Lufta e Hillary-s kundër kapitalizmit tremujor

Lufta e Hillary-s kundër kapitalizmit tremujor
  • 03 August 2015 - 08:14

Shkruan: Edward Luce

E vëmendshme ndaj ideve të reja

Ajo po ashtu është e rrethuar me njerëz adekuatë

Përparësitë e platformës së zonjës Clinton kanë të bëjnë me faktin se ajo është e saktë dhe e pëlqyeshme

Një gjë që shkon në favor të kampanjës së Hillary Clinton-it ka të bëjë me faktin se ajo është e vëmendshme ndaj ideve të reja. Skandalet rreth e-mailave nuk kanë pushuar ende. Mediokriteti i saj në skenë është duke i shqetësuar mbështetësit – ajo nuk është as Bill Clinton e as Barack Obama. Por as kritikët nuk e mohojnë apetitin e saj për ide të reja. Ideja e saj më e theksuar është që të përqendrohet vëmendja te aspekti afatshkurtër i ekonomisë. Ka shumë të ngjarë që zonja Clinton të jetë presidentja e ardhshme, gjë që do t’ia mundësonte asaj zhvillimin e luftës kundër “kapitalizmit tremujor”, sikur që e quan ajo atë. Ajo mund edhe të korrë fitore në këtë drejtim. Dhënia fund e tiranisë së fitimeve tremujore është një ide e cila është aktuale. Arsyeja për reformimin e kapitalizmit të aksionarëve është e fortë. Niveli i investimeve të SHBA-së është më i ulti që nga viti 1947. Vitin e kaluar, sipas “Goldman Sachs”, 500 kompanitë “S&P” shpenzuan më shumë se 500 miliardë dollarë për riblerjen e aksioneve. Këtë vit kjo shifër pritet të arrijë në 600 miliardë dollarë.

Investimet e sotme sjellin dividendët e së nesërme

Sa më shumë që të vazhdojë ky cikël, aq më enigmatike do të bëhet mungesa e investimeve. Në kohën e fitimeve të shëndosha dhe të kostos së kapitalit afër vlerës zero, tani duket momenti më i përshtatshëm për të bërë plane për të ardhmen. Investimet e sotme sjellin dividendët e së nesërmes. Por, kompanitë e përmendura që të gjitha duan dividendët e së sotmes. Për çdo dollarë që kompanitë kryesore publike të SHBA-së e shpenzojnë në investime, ato ua kthejnë 8-9 dollarë aksionarëve.

Korporatat e Amerikës gjenden në një pesimizëm të vetëshkaktuar. Përderisa të besohet se rritja ekonomike e SHBA-së nuk do ta kalojë vlerën prej rreth 2% në vit, atëherë nuk mund të pritet një ekspansion në të ardhmen, gjë që sjell atë nga e cila edhe frikësohemi. Në një botë ideale, sektori publik i SHBA-së do ta kompensonte sektorin publik me anë të deficiteve fiskale. Por, kjo është e pamundshme politikisht që të bëhet.  Merita e idesë së zonjës Clinton është fakti se ajo do të mundohet t’i nxitë investitorët, pa e zgjeruar qeverinë. Stimulimet aktuale shkojnë kryesisht për shpërblimin e shefave. Zonja Clinton ka të drejtë kur thotë se Amerika ka pësuar ndryshim afatshkurtër në këtë drejtim.

Por, ilaçi që e ofron ajo, nuk përshtatet me diagnozën. Ajo do të fuste një taksë ndaj fitimeve kapitale, e cila do të varej nga kohëgjatësia e investimeve. Ata që do t’i mbanin aksionet e tyre për, të paktën, gjashtë vjet, do të paguanin për 20% më pak taksa në fitimet kapitale. Ata që i shesin aksionet brenda një periudhe dyvjeçare do të paguanin gati dyfishin. Nuk mund të thuhet me siguri se kjo do të mjaftonte për ta ndryshuar mënyrën e të vepruarit të investitorëve. Një zog në grusht përsëri do të vlerësohej më shumë se dy zogj në hava. Shumë investitorë të mëdhenj, duke përfshirë edhe fondet pensionale, tanimë janë të përjashtuar nga tatimet. Propozimi i saj nuk ka të ngjarë as që ta ndryshojë sjelljen e aksionarëve. Përderisa pakot kompensuese të shefave ekzekutivë caktohen në bazë të çmimit të aksioneve, nuk ka shumë shpresë për ndryshime.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane do të zhvillohen në lidhje me ekonominë

