Dritëhijet e Gjykatës Speciale

Dritëhijet e Gjykatës Speciale
  • 25 January 2018 - 09:10

Dilema rreth zhbërjes

SHKRUAN: GANI ASLLANI

Në procesin e vetë ligjbërës Kuvendi i Republikës së Kosovës pati miratuar kohë më parë Ligjin për "Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale" si një instrument i ardhur nga ndrydhja e vazhdueshme ndërkombëtare drejtuar udhëheqësve politikë të vendit pas një morie ngjarjesh lidhur me raportin e Këshillit të Evropës drejtuar nga senatori zviceran Dick Marty. Ishte pa mëdyshje presioni i Serbisë dhe aleatëve të saj që edhe një herë t'i kthehet damkosjes së luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare me një mori qëllimesh të mbrapshta, të cilës duket se disa nga bashkësia ndërkombëtare iu nënshtruan. E them disa, sepse shumë nga aleatët e Kosovës tashmë janë tërhequr dhe vetëm janë shndërruar në vëzhgues pasivë të gjendjes së përgjithshme në vend. Mllefi i Serbisë që po manifestohet vazhdueshëm me gjithë lloj sajesash ka burimin te fakti se ky shtet agresor e ka humbur luftën në Kosovë dhe se nuk shohin as edhe një mundësi që ndonjëherë ta rikthejnë si të tyren Kosovën, përkundër një vargu të pafund të lëshimeve që iu janë bërë Serbisë në proceset e deri tanishme politike.

Grumbulli i interesave ndërkombëtare

Është edhe një arsye tjetër që duhet theksuar! Elita politike serbe është pjesërisht po ajo elitë që ka qenë politikëbërëse në Serbi gjatë luftës së Kosovës, dhe për ta humbja e Kosovës është e theksuar jo vetëm në planimetrinë politiko-shtetërore serbe por edhe në atë emocionale e personale. Prandaj, ngarendja e vazhdueshme e kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që gjatë luftës së Kosovës kryente detyrën e ministrit te informatave në qeverinë Federale të Jugosllavisë, e Ivica Daçiqit që ishte zëdhënës i Partisë së Milosheviqit apo Velko Odalloviq që ishte kryeshef (ose naçallnik) i qarkut të Kosovës, e ndonjë tjetri si ata, është e ngjyrosur edhe me devizën personale. Ata nuk duan të quhen humbës të Kosovës. Shih për këtë do të bëjnë çdo përpjekje të baltosin, fëlliqin dhe poshtërojnë luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Aspekti tjetër është ai i shteteve pak të interesuara për fatin e popujve që kërkojnë liri, por që vendosin me shumicën e numrave në arenën ndërkombëtare. Një mori syresh vendosin në bazë të premisës se duhet me çdo kusht të ndalen krizat rajonale dhe se mënyra më e mirë të arrihet kjo gjë është nëse barazohet viktima me agresorin, ashtu që të pamundësohen luftërat e tjera, sepse njerëzit do të jenë të vetëdijshëm, se nëse rrokin armët mund të dënohen nga sajesat ndërkombëtare që propagandojnë drejtësinë. Dhe, arsyeja e tretë është loja e fuçive të mëdha me ambiciet e tyre gjeopolitike e gjeostrategjike. Në këtë mes faktorizimi ekonomik global gjithnjë e më i shtuar i Rusisë dhe Kinës po zbehin ndikimin e vendeve Evropiane në politikën ndërkombëtare dhe po shtyjnë SHBA-të që si vend matanë pellgut Atlantik ndihen të prira t'i qartësojnë ujërat në rajonin e paqësorit për shkak të interesave të veta sesa të hedhin vështrimin në Evropë ku Bashkimi Evropian trumbeton se punon për liri e barazi mes njerëzve, por se ngadalë po shndërrohet në grumbull interesash të vendeve anëtare. 

