VETTING-u real fillon me ndëshkimin e "elitës" së partive politike shqiptare - Opinione - Kosova Sot
VETTING-u real fillon me ndėshkimin e "elitės" sė partive politike shqiptare

VETTING-u real fillon me ndėshkimin e "elitės" sė partive politike shqiptare

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Partitë i bashkon pushteti, pazari, pasuria, paraja, vjedhja, krimi e korrupsioni

Partitë politike shqiptare ekzistojnë, por nuk funksionojnë. Kjo do të thotë se të ekzistosh dhe të mosfunksionosh do të thotë se ato janë të vdekura ose të paralizuara politikisht, juridikisht, demokratikisht dhe nga joliria

Themelet e partive politike shqiptare janë konsensuset dhe miqësitë e tyre të përbashkëta konspirative si: pushteti, pazari,pasuria, paraja, vjedhja, krimi e korrupsioni. Si "urrejtje" dhe konkurrencë mes tyre kanë vetëm garën për pushtet. Partitë politike shqiptare deri më sot kanë vepruar si grupe interesi që kanë "libreza" anëtarësimi duke bërë dhe zhbëre ligje si ua dëshiron interesi; duke bërë vjedhjen, krimin, mashtrimin, tradhtinë, korrupsionin dhe padrejtësinë si ua do po interesi i tyre. Pra këtu, te partitë duhet të bëhet VETTING-u së pari. Anëtarësitë e partive politike shqiptare ashtu si shoqëria në tërësi trajtohen nga kryetarët dhe lidershipet e tyre, si vegla sociale apo grupe proletaresh në funksion dhe për interesa të klikave dhe klaneve që i drejtojnë dhe i manipulojnë ato. Si shembull po marrim Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, si etalone politike autoritariste dhe regjimi partizan që është i njëjtë për të gjitha partitë politike shqiptare, si p.sh. edhe për LDK dhe PDK të Kosovës. Këtë model korruptiv, antidemokratik funksionimi partitë politike kudoshqiptare e trashëgojnë më së miri nga sistemi komunist në të cilin partia shtet ishte "pararoja" e proletariatit.

Rëniet e partive

Partitë politike shqiptare ekzistojnë, por nuk funksionojnë. Kjo do të thotë se të ekzistosh dhe të mosfunksionosh do të thotë se ato janë të vdekura ose të paralizuara politikisht, juridikisht, demokratikisht dhe nga joliria. A nuk është e vërtetë kjo p.sh. për Partinë Socialiste të Shqipërisë, e cila ekziston si parti anëtarësie me karta anëtarësimi, por të cilën e ka kapur dhe e përdor e ashtuquajtura strukturë e "Rilindjes", e kësaj elitë personale që erdhi si prurje dhe zgjedhje personale e kryetarit dhe e kryeministrit E. Rama, strukturë e cila është bërë e urryer dhe e neveritshme sot edhe për vetë PS-në, për kapacitetet e mëdha intelektuale dhe profesionale të saj dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi, për anëtarësinë dhe militantët e saj, madje disa prej tyre ishin ata të cilët më thanë që ta shkruaja një realitet të tillë. Kjo Rilindje nuk lindi në PS, por erdhi si përvojë dhe u mor si model nga Edi Rama prej Partisë Demokratike të Shqipërisë, nga ish-kryetari i saj, Sali Berisha, i cili nën maskën e Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP-it të famshëm) mashtroi elektoratin dhe sidomos anëtarësinë dhe militantët e PD-së në funksion të kapjes së plotë prej tij të PD-së, të politikës dhe të pushtetit e të drejtësisë prej individëve të zgjedhur, të preferuar, besnikë dhe të familjes së tij të ngushtë politike. Parti të tilla të cilat identifikohen dhe i nënshtrohen vullnetit të njëshit dhe të shpurës servile dhe korruptive rreth tij qëndrojnë "monolite"dhe janë të mëdha dhe të "forta" kur janë në pushtet , dhe në opozitë rrudhen dhe degradohen e shpërbëhen, siç ndodhi me Partinë Demokratike të Shqipërisë në vitin 2013, në vitin 2017 dhe me PDK-në e Kosovës në dy zgjedhjet e fundit atje, parlamentare dhe ato lokale.

Grabitja e buxhetit

Në Shqipëri dhe në Kosovë, pavarësisht ndërrimit të pushteteve, qarkullon po e njëjta elitë politike, po të njëjtët individë të shpërndarë nëpër partitë politike shqiptare. Elita politike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë është autorja e vetme, e cila ka penguar dhe bllokuar demokratizimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Partitë politike shqiptare, mbi 100 në Shqipëri dhe rreth 80 në Kosovë, shumica më e madhe dhe dërrmuese e tyre janë formacione organizativostrukturore false, pa anëtarë dhe vetëm me kryetarin vulëmbajtës, pra janë të panevojshme dhe krejtësisht parazitare, të cilat vetëm sa zhvatin e grabisin nga buxheti i shtetit paranë publike të taksapaguesve shqiptarë prej të cilave qytetarëve u vijnë skamje dhe varfëri shtesë. Politika, partitë politike, dhe pra elita e saj, janë bërë dhe kanë shërbyer si mundësi përfitimi, vjedhje, grabitje e korrupsion për t'u pasuruar; Partitë politike shqiptare janë akoma streha sigurie dhe mosndëshkimi nga drejtësia për politikanët dhe për pushtetarët e kriminalizuar ,të korruptuar, abuzues dhe hajdutë. Partitë politike shqiptare janë shtrati ku kultivohen kulturat e mashtrimit, të gënjeshtrave, të manipulimit me ligjin, me demokracinë, me patriotizmin dhe me integrimin; janë shtrati ku i hapet rruga e karrierës së amoralitetit, korrupsionit, ryshfetit, jomeritës, joprofesionalizmit dhe jopatriotizmit. Nëse dikush nuk është dakord me këto, atëherë do të kisha nja dy pyetje për ta se kush atëherë përveç politikës dhe partive politike janë shkaku i moszhvillimit dhe të moskonsolidimit demokratik, ligjor, i mosmirëqënies dhe i mosintegrimit të brendshëm dhe atij evropian, i papunësisë, i varfërisë, i drogës dhe i eksodit; i papërgjegjshmërisë, i paligjshmërisë dhe i padrejtësive në Shqipëri dhe në Kosovë? Dhe pyetja e dytë se: a nuk është domosdoshmëria kryesore sot për shtetin e Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe për shoqërinë shqiptare: VETTING-u i politikës, pastrimi dhe ndëshkimi për ta dëbuar nga politika dhe nga pushteti këtë elitë politike të keqe dhe të dëmshme?

(Kosova Sot) 

8 orë e 42 minuta më parë
19/02/18