Thyerja e turpshme e Haradinajt! - Opinione - Kosova Sot
Thyerja e turpshme e Haradinajt!

Thyerja e turpshme e Haradinajt!

Raporti i kryeministrit me kriminelët serbë 

SHKRUAN: FLORIM ZEQA 

Në momentin e zgjedhjes së zotit Haradinaj në kreun e ekzekutivit kosovar fillon edhe ndryshimi epokal i tij në qëndrime dhe veprime politike dhe praktike. Edhe pse emërimi i të dyshuarit për krime lufte në postin e ministrit të Bujqësisë dhe mospërfillja e kërkesave të qytetarëve për shkarkimin e Nenad Rikallos ishte dështimi i parë i tij, megjithatë ekzistonin shpresat se Haradinaj nuk do të dorëzohet lehtë! Madje as pesimistëve të mëdhenj nuk u kishte shkuar mendja që Haradinaj do të ndjekë hapat e Thaçit në raport me kriminelët serbë. Humbja e pakontrolluar e ekuilibrit politik të Haradinajt fillon menjëherë pas kërkesave të një grupi të deputetëve (PDK) për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, për të vazhduar më pas me kthimin në Kuvend të çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, veprime këto që lëkundën në masë të madhe raportet e Kosovës me miqtë strategjikë të saj (SHBA-në dhe BEnë). Askush nuk e ka pritur një dorëzim kaq paradoksal dhe të shpejtë të kryeministrit Haradinaj përballë presioneve të çarqeve armiqësore të shtetit tonë. Për më tepër se befasi, lëshimi pe në qëndrimet e Haradinajt në raport me çështjet kruciale për vendin paraqet shqetësim për qytetarët dhe rrezik për të ardhmen e vendit.

Qeveria Haradinaj nderon vrasësin e shqiptarëve

Pa dyshim, veprimi më skandaloz i kryeministrit Haradinaj llogaritet ai i ditës së hënë, i 22 janarit 2018, në mbledhjen e Qeverisë, kur kryeministri detyron kabinetin qeveritar të nderojë një të dënuar për krime ndaj shqiptarëve! Kjo situatë, sa paradoksale, duket edhe trishtuese. Akoma më trishtues bëhet fakti kur në të njëjtën "minutë" të heshtjes dhe nderimit i futi kriminelin dhe çlirimtarin! Kjo ndryshe nënkupton barazimin e viktimës me xhelatin! T'i thuhet turp kësaj tragjikomedie në Qeverinë e Kosovës është gjëja më e vogël. Kjo është marrëzi politike, fyerje për viktimat shqiptare të Oliver Ivanoviqit dhe shkelje e gjakut të dëshmorëve. 

Përulja e liderëve shtetërorë para memorialeve serbe

Mbase nuk është hera e parë që shohim përulje të liderëve shtetërorë para memorialeve serbe, por është hera e parë që shohim përulje turpëruese të kabinetit qeveritar për një vrasës të dënuar nga drejtësia vendore për krime ndaj shqiptarëve. Turpi bëhet akoma më i madh për faktin se një përulje e tillë u bë në organin më të lartë ligjvënës në vend - Kuvendin e Republikës së Kosovës! Ndryshe, ata që nuk munden t'i shkojnë për homazhe Ivanoviqit në Beograd, ritualin ngushëshues e shprehen në Kuvend. Targën e këtij turpi, për së vdekuri e pagoi ish-udhëheqësi i UÇPMB-së, i ndjeri Jonuz Musliu, i cili për një "minutë" u barazua me Oliver Ivanoviqin! Përderisa ishkryeministri dhe presidenti aktual i vendit, Hashim Thaçi, përuljen turpëruese e bëri krejtësisht në mënyrë individuale, kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, veproi edhe më keq se kaq, duke e turpëruar tërë kabinetin qeveritar. Në këtë situatë nuk duhet qëndruar duarkryq, duhet aktivizuar të gjithë mekanizmat kombëtarë për të ndihmuar kryeministrin e vendit në tejkalimin e situatës së palakmueshme në të cilën ndodhet.

(Kosova Sot)

19 orë e 41 minuta më parë
27/05/18