Dhjetë çështje aktuale gjatë vitit 2018

Dhjetë çështje aktuale gjatë vitit 2018
  • 01 January 2018 - 14:24

Shkruan: Frida Ghitis

Viti 2017 nuk është se solli ndonjë zgjidhje. Ai ishte vit i tranzicionit dhe i konflikteve të pazgjidhura në skenën globale dhe nëpër kontinente. Mbi të gjitha, 2017 ishte një vit i cili shtroi pyetje të mëdha, duke i lënë të hapura për të ardhmen, kryesisht për një të ardhme të afërt. 

Ja disa prej këtyre pyetjeve me rëndësi historike, të cilat do të jenë aktuale gjatë vitit të ri.

Çka do të ndodhë me presidencën Trump?

Presidenti Donald Trump dhe mbështetësit e tij republikanë ia dolën të bënin ndryshime të mëdha tatimore, pastaj zhbënë disa rregulla dhe e emërtuan disa gjyqtarë konservatorë në gjykatën federale. Por, viti tjetër i presidencës së tij mbetet i pasigurt. 

Trump përfundoi vitin 2017 me mbështetjen më të vogël për ndonjë president amerikan, në vitin e parë, në historinë moderne. Komitetet kongresiste vazhdojnë që të hetojnë lidhjet e mundshme midis kampanjës së Trumpit dhe Rusisë dhe prokurori special, Robert Mueller, tani ka paditur zyrtarët kyç të kampanjës dhe ka siguruar pranimin e fajësisë nga të tjerët. Dhe, hetimet vazhdojnë. 

Nëse mbështetja ndaj Trumpit bie edhe më poshtë, apo nëse demokratët e marrin nën kontroll Dhomën e përfaqësuesve, atëherë çdo qëllim tjetër legjislativ, të cilin mund ta ketë presidenti, mund të devijojë. Në ndërkohë, ish ndihmësi i lartë i Trump'it, Steven Bannon thuhet të ketë deklaruar për “Vanity Fair” se, sipas tij, ka vetëm 30% gjasa që Trump të qëndrojë në post deri në fund të mandatit të tij, qoftë për shkak se ai do të akuzohet, apo ai do të shkarkohet nga kabineti i tij, në bazë të amendamentit të 25-të. Pozita e Bannon-it, si ekspert i politikës, është zbehur pas dështimit të kandidatit të tij për Senat, Roy Moore, në Alabama. Por, nuk ka dyshim se mbi presidencën Trump janë mbledhur re të zeza. 

A do të krisë lufta midis SHBA-së dhe Koresë Veriore?

Lufta surrealiste e ofendimeve midis presidentit të SHBA-së dhe liderit të Koresë veriore, Kim Jong Un, ishte diçka më shumë se lufta shkollore me gurë e shkopinj. Ky konflikt u karakterizua nga përparimet e prekshme ushtarake të Koresë veriore, me shpërthim të pajisjeve bërthamore dhe me lansimin e raketave balistike. Trump ka tërhequr vërejtjen se do të ndërmarrë sulme shkatërrimtare ushtarake, me “zjarr dhe vrull”, nëse Koreja veriore e rrezikon SHBA-në. Por, deri më tani, Kim nuk duket i shqetësuar nga njeriu të cilin e ka quajtur "matuf". Ekspertët thonë se një luftë me Korenë veriore do të bëjë që me qindra mijëra njerëz të humbin jetën. 

Administrata Trump ia ka dalë që ta sigurojë miratimin e sanksioneve kundër Koresë veriore në OKB, por një rrugë kah arritja e një zgjidhjeje paqësore, e cila do ta pengonte Korenë veriore nga mbajtja e armëve të saj bërthamore, është duke u bërë gjithnjë e më e pamundur. 

A do ta anulojë SHBA-ja marrëveshjen bërthamore me Iranin?

Trump e ka quajtur marrëveshjen bërthamore me Iranin, "marrëveshja më e marrë e të gjitha kohëve" dhe kishte premtuar ta “shqyente” këtë marrëveshje, sapo të vinte në pushtet. Edhe para pak ditësh, derisa shpaloste Strategjinë e tij të sigurisë kombëtare, ai kritikonte presidentët paraprakë për arritjen e një “marrëveshjeje tepër të keqe me Iranin”. Në tetor, ai e rrezikoi këtë marrëveshje, duke e akuzuar Iranin se e kishte thyer marrëveshjen dhe duke kërkuar nga Kongresi që t’i korrigjonte të metat e marrëveshjes. Nuk ka asnjë shenjë se Kongresi mundet, apo është i gatshëm që t’i rihapë negociatat, apo që Irani do të jetë i hapur ndaj ndryshimit të marrëveshjes. Trump ka deklaruar se ai mund ta anulojë marrëveshjen, nëse ajo nuk ‘ndreqet’. Ky veprim e shtron pyetjen se çka do të bëjë më tej SHBA-ja dhe, si do të reagojë Irani. 