Tërbimi serb për humbjen e Kosovës

Në mes të kësaj situate, Kosova gjendet përpara dilemës së Gjykatës Speciale - por a duhet të zhbëhet ajo? Kurrsesi! Përkundrazi duhet nxitur puna e saj për këto arsye: një nga akuzat e Dick Martyt drejtuar UÇK-së, me sa përcjellin mediat, është se "diku në Burrel të Shqipërisë njerëzit e kësaj organizate ushtarako-politike mbi serbë kosovarë kanë realizuar vjelje organesh që të shiten në tregun e huaj". Kush madje hamendet rreth kësaj çështje është i marrë. Kam dëgjuar disa herë të ndjerin Bajram Rexhepi kur fliste në intervista rreth veprimtarisë së tij si mjek për çlirimtarët, kur thoshte se në ato pak qendra mjekimi që kishin ngritur UÇK-ja gjithmonë mungonin mjekët, infermierët e personeli tjetër shëndetësorë. Pra, UÇK-ja nuk ka pasur mjek për vete e lëre më të organizojë vjelje organesh. Pastaj kushdo ka sado pak njohuri mjekësore mund ta dijë se sa e koklavitur është një procedurë e heqjes së organeve nga trupi i njeriut, mund ta dijë për kushtet e jashtëzakonshme që ai organ i hequr kërkon për t'u ruajtur derisa të bëhet transplantimi, ashtu që të mos kalbet, dhe për faktin se duhen një varg procedurash për të ndërmarrë nëse trupi i dhuruesit është apo jo i përshtatshëm me trupin e marrësit. Pra, jo çdo organ është i përshtatshëm për cilindo. Këtu duhet reflektuar dhe menduar për këtë akuzë, e cila qartazi duket që vjen nga tërbimi dhe inati serb për humbjen e Kosovës, sepse duke prodhuar një inskenim kaq rrëqethës ata përpiqen ta gënjejnë botën që të mendojë se shqiptarët e Kosovës janë gjakatarë. Akuza tjetër është se "shqiptarët e armatosur kanë vrarë nëpër lokalitete serbe civil të pa armatosur". Kush do që e ka përjetuar luftën e fundit në Kosovë e di se serbet kudo që ishin ata, kanë qenë të armatosur deri në dhëmb. Ata përpara se të dilnin nga vendbanimet e tyre për të vrarë, plaçkitur e shkrumbuar do të mbronin shtëpitë e tyre dhe plaken që kishin filluar ta grumbullonin nga shtëpitë e shqiptarëve, dhe se armatimet e kryengritësve Shqiptarë nuk janë barazuar me fjalën e fundit të teknologjisë luftarake që serbët kishin siguruar gjatë luftës së Kosovës, por edhe në luftërat e mëparshme në ishJugosllavi. Dhe akuza tjetër se "UÇK-ja ka dëbuar popullatën e pambrojtur shqiptare nga shtëpitë e tyre drejt kufijve të Kosovës vetëm që të shkaktojë sensacion mediatik me numrin e të ikurve". Dëshmitarë të së kundërtës për këtë hamendësim janë grykat e gropat e pyjeve të Kosovës, ku me mijëra civilë shqiptarë plaknin dimrat e pritnin verën pikërisht sepse ndiheshin të sigurt nga mbrojtja e kryengritësve shqiptarë.  

Pranimi i shtetit të Kosovës

Pra, Gjykata Speciale do të jetë një cak i atillë, që do të shpërlajë një herë e mire të gjitha përbaltjet, shpifjet e spekulimet lidhur me luftën e Kosovës. Gjykata Speciale do të ngrisë besueshmërinë në lirinë e Kosovës në sytë e botës, ngase është një anomali që duhet tejkaluar. Dhe, Gjykata Speciale ka mundësi, nëse përdoret mjeshtërisht dhe me kujdes në sferën diplomatike, që të nxisë faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës, i cili proces ka ngecur fort këtyre 2- 3 vitet e fundit. Kjo ngase me argumente mund të sqarohen Madridi, Athina, Bratislava, Nikosia e Bukureshti zyrtar, por edhe shumë vende të tjera që refuzojnë të pranojnë vullnetin e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë, se tashmë me Gjykatën Speciale nuk ka mbetur asnjë ashkël në të drejtën ndërkombëtare që parandalon të drejtën e Kosovës për sovranitet ndërkombëtarë. Për fund, edhe një çështje! Kuvendi i Republikës së Kosovës mundet edhe ta zhbëjë Gjykatën Speciale, por vlen të përmendet se Rezoluta e OKB-së 1244 është akoma në fuqi në Kosovë. Nëpërmjet asaj Rezolute ata që gjetën mundësinë ta krijojnë Gjykatën Speciale do ta gjejnë mundësinë ta ngrisin ndonjë kurdisje tjetër jashtë kompetencave të institucioneve të Kosovës, duke rikthyer sistemin e drejtë- sisë në Kosovë në pikën e vdekur. Gjykata Speciale e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është institucion që shteti i Kosovës e ka krijuar, prandaj kushdo që pranon atë, njëtrajtshmërisht pranon edhe shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj, përfshirë këtu Serbinë, Rusinë, të pestët e BE-së, dhe nja 90 vende të tjera anëtare të OKB-së. (Autori është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit Glasgow dhe hulumtues shkencor në Universitetin Leicester në Britaninë e Madhe).

(Kosova Sot)