Dhomat e specializuara do të gjykojnë krimet e rrjetit të spiunëve të Serbisë brenda UÇK-së

Dhomat e specializuara do të gjykojnë krimet e rrjetit të spiunëve të Serbisë brenda UÇK-së
  • 26 January 2018 - 08:45

Interes madhor për shtetin

SHKRUAN: XHEVAT MEHA

Diskutimet rreth gjykimit të krimeve eventuale të kryera nga ndonjë individ pjesëtar i UÇK-së, janë duke u zhvilluar qysh nga bërja publike e raportit të Dick Marty-t. Gjatë kësaj kohe, këto diskutime kanë pasur forma dhe përmbajtje të ndryshme. Në fillim dhe deri tani vonë, diskutimet drejtoheshin në atë se një gjykim i tillë dëmton vlerat e luftës dhe të UÇK-së. Në fakt, ky diskutim ishte pjesë e diskutimeve të ngritura në opinionin e Kosovës rreth vlerave të luftës dhe të UÇK-së si tërësi e vlerave. Diskursi rreth vlerave të luftës dhe të UÇK-së u ngrit dhe u fuqizua për të krijuar ndasi në sulmues dhe mbrojtës të këtyre vlerave, krejt kjo artificialisht. Ngritja dhe fuqizimi u krye përmes nxitjes dhe organizimit nga shërbimet e fshehta të Tiranës dhe Beogradit që vepronin brenda grupeve politike në Kosovë dhe kjo shkoj deri në krijimin e "bllokut të luftës" dhe "bllokut të paqes". Më gjerësisht në lidhje me këto janë paraqitur në librin tim, të botuar në vitin 2016, SYNI DHE MENDJA E QYTETARIT PËRBALLË SHËRBIMEVE TË FSHEHTA SERBE.

Gjatë luftës brenda strukturave të UÇK-së kanë vepruar 140 spiunë të stërvitur të betuar të Serbisë

Gjatë gjithë diskutimeve, nga fillimi e deri tani, temë bosht ishte se të akuzuar mund të janë krerë të UÇK-së dhe se dënimi eventual i tyre është dënim i UÇKsë dhe në këtë mënyrë dëmtim i vlerave të luftës dhe vlerave të UÇK-së. Kjo nuk qëndron dhe është ngritur artificialisht. Më gjerësisht këtë e kam paraqitur në librin tim SYNI DHE MENDJA E QYTETARIT PËRBALLË SHËRBIMEVE TË FSHEHTA SERBE në faqen 96, të cilat shkurtimisht janë të përmbledhura këtu: Nëse merret si i padiskutueshëm numri prej 15,000 si ushtarëve të UÇK-së, numri 150 përbën 1%. Kurrkush nuk pret që numri i të dënuarve të jetë 150, ky numër pritet të jetë shumë më i vogël. Kjo do të thotë se numri i atyre që pritet të dënohen sigurisht se do të jetë shumë më i vogël se 1%. Vlerë e luftës dhe e UÇK-së nuk janë pjesa prej më pak se 1% por pjesa prej më shumë se 99%. Çështjen se të dënuar mund të janë krerë të UÇK-së e kam trajtuar në faqen 97 kësisoj, citat: "Shtrohet pyetja: kush i caktoj individët si komandant? Këta individë të caktuar si komandantë të UÇK-së në të vërtetë kanë qenë, ose do të duhej të kishin qenë, të besuarit e popullit, të besuarit e një populli shumë të vuajtur, do të duhej të kenë ruajtur besimin e popullit si sytë e ballit, dhe në asnjë rrethanë të mos e keqpërdorin besimin e popullit." Krimet eventuale të kryera nga individët pjesë- tarë të UÇK-së janë krime të kryera nga rrjeti i spiunëve të Serbisë brenda UÇKsë. Si dhe pse kjo? Në Bruksel në vitin 2013 është publikuar e dhëna se gjatë luftës brenda strukturave të UÇK-së kanë vepruar 140 spiunë të stërvitur të betuar të Serbisë. Rrjeti i këtyre nuk kanë qenë kot, ose për të qëruar patate, kanë kryer detyrat e marra, ndonjëri edhe mund të ketë qëruar patate edhe të kryej detyra. Po cilat kanë qenë detyrat e këtij rrjeti të spiunëve? Kanë qenë: paraqitja e UÇK-së organizatë kriminale, terroriste, gjenocidale. Këtë e kanë arritur përmes nxitjes, organizimit dhe kryerjes së krimeve, dhe në fund mbledhjes së dëshmive dhe dërgimi në Beograd. Kur të dihen emrat e listës së këtyre 140 spiunëve, do të dihet se kush kë e ka organizuar, kush kë e ka mashtruar dhe kush kë e ka tradhtuar.

