Kontrata nuk iu ndërpre pronarit Blerim Devolli, përgjegjësit nuk penalizohen

Kontrata nuk iu ndërpre pronarit Blerim Devolli, përgjegjësit nuk penalizohen
  • 23 January 2018 - 08:31

Vjedhja milionëshe "SIM 2 SIM" amnistohet nga shteti i kapur

SHKRUAN: RAGIP GURAZIU

Për krimin më të madh ekonomik, të shkaktuar nga " Z- Mobile" i Blerim Devollit, 20 milionë euro, Prokuroria nuk po ka guxim të nisë një proces nga fillimi e deri në fund. Veç saj, as Policia, por edhe as Prokuroria e Kosovës dhe ARKEP-i nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete ndaj vjedhjeve të impulseve, që është bërë nga " Z-Mobile " në pronësi të Blerim Devollit. Se ka qenë Shyqri Haxha, ish-drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, që pati deklaruar se PTK-ja, nga " ZMobile" , përmes dukurisë së vjedhjes "SIM 2 SIM", ka humbur rreth 20 milionë euro nga vjedhja që ka bërë " Z-Mobile" i Devollit. Për të gjitha këto të këqija që iu bënë PTK-së, një faj të madh e mban Bordi i atëhershëm me Rexhep Gjonbalajn, që nuk ia ndërpreu kontratën Blerim Devollit. Edhe EULEX-i, Policia e Kosovës, e Prokuroria u frikuan apo më mirë thënë se ata dështuan dhe nuk patën guximin të hetojnë këto procese skandaloze ekonomike që kapin shumën qindra- milionëshe. Të gjithë ata që lejuan këtë skandal ekonomik po rrinë rehat apo po ndihen rehat, pasi dikush këtu i ka mbushur xhepat me para dhe me xhipa luksozë po shëtisin andej nëpër Kosovë e Shqipëri. Se heshtja e deritashme e Prokurorisë së Shtetit dhe organeve të tjera të hetuesisë tregon se drejtësia e Kosovës është e kapur nga partitë politike dhe e njëjta është e ndikuar nga politika ditore. Në secilin shtet të kishte ndodhur një aferë e tillë skandaloze, organet e drejtësisë do të merreshin urgjentisht me ndriçimin e rasteve të tilla, kurse këtu te ne po heshtet dhe kjo është për keqardhje dhe na tregon se sa na nevojiten reformat rrënjësore në sistemin e drejtësisë në Kosovë në Prokurori e në Gjyqësi. Nuk duhet të presim asgjë nga rezultatet e hetimeve dhe nga Prokuroria dhe gjykatat. Por, duhet të kërkojmë përgjegjësi institucionale për këto heshtje, duke filluar nga kryeministri dhe ministrat e atëhershëm nga ARKEP-i dhe nga Bordi dhe menaxhmenti i PTK-së.

Skemë skandaloze e vjedhjes

Disa po mendojnë se kaherë ka qenë dashur që t'i ndërpritet kontrata kompanisë "Z-Mobile", dhe kjo nuk ka ndodhur, pasi në çdo skemë, ku është i përfshirë vetë shteti, nuk ka guximin askush të hetojë. Ndonëse dihet botërisht dhe është skandaloze që përmes dukurisë se vjedhjes "SIM 2 SIM", PTK-ja i ka humbur rreth 20 milionë euro nga vjedhja që ka bërë "Z-Mobile" i Devollit, andaj nuk duhet që të çuditemi për heshtjen e Prokurorisë së Shtetit dhe as EULEX-it, të cilat nuk i kanë ndërmarrë veprimet për të hetuar këtë rast. Është e ditur se Qeveria e asaj kohe drejtohej nga Hashim Thaçi, i cili ishte në njohuri për manipulimet e "Z-Mobile", dhe u bë kinse asgjë nuk po ndodhte. Kjo, duke i shkaktuar PTK-së humbje milionëshe, rrjedhimisht, duke dëmtuar buxhetin e shtetit. Sepse, kemi të bëjmë me një skemë skandaloze të vjedhjes, ku janë të përfshirë nga ish-kryeministri dhe të tjerët, ndërsa nuk ka asnjë prokuror që ka guxuar ose guxon të hetojë këtë rast. Në këtë proces të zhvatjes milionëshe të parave të shtetit deri tash kanë dështuar sistemi i drejtësisë, sepse ende nuk është ngritur as ndonjë padi ndaj asnjë institucioni ose individi për të zbardhur këtë çështje dhe këtë aferë. Ndaj, besoj se është mirë që të sqarohet deri në fund kjo çështje nga ata që janë të thirrur që ta bëjnë këtë dhe në të njëjtën kohë edhe e kanë përgjegjësi kushtetuese që ta bëjnë. E keqja është se ky hetim nuk është duke ndodhur, edhe pse rasti në fjalë tani është dashur të jetë lëndë e prokurorit të shtetit, në mënyrë që të zbulohet e tërë afera e këtij procesi. Veç saj, ka qenë dashur që Qeveria nëpërmes mekanizmave të saj të sqarojë në detaje këtë çështje e jo të lërë çdo gjë në mjegull dhe mandej dyshimet ekzistojnë. 

