Referendum, duam ribashkim gjithëkombëtar - Opinione - Kosova Sot
Referendum, duam ribashkim gjithëkombëtar

Referendum, duam ribashkim gjithëkombëtar

Barometri diplomatik

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Akademik Mark Krasniqi:"Krijimi i Shqipërisë etnike, do të ishte zgjidhja më e drejtë e problemit kolonial të popullit shqiptar në Ballkan". ("Kosova Sot, referat i paraqitur në Senatin Belg, më 1992, f. 31.). O im vëlla, shkencëtar dhe patriot i dalluar, akademik Mark Krasniqi, edhe pse më 28 gusht 2015 të pushoi së rrahuri zemra dhe mbylle sytë përgjithmonë, ike, duke na lënë të përvajshëm dhe të pikëlluar, emri dhe vepra jote njerë- zore, humane, shkencëtare, kombëtare dhe atdhetare shqiptare, do të jenë gjallë dhe do të kujtohen brez pas brezi. - Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë etnike, ribashkimin e së cilës na e lë amanet, ashtu sikurse Skënderbeu, Ismail Qenali, Vaso Pasha, Hasan Prishtina, Sami, Abdyl dhe Naim Frashëri e shumë RILINDËS të tjerë. Këtë konkluzion vlerësues aksiomatik të akademikut të ndjerë, Mark Krasniqi, klasa e sotme akademike dhe politike, duhet ta marrin me seriozitetin më të madh, sepse siç thoshte edhe Rilindësi ynë i famshëm, Sami Frashëri (ideologu i parë i Shqipërisë së bashkuar):"PA BASHKIM NUK KA SHQIPËRI".Kjo është platforma e vetme racionale, realiste dhe më e kapshme për interesin e përgjithshëm të Kombit Shqiptar dhe të Shqipërisë etnike në Ballkan.

Referendumi, hap i parë drejt ribashkimit dhe vetëvendosjes së kombit shqiptar në Ballkan

Duke qenë se deri më sot (XXI,2018) ka ngelur e pazgjidhur çështja koloniale e gjysmës së Shqipërisë etnike dhe e kombit shqiptar në Ballkan, si rrjedhim i politikës kolonialiste dhe ekspansioniste të shteteve pushtuese sllave (Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe FYROM-i), tanimë është momenti historik dhe politik, që e gjithë politika shqiptare me qendrat e saj në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, në Shkup, në Preshevë, në Bujanoc, në Medvegjë, në Ulqin, në Tuz, Plavë, Guci etj., në Çamëri, në diasporë, të marrë një vendim të përbashkët historiko-politik, kombëtar, demokratik dhe paqësor për organizimin dhe mbajtjen e Referendumit për ribashkimin kombëtar shqiptar. Ky është instrumenti juridiko-ligjor, që popullit shqiptar i garanton të drejtën sovrane dhe demokratike, që në mënyrë demokratike plebishitare dhe të lirë, të përcaktohet për statusin e tij politik antikolonial, që nënkupton realizimin e së drejtës së vetëvendosjes dhe të ribashkimit në një shtet unik kombëtar-Shqipërinë etnike. Kjo është e vetmja alternativë ligjore, demokratike dhe paqësore, që shqiptarët mund t'i shpëtojë nga sundimi i mëtejmë kolonial, hegjemonist, militarist dhe imperialist sllav në Ballkan.

Për realizimin e së drejtës së referendumit ekzistojnë dy forma: 1) Përdorimi i politikës së forcës dhe 2) Politika paqësore

Ne duhet ta zgjedhim politikën paqësore ( nuk kemi forcë ushtarake të mjaftueshme). Këtë fakt e dëshmuan edhe tri luftërat e UÇK-së në Kosovë, në FYROM dhe në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë (199-2003), të cilën e mbështet Amerika dhe Evropa demokratike. Prandaj, nuk duhet të hezitojmë apo të heqim dorë nga organizmi i referendumit për ribashkimin kombëtar, sepse kjo është në frymën e plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve e objektivave të Kartës së Kombeve të Bashkuara (1945-2018). Pavarësisht nga politika neokolonialiste propagandistike e vendeve fqinje sllave ballkanike se "nuk do të ketë ndryshim kufijsh" në Ballkan ( kjo tezë është e papranueshme de fakto dhe de jure, sepse ndryshimi i kufijve në Ballkan, tanimë ka ndodhur, qysh më 1990, pas agresioneve dhe gjenocideve të Serbisë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës), ka ardhur koha që klasa politike dhe akademike shqiptare të gjejnë gjuhë dhe veprim të përbashkët për organizimin e REFERENDUMIT historik, politik dhe demokratik mbarëkombëtar brenda kufijve natyralë, historikë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë etnike në Ballkan. Të gjitha "formulat" e tjera politike, të miratuara nga garniturat politike shqiptare (1990-2018), janë shumëfish të dëmshme dhe katastrofike për interesin e përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve në Ballkan, sepse justifikojnë ekzistencën e sundimit kolonial sllav mbi shqiptarët autoktonë dhe mbi territoret e Shqipërisë etnike (1912- 2018).

