Po të ishte miratuar Ligji i VETTING-ut, Gjykata Speciale mund të vetë- shfuqizohej

Po të ishte miratuar Ligji i VETTING-ut, Gjykata Speciale mund të vetë- shfuqizohej
  • 28 December 2017 - 08:36

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPIT

Drejtësia në Kosovë do të çlirohej plotësisht nga prangat e politikës

Si BE-ja dhe SHBA-ja duhet të këmbëngulin dhe ta detyrojnë politikën kosovare që të miratohet një reformë rrënjësore në drejtësi, një ligj VETTING-u, i cili të drejtohet prej ndërkombëtarëve, ashtu siç po veprohet në Shqipëri, VETTING, i cili do të ishte më se i nevojshëm dhe më i duhuri, pasi do të ndëshkonte autorët dhe 'peshqit e mëdhenj' të kriminalizuar, si për krimet e para, gjatë dhe të pas luftës, pa dallim

Po të ishte miratuar Ligji i VETTING-ut, të cilin gazeta "KOSOVA SOT" vazhdimisht e ka propaganduar dhe kërkuar si domosdoshmëri, ndoshta edhe Ligji i Speciales mund të shfuqizohej pasi dilte i panevojshëm, sepse Ligji i VETTING-ut do të kërkonte së pari që monitorimin dhe drejtimin e tij ta bënin SHBA-ja dhe BE-ja. Me VETTING-un, drejtësia në Kosovë shpresojmë se do të çlirohej plotësisht nga prangat e politikës, të krimit dhe të korrupsionit. Kjo reformë do të ishte jetike për Kosovën dhe për integrimin e saj në BE. Nëse në Kosovë do të miratohej dhe do të vihej në zbatim një Ligj VETTING-u atëherë do të fillonte funksionimi ligjor e i drejtë i drejtësisë, si dhe do të fillonte edhe kthimi i besimit të qytetarëve kosovarë te drejtësia e re e pastruar nga krimi e korrupsioni. Gjykata Speciale erdhi më shumë apo tërësisht prej hipokrizisë e paaftësisë dhe prej papërgjegjshmërisë, korrupsionit dhe prej kriminalizimit të politikës në Kosovë, e cila e kapi dhe e sundoi në plotëni edhe sistemin e tërë të drejtësisë, pra erdhi si pasojë e keqfunksionimit të ligjit dhe të drejtësisë, erdhi si pasojë e mosvullnetit politik për një reformë rrënjësore e vetëpastrimi në drejtësi dhe për një Ligj VETTING-u. Këtë gjendje e shfrytëzuan me mjaft intuitë edhe kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës, e sidomos Serbia dhe aleatët e saj, të cilët promovuan dhe lobuan me njerëz të tillë si Dick Marty me akuza të sajuara rezultat prej së cilës erdhi edhe ngritja e kësaj Gjykate Speciale, që është diskriminuese për Kosovën, për shkak të politikanëve të saj të papërgjegjshëm dhe të inkriminuar. Nëse në Kosovë do të kishte funksionuar një ligj Lustracioni apo një ligj VETTING-u nuk do të kishim pasur dhe as nuk do të kishte qenë e nevojshme sot kjo Gjykatë Speciale - vetëm për shqiptarët.

