E vërteta për zënkën e presidentit Trump me Bannon-in

E vërteta për zënkën e presidentit Trump me Bannon-in
  • 26 January 2018 - 10:09

ZEMËRIMI RRETH LIBRIT TË MICHAEL WOLFF-IT

Duket që Trump ka hequr dorë nga populizmi

Shkruan: Fareed Zakaria 

Zjarri dhe zemërimi rreth librit të Michael Wolff-it kryesisht është përqendruar te personalitetet dhe përleshjet për pushtet në Shtëpinë e Bardhë. Por, prapa tërë kësaj, qëndron një zhvillim i rëndësishëm politik, i cili shpjegon zënkën e vërtetë midis presidentit Trump dhe ish strategut të tij kryesor, Stephen K. Bannon. Duket që Trump ka hequr dorë nga populizmi. A ju kujtohet kandidati presidencial Trump? Çështja e tij primare ishte imigracioni, ku ai premtonte një dorë të fortë, duke përfshirë edhe një mur në kufi dhe përzëniet masive. "Kontrata e tij me votuesit amerikanë" ishte plot me masa populiste, duke filluar nga veprimet e ashpra kundër Kinës, e deri te programi i punëve publike me vlerë trilion dollarë. Planet e tij ekonomike ishin të përqendruara te përfitimet për shtresën e mesme, duke filluar nga një zvogëlim i taksave për 35% për familjet e shtresës së mesme, e deri te zvogëlimet për kujdes ndaj fëmijëve dhe pleqve. Ai apelonte për restrikcione të ashpra rreth lobimit dhe rreth kufizimit të mandatit për anëtarët e Kongresit. 

Raportet me Kinën

Reklama përfundimtare e kampanjës së Trump-it paraqiste pamjet e financierit miliarder George Soros, kreut të Bordit të Bankës qendrore Janet L. Yellen dhe shefit ekzekutiv të "Goldman Sachs"-it, Lloyd Blankfein, në kuadër të fjalimit të Trump-it, në të cilin ai tërhoqi vëmendjen nga "struktura globale e pushtetit, e cila është përgjegjëse për vendimet ekonomike të cilat kanë plaçkitur klasën tonë punëtore, kanë zhveshur vendin tonë nga pasuritë e tij dhe ato para i kanë vendosur në xhepat e pak korporatave të mëdha dhe të entiteteve politike". Tani kaloni te Trump-i i sotshëm. Nuk ka kurrfarë muri dhe presidenti tani flet rreth "projektligjit të dashurisë", i cili do të mund ta ofronte rrugën kah shtetësia për miliona imigrantë pa dokumente, të cilët dikur thoshte se do t'i përzinte. Raportet e tij me Kinën kanë qenë dashamirëse, si dhe ato me një vend tjetër, të cilin e kishte kritikuar gjatë kampanjës, Arabinë Saudite. Programi i tij ekonomik është përqendruar te rikthimi i sasive të mëdha të parave te korporatat e mëdha. Shumica e përfitimeve nga ligji i tij tatimor, shkojnë te ato kompani dhe njerëz që janë në krye të të pasurve. Më pas, këto ekonomi politike janë të dizajnuara dhe implementuara nga Gary Cohn, ishnr. 2 në "Goldman Sachs", si dhe nga sekretari i thesarit, Steven Mnuchin. Më shumë se përleshje personale midis Bannonit dhe Jared Kushnerit, si dhe thashethemeve rreth asaj se kush është përmbi e kush përfundi në Shtëpinë e Bardhë, kemi të bëjmë me ndarjen e madhe e cila u zhvillua gjatë muajve të parë të administratës Trump. Bannon me gjasë ka shikuar duke mos iu zënë besë syve, derisa kandidati i cili kishte bërë një kampanjë si autsajder kundër establishmentit republikan, në esencë ia dorëzoi frerët e qeverisë së tij kryetarit të Dhomës së përfaqësuesve, Paul D. Ryan, si dhe liderit të shumicës në Senat, Mitch McConnell. McConnell citohet në librin e Wolff-it duke thënë: "Ky president do të këndojë çdo këngë që i vihet përpara". 

Zemërimi populist

Shtrohet pyetja, nga ku erdhi populizmi i Trump-it në fillimin e tij? Për ta gjetur përgjigjen në këtë pyetje, nuk duhet ta lexoni librin e Wolff-it, por atë të Joshua Green'it, "Devil's Bargain". Në të, Green thekson se, në fillim, Trump kishte një përzierje kaotike të ideve politike, të cilat nuk anonin kah ndonjë drejtim i veçantë. Por, pasi që ai filloi të shkonte në emisione të radios dhe të mbante fjalime para të pranishmëve konservatorë, pa se nuk ishin çështjet ekonomike ato që i ndiznin masat, por çështjet në lidhje me imigrantët dhe çështjet kulturore, Trump në fillim ishte indiferent ndaj çështjes së murit, thotë Green, por ndihmësi i kampanjës së tij, Sam Nunberg, tregon se, kur Trump e përmendi këtë ide për herë të parë në Samitin e lirisë në Ajova, në janar të vitit 2015, të gjithë të pranishmit reaguan me entuziazëm. I pangarkuar nga ndonjë ideologji e thellë, si dhe në mungesë të frenimeve etike, Trump ishte në gjendje që t'iu përshtatej këtyre çështjeve me një shpejtësi më të madhe sesa 16 kundërshtarët e tij në zgjedhjet primare republikane. Ai e spikati veten duke folur nga pozicionet më të ashpra, me çka e bëri për vete bazën e Partisë republikane. Kjo, shoqëruar me karizmin e tij, krijuan një lidhje midis tij dhe një mburoje të re të Partisë republikane, klasës së bardhë punëtore, lidhje e cila, tani për tani, duket e pathyeshme. Nuk pajtohem me shumë propozime të Bannonit, por ai me gjasë kishte të drejtë kur vërejti zemërimin populist, i cili karakterizon pjesë të mëdha të vendit. Lindë pyetja, çka do të ndodhë me këtë, me kalimin e kohës dhe me votuesit e Trump-it, që fillojnë të hetojnë se, në fund, kanë marrë diçka krejt të ndryshme nga ajo që kishin paramenduar. Gjatë tranzicionit presidencial, Bannon kishte thënë Wolff-it se epoka e Trump-it do të ishte sikur ajo e viteve 1930 në Amerikë, me programe masive publike, të cilat do t'i angazhojnë punëtorët fizikë në anijendërtimtari, mullinj dhe miniera. Në vend të kësaj, duket se kemi një kthim në vitet 1920, me një kapitalizëm të shfrenuar, me shtet të tkurrur dhe me rritje dramatike të pabarazisë. A është kjo ajo për çka votuan punëtorët e çelikut, të pushuar nga puna, në Ohajo?  

(Kosova Sot)