Më tepër se skandaloz lavdërimi i Azem Sylës nga këshilltari politik i presidentit Thaçi! - Opinione - Kosova Sot
Më tepër se skandaloz lavdërimi i Azem Sylës nga këshilltari politik i presidentit Thaçi!

Më tepër se skandaloz lavdërimi i Azem Sylës nga këshilltari politik i presidentit Thaçi!

SHKRUAN: IBRAHIM KELMENDI

Fatkeqësisht, gjykimi i Azem Sylës është zvarritur tepër

Debili politik Azem Syla asnjëherë nuk ka pasur përgatitje as minimale intelektuale për të pasur kthjelltësi politike e kombëtare. Përkundrazi, përherë kam ndier keqardhje për analfabetizmin e tij
P o të mos ishte këshilltar politik i presidentit Thaçi, nuk do të më irritonte fare shkrimi lavdërues i Ismail Sylës, për Azem Sylën e akuzuar si kapo i krimit të organizuar, që e pat publikuar në murin e tij në FCB, në mesnatën e 24 dhe 25 dhjetorit, kur kristianët po mbanin meshë për "ditëlindje" të Krishtit. Do ta kishte arsyetuar me ndiesinë e kushëririt për kushëririn. Dhe, siç thotë urtia popullore, vëllain, kushëririn, bile as prindërit dhe asnjë farefis njeriu nuk mund t'i përzgjedhë, siç mundet t'i përzgjedhë shokët dhe miqtë. Tashmë, fatmirësisht, Azem Syla gjendet në paraburgim që 20 muaj, i akuzuar për kapo krim të organizuar. Fatkeqësisht, gjykimi i tij është zvarritur tepër, sepse do të dëshiroja që ai tashmë të vuante dënimin për krimet e dëshmuara! [1] Ismail Syla ka prirje poetike. Por, gabimisht ka pranuar të bëhet këshilltar politik i Hashim Thaçit, edhe kur ishte kryeministër, ministër i jashtëm, dhe tani si president. Këtë e dëshmon edhe lavdërimi që i ka bërë kësaj radhe, bile duke shpërdor talentin e tij letrar, për ta barazuar sakrificën e Azemit në burgun 20-mujor, të akuzuar për krye-kriminel, me sakrificat e Jezusit si profet. Ja fjalia e parë e këtij kalemxhiu shpërdorues: "Sonte, natën e Krishtlindjeve, në prag të festave të fundvitit, në prag të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, po bëhen 20 muaj që po qëndron në burg njëri nga njerëzit më të merituar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Azem Syla...''