Fundi i robërisë shekullore

Pavarësisht nga "formulat e reja" të kolonializmit të vjetër gjenocidal shekullor dhe të "kolonializmit modern" sllav, shqiptarët nuk duhet të mashtrohen dhe të viktimizohen edhe në këtë shekull, se gjoja me hyrjen e Shqipërisë londineze (1913) dhe me Kosovën Ahtisariane (2008) në BE (2025), do të zgjidhet përfundimisht problem kolonial i shqiptarëve në Ballkan. Përkundrazi, integrimi i këtyre dy shteteve shqiptare në BE, nuk do të ngrinte "perden e hekurt" të robërisë shekullore të imperializmit sllav mbi shqiptarët e FYROM-it, të Çamërisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja), sepse mbi 2 milionë shqiptarë do të mbeteshin jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Ky nuk do të ishte vetëm gabim i përsëritur, por imoralitet tradhti dhe krim sui generis. Ky do të ishte "Muri i përjetshëm i Berlinit" mes shqiptarëve në Ballkan. Integrimi i nesërm i Kosovës dhe i Shqipërisë në BE, as moralisht, as ligjërisht, as kombëtarisht e as juridikisht, në kuptimin e doktrinës dhe të praktikës së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, nuk mund ta justifikojë kolonializmin sllav mbi 2 milionë shqiptarë dhe, pothuajse mbi gjysmën e territorit të Shqipërisë etnike, sepse është vepër penale ndërkombëtare. Këtë të vërtetë duhet ta mbajnë parasysh klasa politike dhe akademike e shoqërisë shqiptare, sepse nesër do të jetë vonë, nëse sot nuk organizohet REFERENDUMI për ribashkimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë etnike. Nëse kjo nuk ndodh sot, nesër përgjegjësia morale, ligjore, kombëtare dhe historike, do të bjerë vetëm mbi elitën sunduese politike dhe akademike në shkallë kombëtare, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë etnike. Mbajtja e REFERENDUMIT gjithëkombëtar shqiptar do të ishte prova më e saktë, më e ligjshme, më demokratike dhe më paqë- sore për përcaktimin e statusit politik të mbi 7 milionë shqiptarëve në Ballkan. 

Elita sunduese politike

Nëse rezultatet e këtij REFERENDUMI nuk do të njiheshin nga bashkësia ndërkombëtare, atëherë ligjërisht do të justifikohej dhe mbështetej kolonializimi shekullor sllav mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë etnike. - Atëherë, çfarë kuptimi dhe çfarë vlere do të kishin rendi, drejtësia, demokracia, siguria, stabiliteti dhe paqja ndërkombëtare nëse nuk do të ndëshkohej edhe kolonializmi sllav në Ballkan, ashtu sikurse në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine? Mirëpo, kjo formë e praktikës së tolerimit, përkatësisht të mosndëshkimit të kolonializmit sllav mbi shqiptarët dhe mbi gjysmën e territorit të tyre, është në kolizion flagrant me normat, me parimet dhe me rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar. Fundja, se si do të reagojnë OKB-ja, BE-ja dhe OSBE-ja lidhur me rezultatet e REFERENDUMIT për ribashkim kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë etnike, ajo është çështje e tyre. Mirëpo, elita politike dhe akademike shqiptare, duhet sa më parë të jetë e mundur, të ulen në një "sofër të përbashkët" dhe të përgatitin platformën strategjike, politike, juridike dhe teknike për mbajtjen e REFERENDUMIT në të gjitha territoret e Shqipërisë etnike dhe në diasporën shqiptare. Kjo është "detyrë shtëpie" e liderëve politikë dhe akademikë shqiptarë, jo e bashkësisë ndërkombëtare. Populli shqiptar me votën e tij demokratike dhe të ligjshme duhet ta realizojë të drejtën e vet përmes REFERENDUMIT. Ndërkaq, pastaj, të presim se si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare. Mirëpo, së pari, duhet ta kërkojmë këtë të drejtë, sepse gëzojmë të drejtën historike dhe legjitime mbi trojet tona etnike, pavarësisht se çfarë thonë politika dhe propaganda kolonialiste serbo-sllave ballkanike dhe e mbështetësve të saj, qoftë rajonalë apo ndërkombëtarë.

(Kosova Sot)

1 orë e 53 minuta më parë
20/10/18