Kosova assesi nuk po lirohet nga mafiozët e oligarkisë politiko-financiare

Kosova assesi nuk po lirohet nga mafiozët e oligarkisë politiko-financiare
  • 02 January 2018 - 08:56

Viti 2017 mund të numërohet më shumë si vit i dështimeve sesa i të arriturave   

U krijuan pasanikë brenda nate, në mënyrë jashtëligjore

Performanca e institucioneve dhe besimi në këto institucione të qytetarëve ka rënë në pikën më të ulët. Është instaluar sindromi i keq që pa punuar fare të vihet deri te pasurimi i madh. Këtë sindrom te rinia e instaluan strukturat udhëheqëse politike, të cilët politikën e kanë shndërruar në trampolinë për pasurim të jashtëligjshëm

Shkruan: Skënder MULLIQI

Kosova është një vend me popullsi dhe sipërfaqe të vogël, krahasuar me vendet e tjera në botë. Jemi një vend i vogël, por me begati të mëdha natyrore, të cilat na i ka falur Zoti. Mosarritjet tona gjatë shtegtimit në liri po i justifikojmë nga këndvështrime të ndryshme. Stagnimi ekonomik është prodhim i politikëbërjes së dobët. Kemi ngecur në shumë fusha, nuk po zhvillohemi, nuk jemi duke zënë hapin me kohën. Në aspektin ekonomik, tranzicioni po shkon me hapa shumë të ngadaltë. Ndërrimi i sistemeve na solli telashe të mëdha, sidomos në privatizim, i cili nuk u bë si duhet. Dolën në sipërfaqe njerëzit e politikës dhe të biznesit, të cilët përfituan shumë me shpenzimet më minimale të mundshme. U krijuan pasanikë brenda nate në mënyrë jashtëligjore. Nga ky privatizim mbetën shumë punëtorë pa punë. Edhe pse Kosova ka shumë toka të punueshme bujqësore, ato mbetën djerrina. U krijua varësia e vendit për ndihma humanitare, të cilat nuk munguan nga organizatat e ndryshme qeveritare e joqeveritare të botës. Gjatë këtyre viteve nuk treguam aftësi në qeverisje me vendin e dalë nga flakët e luftës çlirimtare. Nuk patëm aftësi drejtuese as krijuese që proceset demokratike dhe proceset zhvillimore ta marrin të mbarën. Nuk kemi edhe pas 17 vitesh investitorë të jashtëm, të cilët shumë do të kishin bërë në kapërcimin e krizës ekonomike-sociale dhe në uljen e papunësisë enorme. Edhe ky vit, të cilën po e lëmë mbrapa, nuk ishte aspak produktiv për qytetarët e Kosovës, të cilët po përjetojnë ditë të vështira. Shumica janë duke bërë një jetë mizërie, po mbijetojnë me paga minimale e një kategori edhe pa to.

