Ky milet po shikon seri - Opinione - Kosova Sot
Ky milet po shikon seri

Ky milet po shikon seri

Sekretet e ruajtura enkas për ditën e sotme 

Shteti zemërgjerë apo shumë demokrat i jep leje që një TV t'ia marrë të gjitha sekretet të burgosurit për vepra të rënda - vrasje, dëshmi të ruajtura në fashikuj të mëdhenj nga ana e tij. Tash shpërndamë "pak miza" nga ajo "Galeria e tymnajës", nëpër ambientin tonë të papastër. Deri më tash këto të dhëna kanë qenë embargo për prokurorinë dhe gjithë sistemin?! Kjo tregon dhe e vërteton para gjithë botës, se, këtu nuk ka pasur as nuk ka drejtësi.

Nasradini apo Para-Prokurori parasheh motin

Bien njëra për ta harruar tjetrën. Kështu ka vijuar kaherë vargimi i të gjitha shfaqjeve politiko - partiake - individuale, po thuaj anarkiste shoqërore - dramatike në këto terrene, herë-herë me shumë rrezik për kanosje permanente të asaj që është krijuar deri më tash në këtë vend. Tash më duket se të rrotullohen, jo zorrët, por mendtë. Po, mirë kur të përzihen zorrët, dije se të përzihen edhe mendtë. Diçka të vjen për të vjellë. Diçka që s'e duron as organizmi, jo në inercion, po nga një shije e athtë e shumë e fortë. Shikimi dhe dëgjimi i gjërave në televizionet tona, konkretisht në TV- Klan Kosova, jo veç për paragjykimet dhe dëshmitarët e mbrojtur në vend të Prokurorisë dhe Prokurorit të Gjykatës Speciale. Përgjegjësi i këtij televizionit na sjell diçka që nuk mund ta marrësh me mend në këtë kohë. Një reportazh (jo), një spektakël kulturor (fare), një rezyme e disa punëve juridike - gjyqësore të kryera me sukses (jo). Kush e di?! Kjo është me siguri diçka e re. Një lloj ngjashmërie e ngjyrave të jurisprudencës shqiptare në këtë shekull, i paraqet si tellalli i kohës së feudalizmit të hershëm. Sigurisht, po të ishte shfaqur para më shumë kohe, do të pranohej si një version që mund të shfaqet në media. Ndoshta do të shënohej edhe si kontribut për organet përkatëse. Por jo, sa për t'u biseduar për këtë çështje nëpër kafene e ndeja djerraditësish. Sa për t'ua kapllaisur trutë qytetarëve tanë. E sa për t'i mbushur faqet e gazetave, orët e televizioneve...Po kjo në këtë kohë pikë si diçka që, do të thotë se, ajo Prokurori dhe ai Prokuror nuk ka bërë asgjë deri më tash, ose ka krejt tjerë dëshmitarë edhe TV- Klan Kosova është një Para-Prokuror dhe ia dedikon të gatshme Prokurorit të Gjykatës Speciale shumë dëshmi të tjera...Ky përgjegjës i këtij televizioni më ka habitur, jo për çka ka sjellë për opinionin, por atë çfarë do të kompozojë dhe ndërlidhë në aferat më të ndjeshme, sikur janë vrasjet. Po më duket, vërtet , drejtori i TV Klan-it i "ka rrënjët e thella", që ta dramatizojë këtë punë aq panjerëzishëm e shumë të rrezikshme në shoqërinë tonë edhe ashtu të brengosur e me halle të ndryshme. 