Zbatimi i ligjeve të Kosovës

Se krimet eventuale të kryera nga individët pjesëtarë të UÇK-së janë krime të kryera nga rrjeti i spiunëve të Serbisë brenda UÇK-së vërtetohen nga disa ngjarje të cilat kanë qenë publike, ngjarje të cilat në vijim po iu përkujtoj atyre që mund t'i kanë harruar. Gjatë diskutimeve të ligjit për krijimin e Dhomave të Specializuara, rrjeti i spiunëve të SHMS-ve që ishte në veprim në atë kohë brenda Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera, e shtynte që ligji të përmbaj se do të gjykohen krimet e kryera nga UÇK dhe se do të gjykohet gjenocidi i ushtruar nga UÇK. Falë angazhimit të pjesës kundërvënëse, ligji përmban se do të gjykohen krimet e kryera nga individë pjesëtarë të UÇK-së dhe termi gjenocid i ushtuar është hequr krejt. Po ashtu, pak ditë pas miratimit të ligjit, dikur rreth një javë, Ivica Daçiq deklaron se Serbia nuk e njeh këtë gjykatë dhe se do të themeloj një gjykatë të vetën për të gjykuar krimet e kryera nga UÇK. Gjykimet dhe dënimet nga Dhomat e Specializuara e krimeve eventuale të kryera nga individët pjesë- tarë të UÇK-së i shoh si interes madhor për shtetin e Kosovës. Pse dhe si kjo? Të dhënat e publikuara dhe ngjarjet e ndodhura pas luftës së fundit janë të mjaftueshme për kuptuar se këto krime eventuale janë organizuar nga SHMS-të dhe kësisoj janë krime të SHMS-ve. Këto krime eventuale do të gjykohen dhe dënohen nga gjykata e Kosovës, gjykata e shtetit të Kosovës. Vendi i punës së Dhomave të Specializuara që nuk është Kosova dhe të punësuarit si gjyqtarë dhe prokuror që nuk janë shtetas të Kosovës nuk e bëjnë këtë gjykatë ndërkombëtare. Këta të punësuar do të punojnë në zbatim të 100% të ligjeve të shtetit të Kosovës në një vend që 100% është legjitimuar nga legjislatura e shtetit të Kosovës si vend për të kryer këto gjykime. Po Serbia ku po mbetet? Nëse eventualisht Dhomat e Specializuara do të dënojnë dikë, është e pritshme se në mesin e të dënuarve do të janë edhe disa, jo të gjithë, nga krerët e rrjetit të spiunëve të SHMS-ve gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Kjo do të filloj edhe shkatërrimin e strukturave të rrjetit të spiunëve që tani Serbia ka në veprim në Kosovë. Në shtetin e Serbisë nuk po shihet ndonjë entuziazëm rreth punës së Dhomave të Specializuara. Për më tepër, Serbia ka aktivizuar rrjetin e spiunëve që të bëjnë përpjekje për shfuqizimin e kësaj gjykate në mënyrë që gjykimet të kryhen në Kosovë ku ka kontroll të fuqishëm mbi institucionet si gjykatat dhe prokuroritë, të cilat do t'i shpallin të pafajshëm krerët e rrjetit të spiunëve dhe do të dënojnë disa të parëndësishme për ta, krejt kjo për të siguruar ruajtjen dhe vazhdimësinë e veprimeve të fshehta në Kosovë. Në vend të përfundimit: Drzhava e Kosovës po bie, shteti i Kosovës po fillon të ndërtohet. Bac nuk u kry, mashtrim ka qenë. 

(Kosova Sot)