Dyshimet për kontratën

Nga heshtja e deritashme e Prokurorisë së Shtetit dhe organeve të tjera të hetuesisë krijohen dyshime se në këto kontrata kanë gisht shumë veta, ndërsa mosdiskutimet e çështjes nga ARKEP-i dhe gjetiu e kanë qëllimin e caktuar. Disa analistë mendojnë se që në kohën kur është bërë kontrata, ajo është bërë për qëllime të caktuara dhe në këtë aferë janë përfshirë shumë veta, që kanë përfituar nga një pjesë të saj dhe qëllimisht ka qenë jotransparente. Po të bëhej publike, atëherë që në nismë të saj do të zbulohej se në këto kontrata kanë gisht shumë veta, prandaj edhe përgjegjësia do të jetë e shumë vetave. Se lëmshi në telekomunikacion dëshmon për ndërlikimin - interferimin kartelpolitik të institucioneve e " VIP-ave " politikë në këtë sektor me përfitime të mëdha. PTK-ja akoma po shfrytëzohet edhe për mbipopullim klientelist, edhe për orekse të privatizimit të jashtëligjshëm. Ulja e vlerës për ta marrë për borxh, si për skrap, ka mbetur letra e fundit e tyre - meqë me privatizimin e PTK-së nuk patën sukses. Është zbuluar se Blerim Devolli, biznesmeni i fuqishëm pejan që ka përfituar shumë nga vendimet e pushtetit, ka shtrirë lidhjet e tij biznesore deri në Anguilla, një vend që njihet si strehë fiskale ngjashëm si Panamaja. Një kompani me bazë në Anguilla është pjesë e një skeme pronësie që përfshin bizneset "Devolli Group", "Birra Peja" e "Z-Mobile".

