Trumpi, deri në Jerusalem dhe, anasjelltas - Opinione - Kosova Sot
Trumpi, deri në Jerusalem dhe, anasjelltas

Trumpi, deri në Jerusalem dhe, anasjelltas

Shkruan: Shlomo Ben-Ami

Sekretari i dikurshëm amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, dikur kishte thënë se Izraeli është vendi i vetëm, ku tërë politika e jashtme e tij, në fakt, është politikë e brendshme. Por, e njëjta gjë vlen edhe për SHBA-në, sidomos kur flitet për konfliktin izraelit-palestinez. Përpjekjet e të gjithë presidentëve amerikanë për ta zgjidhur këtë konflikt, janë ballafaquar me pengesa të mëdha, të pakalueshme, të brendshme. Me vendimin e tij të marrë ditë më parë për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, Donald Trump e ka ngritur këtë trend në një nivel të ri, edhe pse rezultatet mund të jenë në formë të ngecjes së njohur. Deklarata e Trump-it në lidhje me Jerusalemin është manifestimi më i ri i tentimit të presidentit për ta fituar një legjitimitet të brendshëm, gjë që e ka bërë atë të obsesionuar me plotësimin e premtimeve të tij ekstreme dhe vetëshkatërruese parazgjedhore, duke përfshirë edhe tërheqjen nga rinegociimi i marrëveshjeve të mëdha ndërkombëtare, sikur që është Partneriteti Trans-Paqësor dhe Marrëveshja klimatike e Parisit. Ngjashëm me këto edhe vendimi rreth Jerusalemit kishte për qëllim që t'i realizonte ëndrrat mesianike të votuesve të tij të shumtë evangjelistë.

Nuk pranohet roli i SHBA-së në procesin paqësor

 Por, veprimet e Trump-it kanë implikime më të gjera diplomatike, gjë që ai duket se nuk është i aftë ta vërejë. Është logjike që deklarata e Trump-it ka hasur në një zemërim të madh të palestinezëve, ku presidenti Mahmoud Abbas deklaroi se, "tani e tutje, nuk do ta pranoj asnjë rol të SHBA-së në procesin paqësor". Ai po ashtu apeloi te bota që ta rishqyrtojë njohjen e Izraelit. Për më tepër, fuqitë antiamerikane - Hezbollahu, Irani, Rusia dhe Turqia - e kanë shfrytëzuar vendimin përçarës të Trump-it si mundësi për ta zgjeruar ndikimin e tyre regjional, në dëm të SHBA-së dhe aleatëve të saj. Ata shpresojnë që të pozicionohen si kampionë të një kauze të madhe arabe dhe myslimane, e cila sipas tyre është tradhtuar nga miqtë e ri arabë të Izraelit, sidomos nga Arabia Saudite. Ky reagim nuk do t'iu ndihmojë palestinezëve më shumë, sesa SHBA-së. Zemërimi nuk është strategji - një mësim të cilin palestinezët në të kaluarën e kanë mësuar në mënyrën më të rëndë të mundshme. Me gjasë Abbas ende është duke pritur nga Britania që të kërkojë falje për Deklaratën Balfour të vitit 1917, qindvjeçarin e së cilës Izraeli e festoi tash vonë. Realiteti është se, për shkak se janë demoralizuar nga vite të tëra të një procesi të pafryt të paqes, masat palestineze nuk janë në gjendje për një intifadë të tretë. Dhe, për këtë shkak ata nuk i fajë- sojnë vetëm pushtuesit çifutë, por edhe liderët e tyre, të pazgjedhur dhe hiç të popullarizuar, të cilët nuk ua japin asnjë drejtim dhe asnjë objektiv të arritshëm.