Dëshmitari akrobatik apo dështak

Ky dëshmitar i sotëm - i burgosuri i kahershëm për krime të rënda, si iu dha rasti që të flasë për të tjerët në këtë kohë? Pse të gjitha dëshmitë (nëse i ka dhënë me kohë), nuk iu morën parasysh? Si është e mundur njeriu i burgosur për vepra penale - vrasje me pagesë, të merret në intervistë për të dëshmuar (pas dënimit me 30 vjet burg), ai deri më tash këtu në Kosovë ishte i burgosur. Me disa tuba (fashikuj ) dokumentesh, bën reklamat me emra e mbiemra. Kjo është spicë për të ndezur inatet dhe për të nxitur urrejtjet familjare e qytetare në mes shqiptarëve, edhe atëherë kur ndoshta do të ishte diçka krejt relative. Kësaj i thonë e kurdisur apriori për të marrë kahe tjetër dhe dimensione tjera çështja...Ndoshta tash ka mundësi ky dëshmitar t'i hedhë të gjitha. Ndoshta gënjen. Ndoshta regjinë ia ka bërë dikush tjetër. Përralla për media do të ishte e mundur në një kohë tjetër e më ndryshe se sot. Televizioni bën të gjurmojë e hetojë, por jo edhe të merret me të tilla intervista, nga persona të pa definuar e subversivë, e të udhëheqë zotëria e tij një Para-Prokurori nga studio e tij!...

Eh, këta janë njerëzit tanë që t'i rrotullojnë zorrët

E para që duhet të them kësaj herë është se, këta zotërinjtë i kanë fajet vetë. Në vend se të akuzohet Serbia dhe individët që kanë bërë krime dhe sillen vërdallë këtij terreni, nuk e kanë bërë deri më tash. Asnjë padi, veç fjalë njëri-tjetrit i kemi treguar. Asnjë gjykatë ndërkombëtare e asnjë gjykatë vendore, sa shihet nuk ka ndonjë pasqyrë të lëndëve kriminale të kryera gjatë kësaj lufte te ne në Kosovë. Çka bëjnë ata këshilltarë dhe çka u sugjerojnë Kryetarit të vendit, kryetarit të kuvendit, kryeministrit dhe të tjerëve. Këto janë dy decenie. Krimet në njerëz - askund. Krimet në ekonomi - asgjë. Njëherë është thyer pusulla me një yll për Kosovën. Herën tjetër me mospranimin në Organizatat botërore, si në UNESCO, pastaj, pranimi i Demarkacionit me M. e Zi dhe nënshkrimi pa pyetur opinion e gjerë i një vije kufitare; pranimin dhe nënshkrimin për bashkësinë e komunave serbe, që të sigurojë Serbia një minirepublikë në veri të Kosovës; është dashur t'i drejtohen opinionit publik, institucioneve, partive për ngushticat që duhet të kalohen.

E kanë pasur në dorë krejt çka është dashur

Krejt çka ndodh në këtë kohë nuk mund ta hedhim fajin diku tjetër, para se ta përkujtojmë faktin se, vetë ne jemi përgjegjës për neglizhencë të gjatë kohore. Ky milet po shikon seri. Sepse, ka pasur besim te njerëzit e vet, te ata që quhen shqiptarë dhe e udhëheqin shtetin e shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Kjo ndodhë në historinë e shek. XXI. Prandaj, konsiderohet si mënyrë shumë paqësore dhe me vetëdije të plotë qytetare. Prijësit me partitë e tyre janë konsideruar si mbrojtës dhe planifikues të ardhmërisë së këtij vendi. Me sistem juridik. Ata i kanë pasur të gjitha masat në duar të tyre. Ata kanë pasur të gjitha resurset ekonomike e financiare në duar e veta; edhe resurset njerë- zore institucionale dhe individuale, të cilat kanë mundur t'i angazhojnë dhe t'i stimulojnë sa herë që është dashur. Të shkruajnë ankesa për gjenocid nga Serbia që u është bërë shqiptarëve në njerëz; të shkruajnë ankesa në çështjen materiale - ekonomike që i është bërë Kosovës në përgjithësi. Ata e kanë pasur Akademinë, të shkruajnë libra në gjuhë të huaja; ata e kanë pasur Institutin e Historisë - Albanologjisë; Universitetet Publike; Ata i kanë pasur shkrimtarët, publicistët dhe filozofët që kanë mundur të jenë njerëzit më eminentë në Kosovë e në tokat shqiptare, por edhe në diasporë. Klasa sundimtare e kanë pasur edhe buxhetin e Kosovës, donatorët dhe ndihmësit tjerë.... Këtë s'e kanë bërë...S'kemi ditur? S'kemi pyetur? Apo jemi robër të një egoizmi total.

(Kosova Sot)

11 orë e 29 minuta më parë
22/02/18