Përkundër kësaj, zonja Clinton është duke u përpjekur që të arrijë përparim në një fushë nga e cila të tjerët kanë frikë. Kapitalizmi tremujor ishte mbret gjatë administratës së Bill Clinton-it gjatë viteve 1990. Ai ende mbizotëron. Karakteristika e republikanëve sot është alergjia e tyre ndaj ideve të reja. Me përjashtimin modest të Marco Rubio-s, i cili ka vuajtur mu për këtë shkak, çdo kandidat republikan propozon shkurtime të mëdha tatimore dhe, shumë pak gjëra të tjera. Kjo duket sikur dekada e kaluar të mos kishte ndodhur fare.

Partia Republikane ka ngecur te forma e vjetër e të menduarit. Ekonomisti Arthur Laffer, i cili është bërë i famshëm për deklaratën e tij se shkurtimet tatimore gjithmonë e shpaguajnë veten, mbetet shenjti kryesor i çdo republikani. Çdo gjë që bie ndesh me filozofinë e tij, paraqet tabu. Kjo në të njëjtën kohë paraqet ekonomi dhe politikë të keqe. Në një kohë të pabarazisë rekorde dhe ngecjes së rrogave, shkurtimet e mëdha tatimore për ata që kanë fitime të mëdha, mund të jetë faktor për humbjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Në të majtë të zonjës Clinton ekziston ideja e madhe e thyerjes së bankave që janë “tepër të mëdha për të dështuar” dhe për ndëshkimin e “Wall Street”-it për krimet e tij. Deri tani zonja Clinton i ka bërë ballë kësaj demagogjie. Nëse Bernie Sanders, socialisti nga Vermonti, do të vazhdojë të ketë mbështetje të madhe në Ajova, kjo mund të ndryshojë. Por, sikur madhësia e bankave të ketë qenë shkaktar i krizës së vitit 2008, atëherë Kanadaja, me vetëm pak banka të tilla, do të gjendej në një situatë më të keqe sesa SHBA-ja. Politikat e copëtimit të “Wall Street”-it ka elektrizuar votuesit primarë demokratikë, por ekonomistët nuk janë të bindur.

Përparësia e platformës së zonjës Clinton është se ajo është sa e saktë, po ashtu edhe e pëlqyeshme. Ajo po ashtu është e rrethuar me njerëz adekuatë. Kur kritikët e akuzojnë atë për luftë klasore, ajo mund t’iu referohet veprimeve të ngjashme të bëra nga Larry Fink, kryesuesi i “BlackRock”, menaxherit më të madh të parave në botë. Me të është edhe Dominic Barton, drejtori menaxhues i “McKinsey”, firmës më të njohur këshillues enë botë. Ai edhe e ka shpikur shprehjen kapitalizmi tremujor. Shumë ekonomistë të tjerë po ashtu janë pjesë e ekipit të saj. Qëllimi i tyre nuk është vetëm fundosja e të pasurve, por edhe rregullimi i kapitalizmit.

A munden idetë e tilla ta fusin zonjën Clinton në Shtëpinë e bardhë? Zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane do të zhvillohen në lidhje me ekonominë. Aktualisht, zonja Clinton është duke mbizotëruar në këtë fushë. Të majtës i mungon një figurë e dalluar, derisa e djathta ka lajthitur rëndë. Dera për mendime të reja është e hapur gjerë e gjatë. Pa marrë parasysh të metat e saj si kandidat, zonja Clinton instinktivisht është e prirë që të hyjë nëpër atë derë.