Kur Parlamenti shndërrohet në odë tradicionale

Kur Parlamenti shndërrohet në odë tradicionale
  • 29 January 2018 - 08:39

Krismat me armë në ahengje 

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Ka shumë vite që Parlamenti i Kosovës përdoret për arritjen e interesave personale, të familjeve politike dhe të klaneve mafioze të përziera bashkërisht. Kjo mënyrë e diskutimeve dhe aplikimeve të ligjeve të ndryshme Kuvendin tonë e ka shndërruar në bisedë odash tradicionale, në të cilin mbrohen interesat personale, ku bizneset ilegale i legalizojnë përfitimet e tyre. 

Deputetët kanë lidh besën

Në Parlamentin tonë mbrohen rrogat ekzistuese dhe ngrihen ato, e madje vetes ia sigurojnë edhe pensionin deri në vdekje. Është për t'u habitur se si asnjë deputet e asnjë ministër kurrë nuk po grinden mes tyre pozitë-opozitë kur në rend të ditës bëhet fjalë për shtimin e rrogave dhe pensionet e tyre deri në vdekje! Deputetët tanë kurrë nuk e ofenduan njëri - tjetrin gjersa diskutohej për rrogat e tyre, mëditjet e tyre, pensionet e tyre, imunitetin e tyre…. Jo! Në këtë pikë të gjithë e lidhin besën dhe opozita nuk e tradhton pozitën. Jo! Për mirëqenien e deputetëve dhe ministrave nuk ka përçarje. Deputet tanë dhe ministrat e kanë lidhur besën që kurrë të mos grindën mes veti kur në pyetje shtrohet mbrojtja e pasurisë se tyre dhe vazhdimi i zhvatjes së pasurisë së shtetit. Deputetët dhe ministrat e kanë lidhur besën që kurrë të mos përçahen kur diskutohen për aprovimeve të ligjeve që nuk i dëmtojnë interesat personale të zyrtarëve shtetërorë. Një për të gjithë e të gjithë për një, si musketarët e Aleksandër Dyma (Alexendre Dumas). Në Kuvend ka përçarje vetëm kur bëhet fjalë për çështje madhore të atdheut tonë dhe nuk miratojnë ligjet që shkojnë në favor të popullit dhe shtetit tonë. Nuk miratojnë ligjet për sigurimin shëndetësor që duhet të jetë turp për të gjithë deputetët e viteve të kaluara e deri të sotmit. Mosmiratimi i këtij ligji ka ndikuar që sot në popull secili në shoqëri të ngushtë flasin mes tyre se në kohën e Millosheviqit shkonin te mjeku dhe merrnin barna falas. Mosmiratimi i ligjeve të tjera dhe mosaplikimi i ligjeve si për korrupsion kanë ndikuar që qytetarëve të Kosovës t'u ndalohet liberalizimi i vizave. Mosliberalizimi i vizave nuk është pengesë evropiane, por pengesë e vullnetit të deputetëve tanë, të cilët janë të përzierë në grupe mafioze politikoekonomike. Moslëvizja e lirë e qytetarëve tanë ka ndikuar që ata mes tyre të thonë se më pasaporta të ish-Jugosllavisë mund të shkonin kudo në Evropë pa viza e në kohën e shtetformimit tonë nuk mund të shkojmë as deri në Maqedoni. Fajin nuk e ka Evropa! Fajin nuk e ka SHBA-ja! Fajin e kanë pushtetarët tanë! Fajin e ka populli, i cili nuk ngritët masovikisht për të protestuar para Kuvendit. Fajin e ka populli, i cili ende nuk ka vendosur që ditën e zgjedhjeve të mos dalin askush për të votuar! Mirëpo që të ngrihet populli i duhet një lider. Kosovës i duhet një lider që e thyen besën e të pabesëve! E një lider i tillë Kosovës i mungon. 

Dallimi ndërmjet Kuvendit dhe odës

Dikur në oda janë mbledhur burrat më të mirë të fshatit e me këngën e çiftelive kanë kënduar këngë patriotike dhe me motive të dashurisë. Në mungesë të shkollave dhe të shprehjes së lirë në oda, përveç këngëve, janë zhvilluar edhe biseda për çështjen kombëtare, por kurrë në oda nuk janë marrë vendime. Martesat, lindjet, dasmat dhe vdekjet janë trajtuar në oda, ku i kanë caktuar kohën kur duhet të martoheshin pa e ditur datën e saktë, por gjithnjë duke logjikuar më festa të ndryshme si p.sh. Dy javë pas Shën Gjergjit apo pas Bajramit. Ne kurrë nuk e kemi pasur nocionin e kohës së saktë, e as që kemi ditur data e muaj të vitit. Nga kjo mungesë e saktësisë së nocionit të kohës, shumica e lindjeve dhe vdekjeve janë shënuar në libra të Amzës me vonesë e pa ndonjë datëlindje të saktë e shpesh shënimet janë bërë vite më vonë. Në oda janë bërë pajtime të gjaqeve e që në shumicën e rasteve pleqtë pajtues kanë qenë spiunë të pushtetit. Duhet cekur se jo të gjithë pleqtë ishin me pushtetin. Çështja kombëtare me përmasa të gjëra nuk është zhvilluar në oda, por janë thirrur Kuvende. Kuvendet janë organizuar në fusha, nën lisa, të ura, në male etj., etj., por jo në oda. Në kuvende ftoheshin burrat më trima të fiseve dhe besnikë të çështjes kombëtare. Në kuvende kishte rregulla dhe vendime. Pavarësisht se të gjithë shquheshin për trimëri fjala u jepej më të mençurve e jo trimave budallenj. Odat nuk kanë pasur kapacitet që t'i përfshinin të gjithë kuvendarët, andaj ato mbaheshin në natyrë siç e kemi Kuvendin të Ura e Shalës 1806 , Kuvendi i Lipovicës (Blinaja e sotme) më 25 korrik 1946, që u organizua nën hije të lisave të gjatë të Blinajës. Në kuvende të tilla kurrë nuk janë trajtuar tema personale, por vetëm organizime të luftës për liri. Në kuvende nuk janë kënduar këngë e nuk kanë gjuajtur më pushkë e revole. Vendimet e kuvendeve janë zbatuar deri në masën që ju kanë lejuar mundësitë, sepse atdheu ynë ishte nën okupim. 

