Objektiviteti profesional i gazetës "Kosova Sot"

Objektiviteti profesional i gazetës
  • 30 December 2017 - 08:19

Shkruan: Reshat Sahitaj

Gazeta numër 1 në Kosovë i mbron vazhdimisht vetëm interesat e qytetarëve

"Kosova Sot" është e vetmja e përditshme që me shkrimet kritike kundër keqpërdoruesve të pozitave zyrtare shtetërore ka guxim t'i trajtojë, në mënyrën më objektive dhe profesionale. Është e vetmja gazetë që problemet politike, veçmas të liderëve të korruptuar e mafiozë, i ka trajtuar guximshëm, duke ua zbuluar veprimtaritë ilegale dhe pasuritë e tyre të jashtëligjshme

Në pasvitet e çlirimit të Kosovës ekzistonin një numër i madh gazetash ditore që ishin themeluar nga pronarë të ndryshëm, duke shpresuar që të pasuroheshin brenda pak kohësh, mirëpo nga cilësia e dobët e shkrimeve dhe autorëve joprofesionistë një pjesë e madhe e tyre u zhdukën nga tregu kosovar pa pasur mundësi t'i rezistonin kohës. E përditshmja "Kosova Sot", si atëherë që i mbronte interesat e qytetarëve tanë, duke trajtuar tema aktuale si për gjendjen sociale, për gjendjen e ish-luftëtarëve e për luftën e tyre të drejtë, për problemet politike kombëtare …., edhe sot kjo e përditshme i trajton temat më serioze për t'i dalë në mbrojtje popullit dhe shtetit të mirëfilltë të Kosovës."Kosova Sot" është e vetmja e përditshme që me shkrimet kritike kundër keqpërdoruesve të pozitave zyrtare shtetërore ka guxim t'i trajtojë, në mënyrën më objektive dhe profesionale. Është e vetmja gazetë që problemet politike, veçmas të liderëve të korruptuar e mafiozë, i ka trajtuar guximshëm, duke ua zbuluar veprimtaritë ilegale dhe pasuritë e tyre të jashtëligjshme.

Nuk u frikësohet shantazheve e kërcënimeve

"Kosova Sot" është e vetmja e përditshme që qysh moti i ka hetuar liderët e VV-së për futjen e tyre në krimin e organizuar, kur të gjitha të tjerat i dilnin në përkrahje ose qëndronin indiferente. Tani, kur skandali i brendshëm i VV-së u bë publik, është lehtë të shkruhet kundër tyre, duke u shprehur se gjoja paskan ditur, por kanë heshtur, e në fakt, përveç gazetarëve të "Kosovës Sot", të tjerët iu vardisën Albin Kurtit, Visar Ymerit, Shpend Ahmetit, duke i trajtuar si të ndershëm. Në fakt, gazetarët, opinionistët dhe analistët e gazetës "Kosova Sot" i kishin zbuluar sekretet dhe lidhjet e Shpend Ahmetit me kompaninë "Devolli", të cilët bashkërisht përfituan miliona euro në kurriz të popullit, e veçmas në kurriz të qytetarëve të Prishtinës. "Kosova Sot" dallohet nga të përditshmet dhe portalet e tjera elektronike, sepse të gjithë ata që shkruajnë për këtë të përditshme janë intelektualë, që nuk i frikësohen realitetit dhe as shantazheve e kërcënimeve që kanë mundur të kenë nga partitë politike ose firma të individëve mafiozë. Të qëndrosh stoik ndaj tërë atyre kërcënimeve është akt profesionist. Çuditërisht, gazetarët dhe opinionistët e gazetës "Kosova Sot" kurrë nuk kanë bërë ankesa publike, siç bënin disa gazetarë të disa gazetave të tjera. Kjo rezistencë e gazetarëve të kësaj të përditshme tregon se këta janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë vetëm e vetëm që e vërteta të dalë në shesh dhe populli të njoftohet saktësisht. Viti që po e lëmë pas ishte një vit plot ngjarje dhe skandale nga më të ndryshmet, e që të gjitha këto u trajtuan me seriozitetin më të madh në "Kosova Sot" dhe me metoda profesioniste. Mjafton të përmendim vetëm skandalin e VVsë, e që këto ditë problemet e tyre të brendshme u bënë publike, pikërisht ashtu siç e kishin paralajmëruar gazetarët e kësaj të përditshme. Opinioni ynë për të gjitha këto probleme të patrajtuara nga gazetat e tjera i mësonte duke e lexuar gazetën "Kosova Sot", sepse kjo ishte dritarja e vetme objektive në Kosovë."Kosova Sot" ishte dhe mbetet një dritare objektive, për probleme dhe skandale që personalitetet politike dhe të drejtësisë i bëjnë kundër interesave të popullit.

