Trumpizmi në Australi

Trumpizmi në Australi
  • 29 December 2017 - 10:16

Shkruan: CHRIS PATTEN

Për dekada të tëra, Australia ka mbajtur një partneritet të afërt me SHBA-në, jo vetëm në çështjet e sigurisë. Por, qëndrimet groteske të presidentit amerikan Donald Trump, së fundmi kanë ngarkuar së tepërmi marrëdhëniet bilaterale, me pasoja potencialisht serioze, sidomos për përpjekjet e autoriteteve australiane për të zvogëluar përzierjen politike të Kinës. Tridhjetë vjet më parë, një kolegë imi në qeverinë britanike, i cili kishte përgjegjësi ministrore në Afrikë dhe Azi, e kishte varur në zyrën e tij një hartë mbrapshtë. Ai thoshte se, duke e vendosur lart atë që quhej "Botë e tretë", kuptonte më mirë problemet dhe perspektivat e këtyre vendeve. Por, për britanikët, "vendi përfundi", është Australia. Dikur iu thuhej nxënësve se, po ta bëje një tunel anë e përtej planetit, atëherë do të përfundoje në Australi. Stinët e tyre ishin të kundërta me ato tonat. Derisa Britania flinte, australianët luanin nën rrezet e diellit. Australia është një vend i bukur dhe i zhvilluar, me bukuri natyrore dhe me qytete të këndshme, sidomos Sidnej dhe Melburni. Është një vend thellësisht demokratik, me një vlerësim të madh ndaj sundimit të ligjit, një shoqëri e hapur dhe e lirë e cila ka ofruar parajsë për shumë refugjatë dhe imigrantë nga tërë bota. Derisa trajtimi që i është bërë popullatës vendore në të kaluarën ka qenë problematik, ky vend ka pasur guximin dhe pjekurinë që t'i pranojë të vërtetat e pakëndshme. Por, këtij vendi të mrekullueshëm tani i kërcënohet një rrezik ekzistencial. Derisa marrëdhëniet e Australisë me SHBA-në janë duke u tendosur gjithnjë e më shumë, dinamikat e saj politike janë duke u bërë gjithnjë e më komplekse dhe të rrezikshme.

Komprometon keq rolin e vendit të tij në botë

Për dekada të tëra, Australia ka mbajtur një partneritet të afërt me SHBA-në, jo vetëm në çështjet e sigurisë. Por, që nga koha kur e mori pushtetin, presidenti Donald Trump jo vetëm që sfidoi lidhjet me shumë vende tradicionale aleate të Amerikës, por ai punoi edhe në mënyrë aktive për të rrezikuar sistemet e bashkëpunimit global dhe regjional, të cilët i kishte udhëhequr vet SHBA-ja. Ai ka zhbërë punën e madhe të bërë nga presidentët paraprakë, në ndërtimin e marrëdhënieve dhe në arritjen e marrëveshjeve në dobi të dyanshme, duke përfshirë edhe Marrëveshjen bërthamore iraniane, marrëveshjen tregtare Partneriteti trans-atlantik, si dhe Marrëveshjen klimatike të Parisit. Në kundërshtim me pohimet e Trumpit se, politikat e tij do ta bëjnë Amerikën përsëri madhështore, ai është duke komprometuar keq rolin e vendit të tij në botë. Aleatët e moçëm tani ndihen keq që SHBA-ja, një vend të cilin ata e kishin admiruar për një kohë të gjatë, tani është duke u udhëhequr nga një zjarrvënës i rrezikshëm dhe i pabesë. Ky është një lajm i keq për Australinë, e cila është e qartë se do të donte ta ndërtonte një partneritet më të fortë me fuqitë regjionale, të cilat ndajnë me të vlerat demokratike dhe interesat, duke përfshirë Indinë, Japoninë dhe SHBA-në. Një aleancë e tillë nuk do të tentonte ta frenonte Kinën, por të sigurohej që ajo të mos abuzonte me fuqitë e saj, duke rritur tensionet dhe jostabilitetin global. Në mungesë të një kundërfuqie të besueshme regjionale, Kina duket se dëshiron ta bëjë mu një gjë të tillë. Sikur Trump, presidenti kinez Xi Jinping, ka zhbërë shumë nga politikat e paraardhësve të tij, duke përfshirë edhe disa nga reformat me orientim kah tregu, të bëra nga Deng Xiaoping. Duke kultivuar një kult të personalitetit, të stilit të Maos, Xi thotë se ka ardhur koha që Kina përsëri të bëhet madhështore. Presidenti Xi ia ka mundësuar Partisë komuniste të Kinës që ta rimarr kontrollin ndaj ekonomisë. Ndërmarrësia e lirë përsëri i është nënshtruar sektorit publik. "Fronti i bashkuar komunist" është lëshuar nga zinxhirët. Çdo regjim komunist, që nga Revolucioni rus i vitit 1917, ka tentuar që ta përdorë "frontin e bashkuar" për ta shtrirë pushtetin e partisë, si në vend, po ashtu edhe jashtë tij, fshehurazi, apo haptazi. As fronti i tashëm i bashkuar kinez nuk bën përjashtim dhe, Australia është njëri ndër vendet të cilave i është vënë syri. Australia ka lidhje të forta ekonomike me Kinën, e cila blen nga Australia xehe dhe produkte bujqësore. Në anën e vet, Kina ka eksportuar para dhe njerëz në Australi, duke filluar nga bota e biznesit, e deri te akademia. Shumë kinezë në Australi, ku shumë prej tyre atë e konsiderojnë atdhe të ri, si parajsë nga represioni dhe korrupsioni kinez, janë bërë australianë të përbetuar, me një trashëgimi krenare kineze. Por, janë të paktë ata kinezë në Australi, të cilët kanë lejuar që të bëhen këmbësori e diktaturës leniniste kineze, të manipuluar nga diplomatët kinezë dhe disa biznesmenë. Efektet e aktiviteteve të tyre mund të shihen në bërjen e politikës së jashtme dhe në tentimin për të mobilizuar vota kundër qeverisë.

Përzierja e huaj

Tani, administrata e kryeministrit australian, Malcolm Turnbull, është përgjigjur ndaj këtij aktiviteti, duke miratuar ligje të cilat ua ndalojnë partive politike dhe grupeve të aktivistëve që të marrin donacione nga jashtë vendit, e ku përfshihen edhe disa bamirësi. Po ashtu kërkohet nga ish politikanët, lobistët dhe ekzekutivët që punojnë për interesa të huaja, që të regjistrohen, nëse duan që të përfshihen në politikën australiane. Ky veprim ka për qëllim pengimin e përzierjes së huaj, në veçanti kineze, në jetën demokratike të Australisë. Luftimi i përzierjes së huaj në politikën vendore nga Turnbull, paraqet një tentim të fortë për ta përforcuar pozitën e Australisë në jugun e globit. Turnbull e ka bërë të qartë se Australia është e gatshme për marrëdhënie miqësore me Kinën, por ajo nuk do të lejojë që të frikësohet, apo manipulohet. Një front i bashkuar i demokracive do të ndihmonte në këtë drejtim. Por, përpos që ka dështuar në mbështetjen e Australisë, Trump me qëndrimet e tij groteske në fakt ka rrezikuar përpjekjet e kryeministrit australian Turnbull. Australia, sikur edhe shumë vende të tjera, aleate tradicionale, mezi pret ditën kur Trump, me nacionalizmin e tij brutal dhe vetëshkatërrues, të mos jetë më në gjendje që ta dëmtojë vendin e tij, apo vendet e tjera.

(Chris Patten është kancelar i Universitetit të Oksfordit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)