Ja pse nuk mund të ribëhet LDK-ja!

Ja pse nuk mund të ribëhet LDK-ja!
  • 04 August 2015 - 08:01

Shkruan: Florim Zeqa

Një parti që po fundoset

LDK-ja Rugoviane nuk ekziston më, ajo tashmë i takon historisë 

Ideologjia hyjnore dhe filozofia politike rugoviane brenda subjektit të LDK-së është venitur, është shndërruar në një diktaturë tipike komuniste, shkaku i udhëheqjes djallëzore të grupeve të interesit, kur në njërën anë thirren në filozofinë rugoviane, ndërsa në tjetrën bashkëpunojnë me varrmihësit e kësaj filozofie

Me qëllimin që lexuesi të kuptojë më lehtë dhe më qartë mesazhin e këtij shkrimi, po e filloj me një thënie mbi ideologjinë si koncept shkencor, nga veprimtari (kryetari) i NDSH-së, i ndjeri Rexhep Bunjaku: "Ideologjia mund të jetë hyjnore, por nëse atë ideologji hyjnore e zbaton në jetë një Jo-njeri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji djallëzore, dhe anasjelltas-nëse një ideologji djallëzore e zbaton në jetë një njeri i frymëzuar me humanizëm e dashuri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji hyjnore". Kështu, ideologjia hyjnore dhe filozofia politike rugoviane brenda subjektit të LDK-së është venitur, është shndërruar në një diktaturë tipike komuniste, shkaku i udhëheqjes djallëzore të grupeve të interesit, kur në njërën anë thirren në filozofinë rugoviane, ndërsa në tjetrën bashkëpunojnë me varrmihësit e kësaj filozofie ! Nuk po kthehemi më mbrapa, po fillojmë nga kuvendi i VIII-të zgjedhor, kur lideri diktatorial i LDK-së para se të përzinte gazetarët nga brendia e hotelit, ku mbahej kuvendi, fillimisht dha urdhër për mbylljen e derës delegatëve nga Diaspora, të ardhur nga degët e LDK-së-Zvicër e Gjermani, të zgjedhur në mënyrën më demokratike të mundshme. Atyre iu mbyll dera për një arsye të thjeshtë: prezenca e tyre në Kuvend do t'u jepte kah demokratik punimeve të Kuvendit, gjë të cilën nuk e deshi diktatori Mustafa me sejmenët e tij.

Mustafa u zgjodh pa asnjë kriter

demokratik Isa Mustafa me këtë akt, me vetëdije të plotë e ka fundosur partinë në krye të së cilës u zgjodh pa asnjë kriter demokratik, sikurse në Korenë e Veriut, me aklamacion (votën e hapur) të delegatëve të klonuar e ripushtoi edhe një herë kalanë e LDK-së, ngufati lirinë e shprehjes, varrosi vullnetin e elektoratit për ndryshime,...varrosi përfundimisht frymën rugoviane në subjektin e besës dhe shpresës shqiptare. LDK-ja rugoviane nuk ekziston më, ajo tashmë i takon historisë. Këtë realitet e ka kuptuar më së miri vet ai (Isa Mustafa), i cili ditëve të fundit rehabilitimin politik është duke e kërkuar tek familja e presidentit Rugova. Në nomenklaturën e këtij subjekti kanë mbetur vetëm mbeturinat komuniste, një strukturë profiterësh politikë. Edhe pse tepër e ithët, kjo është e vërteta në të cilën është katandisur amaneti rugovian-LDK-ja. Edhe kryetari i nderit të LDK-se, zoti Fatmir Sejdiu (me) pa dashje i dha mbështetje Isa Mustafës, për vetë faktin e tërheqjes nga kandidatura dhe mospërkrahja e asnjë kandidature tjetër. Kjo nuk i falet kryetarit të nderit, ishte rasti i fundit për të bërë kthesë pozitive,...me këtë veprim anashkaloi vullnetin e elektoratit dhe "dogji" pamëshirshëm disa nga mbështetësit e tij!