Kuvendarët e sotëm thirren në tradita

Diskutimet që bëhen në Kuvend këto pesë vitet e fundit janë turpi më i madh yni. Kuvendarët tanë e kanë një fjalor rrugaçësh dhe pa fije turpi thonë fjalë banale. Për fat të keq, televizioni publik seancat i transmeton drejtpërdrejt dhe ky fjalor banal ka filluar të këtë ndikim edhe në familjet tona. Kur një deputet nuk ngurron të shprehet banalisht, pse të ngurrojë një individ i thjeshtë. Në seancën e fundit të Kuvendit tonë u zhvillua një debat i ashpër dhe i stërzgjatur mbi përdorimin e armeve dhe gjuajtjen e tyre në ahengje private. Asnjë deputet i Republikës së Kosovës nuk skuqej që po trajtohet një temë e cila nuk duhej të vinte në rend të ditës. Në vete i imagjinoja sekuencat e filmave vesternë dhe më parakalonin disa kuvendarë indianë të ulur në lëkura të luanit ose luaneshave e me një kamish të gjatë thithin tymin e substancave narkotike të prodhimit vendor.

Zhvillimi i debatit të fundit në Kuvendin tonë nuk kishte asnjë dallim nga indianët e epokës së shkuar

Përveçse kuvendarët tanë të gjithë ishin me kostume të shtrenjta dhe me kravata, e pas brezit me revole që i kishte lëshuar roja e Kuvendit, ndërsa "pogllavicat" e indianëve gjysmë lakuriq e në vend të revoleve i mbrehnin thikat. Ramush Haradinaj u foli "pogllavicave " shqiptarë, të ardhur nga Opoja e Kaçaniku, nga Mitrovica e Peja , e që ne i quajmë deputetë përafërsisht me këto fjalë: "Jemi shqiptarë dhe nganjëherë duhet t'i kuptojmë kur njerëzit janë në qejf kërcasin me alltia ". Nait Hasani bëri përpjekje që t'i arsyetonte të shtënat, duke u thirrur në traditat tona të kaluara se kur lind djali kërcet alltia për t'i larguar lugetërit e shtrigat bashkë me djajë. Mendimi i Naitit nuk është më i logjikshëm se i " pogllavicave " të filmave vesternë. Askush përveç Vjosa Osmanit nuk e arsyetonte se krismat në ahengje po shkaktojnë vdekje. Askush nuk e mendonte se nga krismat e tilla në vend se t'i largojnë shtrigat e dreçnitë , po i vrasim fëmijët tanë. Edhe gjejnë arsyeje debile!

Gjuajtjet në ahengje nuk janë trimëri

Gjuajtjet me armë zjarri në ahengje nuk duhet të konsiderohen trimëri. Ramushi, Fatmiri , Hashimi e të tjerë kanë gjuajtur gjatë kohës kur ishte luftë dhe ishte domosdoshmëri, mirëpo në kohën e paqes armët pushojnë. Nga nostalgjia e kohës së luftës, luftëtarët shkojnë në klube të shenjëtarisë për të ruajtur kondicionin e tyre dhe për t'u zbrazur psikikikisht. Në Kuvendin tonë ende funksion logjika më të fortit e më i forti quhet ai që gjuan me armë në ahengje dhe ai që i kërcënon deputetët tjerë, siç dikur silleshin disa të VV-së, si Fisnik Ismaili e Frashër Krasniqi, apo disa nga PDK-ja, si deputeti dhe profesori universitar Kamishi, që këta dy të sipërpërmendur për nga pamja fizike e tyre nuk dallojnë nga personazhet e filmave kauboj që i quanin -Komançero. Kuvendet e dikurshme që janë mbajtur nën hije të lisave kanë pasur burrëri. Kuvendi i sotëm nuk kanë as burrëri e as atdhetarizëm, por shesin trimëri pa qenë trima. E keni parë Klintonin të gjuajë me revole ? A mendoni se Klintoni është tuc?! E keni parë Solanën të gjuajë në ajër përpjetë me revole kur e fitoi NATO-ja luftën dhe e çliroi Kosovën? Armët janë të nevojshme për momente të caktuara, e jo për ahengje e për të shitur mend, siç veprojnë ministrat tanë. Mos kërkoni liberalizim të vizave se në Evropë ka shumë ahengje dhe ka mundësi të vrisni qytetarët me plumba qorr tuaj. Çka po ju duhen vizat kur ne Evropë deputeti e ministri kurrë nuk bëjnë armë. Çka po ju duhet më hy në Evropë kur atje nuk ju lejojnë të shëtisni më truproje e armë moderne?! Rrini këtu të izoluar e të vetëkënaqur! Qëndroni këtu në Kosovën tonë parajsë i parajsave të botës, ku mund të gjuajmë me armë e askush te mos na dënojë ! Kjo është liria që ne e kërkojmë. Evropa ka ligje dhe rregulla, si për qytetarin e thjeshtë edhe për ministrin.

(Kosova Sot)