Lidhjet e Blerim Devollit shtrihen deri në Karaibe

Blerim Devolli, biznesmeni i fuqishëm pejan, përgjatë viteve ka pritur e përcjellë zyrtarë të lartë shtetërorë e ambasadorë me ndikim, në perandorinë e tij biznesore. Ai vetëm në një aheng familjar në tetor të 2013-es ka mbledhur gati gjysmën e krerëve të PDK-së. Aty ishin Hajredin Kuçi, Besim Beqaj, Adem Grabovci dhe Ramush Haradinaj i AAK-së. Perandoria e biznesit të Blerim Devollit është shtrirë në tërë Republikën, duke përfituar shumë nga vendimet shtetërore. Shteti i ka mundësuar Blerim Devollit që të përfitojë në mënyrë të diskutueshme nga operimi i "ZMobile" dhe të privatizojë Fabrikën e Amortizatorëve. Derisa publikisht ka shtrirë lidhjet në tërë Kosovën, Blerim Devolli në anën tjetër-larg syve të publikut-ka arritur të shtrijë lidhjet biznesore deri në ishujt Karaibe, pikërisht në Anguilla, një vend që njihet në botë si strehë e leverdishme fiskale. Blerim Devolli, djathtas dhe Ekrem Hoxha, shefi i AREKP-it që licencoi kompaninë "Z-Mobile". Mediet kanë zbuluar se lidhjet e korporatës së madhe kosovare shtrihen deri në Maltë dhe në ishujt që gjenden në Karaibe. Anguila, një prej ishujve që gjendet në Karaibe, njihet si strehë fiskale e ngjashme me Panamanë. Shtrirja e lidhjeve të Blerim Devollit drejt këtyre vendeve, Malta dhe Anguilla, ka nisur para më shumë se dy vitesh, më saktësisht më 7 mars të vitit 2014. Atë ditë ishte shtuar edhe një aksionar në kompaninë "Dardafone", që operon me emrin tregtar "Z-Mobile". Ishte kompania "K-COM", që u bë pronare e kësaj kompanie bashkë me Blerim Devollin. "Devolli Group", në faqen zyrtare të "Z-Mobile", e promovon këtë firmë si kompani amerikane. "Dardafone është kompani kosovare me kapital të përzier, me bashkëpronarë të përbërë nga Korporata Devolli dhe K-Com, kompani amerikane", thuhet në faqen zyrtare të operatorit virtual të telefonisë mobile. "Z-Mobile" ka përfituar për vite me radhë nga mundësia që i ka dhënë Postë- Telekomi i Kosovës, për të operuar si operator virtual i saj. Mediet kanë zbuluar se kompania "KCOM" është në pronësi të dy kompanive me bazë në Maltë. Bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit të Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit të Kosovës (ARBK), të siguruara nga 'Insajderi', pronarë të kësaj kompanie figurojnë "H&P Trust Company Ltd" dhe "H&P Corporate Services Ltd". Të dy kompanitë malteze kanë bazën në Indepence Square (Sheshi i Pavarësisë) në kryeqytetin maltez, Valeta.

Hisedarët "maltezë" të "Birra Peja"

Edhe në biznesin "Birra Peja" janë të përfshira dy kompanitë malteze, njëra prej të cilave ka lidhje me ishullin Anguilla. Bazuar në regjistrat e biznesit në ARBK, pronarë të "Birra Peja" janë "Devolli Group", dhe "Globosos LLC". Pronare e kompanisë "Globosos LLC" është firma "Globosos LTD". Ndërkaq, "H&P Trust Company" dhe "H&P Corporate Services" janë pronarë të "Globosos LTD". Portali Ekapija.com, në qershor të vitit 2014, pati raportuar se birraria sllovene "Llashko" ka shitur 57.63 për qind të aksioneve të "Birra Peja". Aksionet janë shitur për 14.75 milionë euro dhe i ka blerë Blerim Devolli, pronar i firmës "Globosos", pati raportuar portali Ekapija. "Devolli Group", në një përgjigje dhënë 'Insajderit', mohoi raportimin e këtij portali. "Transaksioni, në shumën që i referoheni është bërë nga 'Devolli Group', përmes së cilës janë blerë aksionet e 'Pivorana Union' në 'Birra Peja'. Këtë mund ta konfirmoni edhe në ARBK", thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie. Ndryshe, që nga koha kur ka ndodhur ngjarja disa vjet më parë, më 2009-2010, e deri më sot, Policia dhe Prokuroria e Kosovës, si dhe ARKEP-i, kanë bërë shumë pak apo thënë shkurt nuk kanë bërë gati asgjë për vjedhjen, gjegjësisht krimin më të madh ekonomik që ka bërë " ZMobile", në pronësi të Blerim Devollit, me vjedhjen e "SIM 2 SIM" (vjedhje e impulseve). Ndërsa, çështja tjetër e ngritur nga ekspertët është se çka po thonë Policia dhe çka po thonë Prokuroria e Kosovës që po heshtin e nuk prononcohen për rastin. Ata nuk kanë dhënë përgjigje se si u lejua që " ZMobile" të vjedhë qindra- miliona me krimin "SIM 2 SIM" për më shumë se 8 vjet me radhë.

(Autori është gazetar-analist i pavarur)

(Kosova Sot)