Rënie dhe tkurrje enorme deri në vetëshkatërrim

Ata të cilët mendojnë në ripërtëritjen e LDK-së, do të zhgënjehen akoma më keq në të ardhmen,...LDK-ja rugoviane e ikur në përjetësi me 21 Janar 2006, u varros me 31 Maj 2015 nga Isa Mustafa dhe sejmenët e tij.. Ashtu siç nuk mund ta krijojmë një person imagjinar që do ta zëvendësonte hyjnorin Rugovë, ashtu nuk mund ta ribëjmë një LDK të re rugoviane. LDK-ja rugoviane shënoi epokën e lavdisë kombëtare, lideri historik Ibrahim Rugova e kreu me sukses misionin e tij profetik në krijimin e shtetit dhe shpëtimin e popullatës shqiptare nga shfarosja barbare serbe. Të gjithë ata që mendojnë për "ribërjen" dhe reformimin e LDK-së me Isa Mustafën në krye të saj, do të zhgënjehen keq, ngase pas rikapjes së këtij subjekti nga ana e diktatorit shpirtligë, LDK-ja nuk do të ketë rimëkëmbje por vetëm rënie dhe tkurrje enorme deri në vetëshkatrrim. Përderisa në krye të saj të saj të jenë njerëz të pabesë, shpirtligë dhe të padinjitetshëm, përderisa në kreun e saj të jenë klanet mafioze, zvarranikët dhe shpërdoruesit e të gjitha llojeve,...të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi çdo amanet dhe gjak për realizimin e interesave të tyre personale, dhe përderisa delegatët për kuvendeve zgjedhore shantazhohen dhe klonohen sipas shijes së liderit të partisë, LDK-ja jo vetëm që nuk do të ribëhet, ajo do të mbetët e pushtuar nga grupet e interesit, do të humbet e tretët pafundësisht. Do të jenë ta pamjaftueshme qindra shkrime, mijëra dhe miliona fjalë kundër kusarëve politik, sa do të ishte me vend një veprim i mençur dhe i përgatitur mirë me lektoratin për t'ua këputur rrënjët njëherë e përgjithmonë këtyre uzurpatorëve të lirisë sonë. Të mos presim kot nga drejtësia ndërkombëtare, nuk ka tribunal as gjykatë speciale që mund të bëjë më shumë se sa që mund të bëjmë ne për vetën tonë. Kot presim edhe nga "miqtë" ndërkombëtarë,...sikur t'i kishim pasur miq të vërtetë nuk do ta kishin mbajtur kaq gjatë Kosovën martire të kriminalizuar, të varfër dhe të getoizuar në zemër të Ballkanit dhe në mes të Evropës ! Kur e gjithë Kosova, qoftë në aspektin territorial dhe atë numerik mund të krahasohet me një rajon apo qytet mesatar të Evropës së zhvilluar. Kjo e shtron nevojën imediate për ndryshime substanciale në politikë-bërjen dhe qeverisjen e këtij vendi. Në të kundërtën e rrezikojmë në mënyrë serioze të ardhmen e shtetit tonë! Çdo kohë i ka rrethanat dhe specifikat e veta, po ashtu edhe heronjtë e vet. Koha nëpër të cilën po kalojmë kërkon punë dhe angazhime tjera, kërkon heroizma në luftimin e dukurive të shumta negative brenda shoqërisë sonë, heroizma në ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik. Në fund të këtij shkrimi autorial e ndjej të nevojshme të sqaroi opinionin publik për një gjë; nuk kam dhe as që kam pasur ndonjëherë probleme personale me liderin aktual të LDKsë, zotin Isa Mustafa. E kam përkrahur kur ishte për t'u përkrahur, siç ishte rasti në zgjedhjet lokale të 2013-tës, kur i dhashë mbështetjen maksimale duke besuar në fjalët e një burri të pjekur, në premtimet e një akademiku për reformimin e partisë,....sikurse tani që e kritikoi ashpër për dështimet (e qëllimshme) në arritjen e reformave, mashtrimet dhe veprimet shkatërruese ndaj LDK-së rugoviane. Nuk ia dua të keqen Isa Mustafës dhe as familjes së tij, por më shumë se të mirën e tij personale e dua të mirën e përgjithshme të popullit tim.