A do të votohet për Gjykatën Speciale!?

A do të votohet për Gjykatën Speciale!?
  • 03 August 2015 - 08:03

Shkruan: Ymer Halimi 

Përdorimi i sovranitetit, retorikë boshe

HAKMARRJA SHQIPTARE ËSHTË SHUMË HERË MË E VOGËL SESA GJENOCIDI SERB MBI SHQIPTARËT

Prokurorët dhe gjykatësit kanë dështuar në segmentin e dënimeve të krimit, të çdo niveli dhe nuk kanë ngritur akuza as për raste që janë të faktuara në mënyrën më të mirë, apo ato i kanë mbyllur pa kurrfarë drejtësie, duke i asgjësuar dëshmitë

Ka kohë që, qytetarë, intelektualë, gazetarë, analistë dhe disa politikanë, çështjen e Gjykatës Speciale, për krime, që kërkohet të instalohet me "sugjerim" nga ndërkombëtarët, veçmas BE-ja, jashtë kompetencave të Gjyqësorit dhe jashtë legjislacionit të kosovarëve, e quajnë "e keqe e domosdoshme", që po i ndodh Kosovës. Po thuhet, një e keqe që prekë "sovranitetin e shtetit". Pse gjykatë ndërkombëtare? Pse të zhvillohet gjyqësi jashtë Republikës së Kosovës? Këtu shtrohen edhe pyetje: A është shteti sovran kur nuk ka ushtri dhe të gjitha vendimet e të gjitha llojeve janë nën ndikimin të ndërkombëtarëve?! A është sovran shteti, që nuk mund të frymojë pa të tjerët!? Përdorimi i sovranitetit, sa shihet është retorikë boshe. Dhe a është shteti demokratik dhe me siguri te mjaftueshme për qytetarët, kur për dhjetëra e dhjetëra të vrarë në mënyrë "enigmatike" pak kush është ulur në bankën e të akuzuarve? Apo kur vrasësi për shkalle sigurie këmbëngulë te bëj burg në shtëpi të vet. Apo kur nga dhomat e sigurisë së lartë vjedhin dëshmi e gjësende me vlerë (droga e ari) qe pastaj te tregtohen. Në pesëmbëdhjetë vitet e pasluftës, është dëshmuar, se grupet e interesit, parapolitikës janë më të fuqishëm se rendi dhe disiplina e një shteti demokratik, për çka pretendon Republika e Kosovës.

Krimi është krim

Prokurorët dhe gjykatësit kanë dështuar në segmentin e dënimeve të krimit, të çdo niveli, dhe nuk kanë ngritur akuza as për raste që janë të faktuar ne mënyrën më të mirë, apo ato i kanë mbyllur pa kurrfarë drejtësie duke i asgjësuar dëshmitë. A është shteti demokratik kur për abuzimet ndër më të ndryshmet që bëjnë politikan e akademik, e hesht gjyqësi e siguri e vendit. A është shtet demokratik kur ligjet e shtetit u përshtaten grupeve të interesit? Prandaj ku është përgjegjësia e politikanëve që udhëheqin shtetin për këto që janë të faktuara. Këto reflektojnë jo vetëm te qytetaret e thjeshtë që i ka pllakosur varfëria, mjerim dhe pashpresë, por edhe te ndërkombëtarët qe kanë obligim për rend e ligj edhe për të tjerët. A nuk janë këto përgjigje, për gjyqësi jashtë Kosove, dhe ndërkombëtare. Prandaj, ajo që quhet "e keqe e domosdoshme", Gjykata Speciale, që tashmë janë dakorduar të ndodhë, por kërkohet modaliteti, do të ndodhë se Kosova është në karrigen e të akuzuarit mbi bazën e akuzave, që Serbia ka arritur mirë të projektojë, madje duke gjetur edhe rrugën e akuzës. Prandaj, duhet të sqarohet, a ka ndodhur apo nuk ka ndodhur, si ka ndodhur dhe si nuk ka ndodhur dhe kush e bëri apo kush s'e bëri atë? Akuza i drejtohet pjesës apo tërësisë, individit apo grupit. Prandaj, Kosova si shtet, nuk ka nevojë, që të jetoj me supozimin se këtu ka "diçka të mistershme". Krimi është krim, ka ngjyrimin e vet, përmbajtje ndër më të ndryshmet. Ka shkallen e intensitetit, që varet nga çasti dhe potencialet e kryerëseve të krimeve. Krimi kryhet edhe mbi platformë politike për vrasje në shumicë, torturim e dhunime, mbi bazën e urrejtjes, po edhe raciste pse dikush ekziston në realitetin e kësaj bote, që raca shihet si pengesë për qëllime politike. Për këtë hartohet platforma politike e institucionale nga shteti, ashtu siç bëri shtetit serb mbi shqiptarët, në dy shekuj të fundit, që ishte jo me pak se gjenocid. Edhe përkundër vrasjeve, dhunimeve dhe pastrimeve etnike, që i bëri Serbia si shtet mbi shqiptarët, ajo është e liruar nga një akuzë e tillë. Pse? Serbia ka maskuar krimin, asgjësuar gjurmët, se realizuan platformën politike të organizuar për këtë, dhe gjithë dëmet e pësuara nga shqiptaret i sistemuan mirë, bile edhe për një rast të vetëm, për t'i akuzuar shqiptaret, i sistemuan edhe me ndihmën e vetë shqiptarëve. Në anën tjetër shqiptarët ishin të pazotët për t'i artikuluar synimet e veta, për ta pasur historinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me ata. Shqiptaret kujtuan dhe kujtojnë se, "veç dihet gjenocidi" për t'u mjaftuar vetëm me kaq. 

