Një ide e mirë gjermane për vitin 2018 - Opinione - Kosova Sot
Njė ide e mirė gjermane pėr vitin 2018

Njė ide e mirė gjermane pėr vitin 2018

"LUFTA" FRANKO-GJERMANE 

Zyrtarët gjermanë përshëndesin çdo propozim nga qeveria franceze, duke ia llogaritur mendërisht kostot e tyre taksapaguesve gjermanë

Shkruan: YANIS VAROUFAKIS

Deri në vitin 2016, gati të gjithë evropianët kishin kuptuar që politikat radikale dhe reformat institucionale janë thelbësore për ta rigjallëruar projektin evropian. Reformat serioze ende pengohen nga mosmarrëveshje të zakonshme lidhur me atë se çka duhet bërë - gjë që presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron e kishte përshkruar si "lufta e shenjtë" mes elitave gjermane dhe franceze. Viti veç sa mbaroi, dhe u përshkua nga zgjedhja e një presidenti francez sipas qejfit të kancelares gjermane Angela Merkel, gjë që demonstroi se, tashmë nuk ka rëndësi se kush udhëheq në Berlin e në Paris, ose se sa shumë e pëlqejnë ata njëri-tjetrin. "Lufta e shenjtë" vazhdon, madje edhe nëse raketat me të cilat njëra palë shkatërron propozimet e tjetrës mbështillen me pëlhurë diplomatike. Në zemrën e kësaj lufte franko-gjermane është përplasja mes dy koncepteve: përkushtimit gjerman për të korrektësi kundër dobësisë së Francës për rishpërndarje. Zyrtarët gjermanë përshëndesin çdo propozim nga qeveria franceze duke ia llogaritur mendërisht kostot e tyre taksapaguesve gjermanë. Dhe, pas çdo kundër-propozimi të tyre, zyrtarët francezë shohin ndonjë dredhi për t'u fshehur prapa rregullave në atë mënyrë që elitat gjermane të marrin 'tortën' e tyre dhe ta hanë atë. Rrëshqitja e vazhdueshme e Evropës kah ngecja e diskreditimi, është rrjedhoja e natyrshme e saj.

Qorrsokaku i Evropës

Ndoshta insistimi gjerman për korrektësi është i drejtë, megjithëse jo në kuptimin që zyrtarët gjermanë e kuptojnë. Unë nuk mundem, me një ndërgjegje të mirë, të mbaj anën e njëjtë me ndonjë ithtar grek, italian apo francez të rishpërndarjes nëse propozimet e tyre dhunojnë parimet e korrektësisë. Të bësh atë që është e drejtë, padyshim, që është më mirë se të bësh atë që është e gabuar, por e përshtatshme. Por, atëherë shtrohet pyetja: cila është gjëja e duhur për t'u bërë? Dhe qysh mund të pajtohemi për ndonjë përgjigje, duke pasur interesa të ndryshme, dispozicione të ndryshme e po ashtu edhe prapavijë të ndryshme kulturore? Një gjë është e sigurt: ne kurrë nuk do ta kuptojmë korrektësinë si duhet nëse udhëhiqemi vetëm nga 'interesat' tona. Qorrsokaku i Evropës është kryesisht shkaku i ngecjes mes dëshirave, objektivave e shqetësimeve kundërshtuese: frikët e gjermanëve për një rend greko-latin gjithnjë do të ndjellë frikët e Francës për një perandori gjermane, dhe anasjelltas. Por nëse dëshirat dëmtuese çojnë në një qorrsokak, dhe dështojnë të zbulojnë rrugën e drejtë, atëherë ku qëndron çelësi i korrektësisë? "Të gjithë duhet t'i kryejmë detyrat tona" - një replikë goxha gjermane - vetëm sa e zhvendos mosmarrëveshjen në një plan tjetër, ku ne pafundë- sisht debatojmë për detyrimet tona. Të gjithë të çmendurit me pushtet, në fund të fundit, besonin që po e bënin detyrën e tyre. Kështu që, pyetja që shtrohet është kjo: "Qysh mund ta dijë se cilat janë detyrat e mia?" Një përgjigje teiste është e papranueshme, marrë në konsideratë krimet monstruoze që u bënë nga fanatikët e bindur se po e përmbushnin një detyrim hyjnor.

