"Grupi për Reforma" të brendshme në LDK dhe strategjia e mashtrimit - Opinione - Kosova Sot
"Grupi për Reforma" të brendshme në LDK dhe strategjia e mashtrimit

"Grupi për Reforma" të brendshme në LDK dhe strategjia e mashtrimit

Rreziku nga kthimi serb në Kosovë (5)

SHKRUAN: SHEFQET DIBRANI

Për të qenë i suksesshëm Isa Mustafa, do ta shkatërrojë fillimisht Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), për të cilën u vra Enver Maloku. Në të vërtetë Isa Mustafa, financiarisht pati bërë përpjekje për ta shkatërruar QIK-un edhe për të gjallë të Enver Malokut?! Tash e bija e Enver Malokut, bëhet marionetë e politikave antidemokratike të Isa Mustafës, dhe në cilësinë e mercenares do të udhëtojë për në Zvicër, për ta shkatërruar edhe Degën e LDK-së, për ta vrarë mikun e babit e gazetarin e QIK-ut?! Për njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve në LDK, gjesti i Doruntinë E. Maloku ishte e pafalshëm, ashtu siç janë kualifikuar kërcënimet vulgare e perverse të Armend Zemajt, ose qëndrimi antidemokratik i Anto Qunit, Salih Morinës, Sokol Halitit dhe një suitë e mercenarëve vullnetarë që gozhduan zgjedhjet demokratike në Degën e LDKsë në Zvicër. Janë këta deputetë servilë që orkestruan kundërshtime për zgjedhjen e Hashim Thaçin President i Kosovës, ndonëse në opinion u përpoqën ta shesin të kundërtën. Kjo klasë politike, me këtë moral të dyfishtë janë marionetë e Isa Mustafës, janë struktura e veprimeve antidemokratike në LDK dhe kanë qëndrim të theksuar antiamerikan. Në gazetën "Kosova Sot", të datës 04 prill 2014, ia pata tërhequr vërejtjen Vjosa Osmanit, se "karriera politike nuk bëhet duke i mbrojtur dështakët", e sa u përket votave të tashme, me të cilat ajo po mburret, qysh në atë shkrim ia pata tërhequr vërejtjen se për njerëzit e shërbimeve të caktuara ato mund të rregullohen. Po askush nuk mundet me mohuar se 65 mijë votat e saj ia zgjatën jetën politike Isa Mustafës në krye të LDK-së, por asgjë për të mirë nuk i vlejtën kësaj partie. S'ka dyshim, Vjosa Osmani e mashtroi elektoratin e LDK-së, ajo e vrau shpresën për reforma duke u bërë vetë marionetë e Isa Mustafës. Tashmë Vjosa Osmani s'ka më si arsyetohet, vetëm duhet të tregojë haptas në cilin mision, në cilën detyrë paska shkuar në Presidencë te Fatmir Sejdiu dhe nga aty paska ardhur edhe në LDK?! Edhe deklaratat dhe qëndrimet e saj politike bien ndesh me politikat e brendshme në LDK, me interesin nacional dhe me interesin amerikan. Nuk duhet të pinë ujë, as shkollimi i saj në Amerikë me të cilin ajo po mburret, pasi bota e qytetëruar ka shembuj të shumtë, ku kriminel dhe diktatorë të shumtë, janë shkolluar në Evropë ose në Amerikë, por për vendet e tyre kanë bërë diktatura e tradhti të mëdha. Elektorati i LDK-së është mashtruar nga Vjosa Osmani, e cila nuk është ajo "Zonja e Hekurt", as ajo profesoresha e shkolluar në Amerikë, që do t'iu prijë reformave në LDK?! Ajo u dëshmua se paska qenë në mision për ta shpëtuar Isa Mustafën nga rënia e sigurt. Me këtë veprim të saj, ajo e vrau shpresën për reforma, pasi në saje të obstruksioneve që bënte u shkatërrua "Grupi për Reforma". Po ashtu ajo e eliminoi nga skena politike Donikë Gërvallën, nuk i hëngër palla për Degën e LDK-së në Zvicër, por e fshehtë dhe fshehtas bashkë me Isa Mustafën e shndërruan LDK-në në LIDHJA. Tash Vjosa Osmani, në cilësinë e juristes duhet të flet mbi cilat rregulla dhe në cilën demokraci e paska gjetur epitafin për ta eliminuar "Brezin e Vjetër", ata që quhen themeluesit e LDK-së, dhe ata që ia shkatërruan: Isa Mustafës, Veton Surroit e Baton Haxhiut, Lidhjen Komuniste, dhe ua shkatërruan edhe Jugosllavinë e AVNOJ-it. Mbi cilën demokraci u futën në Listat Zgjedhore, pa qenë anëtarë të LDK-së, Lumir Abdixhiku e Driton Selmanaj, pastaj mbi cilën rrugë paska ardhur në LDK edhe vetë Vjosa Osmani, Avdullah Hoti, Arban Abrashi e shumë të tjerë. Këto veprime antidemokratike, janë edhe veprime të kulluara antiamerikane, prandaj pa u evituar ky defekt, asnjëherë Amerika të mos shpresoj se partitë politike, veçmas LDK-ja do ta prodhojë një gjeneratë me dinjitet dhe të aftë, pasi të gjithë sojnikët e Isa Mustafës, duket se janë në shërbim të politikave që mund të dirigjohen nga BIA serbe, dhe shërbimet e ngjashme në Kosovë. Pa asnjë dyshim, përgjegjësi historike për shkatërrimin e LDK-së, bie mbi këtë gjeneratë e cila vrau shpresën për reforma të brendshme në LDK, andaj nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë as Vjosa Osmanin, e cila tashmë publikisht shihet se është në funksion të politikave antidemokratike të Isa Mustafës, për ta shkatërruar LDK-në, duke e bartur fatin e kësaj partie te një gjeneratë, të cilën asgjë, përveç mafiozitetit me Isa Mustafën, nuk e lidh gjë tjetër me LDK-në. 