Azem Syla nuk ka aspak meritë për çlirim dhe pavarësim të Kosovës

Kjo lloj madhërie është jo vetëm dezinformuese, por është edhe një si blasfemi.Azem Syla nuk ka aspak meritë për çlirim dhe pavarësim të Kosovës! Përkundrazi, ai ishte sabotues e komplotist i tyre. Dhe këtë e dëshmon akuza konkrete që i është ngritur - kapo i krimit të organizuar për vjedhje ordinere, në Kosovën që ishte duke u sprovuar nën administrimin e OKB-së! [2] Në vazhdim Ismail Syla ka broçkullis: "Azem Syla identitetin tij prej njeriu të supervendosur kundër sundimit të Jugosllavisë mbi Kosovën e shfaqi në vitet e punës si profesor kimie në gjimnazin e Kievës."Sa i përket këtij angazhimi profesional, ose më ka mashtruar vëllai im (Zeneli), që e ka pasur Azemin në gjeneratë në fakultet të Kimisë, ose po na mashtron Ismail Syla. Zeneli, me keqardhje, moti më ka thënë se Azemi gjatë katër viteve të studimeve nuk ka mundur të japë provim në asnjë lëndë profesionale (pos marksizmit dhe paraushtarakut). Uroj të ketë bërë kualifikim profesional pastaj. Por, përvoja tregon se si profesor kimie nuk do të kishte përfunduar në Kievë, sepse shkollat e mesme në qytete kishin deficit për kimistë. [3] Madhëria e radhës: "Azem Syla u dënua me burg si anëtar i organizatës Ilegale OMLK në vitin 1982." Fatkeqësisht ky këshilltar politik, tashmë edhe i presidentit të Kosovës, ende nuk është vetëdijesuar se të angazhohesh atëherë si marksist-leninist, në OMLK, mund të (ç)vlerësohet gjithëllojshëm, por jo si vlerë patriotike e politike, në kohë dhe hapësirë; me ata përcaktim ideologjik Kosova nuk mund të ndihmohej për t'u bërë republikë e barabartë në kuadër të RSFJ-së, siç qe përcaktuar OMLK-ja qysh në mars 1981, respektivisht nuk ishte ideologji e gjetur për atë angazhim patriotik e politik, edhe pse RSFJ praktikonte diktaturë moniste komuniste-titiste... [4] Dezinformimi i radhës nga ky këshilltar politik i presidentit: "Është kryevepër jetësore kthjelltësia dhe vendosmëria e tij politike e kombëtare, që përmes Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (më vonë LPK) të mos e ngatërrojë asnjë çast kursin e duhur për të bërë atë që duhet bërë."

Përherë kam ndier keqardhje për analfabetizmin e tij

Sabotimet dhe komplotet që Azem Syla ia ka bërë Lëvizjes në momentin më vendimtar të saj, fatkeqësisht, dëshmojnë se atë duhet ta kenë dresuar dhe penetruar në Lëvizje shërbimet armiqësore (ndoshta i rekrutuar nga vetë kryeshefi i UDB-së, Ibush Kllokoqi, për çka Azemi duhet të ketë urdhëruar që të vritej, për të mbetur edhe më tej i pazbuluar?). Debili politik Azem Syla asnjëherë nuk ka pasur përgatitje as minimale intelektuale për të pas kthjelltësi politike e kombëtare. Përkundrazi, përherë kam ndier keqardhje për analfabetizmin e tij. Atë ish-bashkëveprimtar nuk e kam vërejtur duke lexuar ndonjëherë libër, nuk di të ketë shkruar qoftë një shkrim të thjeshtë në "Zëri të Kosovës", nuk mbaj mend të ketë ditur me shfaq ndonjë diskutim në mbledhjet e gjata të Këshillit të përgjithshëm, ku debatet ishin edhe të rrepta. Pra, ai përherë kishte një paraqitje prej një "të urti", që i shkonte shumë një marionete meskine komplotuese... Qysh nga viti 1996 Azem Sylën kam mundur ta identifikoj si sabotues e komplotist të UÇK-së, në formim e konsolidim. Por, në atë kohë anëtarët e kryesisë së Lëvizjes vazhdonin ta besonin, sepse edhe ata kishin mendje të ngjashme me këtë të Ismail Sylës tani. Ndërsa në mars të vitit 1998, Azem Syla dhe Xhavit Haliti i komplotuan pikërisht shokët e tyre të kryesisë (Fazli Veliun, Muhamet Kelmendin, Emrush Xhemailin, Ali Ahmetin, Gafurr Elshanin). Për shkak të atij komploti Lëvizja u detyrua të mbajë Kuvend të jashtëzakonshëm, në maj 1998. Fatkeqësisht, kuvendi qe mbajtur, por komplotin e tyre nuk e sanoi dot... [5] Dezinformimi tjetër i Ismail Sylës: "Nga jashtë shfrytëzoi të gjitha mundësitë për ta forcuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës." Shkrova edhe më lart, por po e konkretizoj edhe më se Azem Syla qysh nga fillimi është angazhuar për ta sabotuar e komplotuar vendimin e Kuvendit të Lëvizjes (mbajtur në korrik 1993 në Prishtinë) - për formimin dhe forcimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Ai vendim në Kuvend ishte ndikuar edhe nga bërthamat guerile në Drenicë, Llap, Dukagjin e gjetiu, meqë tashmë i kishte dalë boja vetëm "rezistencës pacifiste". Por, pikërisht ato bërthama të UÇK-së, të cilat për shkaqe konspirative quheshin "grupe", që i udhëhiqnin Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ardian Krasniqi dhe të tjerë, u sabotuan e komplotuan ekstra nga Azem Syla e Xhavit Haliti! Atë sabotim e komplotim këta ua bënin për shkak se ato nuk pranonin të komandoheshin nga këta dy emigrantë komplotistë nga emigracioni në Zvicër. Ndërsa këta dy komplotistë, për shkak se ato "grupe" nuk pranonin t'u subordinoheshin, i bllokuan me financa e armatim. Azem Syla u shpërfytyrua deri në atë nivel, sa edhe ndihmat që kishin grumbulluar Jasharët dhe dashamirët e tyre në Gjermani, për "grupin" e Drenicës, ai i bllokoi, që të mos u shkonin asnjëherë! Për atë komplot ka shpreh indinjatën edhe vetë Rifat Jashari. Dhe jo vetëm kaq, por Xhaviti dhe Azemi i diskualifikonin sidomos Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin në mënyrat të shpifura, që guxonin t'i thoshin publikisht... Ishin kryesisht sabotazhet dhe komplotet e Xhavitit dhe Azemit që shpërthimi i kryengritjes së armatosur në mars 1998 e gjeti UÇKnë pa shtab në Kosovë, pa armatim, pa municion dhe pa pajisje elementare logjistike.