"Kosova Sot" i ka zbërthyer problemet më të ndjeshme të shoqërisë sonë

Duke i trajtuar këto probleme, gazeta "Kosova Sot" e ka krijuar imazhin e besushmërisë në popull, andaj me të drejtë e ka edhe statusin e gazetës nr. 1 në Kosovë. Duke i trajtuar problemet që në asnjë gazetë tjetër nuk shkruhen, gazeta "Kosova Sot" është pozicionuar në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari, se pronari i kësaj gazete është plotësisht i pavarur nga politika dhe mafio-oligarkët, të cilët e shesin edhe nënën e tyre për pasuri, e lëre më interesin kombëtar. Gazeta "Kosova Sot" i ka zbërthyer problemet më të ndjeshme të shoqërisë sonë, me të vetmin qëllim që shteti ynë të avancojë e të jetë në përputhje me ligjet dhe standardët euro-amerikane. Duke i denoncuar veprimet negative, pa dallim partie e personaliteti, ne mund të shkojmë drejt shteteve të civilizuara."Kosova Sot" nuk i ka kursyer as personalitetet që kanë vepruar në dëm të interesave kombëtare e as partitë, të cilat me ndonjë vendim të tyre ishin kundër interesave të popullit. Vetëm në këtë mënyrë zhvillohet demokracia, pavarësisht se gazetarët kanë sakrifikuar kohë dhe familje, gjë që e kanë bërë me dëshirë dhe dashuri ndaj vendit të tyre. Vitin që po e lëmë pas, një numër i madh personalitetesh në poste kuçe, partiake e shtetërore, vepruan vetëm për interesa të ngushta, duke e harruar sakrificën e popullit skajshmërisht të varfër. Një numër i madh ngjarjesh të nxitura nga disa liderë mafiozë e dëmtuan dhe gati sa nuk e destabilizuan shtetin ende të brishtë të Kosovës. Duhet që klasa politike e Qeverisë së Ramushit, si dhe opozita, të kuptojnë njëherë e për jetë se "Kosova Sot" nuk do t'i kursejë ata që janë në kundërshtim ndaj interesave kombëtare dhe në kundërshtim për përmirësimin e mirëqenies së popullit, kjo e përditshme do të jetë zëdhënëse kryesore për t'i denoncuar gabimet, por edhe për t'i vlerësuar veprimet e mira që shkojnë në dobi të interesave të përgjithshme. Objektiva e gazetës "Kosova Sot" nuk është të shkatërrojë, por të ndërtojë një të ardhme sa më të mirë për qytetarët tanë. Duke i kritikuar veprimet negative, ato korrigjohen e ne mund të ecim përpara dhe t'i ndihmohet kësaj popullsie që sytë i kanë të drejtuar në institucionet tona. Popullsia jonë nuk ka nevojë për lëmoshë, por për trajtim të drejtë.

Kosova ka shumë zbrazëtira e shumë dobësi, të cilat duhet të përmirësohen

Qeveria e Ramushit si dhe opozita duhet të jenë të vetëdijshme se pa kritika objektive nuk mundemi t'i përmirësojmë gabimet tona e as të të tjerëve. Të jesh në objektivin e një të përditshme për gjëra të mira populli e shton besimin si te institucionet edhe te liderët e tyre; e të jesh e trajtuar për gabime popullit i lind mosbesimi dhe dyshimi në institucionet tona. Kjo është krejt normale dhe demokratike. Liderët tanë, pozitë-opozitë, duhet të dinë se shkrimet mbi veprat e tyre të mira apo të dobëta janë pjesë e historisë dhe arkivohen për t'u studiuar nga gjeneratat e ardhshme. Çdo shkrim është histori e veçantë për personalitete të veçanta, që shumë dekada më vonë do të hulumtohet dhe kërkohet nga studiuesit e gjeneratave tona të ardhshme. Liderët duhet të jenë të vetëdijshëm se në postet e tyre janë për një kohë të caktuar, e veprimet dhe vendimet e tyre do të mbeten të përjetshme në historinë e popullit tonë. E në histori mbeten të mirët dhe të dobëtit, patriotët dhe tradhtarët, punëtorët dhe jopunëtorët, e mjerë ai/ajo që do të mbetet dhe radhitet në anën e kategorisë së ulët. Qeveria e ardhshme duhet të punojë në atë mënyrë që t'i plotësojë shumë zbrazëtira të mbetura nga qeveritë e kaluara për shkaqe të ndryshme. Kosova ka shumë zbrazëtira e shumë dobësi, të cilat duhet përmirësuar me punë sistematike. Viti që po vjen duhet të jetë vit i një pune efektive i qeverisë sonë, ku e presin sfida të mëdha, si Demarkacioni, Asociacioni i komunave, liberalizimi i vizave, lufta kundër korrupsionit e të tjera, që janë tema të vështira, por që mund të rregullohen nëse pozita dhe opozita janë me ide kombëtare dhe atdhedashuri. Nëse klasa politike, pozitë - opozitë, tregojnë devotshmëri për shtetin e tyre, çdo gjë do të rregullohet pa asnjë problem madhor. Personalitetet politike duhet të ndalen duke i akuzuar vendet e tjera se për fajin e tyre ne kemi mbetur pa viza e pa zhvillimin ekonomik. Kur ne të fillojmë të mendojmë se fajin duhet kërkuar në mesin tonë, atëherë çdo gjë do ta kemi më lehtë ta rregullojmë. Ne nuk mund të kemi zhvillim ekonomik, duke i fajësuar të tjerët, sepse askush nuk do të investojë në një shtet ku nuk është e sigurt ardhmëria e biznesit të tij. Askush nuk mund të investojë në një shtet ku nuk është e sigurt jeta e punëtorit. "Kosova Sot", si çdoherë, edhe vitin që po vjen në shënjestër do t'i ketë të gjithë ata që janë në kundërshtim me avancimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.

(Kosova Sot)