Boshti i ri i Lindjes së Mesme

Boshti i ri i Lindjes së Mesme
  • 30 December 2017 - 10:13

Shkruan: Joschka Fischer

GJEOPOLITIKA NË RAJONIN E TRAZUAR

Aleanca në ngritje mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dikur e paimagjinueshme, ka gjasa që të bëhet forca udhëheqëse e Lindjes së Mesme të re

Aneksimi i njëanshëm nga Izraeli i Jerusalemit Lindor pas Luftës së Gjashtë Ditëve të vitit 1967 nuk është njohur kurrë në mënyrë ndërkombëtare dhe vendet e tjera, përfshirë SHBA-në, kanë mbajtur ambasadat e tyre në Tel Aviv, për shkak se ata e dinë se statusi i Jerusalemit është i mbushur me probleme politike dhe fetare

Ne jetojmë në një kohë tranzicioni gjeopolitik. Përpjekjet e Kinës për ta zëvendësuar SHBA-në si fuqia udhëheqëse e botës, ose së paku për t'u bërë bashkë-partner në udhëheqjen e botës, merr një vëmendje të merituar por, dinamikat në makro-nivel, të cilat ka kohë që kanë përkufizuar Lindjen e Mesme, po ndryshojnë gjithashtu, ku ndikimi i SHBA-së me gjasë do të pakësohet. Pak më shumë se një shekull më parë, Marrëveshja Sykes-Picot ndau Lindjen e Mesme mes Francës dhe Britanisë së Madhe dhe themeloi kufijtë kombëtarë që mbeten në fuqi edhe sot. Por tashmë rendi rajonal po ndryshon. Që nga themelimi i Izraelit, konflikti araboizraelit në përgjithësi ka dominuar gjeopolitikën e rajonit. Izraeli fitoi luftën e parë Arabo-Izraelite më 1948 dhe të gjitha luftërat që pasuan atë. Por, shqetësim kryesor mbetet pyetja nëse izraelitët dhe palestinezët munden o të arrijnë një marrëveshje të pranueshme dhe, si rrjedhim, ta rikthejnë paqen në Lindjen e Mesme.

Pranvera Arabe 

Pika më e afërt mes izraelitëve dhe palestinezëve për arritjen e paqes ishte në periudhën mes nënshkrimit të Marrëveshjes të parë të Oslos më 13 shtator 1993 dhe vrasjes së Yitzhak Rabinit, në atë kohë kryeministër i Izraelit, më 4 nëntor 1995. Ia vlen të rikujtojmë se në të dy marrëveshjet e Oslos më 1993 dhe 1995, statusi i Jerusalemit mbeti i pazgjidhur. Në përgjithësi u ra dakord që një çështje e tillë e ndjeshme dhe e komplikuar do të duhej të trajtohej në fund të procesit të paqes. Konflikti Izrael-Palestinë humbi rolin qendror në rajon pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, udhëhequr nga SHBA-ja dhe, akoma më shumë, pas fillimit të Pranverës Arabe në fund të vitit 2010. Pas vitit 2011, lufta civile në Siri dhe shfaqja e Shtetit Islamik (ISIS) dominoi narrativën e rajonit. Por tashmë që koalicioni ndërkombëtar i ka hequr ISIS "kalifatin" e vet në Siri dhe Irak, beteja mes Iranit dhe Arabisë Saudite për dominim rajonal ka zënë qendrën e diskutimeve. Deri tani, Irani dhe Arabia Saudite janë përballur me njëra-tjetrën në përgjithësi përmes luftërave indirekte në Siri dhe Jemen. Por, mbështetja e secilit prej këtyre vendeve e fraksioneve rivale në Liban, bashkë me mosmarrëveshjen diplomatike që vijon mes Katarit dhe Arabisë Saudite, janë gjithashtu pjesë e përplasjes më të gjerë. 

