Amerika, e tillë sikur që i nevojitet Evropës, nuk ekziston

Amerika, e tillë sikur që i nevojitet Evropës, nuk ekziston
  • 28 January 2018 - 10:01

TEORITË E KONSPIRACIONIT NË ÇEKI 

Në Çeki janë më shumë se 30 ueb sajte 'pro ruse' 

Shkruan: Anne Applebaum

Askush deri më tani nuk ka zbuluar se kush i mban dhe kush i financon, edhe pse gazetarët çekë kanë me vite të tëra që përpiqen në këtë drejtim. Kjo nuk i ka penguar më shumë se 30 ueb sajte 'pro ruse' në Çeki që ta servojnë një dietë ditore të teorive të konspiracionit, shpifjeve, të shpikjeve të skandaleve rreth imigrantëve jo ekzistues myslimanë dhe të sulmeve kundër SHBA-së, NATOs dhe BE-së, si dhe të lavdeve ndaj presidentit pro-rus të Çekisë, Milos Zeman. Ndoshta kjo duke pak gjë, por në një vend të vogël me një treg të vogël të marketingut dhe me media të dobëta 'tradicionale', këto ueb sajte janë bërë forcë e vërtetë. Një çerek solid i publikut çek jo vetëm që lexon dhe i beson kësaj 'alternative' pro ruse, por edhe janë bërë të varur nga ajo, si burimi kryesor i lajmeve. Me kalimin e kohës, kjo vazhdimësi e plasimit të lajmeve të rreme, ka ndikuar në formësimin e debatit publik në këtë vend të Evropës qendrore, i cili dikur ishte shtyllë e solidaritetit transatlantik. Tani, mbështetja ndaj NATO-s ka rënë nën 50%, derisa mbështetja ndaj BE-së është edhe më e ulët. 

Financimi i protestuesve anti-Zeman

Lajmet e shpikura të këtyre ueb sajteve - rreth lidhjeve (joekzistuese) të kandidatit kryesor të opozitës me policinë sekrete; rreth financimit sekret amerikan të protestuesve anti-Zeman - po ashtu formojnë prapavijën e zgjedhjeve presidenciale të Çekisë, raundi i parë i të cilave do të fillojë të premten. Edhe pse asgjë nuk mund të përjashtohet, nuk pritet asnjë sensacion dhe analistët mund të arrijnë deri te përfundimi se nuk kishte 'përzierje të Rusisë' në zgjedhje, sikur që analistët kishin konstatuar se nuk kishte përzierje ruse në zgjedhjet gjermane të shtatorit. Por, kjo është pjesërisht kështu, për shkak se politika çeke, sikur edhe ajo gjermane, tanimë është formësuar nga intervenimi rus në mënyra të shumta. Që nga shtypi konspirativ, me burimet e tij sekrete të financimit, e deri te lidhjet më të hapëta midis zyrës së presidentit çek dhe "Lukoil", një kompanie ruse, i tërë 'terreni' është deformuar. Rrjedhjet sensacionale të materialeve të hakuara nuk janë të nevojshme kur një pjesë e publikut tanimë është e varur nga dezinformatat e frymëzuara nga Rusia dhe kur një pjesë e shtetit tanimë është e lidhur me Rusinë, me anë të lidhjeve financiare. Kjo formë e shtrembërimit të përhershëm, të nivelit të ulët, paraqet esencën e një raporti të 'rrastë' me 200 faqe, të titulluar "Sulmi asimetrik i Putinit ndaj demokracisë në Rusi dhe Evropë", të publikuar këtë javë nga stafi demokratik i Komitetit të Senatit për marrëdhënie të jashtme. Ashtu sikur që qëndrojnë gjërat, nuk ekziston ndonjë seksion për Republikën Çeke, por ka kapituj në Francë, Gjermani dhe Britani, si dhe në Hungari, Bullgari dhe shtete baltike, etj. Pjesa më e madhe e materialit nuk është e re, por efekti kumulativ është mbresëlënës. I lexuar në tërësinë e tij, raporti i komitetit tregon një rrëfim të zbehtë të tentimeve të vazhdueshme për të përçarë ekonominë dhe politikën në vendet kryesore aleate të SHBA-së në Evropë, për vite të shumta. Kostoja për shtetin rus është e ulët: Lloji i njëjtë i materialeve konspirative riciklohen në tërë kontinentin, me dallime të vogla, për t'iu përshtatur shijeve lokale dhe, kostot e blerjes së ndikimit dhe themelimit të partive politike, duket se paguhen nga kompanitë private. 

Politikat e shtrembëruara

Disa shtete kanë filluar që të reagojnë. Shtetet baltike dhe ato nordike kanë formuar programe kombëtare për të monitoruar dezinformatat; mediat franceze ishin të gatshme për intervenimin rus gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të fundit dhe tentuan t'i rezistonin atij. Por, deri më tani, SHBA-ja nuk ka reaguar në asnjë mënyrë ndaj sfidës së kësaj bote të re. Aq të shtrembëruara janë politikat tona nga një president i cili refuzon që të pranojë lidhjet e tij me Rusinë, saqë anëtarët republikanë të Komitetit të Senatit refuzuan ta nënshkruanin këtë raport mirë të dokumentuar dhe aspak sensacional, e as të pranonin rekomandimet e ndjeshme dhe pragmatike, të cilat do të duhej t'i lexonin të gjithë të interesuarit. Shumë ngadalë, një pjesë e lidershipit evropian ka filluar që të përqendrohet te ky rrezik ndaj unitetit dhe vet demokracisë, i cili del nga kampanjat ruse për të ushtruar ndikim. Por, lidershipi amerikan, i cili galvanizoi rezistencën ndaj fashizmit dhe komunizmit në të kaluarën, tani mungon. Jo vetëm që tani mungon një politikë e përqendruar, e bashkuar e BE-së, por nuk ekziston as shtytja simbolike për solidaritet të bashkuar dhe për vlera demokratike. Një Shtëpi e Bardhë e cila bërtet "lajme të rreme" duke iu drejtuar korporatave të veta të lajmeve, zor se mund t'u ndihmojë mediave të pavarura në Pragë; një president i cili flet rreth butonave bërthamor në 'Twitter' zor se mund të jetë shëmbëlltyrë e lidershipit amerikan. Nuk është vetëm fakti që çekët pro-amerikanë nuk mund të llogarisin në mbështetje nga SHBA-ja, në këtë kohë të krizës; por kjo Shtëpi e Bardhë e vështirëson në përgjithësi fitoren e argumenteve të tyre. 

(Kosova Sot)