Asnjë forcë politike nuk e do Vetting-un

Në Kosovë problemi më i madh sot është ndërtimi dhe funksionimi i Shtetit ligjor. Kjo nuk zgjidhet me gjyqësor të "veçantë", "special" apo parcial dhe i cili më shumë po e çorodit opinionin, po e konfliktuon atë edhe politikisht e mediatikisht, si dhe i jep shansin për të spekuluar më shumë pikërisht ata të cilët me të vërtetë duhet të ndëshkohen për krimet e kryera, së pari ata të cilët kanë spekuluar rëndë me gjakun ,sakrificat dhe me vlerat e Luftës së UÇK-së për favore personale politike e pushteti, pasurimi e korrupsioni. Kosovës i duhet realisht miratimi i ngutshëm i Ligjit të VETTING-ut si reforma më e domosdoshme dhe më e rëndësishme pas Çlirimit të vendit, VETTING i cili duhet të monitorohet dhe të drejtohet detyrimisht nga SHBA ,pasi edhe UNMIK -u edhe EULEX-i pothuajse dështuan plotë- sisht në vënien në funksion të ligjit e ligjshmërisë në Republikën e Kosovës. Pse miratimin e VETTING-ut nuk e ka kërkuar kurrë deri më sot asnjë forcë politike në Kosovë?! Kjo për faktin se partitë politike në heshtje paskan një konsensus kriminal të heshtur anti-VETTING, ashtu siç pati vepruar edhe e gjithë politika e Tiranës e kriminalizuar, e cila ishte kundër Ligjit të VETTING-ut, dhe logjika të çon në përfundimin se të gjitha partitë politike, pa dallim, edhe në Kosovë qenkan të kapura nga krimi dhe korrupsioni dhe prandaj nuk e duan as ato VETTING-un dekriminalizues. Perëndimi nëse e ndihmoi dhe e përkrahu Kosovën dhe shqiptarët për t'u çliruar nga kolonizatori serb, nuk bëri faktikisht gjë tjetër vetëm sa e shleu shumë pak veten nga krimi të cilin Evropa u shkaktoi 100 vite më parë popullit dhe trojeve shqiptare, të cilat ua dhuroi fqinjëve shovinistë sllavë dhe grekë. Nuk kishte pse të ngrihej kjo Gjykatë Speciale për të hetuar dhe ndëshkuar krimet e supozuara dhe shpifjet për Luftën e UÇK-së. Unë mendoj se Evropa duhet të ngrinte një Gjykatë Speciale për të ndëshkuar edhe krimet e paraardhësve të saj, pazaret dhe dëmet jashtëzakonisht të rënda që u janë shkaktuar shqiptarëve që nga viti 1878 e këtej prej gjenocidit shovinist sllavo-serb me miratimin, heshtjen dhe me indiferentizmin kriminal të ish-Evropës së vjetër. Serbia duhet të ndëshkohet ashpër për genocidin e saj të ushtruar kundër shqiptarëve mbi njëqindvjeçar, mirëpo ajo as nuk ka bërë minimumin për t'u kërkuar minimalisht falje shqiptarëve dhe këtë, pra, kërkimin falje shqiptarëve duhet ta bëjë edhe vetë Evropa shqiptarëve për matrapazllëqet e ulëta të saj në kurriz të shqiptarëve, për tragjedinë që ajo u bëri atyre në Londër në vitin 1913. Evropa dhe perëndimi duhet që mos të vazhdojnë akoma më, që të bëjnë pazare dhe eksperimente me të drejtat e shqiptarëve, por duhet ta ndreqin gabimin e rëndë që ata kanë bërë kundër tyre. Ku nisen dhe bazohen ndërkombë- tarët, duke e vlerësuar idenë për ndryshimin e Ligjit të Gjykatës Speciale si tmerruese dhe jashtëzakonisht të dëmshme. Pse sipas saj cila është tmerruese dhe jashtëzakonisht e dëmshme, gjenocidi serb mbi shqiptarët apo rezistenca e armatosur e shqiptarëve kundër tij. Po kështu si ka mundësi që për ndryshimin e Ligjit të kësaj Gjykate pati diplomatë të huaj, të cilët e quajtën ide të tmerrshme e cila do ta izolonte globalisht Kosovën. A nuk ishte tmerr global dhuna, terrori dhe gjenocidi serb mbi shqiptarët e Kosovës apo ishte tmerr rezistenca e popullit të saj kundër tij? Çuditërisht sa shpejt na harruaka këtë Evropë demokratike, e paqes, barazisë dhe e integrimit?!

VETTING-u duhet të gjykojë edhe për këto marrëveshje tradhtare e kriminale dhe autorët e nënshkrimit të tyre

Por unë po i kundërshtoj ato se çfarë deklarojnë të huajt për këtë Gjykatë edhe ata të cilët janë pro kësaj gjykate, sepse dua dhe kërkoj diçka akoma shumë më serioze dhe më të thellë akoma për drejtësinë, duke iu kërkuar se nëse me të vërtetë e dëshirojmë sundimin e ligjit dhe ndërtimin e Shtetit ligjor në Kosovë, atëherë si BE dhe SHBA duhet të këmbëngulin dhe ta detyrojnë politikën kosovare që të miratohet një Reformë rrënjësore në drejtësi, një ligj VETTING-u, i cili të drejtohet prej ndërkombëtarëve ashtu siç po veprohet në Shqipëri, VETTING, i cili do të ishte më se i nevojshëm dhe më i duhuri pasi do të ndëshkonte autorët dhe peshqit e mëdhenj te kriminalizuar, si për krimet e para, gjatë dhe të pas luftës, pa dallim; krimin politik, ordiner, ekonomik dhe korrupsionin gjithfarësh të të çdo pushteti qendror apo lokal në Kosovë. Kjo do të ishte më e mira dhe më e duhura që i duhet Kosovës. Brenda një shteti Sovran dhe të Pavarur nuk mund të veprojnë disa gjykata si speciale e universale dhe nuk ka pse kjo të eksperimentohet me këto tallje vetëm në Kosovë, por duhet një sistem drejtësie për gjykimin e të gjitha llojeve të krimeve, pa dallim. Këtë e bën në Kosovë vetëm reforma e VETTING-ut, pasi sot nuk funksionon normalisht e ligjërisht dhe as lirisht e demokratikisht drejtësia në Kosovë, sepse po të ishte normale dhe funksionale drejtësia në Kosovë nuk do të kishte pasur nevojë as për Gjykatën Speciale. Pra, burimi i të gjitha të këqijave në Republikën e Kosovës është vetë politika tepër kriminale në Kosovë, e cila duhet e para që ajo t'i nënshtrohet drejtësisë dhe ligjit te VETTING-ut që po e kërkojmë. A mos është tmerruese për ndërkombëtarët edhe kundërshtimi i Marrëveshjes së kufirit të Kosovës me Malin e Zi, si dhe ajo për Bashkësinë e Komunave serbe në Kosovë, pra e kundërshtimit nga politika dhe shoqëria kosovare e krijimit të një shteti brenda shtetit. VETTING-u duhet të gjykojë edhe për këto marrëveshje tradhtare e kriminale dhe autorët e nënshkrimit të tyre. Pse ndërkombëtarët nuk i kërkojnë Serbisë të njëjtën gjë: atë të krijimit të Bashkësisë së Komunave Shqiptare të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, por bëjnë sikur nuk e shohin pastrimin etnik të këtyre trojeve që po kryhet edhe sot? Pse gjithmonë Evropa u imponon kushte inferioriteti vetëm shqiptarëve, pse gjithmonë Evropa"zgjidhjet" në Ballkan i ka kryer historikisht me dëme të rënda kundër interesave të kombit shqiptar dhe ka marrë gjithnjë vendimmarrje kundër tyre? 

