Kur tiparet tona hyjnë në fazën e harresës kolektive! - Opinione - Kosova Sot
Kur tiparet tona hyjnë në fazën e harresës kolektive!

Kur tiparet tona hyjnë në fazën e harresës kolektive!

Shkruan: SKËNDER MULLIQI

Po shemben vlerat njerë- zore, po depërtojnë antivlerat

Të largohen nga postet e larta dhe të vogla të gjithë ata të cilët kanë rënë ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Ndryshimi i gjendjes të bëhet duke i ruajtur me çdo kusht normat demokratike të sjelljes, paqen, sigurinë dhe stabilitetin

Dallimet politike dhe dallimet ekonomike -sociale kanë hyrë nëfazën kritike në Kosovë. Shqiptarët shquheshin si njerëz të vyeshëm, të dobishëm për familje, për shoqëri, të dashur për njëri- tjetrin e shumëçka pozitive, të cilat tipare kanë hyrë në fazën e harresës kolektive! Shqiptarët ishin popull tolerant e pak kanë mbetur. Ngadalë po shemben këto vlera njerëzore, po depërtojnë antivlerat , urrejtja ...Këto po bëhen gjithnjë më haptazi dhe po bëhen edhe të rrezikshme. Gjithnjë e më shumë po i përqafojmë të këqijat si kriminalitetin, korrupsionin e dukuritë e tjera negative. Kjo po depërton në mentalitetin tonë që është fatkeqësi edhe më e madhe. Më shumë po kthehemi mbrapa.

Burokratë e të korruptuar

Nuk po mendojmë dhe as nuk po veprojmë në mënyrë racionale. Më shumë po kemi histori sesa demokraci, dhe kjo nuk flet hiç mirë për gjendjen në shoqëri. Urrejtja e ndërsjellë është duke lëshuar rrënjë në gjendjen tonë morale. Nuk është shumë vështirë të konstatojmë se cilët janë fajtorët e një gjendjeje të tillë. Pushtetet e deritashme, por edhe ne të gjithë. Gjendja në Kosovë po shkon kah banaliteti. Kjo nga fakti se gjendja po keqësohet. Resurset shoqërore dhe pasuritë e tjera po vazhdohet të keqpërdoren me të madhe. Konfrontimi i negativiteteve shoqërore sigurisht se nuk kalon pa pasoja. Pse përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë nuk po reagojnë më zëshëm dhe më fuqishëm për t'i kapërcyer më shpejt vështirësitë e tranzicionit, po ashtu izolimin dhe varfërinë ekstreme… ? Nuk po reagojnë se disa nga ta janë burokratë, disa nuk po reagojnë pse janë korruptuar, disa nuk po reagojnë nga fakti se në Kosovë nuk ka konfrontime të armatosura, e disa nuk po reagojnë se do të dëshironin ndoshta ngatërresa të mëdha, që Ballkani prapë të bëhet mjet i lojërave gjeostrategjike. Ku është dalja? Që opozita qytetare të them ashtu të marrë nisma, që me metoda të reja politike ta kontrollojë punën e pushtetit!

Ta ndërtojmë shtetin ashtu si na e kanë lënë amanet shumë martirë

Jeta politike të bëhet në atë mënyrë që shoqëria mos të rrëshqasë në neofashizëm, i cili shumë ka gjeneruar !Të largohen nga postet e larta dhe të vogla të gjithë ata të cilët kanë rënë ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Ndryshimi i gjendjes të bëhet duke i ruajtur me çdo kusht normat demokratike të sjelljes, paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Qytetarëve të Kosovës u duhet një energji e re shumë më pozitive, e jo të preferohet heshtja e madhe karshi problemeve, të cilat lidhen me jetën. Lufta për avancimin e proceseve demokratike, lufta për zhvillim dhe mirëqenie, lufta për të dalë nga izolimi është detyrë patriotike e secilit prej nesh, nuk është punë vetëm e pushtetit. Rruga Euroatlantike e Kosovës nuk ka alternativë, sikurse nuk ka alternativë se duhet ecur guximshëm përpara për t'i shpërthyer të gjitha barrierat. Të promovojmë shtet, ku qytetari të jetë sovrani. Të promovojmë shtet, ku qytetari të trajtohet -NJERI në kuptimin e plotë të fjalës!Kjo është rruga më e shëndetshme për shtetin. Ta ndërtojmë shtetin ashtu si na kanë lënë amanet shumë martirë dhe dëshmorë të kombit, të cilët po prehen në çdo cep të Kosovës. Sigurisht se na duhet një Kosovë më ndryshe, shumë më e avancuar dhe më e zhvilluar në të gjitha drejtimet e jetës dhe të punës. Të gjithë duhet të jemi shumë më seriozë në punën të cilën e bëjmë. Mos t'i koritim të parët tanë. Nuk jam i sigurt së kur do të bëhemi shumë më seriozë, por, megjithatë, le të mbetet e shënuar… 

(Kosova Sot) 

4 orë e 48 minuta më parë
14/11/18