Ekonomia botërore NË VITIN 2018

Ekonomia botërore NË VITIN 2018
  • 03 January 2018 - 11:27

Shkruan: MICHAEL J. BOSKIN

DUHET TË SHPRESOJMË MË TË MIRËN

Unë parashikoj që do të vazhdojë rimëkëmbja globale, por me një shkallë paksa më të ulët, prej rreth 3.5%

Të gjithë treguesit e mëdhenj makroekonomikë - rritja ekonomike, papunësia dhe inflacioni - sugjerojnë se viti 2017 do të jetë viti më i mirë për ekonominë amerikane gjatë tërë dekadës. Edhe ekonomia globale është duke u zhvilluar përtej çdo parashikimi. Pyetja që shtrohet tani, është se a do të vazhdojë kjo performancë e fortë edhe në vitin 2018. Natyrisht, përgjigja do të varet nga politikat monetare, fiskale, tregtare dhe të ngjashme në SHBA dhe në botë. Megjithatë, është vështirë të parashikohet se çfarë propozimesh politike do të paraqiten në vitin 2018. Kemi krerë relativisht të rinj të shteteve në SHBA, Francë dhe Britani; liderët gjermanë ende nuk e kanë formuar koalicionin qeveritar; dhe banka qendrore e SHBA-së ka një kryesues të ri që pret të konfirmohet. Për më tepër, ndryshimet e mëdha në vendet e rëndësishme me ekonomi në zhvillim, sikur Argjentinë, Arabi Saudite dhe Brazil, e kanë bërë perspektivën e së ardhmes që të duket edhe më e zymtë. Megjithatë, ne duhet të shpresojmë për më të mirën. Së pari, ne duhet të shpresojmë se rritja e sinkronizuar globale, në shkallë prej gati 4%, do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2018, sikur që kishte parashikuar FMN-ja në tetor. Rritja ekonomike jo vetëm që i rritë të ardhurat, por po ashtu i bën më të menaxhueshme disa probleme, sikur që janë huat e këqija bankare dhe deficitet buxhetore. Sikur që kishte thënë ish presidenti amerikan John F. Kennedy në një fjalim të mbajtur në tetor të vitit 1963, ku promovonte zvogëlimin e propozuar nga ai të taksave të korporatave dhe atyre personale, "batica çon lart të gjitha barkat".

Normalizimi i politikave monetare

Nga ana ime, unë parashikoj që do të vazhdojë rimëkëmbja globale, por me një shkallë paksa më të ulët, prej rreth 3.5%. Dy rreziqet kryesore do të jenë Evropa, ku mund të paraqitet një rënie ciklike dhe, Lindja e Mesme, e pasur me naftë, ku tensionet mund të ndizen përsëri. Së dyti, le të shpresojmë se banka qendrore amerikane, e udhëhequr nga kreu i saj i ri. Jerome "Jay" Powell, do të vazhdojë apo të përshpejtojë normalizimin e politikës së saj monetare, si duke rritur kufirin e fondeve federale, si dhe duke tkurrur balancën e saj të fryrë. Dhe, ne duhet të shpresojmë që rrethanat ekonomike do të lejojnë bankat e tjera të mëdha qendrore, sidomos Bankën qendrore evropiane, që të pasojnë në këtë udhë. Në këtë front, parashikoj që bankat kryesore qendrore do të vazhdojnë normalizimin e politikave të tyre monetare. Rreziku më i madh këtu është se tregjet mund të tentojnë ta testojnë bankën qendrore amerikane nën lidershipin e saj të ri, për shembull, nëse inflacioni rritet më shpejt sesa që është parashikuar. Së treti, le të shpresojmë se pakoja tatimore republikane, nëse votohet, do ta realizojë premtimin për rritjen e investimeve, prodhimit, si dhe rrogave gjatë dekadës së ardhshme. Këtu, unë parashikoj që legjislacioni do të miratohet dhe se investimet në SHBA gjatë disa viteve të ardhshme do të jenë relativisht më të larta, sesa po të mos ndërmerrej asnjë veprim. Se a do të rriten investimet nga niveli i tyre aktual, do të varet nga shumë faktorë të tjerë, sesa vetëm nga taksa e korporatave. Por, pakoja tatimore megjithatë mund të pritet që ta stimulojë prodhimin dhe rrogat. Nuk është pyetja 'nëse', por 'kur'. Nëse efektet e plota të legjislacionit nuk ndihen para vitit 2018 ose para zgjedhjeve të vitit 2020, atëherë vonesa mund të ketë pasoja politike. Rreziku më i madh është që, beneficionet e saj do të vonohen dhe provizionet kryesore do të ndryshohen nëse në pushtet vijnë demokratët. Së katërti, le të shpresojmë që qeveritë kudo do të fillojnë që të adresojnë krizën në sistemin e pensioneve publike dhe në kostot e kujdesit shëndetësor, të cilat janë duke u rritur për dekada të tëra. Derisa programet sociale bëhen gjithnjë e më të shtrenjta, ato rrisin shpenzimet qeveritare në fushat, si mbrojtja, derisa duke rritur presionin edhe më shumë për imponimin e tatimeve supresive. Në veçanti Evropa nuk duhet të lejojë përsëritjen e ngritjeve dhe rënieve ciklike. Shumë shtete, anëtare të BE-së, ende kanë nevojë për zvogëlimin e borxhit të tyre qeveritar dhe, eurozona ka nevojë që ta zgjidhë krizën e saj me "bankat zombi". Përtej kësaj, reformat strukturore të tregut të punës, të llojit që mbështeten nga presidenti francez Emmanuel Macron, do të jenë më se të mirëseardhura. 