Vrasjet politike i mbuloi pluhuri i harresës

Nuk patëm reforma të duhura në sistemin e drejtësisë, në gjyqësor, në shëndetësi dhe arsim, si shtyllat kryesore të shtetit. Ende po e gërryejnë nga brenda Kosovën krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilët kurrë nuk u luftuan nga pushtetet. Patëm gjatë këtyre viteve shumë vrasje për motive të ndryshme dhe për motive politike, ku shumica nga to i ka mbuluar pluhuri i harresës. Kanë mbetur shumë lëndë të pazgjidhura. Kosova assesi nuk po lirohet nga mafiozët e oligarkisë politiko-financiare, të cilët kanë uzurpuar çdo pore të jetës dhe të punës. Korrupsioni dhe krimi kanë depërtuar në të gjitha nivelet nga komunat deri të niveli qendror. Nuk u ndërtua ndonjë strategji zhvillimore afatgjate nga qeveritë e deritashme. U keqpërdorën me të madhe mjetet e buxhetit, u keqpërdorën të ardhurat nga dogana, lulëzuan kontrabandat e ndryshme me naftë, me droga, me prostitucion … Të gjitha këto fenomene negative zunë vend në Kosovë, se ata të cilët e drejtuan anijen e Kosovës nuk e drejtuan mirë. Pasuritë kombëtare u shfrytëzuan për pasurim personal. Ne këtë mënyrë, prodhimi vendas shkoi teposhtë; mijëra shqiptarë që nuk kishin punë emigruan, duke u larguar ndjeshëm nga vendi krahun e aftë për punë dhe trurin intelektual. Me mijëra kuadro i kanë mbaruar shkollimet superiore në shkollat më prestigjioze të Perëndimit, të cilët do ta udhëhiqnin Kosovën ashtu si duhet, e nuk po e kanë mundësinë që të punësohen nga uzurpatorët dhe nga analfabetët potencialë me të cilët na është mbushur aparati shtetëror. Kanë zënë vend apartqikët dhe të paditurit në të gjithë sektorët. Dhe, mu për atë edhe i kemi të gjitha këto ngecje të proceseve të gjithmbarshme zhvillimore. Kemi mbetur vendi më i varfër dhe më i izoluari në Evropë. Me këtë klasë politike të dështuar, zor që do të presim ditë të mira edhe për shumë vite. Gjithnjë e më shumë për shkak të keqqeverisjes së vendit dhe mosmbushjes së kritereve të kërkuara, jemi shumë larg inkuadrimit në strukturat relevante të Evropës. Kemi mbetur gjithnjë duke u nisur nga zeroja. Kjo është kthyer në traditë të keqe, në diçka e cila na ka sjellë një status-kuo politike.

Pa konsensus kombëtar për temat e mëdha

Edhe pse kemi afër 18 vjet të demokracisë, akoma nuk kemi një politikë nacionale afatgjate dhe pa ngjyrime partiake për zhvillim ekonomik të vendit. Në botën e sotme globale dhe dinamike, me mundësi të mëdha komunikimi dhe shkëmbimesh tregtare mundësitë për zhvillim janë të pafundme. Kjo kërkon profesionalizëm në punë, kërkon njerëz të aftë, kërkon strategji, por politika aktuale po tregohet shumë e painteresuar që të shfrytëzohen të gjitha këto, duke i qitur në plan të dytë apo të tretë. Performanca e institucioneve dhe besimi në këto institucione të qytetarëve ka rënë në pikën më të ulët. Është instaluar sindromi i keq që pa punuar fare të vihet deri te pasurimi i madh. Këtë sindrom te rinia e instaluan strukturat udhëheqëse politike, të cilat politikën e kanë shndërruar në trampolinë për pasurim të jashtëligjshëm. Duhet ta rrisim besimin te njerëzit se vetëm me punë të ndershme arrihen mirëqenia dhe zhvillimi. Duhet rritur besimi në qëndrueshmërinë politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Sigurisht se kjo elitë politike do ta ketë vështirë t’i arrijë këto objektiva, se janë mësuar të punojnë për interesa personale, duke i anashkaluar interesat e përgjithshme të vendit. Shumë na është ndotur ambienti politik dhe medial. Po thirren si pushtete të popullit vetëm në kohë zgjedhjesh. Po manipulojnë mirë me demokracinë, e në fakt e kanë përqafuar fort sistemin autokratik. Kjo kastë politike janë vetëm imitatorë të politikës, të cilët kanë krijuar edhe përçarje në baza krahinore e farefisnore shumë të dëmshme për shtetin dhe kombin. Po na mungon konsensusi nacional për çështje të interesit kombëtar, siç janë demarkimi i vijës kufitare me Mal të Zi, si dhe Asociacioni i Komunave të minoritetit serb në veri të Kosovës… Viti 2017 mund të konsiderohet më shumë si vit i dështimeve sesa i të arriturave… 

 

(Kosova Sot)