Nostalgjikët e ish-regjimit serb

Pse edhe nga integrimi për në BE Evropa i mban larg shqiptarët me justifikime e lloj-lloj shkaqesh e pretekstesh të fabrikuara edhe prej tyre? Nga njëra anë e keni njohur Pavarësinë e Kosovës dhe nga ana tjetër nuk i lejoni asaj as ushtrinë e vet dhe tani kërkoni edhe një Gjykatë Speciale. Më entuziastët për këtë Gjykatë Speciale janë fatkeqësisht edhe jo pak shqipfolës nostalgjikë të ishregjimit serb, disa media dhe disa gazetarucë e gazetarica, shumë prej përfituesve të "paqësorëve" të 3%-it, si dhe dështakët politikanët xhelozë të ulët dhe egoistë të cilët nuk mundën të bëjnë karrierë politike, pushteti e korrupsioni dhe për hakmarrje fabrikojnë dhe përhapin shpifje dhe thashethemnaja mediatike edhe kafeneve. Ka edhe nga ata hipokritët të cilët janë më të rrezikshmit, e këta janë nostalgjikët e së kaluarës së vdekur të titizmit e komunizmit të cilët janë strehuar dhe shpërndarë nëpër parti politike, nëpër media të Kosovës dhe nëpër diasporë, të cilët me hipokrizi bëjnë e deklarohen sikur duan ndëshkimin vetëm të ish-komandantëve të luftës, por që me zemrën dhe me shpirtin e tyre të prishur urrejnë edhe çdo luftëtar të UÇK-së, pasi lufta e saj dhe e NATO-s ua ka prishur sadopak atyre rehatinë dhe kumbarinë me serbët dhe Serbinë gjenocidale ndaj shqiptarëve të Kosovës. Këta sot më së shumti janë më entuziastët për Gjykatën Speciale, të cilët dalin hapur nëpër disa media me shkrime dhe opinione urrejtjeje kundër kinse krimeve politike të para e të pas luftës, por që realisht këtë urrejtje e kanë kundër tërë luftës së UÇK-së. Këta nuk e duan kurrë as VETTINGun dhe as Lustracionin e politikës kosovare, pasi ata janë të mbushur me kusure dhe me krime që u kanë bërë shqiptarëve në kohën e regjimeve antishqiptare sllavo-serbe, dhe që sot vijojnë karrierë të suksesshme në politikë, në pushtet, në administratën e shtetit , në polici dhe sidomos në drejtësinë që nuk ekziston, dhe prandaj duke u bërë një gjykim "special" e specifik vetëm për krimet e supozuara dhe shpifjeve kundër UÇK-së ata synojnë për ta njollosur luftën heroike të luftëtarëve të lirisë; këtë ata e shohin dhe e kanë objektiv politik parësor dhe strategjik të tyre e cila shkon në një linjë me propagandën dhe me atë që dëshiron politika kriminale dhe shteti gjenocidal serb. Por nuk kanë moral ta kundërshtojnë Gjykatën Speciale sidomos ata të cilët lobuan më së shumti në parlamentin e Kosovës për miratimin e saj, një prej të cilëve është Presidenti aktual i Kosovës. Pse tani u kujtuan ata dhe sidomos ky presidenti aktual, që të dalin e të nxisin shfuqizimin apo ndryshimin e Speciales, tani kur frikë- sohet prej saj apo mendoi se duke e pranuar Specialen në këmbim të saj do të fitonte të drejtën apo pazarin për të mos u hetuar për vepra kriminale. A është e moralshme të deklarohesh se miratimin e Ligjit të Speciales na e imponuan ndërkombëtarët. Pse për pushtet dhe për interes personal qenka e lejueshme të bësh kundërligjin dhe të sillesh kundër interesit kombëtar e shtetëror? Atëherë minimalisht dhe e motivuar edhe moralisht është e drejtë që shoqëria civile dhe qytetarët t'u kërkojë dorëheqjen e parevokueshme nga postet e larta publike dhe shtetërore që pa meritë i mbajnë individëve të tillë për dyfytyrësi e tradhti, për mashtrim dhe keqpërdorim e shfrytëzim të pushtetit për interesa vetëm e puro personale-kriminale. 

(Kosova Sot)