Azemi e Xhaviti i sforcuan sabotazhet dhe komplotet kundër UÇK-së

Fatkeqësisht, Azemi e Xhaviti i sforcuan sabotazhet dhe komplotet kundër UÇK-së edhe pas shpërthimit të Kryengritjes së armatosur çlirimtare, duke ia grabitur mjetet financiare që i grumbullonte emigracioni për UÇK-në, që të mos mund ta furnizonim atë me armatim, municion e pajisje të domosdoshme logjistike. Këto sabotazhe e komplote munden t'i realizonin edhe duke shpërdoruan besimin naiv të një pjesë të veprimtarëve të Fondit "Vendlindja thërret", në krye me Jashar Salihun, të cilët, fatkeqësisht, ndoshta rreth 70 % të financave që grumbulloheshin në Fondin V.Th., ua dorëzuan këtyre dy komplotistëve kriminelë, kurse ata as 10 % të atyre mjeteve nuk duhet t'i kenë shpenzuar për UÇK-në! Edhe pas mbarimit të luftës kam pyetur komandantët e Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimin dhe Agim Çekun, por edhe komandantët e shtabeve të shumicës së zonave dhe secili ka informuar se nuk kanë marrë ndihma financiare nga Azemi e Xhaviti gjatë gjithë luftës dhe as nuk kanë pasur ndonjë informacion konkret për sasinë e mjeteve të Fondit dhe as për mënyrën e shpenzimit të tyre. Fatmirësisht, UÇK-ja e Vegjëlisë së Kosovës i sfidoi edhe sabotazhet dhe komplote e marionetave Azem Syla e Xhavit Haliti dhe shërbëtorëve të tyre! Pseudokëshilltari Ismail Syla nuk guxon pa leje të Hashimit as të p..dh, prandaj ky shkrim duhet t'i faturohet Hashimit, i cili duhet ta ketë urdhëruar Ismailin ta shkruajë, që të mashtrojë turmat injorante se ai vazhdon ta çmojë "Dajën" para 20 muajve të viktimizuar. Këta injorantë i duhen t'i shpërdorojë kundër Gjykatës Speciale, që t'ia imponuar edhe një komplot të radhës shtetit të Kosovës, siç po e komandojnë eprorët...

(Kosova Sot) 

21 orë e 25 minuta më parë
19/06/18