Shkurtimet strategjike të pagave

Përgjigjen më të mirë e kam gjetur në Gjermani: te Imannuel Kanti, që të jem më i saktë. Për Kantin, që kishte telashe në ridefinimin e etikës në një epokë të re të shoqërive të tregut, detyra jonë mundet dhe duhet të deduktohet nga kapaciteti ynë për racionalitet. Jo në shijet personale, që janë të ndryshme dhe nuk ofrojnë rrugë të sigurt drejt lumturisë apo virtytit, detyrimet mund të dalin nga një mekanizëm logjik, i përbashkët për të gjithë njerëzit. Të jesh racional nënkupton më shumë se thjesht të jesh i aftë që të vendosësh mjetet e tua në mënyrë efikase në mënyrë që t'i mbërrish qëllimet tua. Të gjitha sojet e kafshëve janë të afta që të përdorin mjetet në dispozicion për të arritur qëllimet e caktuara. Por, njerëzit janë unikë, ngulmonte Kanti, sepse, për dallim nga qentë dhe macet, ne mund t'i kalojmë dëshirat tona përmes gjykimeve racionale. Ne mund të pyesim veten, "Unë e pëlqej X-in, por a duhet ta bëj?" Dhe mund të përgjigjemi, "Është detyra ime të bëj Y-in, ani që Y-i me gjasë do të më çojë në një rrjedhojë të papëlqyeshme për mua, marrë parasysh pritjet e asaj që njerëzit presin që unë të bëj." Por nëse shenja e një personi racional është aftësia e tij që të veprojë sipas arsyes duke e transcedentuar analizën e çmim-përfitimit, qysh mundet detyra ynë racionale të deduktohet paanësisht, dhe e çliruar nga ndikimi i interesave apo paragjykimeve personale? Kanti na jep një shembull të famshëm: Gjuha është ajo që na dallon neve nga speciet e tjera; pa të, ne jemi thjesht kafshë. Megjithëse të gënjesh shpesh shpaguhet mirë, nëse të gjithë do të gënjenim gjatë gjithë kohës, gjuha do të bëhej e papërdorshme. Njerëzit racionalë, përfundon Kanti, duhet të pranojmë se e kanë për detyrim që të përmbahen nga praktika që, nëse adaptohet nga secili menjëhershëm, do të prishte shpikjen tonë më të çmueshme (gjuhën). Asnjë zot nuk është i nevojshëm, e asnjë moralizim nuk kërkohet, që të demonstrojmë detyrimin tonë për të thënë të vërtetën. Një arsyetim praktik mjafton: Në një botë ku të gjithë gënjejnë është ajo në të cilën racionaliteti njerëzor, që varet krejtësisht te gjuha, vdes. Kështu që, është detyra jonë racionale që të themi të vërtetën, pavarësisht përfitimeve që sjell të gënjyerit. E përdorur te shoqëritë e tregut, ideja e Kantit nxjerr konkluzione fascinante. Reduktimet strategjike në çmime duke e kufizuar një garues nga kalimi i testit të detyrave racionale (për aq gjatë sa çmimet nuk bien nën koston e përballueshme). Në fund të fundit, duke prodhuar sasi maksimale në çmime minimale është grali i shenjtë për çdo ekonomi. Por, shkurtimet strategjike të pagave në nivelet më të ulëta të mundshme nuk mund të jetë racionale, sepse rezultati do të jetë një kolaps katastrofal, shkaku i zhdukjes së kërkesës së përgjithshme. 

Reformimi i Evropës

Duke iu kthyer Evropës, parimet e Kantit nënkuptojnë detyrime të rëndësishme për qeveritë dhe politikat. Dhe Gjermania e Franca do të ishin përgjegjëse për braktisjen e detyrave të tyre për të mbajtur funksionale Evropën. Nëse tepricat e Gjermanisë, tash për tash që arrijnë deri në 9% të GDP-së, do të univerzalizoheshin, me çdo qeveritë e çdo shteti anëtar, sektorin privat, euroja do të shkonte në kulm, duke shkatërruar prodhimtarinë e mbarë Evropës. Barazisht, deficitet greko-latine do ta kthenin Evropën në një rast koshi. Triku, dhe detyra jonë racionale është të përqafojmë politikat dhe të ndërtojmë institucione që janë konsistente me një tregti të balancuar dhe me rrjedhën financiare. Thënë ndryshe, korrektësia autentike gjermane nuk mund të arrihet pa një formë të rishpërndarjes që është e paevitueshme të përplaset me interesat e, të themi, oligarkisë franceze e greke, shumë të llastuara për të pranuar paqëndrueshmërinë e tyre. Një kritik i kësaj ideje gjermane për të reformuar Evropën mund të pyes me shumë të drejtë se pse çdokush duhet të kryej detyrën racionale, e të mos mbetet në rrugën e tyre të interesave të ngushta? E vetmja përgjigje e zëshme është: sepse nuk ka asnjë alternativë racionale. Ose, se alternativat janë të gjitha hipokrite

(Yanis Varoufakis, ish ministër grek i financave, është profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

18 orë e 53 minuta më parë
21/02/18