Emmanuel Macron ka pasur sukses aty ku të tjerët kanë dështuar - Opinione - Kosova Sot
Emmanuel Macron ka pasur sukses aty ku tė tjerėt kanė dėshtuar

Emmanuel Macron ka pasur sukses aty ku tė tjerėt kanė dėshtuar

Shkruan: NICOLAS COLIN

NËSE ARRIN SUKSES, ATËHERË AI DO TA NDRYSHOJË DREJTIMIN E FRANCËS, PËR TË MIRË

Në Francë shpesh ndodh që ndryshimet e vogla ta kenë ndikimin më të madh

Por, atij i duhet që të mendojë në mënyrë strategjike, nëse dëshiron me të vërtetë që të jetë një president transformues

Votuesit francezë preferojnë liderët revolucionarë. Që nga zgjedhja e Valéry Giscard d'Estaing si president në vitin 1974, kanë qenë të pakta zgjedhjet në Francë, presidenciale, apo legjislative, që janë fituar nga politikanët që nuk kanë premtuar ndryshime radikale. Në këtë aspekt, as Emmanuel Macron nuk bën përjashtim. Dallimi i tij është se, si një i sapoardhur në skenën politike, pa mbështetjen e partive tradicionale, ai mishëroi ndryshimet derisa i predikonte ato. Por, a mundet Macron që të bëjë më shumë, sesa që t'i zhgënjejë votuesit, sikur që kanë bërë paraardhësit e tij në post? Ka shumë dyshime rreth suksesit të tij. Së pari, shteti francez nuk është ai që ishte dikur. Deri në mesin e viteve 1980, presidenca thuajse kontrollonte në tërësi ekonominë e vendit, si private, po ashtu edhe atë publike. Tani, derisa shteti është në tërheqje, derisa kemi një rritje të fuqisë së BE-së dhe një ekonomi më të globalizuar di dhe një mosbesim të gjerë ndaj qeverisë, pallati Elize është hija e asaj që ishte dikur. Për më tepër, imazhi i Macronit si një pragmatist që nuk ndikohet nga ideologjitë, mund ta pengojë atë në arritjen e ndryshimeve. Nëse ai është i vendosur për t'i bërë gjërat me çdo kusht, atëherë çka mund ta pengojë atë nga bërja e koncesioneve të tepërta, për hir të çuarjes përpara të reformave? Në anën tjetër, ka dëshmi që shkojnë në mbështetje të pikëpamjes se Macron do të ketë sukses. Së pari, përkundër retorikës së tij, presidenti është një insajder i konsumuar, që ka diplomuar në institucionet më prestigjioze dhe që ka pasur lidhje me nyjat kryesore të sistemit të pushtetit francez. 

Bota është duke ndryshuar me të shpejtë

Duke e njohur këtë sistem në mënyrë intime, ai kupton se sa e vështirë mund të jetë politikëbërja. Së dyti, në përpjekje për t'iu dhënë fund politikave tradicionale, Macron ka krijuar një lidhje të fortë me shoqërinë civile, sidomos me sektorin e bizneseve. Përkundër dyshimeve të përhapura rreth aftësisë së tij për të vepruar, janë të paktë liderët e biznesit të cilët dyshojnë te vlerat, apo përkushtimi i tij. Mbështetja e tyre do të jetë kritike përgjatë rrugës. Nuk ka dyshim se tani ekziston një nevojë e madhe që politikëbërësit të jenë imagjinativë. Gati një dekadë pas krizës financiare, është e qartë se recetat e vjetra nuk bëjnë më punë. Gjatë kampanjës parazgjedhore vitin e kaluar, Macron tregoi se është i aftë dhe e ka imagjinatën që kërkohet. Fatkeqësisht, janë të paktë ata këshilltarë dhe ministra të tij që kanë të përbashkët me të një të menduar origjinal. Kjo është një pengesë serioze. Nëse shoqëruesit e tij janë të gatshëm vetëm që t'i zgjidhin problemet e viteve 1970 dhe 1980 me zgjidhjet e viteve 1990 dhe 2000, atëherë Macronin e pret dështimi. Bota është duke ndryshuar me të shpejtë, kryesisht nëpërmes ekonomisë digjitale dhe ridistribuimit të fuqisë globale, sidomos në raport me Kinën. Për më tepër, pozicionimi strategjik është po aq kritik në politikë, sa është edhe në biznes. Shefat ekzekutivë të biznesit çdo çerekvit marrin vërejtjen se strategjia ka rëndësi dhe se duhet të përqendrohen, në vend se të ndjekin disa qëllime kontradiktore në të njëjtën kohë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe në politikëbërje. 

Ndryshimet efektive

Macron do të jetë president transformues nëse, për dallim nga paraardhësit e tij, operon me një qëllim të qartë e të thjeshtë në mendje, nëse është i përgatitur që të bëjë veprime kundër intuitës dhe nëse është i aftë që ta sigurojë vazhdimësinë e drejtimit të tillë në aspektin afatgjatë. Përfundimisht, duhet të kihet parasysh edhe hapësira e presidentit për të manovruar. Në Francë shpesh ndodhë që ndryshimet e vogla ta kenë ndikimin më të madh, në aspektin afatgjatë. I tillë ishte rasti në vitin 2009, kur krijimi i statusit "auto-entrepreneur" (autosipërmarrës) ndikoi në një rritje të papritur të vetëpunësimit. Macron së fundmi mbikëqyri një ndryshim i cili e bën legale që pacientët të konsultohen me mjekët e tyre në internet, një veprim i cili ka të ngjarë që të shkaktojë rritjen e pakontrolluar të kompanive fillestare në shëndetësi. Aktualisht një vëmendje e madhe është përqendruar te ndryshimet e niveleve të larta, te ligji i punës dhe shteti i mirëqenies sociale. Por, ajo që ka rëndësi më shumë, është se a do të arrijë Macron ndryshime efektive dhe të qëndrueshme në shumë sektorë. Nëse ai dështon, do ta zhgënjejë elektoratin dhe do ta forcojë revoltën populiste. Nëse arrin sukses, atëherë ai do ta ndryshojë drejtimin e Francës, për të mirë. 

(Autori është ish-shërbyes civil dhe bashkëthemelues i "The Family", një kompane investuese pan-evropiane)

(Kosova Sot)  

17 orë e 9 minuta më parë
19/02/18