Ndarja të cilën duhet ta evitojë BE-ja, është ajo me Gjermaninë

Ndarja të cilën duhet ta evitojë BE-ja, është ajo me Gjermaninë
  • 04 August 2015 - 15:33

Shkruan: Marcel Fratzscher

Kriza greke dëmton besimin e evropianëve

Reformat evropiane duhet të adresojnë frikët e Gjermanisë

Frika më e madhe e Gjermanisë është që Eurozona të bëhet një union transferimi, ku Berlini do ta kishte rolin e arkëtarit. Mos harroni se Gjermania është kontribuuesi kryesor i dorëzanisë së fundit të Greqisë dhe ka një shumë prej rreth 240 miliardë eurosh në formë të huave apo garancive zyrtare për Greqinë

Kriza e Greqisë e ka vendosur Evropën në kurth. Konflikti rreth asaj sesi të zgjidhet kjo krizë, e ka dëmtuar besimin dhe e ka përshpejtuar rinacionalizimin e politikëbërjes në të gjithë Evropën. Ajo ua ka tërhequr vërejtjen politikanëve nga sfida e reformimit të arkitekturës evropiane, duke e bërë atë të përshtatshme për një afat më të gjatë. Në ndërkohë, Gjermania ka filluar që të shkyçet nga projekti evropian. Shumë gjermanë ndihen të viktimizuar nga kritikat ndërkombëtare.

Reformat evropiane do të dështojnë nëse ato nuk i adresojnë frikët më të mëdha të Berlinit. Pjesa tjetër e BE-së duhet t’i marrë shqetësimet e tilla më me seriozitet – duke filluar që nga tani.

Anashkalohen rregullat e përbashkëta evropiane

Frika më e madhe e Gjermanisë është që Eurozona të bëhet një union transferimi, ku Berlini do ta kishte rolin e arkëtarit. Mos harroni se Gjermania është kontribuuesi kryesor i dorëzanisë së fundit të Greqisë dhe ka një shumë prej rreth 240 miliardë eurosh në formë të huave apo garancive zyrtare për Greqinë. Kërkesat e Francës dhe të tjerëve për mutualizimin e borxheve i kanë thelluar këto dyshime.

Frika tjetër e Gjermanisë është se rregullat e përbashkëta evropiane janë duke u anashkaluar tepër shpesh – sikur që është rasti me paktin e stabilizimit dhe rritjes ekonomike dhe me marrëveshjen fiskale, të cilat kanë për qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së borxheve te të gjitha vendet anëtare. Edhe pse edhe vetë Berlini e theu këtë marrëveshje dekadën e kaluar, ekziston një konsensus i fortë gjerman se komplianca nuk duhet të jetë çështje e diskrecionit.

Gjermanët reaguan me mosbesim kur Manuel Valls, kryeministër i Francës, refuzoi vitin e kaluar që t’i respektonte rregullat e përbashkëta fiskale, duke deklaruar: "Franca duhet të respektohet, ajo është një vend i madh... Jemi ne ata që vendosim rreth buxhetit tonë".

Frika e tretë e Gjermanisë ka të bëjë me atë se sovraniteti nacional është duke u dëmtuar pa arritur Evropa një stabilitet dhe prosperitet më të madh. Sot, Evropa nuk mund të imponojë në mënyrë efikase rregulla të përbashkëta, por që të gjithë anëtarët janë njësoj përgjegjës për dorëzaninë e vendeve individuale anëtare, nëse vjen deri te dështimi i politikave të tyre.

Krijimi i një unioni të vërtetë fiskal është reforma më urgjente dhe një mundësi e rrallë për Evropën, që ta kthejë Gjermaninë në bord. Një union fiskal duhet të përfshijë një ministër të Financave të Eurozonës – një ide e mbështetur për një kohë të gjatë nga Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financave. Ai person duhet të jetë i ngarkuar me forcimin e Parlamentit Evropian me një dhomë të re për çështjet e Eurozonës. Ai, apo ajo, duhet ta ketë të drejtën që të intervenojë në buxhetet nacionale nëse ato thyejnë ligjin evropian, sikur që është marrëveshja fiskale dhe kanë një buxhet të financuar nga taksat evropiane si shtesë ose ndaj TVSH-së apo taksës së korporatave të shteteve anëtare të Eurozonës. Ministri duhet ta ketë aftësinë për të lëshuar një borxh të garantuar brenda kufijve të caktuar. Kjo aftësi për të tatuar dhe huazuar mund të jetë e kufizuar për dy qëllime: për ofrimin e sigurisë të papunësisë dhe për të mbështetur investimet.

Intervenimi në buxhetet nacionale

Një ministër i Financave evropian do t’i adresonte të gjitha frikët e Gjermanisë. Kapaciteti i nxitur fiskal i BE-së do ta evitonte shërbimin si një union i transferimit, por në vend të kësaj do të operonte si mekanizëm i drejtë i sigurimit. Vendet anëtare do të merrnin pagesa neto në kohë të këqija, por do të bënin kontribute neto në kohë të mira. E drejta e ministrit për të intervenuar në buxhetet nacionale do t’i forconte rregullat e përbashkëta, pa dëmtuar sovranitetin nacional.

Një post i tillë do të sillte përfitime konkrete për qytetarët e BE-së dhe do ta forconte identitetin evropian, derisa do ta bënte më të vështirë për politikanët nacionalë për ta fajësuar Evropën për dështimet e veta.

Kriza greke tregon se Evropa urgjentisht ka nevojë për një integrim më të thellë. Një solidaritet më i fuqishëm duhet të shoqërohet nga një sovranitet më i madh i përbashkët, sikur që do të mundësohej nga një ministër i Financave i Eurozonës. Kjo do ta ofronte një mekanizëm për mbrojtje nga recesionet dhe krizat, për stimulimin e investimeve produktive dhe për mbështetjen e punëtorëve evropianë. Ajo do t’i adresonte frikët më të thella të Berlinit dhe mund të paraqesë emërues të përbashkët për Francën dhe Gjermaninë për të udhëhequr edhe një herë së bashku.

(Autori është president i grupit të ekspertëve “DIW Berlin”)