A do të bëjë SHBA-ja ndonjë gjë rreth pranisë së Iranit dhe Rusisë në Siri?

Tani, pasi që Irani dhe Rusia shpëtuan diktatorin sirian Bashar Al-Assad nga rrëzimi, a do të vazhdojnë Moska dhe Teherani me fortifikimin e pozicioneve të tyre në Siri? A do të ndërmarrë SHBA-ja ndonjë gjë për t’iu kundërvënë këtyre dy vendeve, respektivisht ndikimit të tyre dhe pranisë gjithnjë e më të madhe ushtarake në regjion? Trump vazhdon që të hezitojë ta sfidojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Jo vetëm që Trump nuk është i gatshëm që ta kritikojë Putinin, por ai, deri më tani, ka dështuar në implementimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë, të miratuara nga Kongresi gjatë verës. Por, çka mund të thuhet rreth Iranit, një vendi të cilin Trump e përshkruan si rrezik global?

A do të kenë sukses reformat e princit saudit të kurorës?

Princi Mohammed bin Salman, i biri favorit i mbretit të Arabisë Saudite, Salman, gjatë vitit 2017 u përpoq që të bëjë ndryshime revolucionare. Princi i kurorës hoqi ndalesën për vozitje nga ana e femrave, kufizoi pushtetin e policisë religjioze dhe burgosi disa personalitete të njohura, duke i akuzuar ata për korrupsion politik. Dhe MBS, sikur që njihet ai shkurtimisht, e ka bërë këtë jo vetëm duke akumuluar fuqi të mëdha, por edhe armiq të fuqishëm. Princi thuajse është i sigurt se do të bëhet mbret gjatë muajve të ardhshëm, por përpjekjet e tij ambicioze për ta transformuar shoqërinë e Arabisë saudite, ekonominë dhe pozicionin e saj gjeopolitik, paraqesin një bixhoz epik, rezultati i të cilit mbetet i pasigurt. 

A do ta tërheqë Lufta në Jemen vëmendjen ndërkombëtare?

Kur Trump bëri publik vendimin e tij për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, ky veprim zgjoi mërinë e shumicës së vendeve myslimane. Njëri ndër këto vende që reagoi me indinjatë, ishte edhe Jemeni, një vend i shkatërruar nga një luftë midis aleancës së udhëhequr nga sauditët dhe rebelëve të mbështetur nga Irani. Por, përkundër kësaj, liderët e këtij vendi gjetën kohë për ta bashkë-përpiluar një rezolutë në OKB, ku dënohej veprimi i SHBA-së. Për dallim nga vendimi rreth Jerusalemit, ngjarjet në Jemen nuk janë përcjellë me ndonjë vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar edhe pse zyrtarët e OKB-së kanë deklaruar se Jemeni është afër përjetimit të “urisë më të madhe në botë, të paparë për dekada të tëra” dhe tanimë është duke u ballafaquar me paraqitjen e formës më të vështirë, të parë, të sëmundjes së kolerës, krejt kjo për shkak të pasojave të veprimeve të njeriut. 

A do të hyjë Putini në një luftë tjetër?

Derisa presidenti Vladimir Putin përgatitet që të garojë për një mandat tjetër gjashtë vjeçar, nuk ka shumë gjasa që ai do të humbë. Nëse dhe pasi që të fitojë, Putin do të mbetet në post deri në vitin 2024, ku nëse llogaritet edhe koha që ai ka kaluar në postin e kryeministrit, atëherë do të bëhen gati një çerek shekulli të qëndrimit në pushtet, më gjatë se çdo lider tjetër rus, që nga Josif Stalin.

Nuk ka mbetur shumë nga demokracia ruse, qyshkur Putin shembi themelet e saj dhe shtypi opozitën. Putini, i cili kontrollon pjesën më të madhe të mediave, mbetet shumë i popullarizuar përkundër problemeve të mëdha ekonomike. Sipas sociologut të respektuar rus, Lev Gudkov, Putin e mban legjitimitetin e tij duke qenë president i kohës së luftës, gjë që ngre pyetjen, a do të shikojë Putini përtej Ukrainës dhe Sirisë, për ta gjetur ndonjë luftë tjetër? Kjo pyetje i shqetëson shumë fqinjët e Rusisë. 