Animi në çështjen e Jerusalemit 

Në këtë sfond, konflikti i pazgjidhur IzraelPalestinë duket se është zhvlerësuar në një mosmarrëveshje periferike. Kjo ishte kështu derisa Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe administrata e tij vendosën më mënyrë të njëanshme këtë muaj të njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Qeveria e Izraelit dhe Kneseti (Parlamenti) e kanë bazën në Jerusalemin Perëndimor, dhe dinjitarët e huaj në mënyrë rutinë bëjnë vizita atje. Por aneksimi i njëanshëm nga Izraeli i Jerusalemit Lindor pas Luftës së Gjashtë Ditëve të vitit 1967 nuk është njohur kurrë në mënyrë ndërkombëtare dhe vendet e tjera, përfshirë SHBA-në, kanë mbajtur ambasadat e tyre në Tel Aviv, për shkak se ata e dinë se statusi i Jerusalemit është i mbushur me probleme politike dhe fetare. Për më tepër, të gjitha vendet e tjera e kuptojnë se animi nga njëra anë në çështjen e Jerusalemit mund të dëmtojë perspektivën për një zgjidhje eventualisht me dy shtete - ideja që e ka nisjen pas në Planin e OKB-së për ndarjen e Palestinës në vitin 1947 - për shkak se si Izraeli ashtu edhe Palestina pretendon se qyteti është kryeqytet i tyre. Më 1947, zgjidhja me dy shtete nuk ishte e mundshme, për shkak se shtetet arabe iu përgjigjën themelimit të Izraelit duke shpallur luftë. Kur palestinezët më në fund pranuan ekzistencën e Izraelit më 1993, vetë vendimi i njohjes ishte një hap i madh përpara. Edhe pse diplomatët vijojnë të flasin për një proces paqeje në Lindjen e Mesme, në fakt nuk ka pasur një proces për të arritur paqen që prej shumë vitesh. Zgjidhja me dy shtete, opsioni i vetëm i pranueshëm për të kënaqur të dyja palët, po bëhet gjithnjë e më i pabesueshëm me kalimin e kohës edhe për shkak të vijimit të zgjerimit të vendbanimeve Izraelite në Bregun Perëndimor. Tani njohja e Jerusalemit nga Amerika si kryeqytet i Izraelit mund të nënkuptojë fundin e zgjidhjes me dy shtete një herë e mirë.

Shteti palestinez në Gaza 

Por alternativa, një marrëveshje dykombëshe, mund ta përballë Izraelin me dilemën e të mbeturit ose vend demokratik ose çifut, por jo të dyja. Dhe, kur modeli me dy shtete nuk është më në tavolinën e bisedimeve, do të jetë vetëm çështje kohe para se palestinezët, pasi të kenë braktisur betejën për shtetin e vet, të fillojnë të kërkojnë të drejta të barabarta civile. Ka një opsion të tretë, së paku në teori: një shtet palestinez mund të krijohet në Gaza, të zgjerohet në Sinajin e Veriut dhe të vendoset nën kontrollin de facto të Egjiptit, ndërkohë që Bregu Perëndimor mund të ndahet mes Izraelit dhe Jordanisë. Por, palestinezët nuk do të pranojnë kurrë këtë zgjidhje dhe ajo nuk do të zgjidhë problemin e Izraelit si një shtet që duhet të bëhet dykombësh. Mundet thjesht të hamendësosh se pse Trump vendosi të veprojë mbi çështjen e Jerusalemit tani. A ishte ky rezultat i irracionalizmit të tij të zakonshëm apo ishte politikë e brendshme? A ka ai në mendje një zgjidhje të re territoriale që kapërcen parametrat tradicionalë të konfliktit Izrael-Palestinë? Ia vlen të vërejmë se deklarata e njëanshme e Trump-it shkaktoi vetëm përgjigje të moderuara nga fuqitë madhore arabe - Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordania. Për sauditët, përballja me Iranin është prioriteti kryesor. Dhe për shkak se Arabia Saudite është tepër e dobët për të fituar një luftë më vete - veçanërisht në Liban dhe Siri - ajo do të vijojë të forcojë lidhjet e saj me rivalët e tjerë të Iranit, në veçanti superfuqinë ushtarake rajonale: Izraelin. Aleanca në ngritje mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dikur e paimagjinueshme, ka gjasa që të bëhet forca udhëheqëse e Lindjes së Mesme të re. Vetëm koha do të tregojë se me çfarë çmimi do të vijë aleanca e re anti-Iraniane.

(Joschka Fischer ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendëskancelar midis viteve 1998-2005) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)