A do ta ndalë presidenti Macron Brexit-in gjatë vitit 2018 - Opinione - Kosova Sot
A do ta ndalë presidenti Macron Brexit-in gjatë vitit 2018

A do ta ndalë presidenti Macron Brexit-in gjatë vitit 2018

FRANCA KA SHUMËÇKA PËR TË HUMBUR, NËSE BRITANIA IA KTHEN SHPINËN EVROPËS

Britania është e tronditur nga polarizimi dhe ndarjet e brendshme

Shkruan: NATALIE NOUGAYRÈDE

2017-ta ishte viti kur Franca fitoi dhe Britania humbi. Emmanuel Macron u paraqit për ta transformuar një skenë të sklerotizuar politike, duke e mahnitur botën dhe shumëkënd në vendin e tij, me një energji rinore, e cila e bëri përtëritjen franceze shprehje shumë të përdorur. Theresa May, në anën tjetër, kaloi nga njëri, te dështimi tjetër, duke bërë turr në Uashington për një takim të ngathët me Donald Trumpin, duke aktivizuar nenin 50 pa ndonjë plan për më tutje dhe duke e humbur shumicën në Parlament. Macron bëri bujë me deklaratat, si "Le ta bëjmë planetin përsëri madhështor". Sloganet e May'it, duke filluar nga "Britania globale", deri te "Brexit dmth Brexit", u kthyen si bumerang, apo dështuan të çonin gjëkundi. Macron siguroi një bazë solide në asamblenë kombëtare për partinë e tij të re, "La Republique en Marche". Ai mbajti fjalime lirike rreth Evropës, duke paralajmëruar një epokë të re të fuqisë dhe sovranitetit evropian. May shkoi në Firence, me qëllim të tentimit të ndërtimit të urave me Evropën, përkundër të gjithave. Por, ajo që bëri më së shumti bujë, ishte fakti se Britania do të vazhdojë me pagesat ndaj BE-së, derisa ekipi britanik i negociatave Brexit përgatitej që të pranonte kushtet e parashtruara nga Brukseli. 

Akuza dhe arrogancë

Për këto dy ish-fuqi globale dhe koloniale, të cilat tani duhet të ballafaqohen me një botë që ndryshon shpejt, me më pak privilegje, viti i kaluar me siguri shënoi një triumf gal (francez) dhe një mjerim britanik. Por, a kanë arsye francezët për vetëkënaqësi? Nëse ngjarjet vazhdojnë me të vjetrën edhe gjatë vitit 2018, atëherë askush nuk do të fitojë. Është e qartë se Evropa ka edhe lojtarë të tjerë të fuqishëm, në rend të parë Gjermaninë, por raportet midis këtyre dy fqinjëve të mëdhenj ballë për ballë Kanalit, kanë një rëndësi të veçantë. Francezët gjithmonë janë ballafaquar me akuza për arrogancë, meqë ishin të prirë që Evropën ta përjetonin si pjesë të vendit të tyre. Dhe, shumë britanikë ishin gjysmë të bindur, apo gjysmë të informuar, rreth asaj se çka paraqiste BE-ja në rend të parë (jo vetëm një treg të përbashkët). Historia dhe politikat vendore kanë një rol të rëndësishëm këtu. Por, Franca ka shumëçka për të humbur, nëse Britania ia kthen shpinën Evropës. Ta konsiderosh këtë një 'lehtësim të mirë', sikur që deklaroi dikur ish kryeministri francez, Michel Rocard, paraqet një shembull të shkurtpamësisë. Brexit-i tani është bërë një proces aq i mërzitshëm dhe i shteruar, sa që tanimë thuajse kemi harruar tronditjen e atij mëngjesi, të 24 qershorit të vitit 2016. Pjesë të establishmentit francez për një kohë të gjatë e kanë konsideruar Britaninë si forcë kundërshtare në klubin evropian. De Gaulle kishte të drejtë kur bllokoi Britaninë, thotë kjo logjikë. Në mos për tjetër, atëherë zgjerimi i BE-së në lindje, i udhëhequr nga Britania, zvogëloi sensin francez të të qenit një faktor i pazëvendësueshëm. Qendra evropiane e gravitetit u zhvendos në Berlin dhe, gjatë dekadës vijuese, Gjermania e luajti rolin e saj shumë më mirë sesa Franca. Për këtë shkak, për disa njerëz në Paris, mendimi i kthimit te një model 'thelbësor' evropian, ishte joshës: një grup intim i cili i përmbahet vizionit të "etërve themelues" të viteve 1950. Kjo nuk do të largohet. Bota ka ndryshuar. Evropa ka ndryshuar. Forcat të cilat e kanë potencialin që ta rrezikojnë atë, nuk janë zhdukur, duke filluar nga Moska e deri në Ankara, nga lëvizjet e forcuara populiste e deri te bota kibernetike, nga migrimi e deri te ndikimet e shumta të një globalizimi të parregulluar. Por, përkundër të gjithave, Brex-it do të paraqesë ndarjen e parë evropiane brenda 60 vjetësh, një plagë pasojat përfundimtare të së cilës ende nuk i kemi kuptuar. 

