Një vit rënkim dhe mallkim i qytetarëve me shpresa të thyera!

Një vit rënkim dhe mallkim i qytetarëve me shpresa të thyera!
  • 29 December 2017 - 08:17

SHKRUAN: FLORIM  ZEQA

Në Kosovën e pasluftës nuk mbahet mend të ketë qenë ndonjë vit kaq i ngjeshur zgjedhor, vit i dështimeve, i gënjeshtrave dhe prapaskenave të politikanëve të barrikaduar në blloqe dhe istikame partiake. Partitë politike pa dallim, pushtet apo opozitë, nuk i kanë shqetësim problemet e qytetarëve, hallet dhe brengat e tyre të përditshme. Si gjithnjë, politikanët vrapojnë vetëm pas posteve e privilegjeve personale, synim kanë pasurimin e paligjshëm nga vjedhja djersës së qytetarëve dhe zhvatja e buxhetit të shtetit. Politikanët e pangopshëm kosovarë, asnjëherë nuk janë marrë seriozisht me ndërtimin e shtetit, por me uzurpimin e tij, me vjedhjen dhe plaçkitjen e çdo gjëje publike, duke e trajtuar shtetin si plaçkë lufte e jo si pronë e gjithë qytetarëve. Vitet ikin njëri pas tjetrit, Kosova vendnumëron pa ndryshuar asgjë sa i përket zhvillimit ekonomik dhe zbutjes së varfërisë së qytetarëve. Në anën tjetër, politikanët shtojnë pasuritë e tyre milionëshe! Tashmë janë zhgënjyer të gjithë qytetarët e vendit, nuk i besojnë më asnjë subjekti politik dhe asnjë lideri partiak. Është tepër e dhimbshme, kur dëgjon mërgimtarët e dëshpëruar, me shpirt të thyer dhe zemër të plagosur, të thonë; "nuk do të kthehem më asnjëherë në Kosovë", shkaku i zhgënjimit në partitë politike dhe politikanët e korruptuar kosovar, pa dallim pozitë dhe opozitë, në një shtet pa pikë perspektive dhe shtet tërë- sisht në duart e krimit të organizuar e mafio-oligarkisë kriminale. Kështu qytetarët e Kosovës të vetmen shpresë për një jetë më të mirë po e kërkojnë duke gjetur mënyra për të ikur sa më shpejtë e sa më larg Kosovës , duke ikur nga ky shtet i kapur nga mafio-politikane e mafiooligarkët ekonomikë.

Politikanët grabitqarë

 Jo vetëm të rinjtë, por të gjitha shtresat e popullsisë vazhdojnë të kenë një ëndërr të përbashkët; "me dalë jashtë vendit në kërkim të shpresës për një vend pune", pasi kohëve të fundit të vetmet vende të punës që po hapen, janë ato në pushtetin qendror dhe lokal, përkatësisht në dikasteret qeveritare, respektivisht ato të zv.ministrave, këshilltarëve, vozitësve dhe shërbyesve të tjerë më të vegjël për menaxhimin e faqeve të internetit nga të cilat e përcjellin politikën, ngase duke vrapuar pas tenderëve dhe ahengjeve nuk kanë kohë të qëndrojnë në vendet e tyre të punës,përderisa në nivelin lokal puna është pak më ndryshe, ata qytetarë që dëshirojnë të "bluajnë në dorë" takimet me zyrtarët komunal u duhet t'i bëjnë në bufetë dhe kafenetë private të preferuara nga këta të fundit, ndryshe duhet të bredhin poshtë lartë për realizimin e të drejtave të tyre legjitime! Politikanët grabitqarë, qytetarëve përveç vjedhjes së parasë, djersës dhe mundit ua kanë thyer të gjitha shpresat, fëmijëve ua kanë vrarë ardhmërinë, rinisë perspektivën në vendin e tyre,përderisa nderin, moralin dhe karakterin njerëzorë ua kanë baltosur e përdhosur si asnjë herë më parë gjatë historisë. Njerëzit e rëndomtë e kanë krijuar përshtypjen se në vendin tonë çdo gjë e ka marrë tatëpjetën për shkakun se njerëzit e ngritur në pikëpamje shkollore, kulturore, intelektuale dhe politike vazhdojnë ta përcjellin në heshtje katandisjen e vendit nga kusarët politikë, nga frika e gjakpirësve e këtij atdheu të larë me gjak përgjatë shekujve. Mjerisht, kjo klasë politike e bastarduar, përveçse të përgjegjshëm, u treguan edhe të pamëshirshëm ndaj popullit, duke mos i sjellë asnjë të mirë në jetën e tyre. Sikur të ishte ndryshe, ky popull bujar dhe fisnik, përveçse falënderues, do t'u kishte thurur vargje dhe kënduar këngë ashtu siç u kënduan burrave të mëdhenj të kombit dhe dëshmorëve të lirisë përgjatë historisë.

Brezi aktual, por edhe shumë breza rrezikojnë të plaken në varfëri

Kështu në vend të uratave për politikanët, qytetarët e dëshpëruar, pareshtur rënkojnë dhe mallkojnë të gjitha partitë dhe elitat e tyre politike. Kështu nga viti në vit, bilanci i fundvitit është më i neveritshëm se sa në vitin paraprak; me ngecje në të gjitha drejtimet, rënie të investimeve nga jashtë dhe zvogëlim të vendeve të punës për qytetarët e rëndomtë. Dhe për habi, bilanci i çdo fundviti është ky; përderisa qeveritarët i numërojnë "sukseset" imagjinare dhe milionat në llogaritë e tyre, qytetarët i numërojnë "centët" e fundit në xhepat e tyre të cekët! Papërgjegjësia dhe mosllogaridhënia janë dukuri e të gjithë politikanëve në Kosovën e pasluftës. Asnjeri prej politikaneve deri më sot nuk ka pranuar të japë llogari për dështimet, për degradimin dhe kalbjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar! Ndodh pikërisht kështu për faktin se këtu kemi të bëjmë me një sistem të organizuar antivlerash të katapultuar në qeverisjen e vendit, ku si rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme në qeverisjen e vendit, qytetarëve u janë thyer të gjitha shpresat për jetë, ku njerëzit duan të ikin e largohen sa më parë, sepse e ardhmja e fëmijëve të tyre nuk është aspak e sigurt në këtë vend të sunduar e jo të qeverisur me ligj e kushtetutë. Ashtu siç hymë në vitin 2017-të, edhe po e lëmë pas, mbase si njërin nga vitet më të mbrapshta të paspavarë- sisë, me shpresa te thyera për mosrealizimin e premtimeve të pushtetarëve të vjetër dhe të rinj, siç ishin; liberalizimi i vizave, , luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, e të mos flasim për zhvillim ekonomik të vendit dhe mirëqenie të qytetarëve që nuk shihet gjëkundi në horizont! Me këtë të zhvillimit ekonomik dhe keqqeverisjes së vendit, me këtë shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në dy nivelet e qeverisjes së vendit, jo vetëm brezi aktual, por edhe shumë breza rrezikojnë të plaken në varfëri dhe të pashpresë për të jetë në vendin më të pasur me resurse natyrore dhe me pasuri marramendëse nëntokësore. Për fajin e politikanëve të papërgjegjshëm, Kosova nga një vendi i shpresës dhe i ardhmërisë siç ishte deri në 17 shkurtin 2008-të, është kthyer në një vend ku ëndrrat shndërrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma pa lindur, ku vdekja të shoqëron kudo dhe ngado në çdo hap të jetës.

(Kosova Sot)