Bomba me sahat

Fatkeqësisht, kam frikë se progresi në reformat strukturore, në rastin më të mirë do të jetë sporadik. Rreziku është që rritja e ngadalshme nuk do të çojë deri te rritja e mjaftueshme e rrogave dhe hapja e vendeve të punës, që të mund të deaktivizohet bomba me sahat e papunësisë së lartë të të rinjve në shumë vende. Një rrezik tjetër është që tentimet për reforma mund të provokojnë trazira politike, të cilat do të ishin të dëmshme për investimet afatgjata. Së pesti, le të shpresojmë që eurozona do të mund ta evitojë një krizë valutore. Kjo në një masë të madhe do të varet nga ajo se a do t'ia dalë kancelarja gjermane Angela Merkel ta formojë një koalicion qeveritar dhe ta rikthejë stabilitetin politik në vendin me ekonominë më të madhe në Evropë. Së gjashti, duhet të shpresojmë që BE dhe Britania do të merren vesh rreth një marrëveshjeje të arsyeshme Brexit, e cila do të ruajë raportet e forta tregtare. Rreziku kryesor këtu është se, rëniet e lokalizuara në tregti, mund të përhapen gjetiu, duke shkaktuar dëm më të madh. Dhe, përtej Evropës, le të shpresojmë se negociatat midis SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës rreth Marrëveshjes së lirë tregtare të Amerikës veriore (NAFTA) do të rezultojnë me një marrëveshje e cila vazhdon ta lehtësojë tregtinë kontinentale. Për tregtinë në përgjithësi, rreziku më i madh është që administrata Trump mund ta fillojë një konflikt tregtar që sjell vetëm humbje, duke u tentuar që t'iu ndihmojë punëtorëve amerikanë që punojnë në prodhimtari. Së shtati, le të shpresojmë që politikat e reja që kanë të bëjnë me teknologjinë e informimit dhe komunikimit (ICT) ta arrijnë balancën e duhur midis të gjithë aksionarëve. Në njërën anë, ekziston një arsye për të pasur shqetësim rreth përqendrimit të disa kompanive të internetit te fuqia e tregut, sidomos te përmbajtja dhe distribuimi online dhe rreth efekteve të teknologjive të reja te privatësia personale, zbatimi i ligjit dhe siguria kombëtare. Në anën tjetër, përparimet e reja teknologjike mund të sjellin fitime të mëdha ekonomike. Është lehtë që të parashikohet një skenar me shumë rregulla, apo me pak sish. Po ashtu, është lehtë të parashikohet një konfrontim i gjerë publik kundër kompanive të mëdha teknologjike, sidomos nëse do të ketë politika të dobëta, apo refuzim të bashkëpunimit me organet e zbatimit të ligjit, gjë që mund të çojë deri te ndonjë ngjarje e tmerrshme. Këtu, unë parashikoj se arritja e një balance të përshtatshme të politikave do të marrë vite të tëra. Nëse ndonjë ngjarje e ardhshme prek ndonjë 'tel' emocional, atëherë disponimi publik mund të ndryshojë në mënyrë dramatike. Por, në fund, dyshoj që konkurrenca dhe inovacioni do t'iu mbijetojnë rregullave të ardhshme. Në fund, ajo që ka më së shumti rëndësi, le të shpresojmë që terrorizmi të mposhtet kudo, konfliktet të pashiten, demokracia dhe kapitalizmi ta arrijnë një momentum dhe një civilizim më i madh dhe një dialog i sinqertë të kthehen në publik. Nëse kjo do të ndodhë në vitin 2018, atëherë ai do të jetë me të vërtetë një vit i mirë. 

(Michael J. Boskin është profesor i ekonomisë në Universitetin Stanford) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)