Shqiptarët "protestojnë" te gazeta "KOSOVA SOT" dhe te "Koha për t'u zgjuar - Opinione - Kosova Sot
Shqiptarët "protestojnë" te gazeta "KOSOVA SOT" dhe te "Koha për t

Shqiptarët "protestojnë" te gazeta "KOSOVA SOT" dhe te "Koha për t'u zgjuar

Të harruar dhe të braktisur nga politika, pushteti dhe shteti

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Gazeta më e madhe shqiptare, e drejtuar nga intelektuali dhe patrioti z. Ruzhdi Kosova ,"KOSOVA SOT" në Kosovë, dhe Emisioni "Koha për t'u zgjuar" te TV "New 24" në Shqipëri, i drejtuar nga gazetari, shkrimtari dhe publicisti z. Bashkim Hoxha, janë që prej lindjes së tyre dhe vazhdojnë të jenë si "Mbiinstitucione" publike më të lexuara, të shikuara e të ndjekura nga shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo për faktin se tek ato shqiptarët gjejnë lirinë dhe të drejtën e tyre për të shkruar dhe shprehur pakë- naqësitë, padrejtësitë dhe problematikat e shumta dhe të pafundme të tyre dhe jo në mediat e tjera të cilat janë të politizuara skajshmërisht; të mercenarizuara politikisht, moralisht dhe materialisht dhe të painteresuara për të kryer rolin e tyre opozitar që duhet të luajnë në emër të së drejtës, të së vërtetës dhe të moralit e etikës... 

" Kosova Sot"", protestohet te kjo gazetë si e vetmja medie e lirë, e pavarur,e paanshme

Titulli në fjalë se qytetarët "protestojnë" justifikohet për faktin se qytetarët shqiptarë janë të harruar dhe të braktisur nga politika, pushteti dhe shteti, pra, qytetari shqiptar ka mbetur i braktisur dhe si jetim, dhe të vetmen mundësi ankimimi dhe proteste e shprehje për të drejtat e tyre shohin dhe e shprehin duke e kërkuar edhe shpresën e tyre duke "protestuar" lirshëm te gazeta " Kosova Sot"", te kjo gazetë si e vetmja medie e lirë, e pavarur ,e paanshme dhe patriotike-kombëtare, si një media opozitare kundër të gjitha të këqijave politike e publike që bëjnë në Kosovë pushteti qendror, qeveria" e madhe" dhe ato të pushtetit vendor, pushteti lokal, kryesisht në kryeqytet, Komuna Prishtinë, si dhe te sistemi i kapur dhe i korruptuar i drejtësisë. Pra," KOSOVA SOT" është drita, e cila depërton dhe nxjerr në dukje anët më të errëta të realiteteve shqiptare, të cilat ekspozohen dhe demaskohen publikisht nga qytetarët, gazetarët, analistët, opinionistët , ekspertët ,shoqëria civile dhe nga personalitete e intelektualë të shquar dhe me integritet e dinjitet të lartë profesionalizmi dhe guximi patriotik e intelektual, gjë e cila e ka bërë gazetën "KOSOVA SOT"si tribunë të vegjëlisë; ku qytetarët shohin, prekin dhe e dëgjojnë aty zërin e protestës së tyre, zërin e kundërshtisë ndaj poshtërsive, korrupsionit dhe vjedhjes , të papërgjegjshmërisë dhe të krimeve të politikës, pushtetit dhe të drejtësisë kosovare. Po kështu, edhe në Shqipëri Emisioni i Bashkim Hoxhës, "Koha për t'u zgjuar" te TV "New 24" është emisioni i zërit të lirë të qytetarit , i protestës së tij për papunësinë, për varfërinë, për pronat, për pensionet, për ujin , për shëndetësinë dhe spitalet, për kanalizimet, për gjykatat, për vjedhjet dhe hajninë e politikës dhe për gjithçka tjetër për të cilat shqiptarët vuajnë padrejtësitë dhe marrin rrugët e eksodit. 

Vendi ku dëgjohet zëri qytetar i lirë kundër padrejtësive

"KOSOVA SOT" në Kosovë është pena e lirë e së vërtetës që godet ashpër padrejtësitë, dhe emisioni i B. Hoxhës në Shqipëri është vendi ku dëgjohet zëri qytetar i lirë kundër padrejtësive. Ato kanë vite që luajnë rolin edhe të institucionit të VETTING-ut, të dekriminalizimit të politikës, të drejtësisë,të Gjykatës e të ligjit, të demokracisë dhe të integrimit, pasi opinioni publik te kjo gazetë dhe ky emision gjen veten dhe konstaton, denoncon, reagon dhe i bëjnë gjykimin real dhe të vërtetë politikës, pushtetit dhe drejtësisë shqiptare për keqqeverisje , për abuzim me liritë dhe të drejtat e qytetarëve, për korrupsionin galopant, për vjedhjen dhe abuzimet me pasuritë e qytetarëve dhe ato shtetërore, për tradhtinë dhe për vjedhjen e abuzimin me paranë publike të bëra prej tyre. Qytetari shqiptar e ka humbur tërësisht tashmë besimin te politika dhe te institucionet shtetërore të kapura e të privatizuara prej saj, pasi politika shqiptare ka qëllim vetëm mashtrimin dhe premtimet mashtruese dhe gënjeshtrat publike sa për t'u marrë votat qytetarëve; qytetari shqiptar e ka humbur besimin edhe te mediat, te shoqatat dhe shoqëria civile pasi ato janë bërë leva dhe mjete që i përdor politika e kriminalizuar; qytetari shqiptar e ka humbur besimin te drejtësia , te e cila mbi 90% e shqiptarëve nuk u besojnë më, dhe prandaj ata duke e ndjerë veten të nëpërkëmbur, të harruar dhe të braktisur "protestojnë" te gazeta e tyre "KOSOVA SOT " dhe te " Koha për t'u zgjuar" , pse jo edhe duke shpresuar se ndonjë politikan, pushtet apo institucion do të dëgjojë zërin qytetar dhe do të reagojë, pasi shpresohet që ka prej tyre edhe individë të përgjegjshëm dhe që i ka mbetur ndopak ndjesi e dhembshuri humane, publike dhe shpirtërore për qytetarin shqiptar.

(Kosova Sot)

19 orë e 7 minuta më parë
20/08/18