. Ky do të ishte një gabim i tillë taktik, sikur edhe përkeqësimi i raporteve me Katarin, muaj më parë. Do të ishte vështirë, në mos edhe e pamundshme, për sauditët, që përnjëherë të dalin në mbështetje të një plani i cili do të ishte radikalisht i ndryshëm nga Iniciativa paqësore arabe, e njohur si "Plani saudit", që u miratua në vitin 2002 dhe u përqafua nga Liga Arabe këtë vit. Kështu, skenari i dëshiruar nga Trump - sipas të cilit Arabia saudite rreshtohet me Izraelin, për t'iu bërë presion palestinezëve për ta arritur një marrëveshje paqësore - nuk do të realizohet. Së pari, Arabia saudite nuk është në gjendje që të heqë dorë nga pretendimet arabe ndaj Jerusalemit. Së dyti, një strategji e cila nuk ua jep palestinezëve të drejtën e vendosjes për fatin e tyre dhe për fatin e Jerusalemit, kurrë nuk do të ketë sukses. Dhe, së treti, administrata e Trump'it - duke përfshirë edhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, të cilit vjehrri ia ka besuar detyrën e ndërmjetësit amerikan në procesin paqësor midis Izraelit dhe arabëve - është plot me biznesmenë, e jo politikanë, sikur që tha tash vonë edhe vet Kushner. Por Jerusalemi, si dhe më gjerësisht, konflikti izraelit-palestinez, është tepër i brishtë, që të mund të trajtohet si marrëveshje biznesi. Edhe pse Trump nuk e ka përjashtuar zgjidhjen me dy shtete, ai mund ta ketë vënë gozhdën e fundit në arkivolin e saj. Mënyra e vetme për ta shpëtuar atë, apo edhe që të bëhen izraelitët dhe palestinezët të kthehen pranë tavolinës së bisedimeve, është duke qenë më i njëanshëm. Këtu BE-ja duhet ta marrë rolin udhëheqës dhe ta dërgojë një mesazh i cili është i fuqishëm, sa që është edhe i domosdoshëm duke njohur menjëherë, sikur që kanë bërë më shumë se 70% të vendeve anëtare të OKB-së, shtetin e Palestinës. Rruga drejt zgjidhjes me dy shtete duhet të fillojë me Iniciativën paqësore arabe, e cila thotë se Liga Arabe do ta njohë Izraelin nëse ai do të tërhiqej në kufijtë e para vitit 1967. Zgjidhja me dy shtete - e cila do t'ia lejonte Izraelit mbajtjen e karakterit të tij çifut dhe demokratik, sikur që do ta siguronte edhe qëndrueshmërinë e shtetit të Palestinës - ende paraqet mënyrën më të besueshme për zgjidhjen e këtij konflikti. Por, nëse duam ta arrijmë "ndarjen për shkak të respektit", të cilën e përmendi Yitzhak Rabin viteve 1990, atëherë nuk kemi kohë për të humbur: pika e pa kthim është duke u afruar çdo ditë e më tepër.

 (Javier Solana është president i Qendrës ESADE për ekonomi globale dhe gjeopolitikë, si dhe bashkëpunëtor i Institutit "Brookings")

(Kosova Sot)