Politikanët shqiptarë ishin të zënë në lufta politike

Krim është edhe vrasja e një individi të vetëm që kryhet mbi bazën e hakmarrjes, si kundërveprim i krimit. Ky veprim hakmarrjeje, edhe përkundër gjenocidit serb mbi shqiptarë, drejtësia nuk liron nga përgjegjësia. Nuk ka kundërpeshë, tjetër, për vrasje përveç drejtë- sisë se një shteti te mirëfilltë demokratik. Këtë fakt e injoruan institucionet e Republikës së Kosovës edhe përkundër asaj që hakmarrja shqiptare është shumë, shumë herë më e vogël ne numër sesa gjenocidi serb mbi shqiptaret. Si kuptim ky krahasim për drejtësinë del i paqëndrueshëm, por me reflektim politik qe shqiptarët nuk e shfrytëzuan. Republika e Kosovës nuk gjeti rrugë për të ngritë procese gjyqësie, apo akuza për krime. Nga ana tjetër, në Serbi u zhvilluan procese për krime lufte në Kosovë, duke reflektuar pozitivisht te demokracia Perëndimore. Prandaj, akuzat e bëra nga Serbia janë duke reflektuar në aspektin gjithë përfshirës ndaj Kosovës. Kjo, vërtetë gjithë përfshirëse nuk është, dhe as e pjesshme, përveç individuale apo grupe te izoluara. Po qe se Republika e Kosovës të ishte shtet funksional, do të përgatiste dosjen e krimeve, ama e te gjitha krimeve, jo vetëm në dy vite kalendarike të luftës, por në një proces, që është shtrirë në decenie të tera, prej kohës kur nga Armata e Jugosllavisë ktheheshin ushtarët e vrarë, në arkivole të hekurta, të sakatosur e të lidhur me tela me gjembash, deri tek foshnjat e pleqtë e ekzekutuar e djegur për së gjalli në shtëpitë e tyre pa e bërë asnjë faj të vetëm përveç se ishin shqiptar. Kjo nuk ndodhi, nuk u deponuan dosjet për këtë gjenocid në asociacione ndërkombëtare për te rrëfyer fajësinë, madje edhe kolektive serbe. Ndodhi e kundërta, Serbia e bëri këtë kundër shqiptarëve që kolektivisht ishin të viktimizuar. Por, në filozofinë e jetës asnjëherë nuk sjellë dobi pyetja: pse nuk është zgjedhur një rrugë tjetër, për të mos arritur, që të detyrohemi të gëlltisim diçka, që fare nuk ka shije për jetën normale. Por, këtë e lejoj politika grabitçare e politikanëve të Kosovës. Mjerisht, politikanet shqiptarët, ishin të zënë në lufta politike, deri në vrasje e kidnapime përbrenda llojit të vetë, për ta kapur pushtetin për nevoja vetanake që të grabisin pronën e shtetit. Këtu, ne këtë hamendje, pro et contra të akuzave tani duhet vendosë drejtësia e besueshme. Gjendja që kemi me nuk mund të vazhdohet, sepse Kosova nuk ka pse të jetojë me supozimin e këtyre akuzave. Prandaj, është e domosdoshme të ndodh vendimi i drejtësisë, drejtësi e besueshme për të gjithë!? Vërtetë, në Kosovë, është përvoja e hidhur me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Ata, dolën si pjesë e krimit ekonomik, drogës, prostitucionit e mbështes të politikanëve të kriminalizuar. Ndoshta, nuk gjetën terren të përshtatshëm për abuzim. Por as kjo nuk i arsyeton. Megjithatë, ajo qe shihet e papranueshme, fare e papranueshme është adresimi i akuzave mbi UÇK-në dhe intervali kohor. Adresa do te duhej te ishte tjetër. Por, krahasuar mbi përvojën e shteteve demokratike, të ushtrive të tyre, si SHBA, Angli, Francë etj. për përgjegjësinë e UÇK-së nuk ka kurrfarë shqetësimi. Del e pastër si loti. Prandaj e "keqja e domosdoshme" duhet të ndodhë, për të ndodhur e mira e domosdoshme - kthesa për në shtet ligjor e demokratik.