A do të vazhdojë populizmi që të përhapet?

Gjatë viteve të fundit, demokracia është ballafaquar me vështirësi, ku liderët në SHBA, Rusi, Turqi, Poloni, Filipine dhe gjetiu, u ngritën në pushtet falë premtimeve të tyre të theksuara populiste. Dhe, pasi që marrin pushtetin, këta liderë kryesisht injorojnë normat themelore liberale, sikur që është respektimi i lirisë së shtypit dhe i gjyqësorit të pavarur. 

Pyetja që shtrohet, është se a ka arritur ky trend kulminacionin e tij, apo do të vazhdojë ende. Fitorja e Trump'it ka shkaktuar mbrojtje të demokracisë nga shumëkush në SHBA, por po ashtu ai iu ka dhënë energji populistëve të tjerë, në mbarë botën. Në mesin e tyre është një majtist anti-Trump në Meksikë, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili mund të bëhet president – vetëm njëri nga shumë populistët e majtë dhe të djathtë, me një shans të mirë për të ardhur në pushtet gjatë vitit të ardhshëm. 

A do të vazhdojë Venezuela që të zhytet në mjerim?

Fatkeqësia “slow-motion” në Venezuelë, gjatë vitit 2017 kaloi në mjerim dhe, për momentin nuk ka asnjë shenjë që tragjedia e shkaktuar popullit të Venezuelës nga një qeveri jokompetente, do të mbarojë së shpejti. Përkundër posedimit të rezervave më të mëdha të naftës në botë, ky vend ka kaluar nga një demokraci relativisht funksionale, me njërën prej ekonomive më të fuqishme në Amerikën latine, në një diktaturë, ku fëmijët e uritur enden rrugëve dhe ku mungon thuajse gjithçka. Inflacioni ka arritur vlera katërshifrore dhe krimi ka dalë jashtë kontrollit. Opozita ka dështuar në mposhtjen e manovrimeve jo demokratike të presidentit Nicolas Maduro dhe partisë së tij. Dhe, deri më tani, ndihmësit e Maduro's nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar kursin shkatërrimtar të vendit. Ndokush mund të mendojë se ekziston një kufi deri ku mund të katandiset jeta e banorëve të Venezuelës. Por, ai ‘ndokush’ mundet edhe të gabojë. 

A do të ngadalësohet rritja ekonomike e Kinës?

Derisa SHBA-ja, Evropa, e edhe Rusia, janë të zënë duke u shtyrë rreth demokracisë dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, ndikimi i Pekinit në botë është duke u rritur në heshtje, por fuqishëm. Kina është duke ndërtuar projekte gjigante infrastrukturore në tokë dhe ujë në tërë Azinë dhe përtej saj. Ajo është duke ndikuar te qeveritë, pa u interesuar rreth shqetësimeve për të drejtat e njeriut dhe normat demokratike. Iniciativa kineze “Rripi dhe Rruga” (Belt and Road), me vlerë rreth një trilion dollarë, nuk mërzitet fort për standardet ambientale dhe ato të të drejtave të njeriut. 

Duke pasur parasysh implikimet e ngritjes së Kinës, kjo gjë është duke tërhequr pak vëmendje. 

Tërheqja e Trump'it nga marrëveshjet tregtare, ka lënë rrugën hapur për Pekinin. Nëse vazhdojnë trendët aktualë, Kina, një diktaturë e cila nuk duron asnjë kundërshtim, mund të bëhet vendi më i fuqishëm në botë. Aktualisht, ekonomia e Kinës është rrugës për ta tejkaluar GDP-në e SHBA-së; ushtria e saj është duke u rritur me shpejtësi, sikur edhe ndikimi i saj global. Edhe pse ushtria amerikane mbetet më e madhja në botë, madhësia e ekonomisë së Kinës tanimë mund të krahasohet me atë të Amerikës dhe këmbëngulja e Pekinit në fushën diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, nënkupton që ajo është duke u bërë një rival serioz ndaj dominimit global të SHBA-së. 

Pas një viti do ta dimë nëse viti 2018 solli ndonjë zgjidhje ndaj këtyre pyetjeve tani të hapura; a e solli ky vit botën më afër fatkeqësisë, apo e vuri në një udhë më premtuese. Garancia e vetme është që, sikur thotë mallkimi i vjetër, megjithatë kemi jetuar në një kohë interesante. 

Urime viti 2018, të gjithëve!

(Frida Ghitis është kolumniste e çështjeve botërore dhe shkruan shpesh për CNN) 

(Kosova Sot)