Mbështetja e regjimit të Assad-it

Retorika zjarrvënëse e mbështetësve të Palestinës në botën arabe, po ashtu kurrë nuk ka bërë ndonjë gjë për popullin palestinez. Deklarata e Trump-it rreth Jerusalemit nuk është "fillimi i fundit të Izraelit", sikur që premtoi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Hezbollah thjesht është duke tentuar që ta largojë vëmendjen nga lufta e turpshme e tij në mbështetje të regjimit gjenocidal të Bashar alAssad-it në Siri. Ngjashëm me këtë, duke shfaqur përkushtimin ndaj "Forcave rezistuese islamike" të palestinezëve, patroni i Hezbollahut, Irani, thjeshtë është duke ricikluar një politikë të cilën e ka ndjekur shumë kohë para kësaj deklarate, me qëllim të çuarjes përpara të planeve të tij hegjemone regjionale. Dhe, në fakt, derisa ky veprim me gjasë ka forcuar pretendimin e Iranit që të jetë mbrojtës i vërtetë i Jerusalemit dhe Palestinës, përfitimet më të mëdha për Iranin do të jenë me gjasë emocionale. Fundja, Lindja e mesme sunite, e udhëhequr nga Arabia Saudite për të cilën kërkesa për dominim regjional është e barabartë me mbijetesën e regjimit, nuk do të pranojë që të udhëhiqet nga një perandori shiite në ngritje e sipër, sidomos nëse kjo dmth një ndeshje frontale me Izraelin dhe SHBA-në. Palestina po ashtu nuk ka shumë çka të presë as nga Rusia. Presidenti Vladimir Putin është realist; ai e di se, nëse dëgjon thirrjet për marrjen e një roli udhëheqës në konfliktin izraelit-palestinez, ai do t'i dëmtojë raportet me të dyja palët, pa i afruar ata te ndonjë zgjidhje. Roli i Rusisë nuk është dhe kurrë nuk ka qenë ai i paqebërësit. Kështu, në shumë aspekte, deklarata e Trumpit rreth Jerusalemit nuk do të ndryshojë kushedi çka. Sikur që do të mund ta vërejnë palestinezët dhe miqtë e tyre ndërkombëtarë, pasi që të bien pluhurat, kjo deklaratë nuk përjashton ndarjen eventuale të këtij qyteti në dy kryeqytete, si pjesë e një marrëveshjeje paqësore, e aq më pak garanton sovranitetin izraelit mbi tërë Jerusalemin, si "kryeqytet të përjetshëm të tij". Në fakt, është gabim të supozohet, ashtu sikur që duket se është duke bërë kryeministri izraelit Binyamin Netanyahu, se mbështetja e Trump'it është kyçe që palestinezët dhe mbështetësit e tyre arabë dhe myslimanë, ta pranojnë sundimin çifut të këtij qyteti, i cili është i rëndësishëm për të dyja palët. Bile edhe vet Trump pranoi kufijtë e sovranitetit të Izraelit ndaj Jerusalemit, duke afirmuar përkushtimin e tij ndaj status quos së vendeve të shenjta të Jerusalemit lindor. Sido që të jetë, ditët e qeverisë ekspansioniste të Netanyahu't janë të numëruara. Deklarata tuhafe rreth Jerusalemit nuk mund ta shpëtojë qeverinë aktuale të Netanyahu't nga skandalet e shumta të korrupsionit dhe nga konfliktet e pashuara të brendshme. As një plan paqësor pro izraelit, i bërë nga Trump (nëse do të jetë e mundur kjo, tani, pas deklaratës së tij) nuk mund ta bëjë këtë.

Ekipi negociator izraelit

Koalicioni djathtist i Netanyahut thjesht nuk është partner për arritjen e një marrëveshjeje historike, qoftë rreth Jerusalemit, apo ndonjë çështjeje tjetër të diskutueshme. Mënyra e vetme për të shkuar përpara, është që Izraeli ta formojë një koalicion të ri qeveritar, më centrist, derisa palestinezët duhet ta marrin një qasje më reale dhe më strategjike. Në atë rast, deklarata e Trump-it rreth Jerusalemit nuk do ta përjashtojë një zgjidhje sipas parametrave paqësorë, të propozuar nga Bill Clinton. Dhe, në fakt, kur unë udhëhiqja ekipin negociator izraelit, gati dy dekada më parë, që të dyja palët pranonin idenë e ndarjes së qytetit të Jerusalemit, me kufij fleksibilë, përgjatë vijave etnike. Me qëllim të përmirësimit të gjasave për sukses, duhet të marrë fund monopoli amerikan ndaj procesit paqësor izraelit-palestinez. Në vend të kësaj, negociatat duhet të udhëhiqen më shumë sikur ato që rezultuan me marrëveshjen bërthamore me Iranin, në vitin 2015, ku morën pjesë disa shtete, në atë rast, pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKBsë, plus Gjermania - duke punuar së bashku për të arritur rezultate.

(Shlomo Ben-Ami, ish ministër izraelit i punëve të jashtme, është zëvendës president i Qendrës ndërkombëtare për paqe, "Toledo")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

13 orë e 10 minuta më parë
23/09/18