Tutorizmi nuk është demokraci

Në LDK nuk ka demokraci të brendshme, por ka tutorizëm, në LDK nuk ka vlera, por ka tendenca shkatërruese. Në LDK ka një luftë brezash të cilës po i prinë i ashtuquajturi "Brezi i Republikës", që sikurse Isa Mustafa, po luftojnë elitën intelektuale dhe Brezin e Vjetër, të cilët janë themeluesit e LDKsë. Sot ky brez dhe kjo elitë në vend se të falënderohen, po luftohen dhe janë lënë jashtë strukturave, për fajin e tyre të vetëm se ishin ata që e shkatërruan sistemin e komunizmit jugosllav në Kosovë. Në LDK s'ka demokraci të brendshme, por ka luftë klasash, dhe njëra nga këto luftërat e ashpra, llogaritet ajo me Degët e LDK-së në Diasporë, veçmas me atë në Zvicër. Kjo luftë tashmë është bërë publike, pasojat u panë në zgjedhjet e sivjetme, sidomos në ato komuna ku beteja për fitore varej nga votat e diasporës. Por, Isa Mustafa nuk merakosej për rënien e LDK-së, pasi misioni i tij ishte shkatërrimi i kësaj partie të cilën si duket e bënë me porosinë e strukturave të nëntokës, për të cilat flitet se kanë fushëveprim edhe në Kosovë. Por, pse i tradhtuan idealet për këto reforma edhe Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Naser Rugova dhe mjaftë të tjerë si këta, duhet të flasin pa ekuivokë, por le ta dinë se votat i kanë fituar duke orkestruar konflikt të pa qenë me Isa Mustafës. Lufta e pa kompromis e strukturave shkatërruese në LDK, ishte dhe ka qenë lufta kundër elitës intelektuale, pasi indiferenca ndaj intelektualëve tashmë është e tejdukshme. Si mund të flasin për LDK-në pseudoanalistët, Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanaj, si dhe sojnikët e Isa Mustafës, të cilët nëpër debate televizive u bënë horë, sidomos kur meritat për LDK-në po i bartin vetëm tek "Brezi i Ri", me tipat si Lumirin e Dritonin dhe tek "Brezi i Mesëm", me sojnikët e Isa Mustafës, siç janë Vjosa, Haxhiu, Abdullahi dhe të tillët si këta?! D.m.th. LDK-ja është bërë strehë e karrieristëve, prandaj kurrë këta karrieristë nuk do të bëjnë reforma sepse lufta e bërrylave, lufta e nëntokës, intrigat dhe mashtrimi sikur janë shndërruar në mani të tyre. I ashtuquajtur "Brezi i Mesëm", në LDK do të duhej të bëhej nga veprimtar të devotshëm që për vite të tëra kanë bërë aktivitet në LDK, jo nga ata që vijnë nga Shoqëria Civile, nga rruga dhe nga Riinvesti, ndërsa "Brezin e Ri", duhej ta përfaqësonin ata që janë nën moshën 27- vjeçare, por jo dyzet e pesëdhjetëvjeçaret e emëruar "si drejtorët e dhunshëm", nga vet Isa Mustafa. Tash mund të shtrohet pyetja nëse është e mundur të gjitha këto shkelje juridike të mos i ketë parë Vjosa Osmani?! Tashmë, ajo për interesa të Isa Mustafës dhe Agim Veliut e kundërshton pa principe ish kolegun e vet ish deputetin prof. dr. Shpejtim Bulliqin, dhe pasi e ka gozhduar Donikë Gërvallën, edhe asaj ia ka kthyer shpinën. Po këtë veprim Vjosa Osmani e Haxhi Avdyli, e kanë bërë kur i mashtruan aktivistët e Nëndegës në Ulpiana, dhe të disa nëndegëve të tjera në Prishtinë dhe nëpër Kosovë, disa prej të cilëve të dëshpëruar me qëndrimet e "Grupit për Reforma", u larguan nga LDK-ja, siç janë: Petrit Bicaj, Ferki Çitaku, Bilbil Kastarti etj., për të cilët ne nuk kemi lexuar ndonjë keqardhje, madje këtë nuk e kanë bërë as në grupin e mbyllur pjesë e të cilit ishte edhe autori i kësaj analize, i cili më herët e ka përjetuar injorimin e "Grupit për Reforma", kur ndodhën vendime antidemokratike në Degën e LDK-së në Zvicër.

(Kosova Sot)

5 orë e 33 minuta më parë
18/08/18