Një dritare tjetër e mundësive

Britania është e tronditur nga polarizimi dhe ndarjet e brendshme, por ajo mbetet një vend i fortë demokratik, duke bartur vlera të cilat sot zor se mund të konsiderohen si të gatshme (të dhëna). Duke pasur parasysh këtë, Franca dhe Britania kanë përgjegjësi të veçanta, jo vetëm në OKB, ku është duke u rrezikuar vetë parimi i bashkëpunimit ndërkombëtar. Disa nga ata që mendojnë se Brex-it mund të bëhet që të funksionojë, do të besojnë se të çarat në rendin liberal, që do të shkaktohen nga ai, do të mund të tejkalohen. Por, do të ketë një kosto për këtë. Si mbështetësit e autoritarizmit, po ashtu edhe fanatikët, janë duke pritur që të përfitojnë. Nëse Macron me të vërtetë është shpëtimtari i Evropës, sikur që dëshiron të jetë, atëherë ai duhet të thotë diçka që të ndihmojë në parandalimin e Brexit-it. Pse të mos përdoret elokuenca dhe guximi i tij? Verën e ardhshme mund të hapet një dritare tjetër e mundësive, pasi që do të bëhet gjithnjë e më e qartë se Brexit thuajse është detyrë e pamundur, si në aspektin e madhësisë, po ashtu edhe në aspektin kohor. Kjo nuk d.m.th. që Franca duhet që të angazhohet për sigurimin e kushteve, apo lëshimeve për Britaninë, meqë një gjë e tillë, thjesht, nuk do të ndodhë. Në kuadër të bisedimeve Brex-it, BE-ja është e përqendruar që ta ruajë veten si tërësi, ku përfshihet edhe një "jo" e madhe ndaj një marrëveshjeje, e cila do të mund ta transformonte tregun e përbashkët në një djathë me plot bira. Në vitin 2016, Barack Obama, njeri të cilin Macron preferon që ta imitojë në shumë aspekte, mbajti një fjalim në Hanover, duke mos iu drejtuar qeverive, por "popullit të Evropës". Bie në sy fakti që, derisa liderët e Evropës vazhdojnë që të flasin rreth "unitetit", ata në fakt janë të përqendruar te votuesit e tyre të brendshëm. Macron ka dëshmuar se ai mund të shikojë edhe përtej. Pse të mos arrijë mesazhi i tij edhe deri te populli britanik, në këtë moment historik? Pse të mos thotë: do të donim që ju të rrinit, ne nuk duam që të përfitojmë nga largimi juaj, e as nuk duam t'ju dëmtojmë. Dhe, pse të mos thuhet se ne, si të bashkuar, ende mund të bëjmë shumëçka? Pse të mos thuhet se: disa nga trendët që çuan deri te Brexit-i, sikur që është pabarazia dhe një tërësi e ndarë sociale, janë probleme me të cilat duhet të ballafaqohet edhe Franca dhe vendet e tjera evropiane? Pse të mos kalohet edhe te historia, ku shpëtimi i Francës ishte bërë i mundur vetëm falë guximit britanik dhe tani, gati 80 vjet më pas, të demonstrohet edhe guximi francez? Po, kjo qasje i ka rreziqet e veta. Mbështetësit e zjarrtë të Brexit-it do të ankohen për 'përzierje nga jashtë', sidomos kur një gjë e tillë vjen nga 'francezët tinëzarë'. E majta radikale me gjasë do të bëjë me gisht kah e kaluara bankare e Macron'it. Shumë britanikë me gjasë vetëm do t'i rrudhin supet. Por, shumë edhe do ta rishqyrtonin qëndrimin e tyre, duke parë ndoshta se Brexiti nuk është i domosdoshëm. Çka mund të humbë Macron? Aktualisht, një fjalim i tillë nuk mund të mbahet nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, meqë ajo është e preokupuar me pasiguritë e brendshme. Derisa gjermanët ende të pasigurt rreth zgjedhjes që kanë bërë, planet e Macronit për reforma në eurozonë kanë pak të ngjarë që të realizohen gjatë vitit të ri, nëse realizohen ndonjëherë. Por, ai me të vërtetë mund të bëjë ndryshim, bile një ndryshim të rëndësishëm, duke u bërë zëri i parë i fuqishëm evropian, që angazhohet për ndaljen e katastrofës së përbashkët, të quajtur Brexit. Nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë viti 2018 do të jetë një rrëfim franko-britanik i suksesit, e jo një shkurorëzim si mos më keq. "En marche" për këtë!

(Kosova Sot)

22 orë e 48 minuta më parë
23/05/18